Të Fundit
THËNIET E MENDIMTARËVE ME FAMË BOTËRORE RRETH ISLAMIT, KUR’ANIT DHE MUHAMEDIT A.S.

THËNIET E MENDIMTARËVE ME FAMË BOTËRORE RRETH ISLAMIT, KUR’ANIT DHE MUHAMEDIT A.S.

THËNIET E MENDIMTARËVE ME FAMË BOTËRORE RRETH ISLAMIT, KUR’ANIT DHE MUHAMEDIT A.S.

Senad Maku

Në këtë artikull do të përmbledhim fjalët dhe mendimet e disa mendimtarëve të shquar botëror, të cilët, pas studimeve të thella, kanë dhënë deklaratat e tyre për fenë Islame, Kur’anin e Madhërishëm dhe për Muhamedin a.s. Të shkruhen të gjitha mendimet e njerëzve të shquar botëror do të duhej të përmblidheshin në një libër, pasi janë të shumta, por në këtë artikull do të përmendim veç disa prej tyre.
Feja islame, që i është shpallur Muhamedit a.s., është vazhdimi dhe kulminacioni i të gjitha religjioneve paraprake të shpallura, e kësisoj ai është për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzit.
Këtë herë nuk do t’i gjurmojmë thëniet e dijetarëve islamë, por do të paraqesim pohimet e jo-ithtarëve të Islamit, një pjesë e të cilëve pas studimeve kaloi në Islam.

TOMAS ARNOLD “Thirrja në Islam”- “Ne asnjëherë nuk kemi dëgjuar për ndonjë përpjekje për të detyruar jo-muslimanët për të pranuar Islamin apo për ndonjë persekutim të organizuar që ka për qëllim zhdukjen e Krishterimit. Në qoftë se halifët do të kishin zgjedhur një nga këto plane, ata do ta kishin fshirë Krishterimin nga faqa e dheut po aq lehtë siç u bë me Islamin gjatë kohës së Ferdinandit dhe Isabelës në Spanjë; me të njëjtën metodë që ndoqi Luigji XIV për ta bërë Protestanizmin një besim ndjekësit e të cilit dënoheshin me vdekje; apo me të njëjtën lehtësi që u mbajtën hebrejtë larg Britanisë për më tepër se 350 vjet…”

DE LACY O’LEARY “Islam at the Crossroads”, London, 1923, pp. 8- “Historia, ndërkaq, na mëson se legjenda mbi muslimanët fanatik që kaluan botën me furi dhe që i detyruan racat e pushtuara ta përqafojnë Islamin me majat e shpatave të tyre, është njëri ndër mitet më absurde fantastike, të cilën historianët ndonjëherë e kanë përsëritur.”

M. L. STODDARD “The Religion of All Prophets”, Pakistan, pp. 56- “Ngritja e Islamit është mbase ngjarja më e çuditshme në historinë e njerëzimit. Duke buruar nga një vend dhe nga një popull, më parë fare të papërfillur, Islami brenda një shekulli u përhap në mbi gjysmën e rruzullit tokësor duke zhdukur perandori të mëdha, duke përmbysur religjione më të vjetra, duke reformuar shpirtërat e forcave dhe duke ndërtuar një botë të re, botën e Islamit”.

W. MONTOGOMERY “Watt, Islam and Christianity Today”, London, 1983, pp. IX.- “Mendoj se shprehjet e ngulitura në Kur’an dhe shprehjet e tjera të vizionit islamik janë një thesar i madh: së vërtetës hyjnore nga të cilat unë dhe oksidentalistët e tjerë mund të mësojnë akoma shumë dhe se Islami është një luftëtar i fuqishëm për të na dhënë skeletin themelor të një religjioni të së ardhmes.”

H. A. R. GIBB “Wither Islam”, London, 1932, pp. 379.- “Mirëpo, Islami ka për t’i ofruar kauzës së njerëzimit edhe një shërbim. Fundja, ai qëndron më afër Lindjes së njëmendtë sesa Evropa dhe posedon një traditë të shkëlqyer të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit ndërmjet racave. Asnjë shoqëri tjetër nuk ka arritur sukses më të madh në bashkimin e më shumë racave të ndryshmë njerëzore… Islami e ka ende fuqinë e pajtimit të elementeve, në dukje të papajtueshme, racore dhe të traditës.”

Gjithashtu për Islamin flasin edhe CANNON TAYLOR, SAROJINI NADIU, G.B. SHAW, A.J. TOYNBEE, EDWARD MONTET, e shumë të tjerë.

Edhe deklaratat për Kur’anin dhe për natyrën specifike të tij, si: ruajtja e tekstit origjinal të tij, stili, metoda, përmbajtja dhe ndikimi i tij në natyrën e brendshme të njeriut. Ne dimë se ç’ndjenja ngjall ky libër për ata që e lexojnë në gjuhën e pastër dhe të qartë arabe… si i zëvendëson idetë dhe mendimet, si ndyshon ndjenjat shpirtërore duke shkaktuar dridhje në emocionet e njeriut dhe sikur i thotë lexuesit dhe dëgjuesit me zë të heshtur se unë nuk jam libër si librat e tjerë, nuk jam vepër si veprat e tjera, nuk jam….
Pjesa dërrmuese e orientalistëve janë të një mendimi se teksti i Kur’anit dallon nga të gjithë tekstet e librave të shpallura fetare. Kur’ani është i ruajtur nga çdo e metë, i pandryshuar; atë nuk e ka prekur dorë e huaj, nuk është shtuar as hequr asgjë nga teksti origjinal i tij. Mbeti i njëjtë gjatë gjithë historisë, siç ishte shpallur Muhamedit a.s., i shkruar në letër, i ruajtur në zemrat e njerëzve fjalë për fjalë, verset për verset dhe kaptinë për kaptinë. Që nga momentet e para të zbritjes së Kur’anit, Muhamedi a.s. me gjithë shokët e tij e lexonin atë, e nxënin përmendsh dhe e shkruanin me pendë. Pra, qysh në fillim Kur’ani dallohet për dy elemente të shëndosha që nuk i shquajnë librat e tjerë. Këto elemente bënë që ai përfundimisht të tubohej me një saktësi dhe besnikëri të lartë dhe të mbetej i saktë, gjeneratë pas gjenerate deri në ditët e sotme.

SUSEH (orientalist çifut)- Kur bën dallimin në mes tekstit kur’anor dhe librave të tjerë qiellore, vërteton faktin për zëvendësimet dhe ndryshimet që pësuan librat e shenjtë te çifutët dhe te krishterët. Kjo është një e vërtetë për të cilën të gjithë mendimtarët e mirëfillt të religjioneve pajtohen.
“Kur’anin muslimanët e ruajtën me besnikëri dhe emanet të lartë. Ai është libri i vetëm i shenjtë i ruajtur dhe i shpëtuar nga devijimet dhe ndryshimet eventuale. Studiuesit e huaj të Kur’anit shpeshherë gjuajnë shigjeta helmuese kundër Islamit, mirëpo realiteti dhe argumentet historike janë më se të qarta, ato nuk lënë vend për dyshim se Kur’ani në të vërtetë nuk pësoi ndryshime dhe modifikime.”
“Është më se e vërtetë se ai që nuk e njeh gjuhën arabe, sintaksën, gramatikën dhe retorikën e saj, asnjëherë nuk mund të kuptojë rëndësinë dhe ajkën e Kur’anit.”

LANDO (orientalist çifut)- “Osmani r.a. bëri një punë të madhe rreth Kur’anit. Ai kishte ngarkuar Zejd ibn Thabitin që të bënte tubimin e ajeteve në formë të librit, dhe që nga ajo kohë Kur’ani mori formën e tij zyrtare për të arritur tek ne i shëndoshë, pa ndonjë ndryshim, sado i vogël të ishte ai.”

LORA FAGLIRI (studiuese Italiane)- “Kur’ani deri te brezi ynë është përcjellë me një transmetim të përpiktë përmes një zinxhiri të pashkëputur dhe teksti i tij mbeti i pastër, i pandryshuar gjatë shekujve, dhe i tillë do të mbetet derisa të ekzistojë jeta në sipërfaqen e tokës.”

BLASHIRI (orientalist francez)- “Merita më e madhe për ruajtjen e Kur’anit, pas Pejgamberit a.s., i takon halifit Osman r.a. në vitin 655 h. i cili me kohë kishte vërejtur rrezikun që filloi t’i kanosej Kur’anit me lindjen e përçarjeve rreth leximit të drejtë të tij. Ai kishte formuar komisionin për verifikimin e shkrimit origjinal të Kur’anit, ashtu siç kishte zbritur në kohën e Muhamedit a.s., duke mos lejuar futjen e asnjë elementi të huaj në të ose largimin e ndonjë pjese prej tij.”

DI KASTRO (studiues francez)- “Neve, evropianëve, deri tani nuk na është dhënë rasti të kuptojmë domethënien e saktë të Kur’anit, ndoshta pse nuk arritëm të kuptojmë metodën e ligjërimit të tij, apo pse doktrina e tij ishte kundër disa parimeve tona dhe nuk përputhej me mentalitetin tonë, mirëpo injorimi ynë kurrsesi nuk do të thotë se Kur’ani nuk ishte dhe nuk vazhdon të jetë libër hyjnor me ndikim të madh në psikologjinë e njeriut.”

FILIP HITI për metodën e ligjërimit të Kur’anit thotë: “Ajo është aq e lartë, saqë nuk mund të krahasohet me të tjera, nuk mund të kopjohet, të emitohet etj.”
XHORXH SARTUN (studiues amerikan)- “Gjuha e Kur’anit numërohet si gjuhë e Zotit dhe ajo është e plotë në një definim dhe përcaktim të tillë; kjo ka bërë që gjuha arabe të ngrihet më lart se çdo gjuhë tjetër e botës.”

NASRIJ SELEHEB- “Gjuha e tij është aq e lartë dhe superiore, saqë është e pamundur për joarabin ta kuptojë dhe të ndiejë kënaqësinë dhe bukurinë e saj. Është gjuhë që e zgjodhi Zoti dhe e bëri më të vlefshme se çdo gjuhë tjetër, kurse Kur’ani është vlera më e çmuar e saj, sepse është Fjala e Allahut.”
Gjithashtu, Nasrij Seleheb flet se si i çmonin as’habët citatet e Kur’anit më të shtrenjta se çdo thesar i tokës. Pohon gjithashtu faktin se një fat të tillë para përmbledhjes në një koleksion nuk e gëzoi asnjë nga librat e shpallur hyjnor, të cilët nuk gëzuan as kujdesin që pati Kur’ani, përmes të cilit arriti t’i shpëtoi çdo ndërhyrjeje të jashtme njerëzore, kurse në librat tjerë hyjnorë u fut dora e huaj.”

ZHAK VISLER (studiues francez)- “Çdo përkthim i Kur’anit, qoftë ai edhe i shkollës më të lartë, nuk mund të jetë zëvendësim i tij. Që të kuptohet drejt, ai duhet të lexohet me gjuhën e tij, e nuk ka gjuhë në botë që mund të zëvendësoj atë. Përkthimi i Kur’anit është i ngjashëm me shkëputjen e lules nga rrënjët e saj.”
RISLER- “Kur’ani, përveç që është libër fetarë, në vete përmban edhe esencën e të gjitha njohurive. Aty njeriu gjen zgjidhje për të gjitha çështjet.”

MARSIL (orientalist francez)- “Kur’ani është fjalë e gjallë në zemrat e shumë njerëzve-hafëzëve, është ndërmjetësues në mes njeriut dhe Allahut, udhëzues shpirtëror, sistem moral dhe ligji i botës. Ai nuk është libër që i dedikohet vetëm një shoqërie ose një periudhe të caktuar kohore. Kur’ani është libër me një ligj të përjetshëm, të plotë dhe të përsosur. Është Fjala e fundit e Zotit, e cila nuk shtrembërohet dhe nuk zëvendësohet; libër i cili njeriut i ligjëron përmes ndjenjave të tij të brendshme, mendjes dhe natyrës së tij krijuese.”

LJUBILDD WEISS (studiues i Kur’anit)- “Tani e kuptova se libri të cilin e mbaja në dorë ishte libër i shpallur nga Zoti; libër i cili, edhe pse kaloi në duart e njerëzve më tepër se 13 shekuj, studiuesit nuk arritën t’ia zbulojnë fshehtësitë filozofike. Nga Kur’ani mua më del një zë më madhështor sesa zëri i Muhamedit a.s.. Kur’ani që u ligjërohej arabëve në shekullin VII dhe tundte thellësitë e tyre shpirtërore është po ai që ka edhe sot të njëjtën fuqi, edhe për lexuesin shekullit të XX-të, por edhe të shekullit të XXV-të”.

Një i krishterë Indian thotë: “Kur’ani është libri i vetëm qiellor, i cili mësohet përmendsh nga mijëra njerëz nga të gjitha anët e botës, kurse librat e tjerë të shenjtë i gjejmë të ruajtura vetëm me shkrimin e shtypur. Po të ndodhë për ndonjë arsye që librat e shkruar në letra të treten nga njerëzit, Kur’ani do të mbetet libri i vetëm i ruajtur në gjoksa.”

Gjithashtu si DERMINGEMI (orientalist francez), SIDJU (orientalist francez), JOGEL (orientalist anglez), ZHAN ZHAK RUSOI, GOETHE, DR. STEINGASS, MAURICE BUCAILLE, ARTHUR J. ARBERRY etj. etj., tregojnë se Kur’ani është libër i Zotit dhe jo vepër e Muhamedit a.s..

Të gjthë dijetarët botëror, të cilët e kanë studiuar biografinë e Pejgamberit të Islamit në mënyrë objektive, në fund kanë dëshmuar për madhështinë e personalitetit të tij. Prej tyre janë:

NAPOLEONI- Napoleoni i parë (1769-1821), imperator i Francës, në histori njihet si një burrë shteti dhe luftëtar i madh. Në vitin 1812, kur hyri në Egjipt, u mahnit pas drejtësisë dhe madhështisë së besimit Islam. Rreshtat e poshtëshënuar janë marrë nga vepra “Bonaparte et Islam” të Cherfilsit. Napoleoni thoshte:
“Musai (a.s.) popullin e vet, Isai (a.s.) ithtarët e vet, kurse Muhamedi (a.s.) tërë botën e ka lajmëruar se ekziston Allahu i Madhërishëm dhe është vetëm Një. Në Gadishullin Ballkanik dominonte paganizmi. Gjashtë shekuj pas Isait, Muhamedi (a.s.) ua predikoi arabëve Allahun e Madhërishëm, për të cilën u munduan edhe Ibrahimi (a.s.), Isai (a.s.), Musai (a.s.). Arianët (të krishterët që i takojnë Ariusit), që iu bashkangjitën arabëve dhe ata që duke prishur besimin, fenë e Isasë (a.s.) dëshirojnë të përhapin një besim të ri me tre Zota (d.m.th. Allahu, biri i Allahut, Shpirti i Shenjtë) e prishnin krejtësisht rehatinë dhe paqen e Lindjes. Muhamedi (a.s.) atyre ua tregoi rrugën e drejtë. U tha arabëve se Allahu (xh.sh.) është Një dhe Ai as nuk ka baba, e as bir. Besimi në shumë zota është një zakon i pakuptimtë, që ka mbetur nga paganizmi.”
Në një pjesë tjetër të librit gjenden këto fjalë të Napoleonit: “Mendoj se, së shpejti, do të kem mundësi të formoj një shtet duke i tubuar të gjithë personat e dalluar, të mençur të botës dhe ta udhëheq këtë shtet (sipas parimeve të shkruara në Kur’an). Besoj vetëm në drejtësinë e këtyre parimeve islame, dhe në sajë të këtyre parimeve njerëzit do ta arrijnë lumturinë.”

ANNIE BESANT “The life and Teachings of Muhammad”, Madras, 1932, p.p. 4.- “Është e pamundur që çdokush që e studion jetën dhe karakterin e Pejgamberit të madh të Arabisë, e që di se si mësoi dhe jetoi ai, të mos ndiejë diçka tjetër, përveç respektit të thellë ndaj tij, njërit prej përcjellësve të mëdhenj të porosive të të Lartmadhërishmit. Edhe pse me këtë që po shtroj para jush do të them shumë gjëra, të cilat për shumë njerëz tashmë janë të njohura, prapëseprapë, sa herë që i rilexoj ato, më kaplon një ndienjë e re admirimi dhe respekti ndaj mësuesit të madh arab.”

W. MONTOGOMERY “Mohammad at Mecca”, Oxford, 1953, p.p. 52.- “Gatishmëria e tij për të përjetuar persekutime për shkak të besimit, karakteri i lartë moral i njerëzve, që i besonin dhe që e konsideronin udhëheqës, si dhe madhështia e arritjeve të përnjëhershme, dëshmojnë për integritetin e tij bazë. Ta konsiderosh Muhamedin mashtrues, më shumë shkakton probleme sesa i zgjidh ato. Aq më tepër, asnjë personalitet i madh historik nuk është ndriçuar më zbehtë në Perëndim sesa Muhamedi”.

DR. MICHAEL H. HEART- Në librin e tij të famshëm “Klasifikimi i 100 personaliteteve me ndikim më të madh në histori” thotë: “Vënia e Muhamedit a.s. në krye të listës së personaliteteve më me influencë në histori, mund t’i befasojë lexuesit, por e vërteta është se ai ishte njeriu më i suksesshëm në aspektin fetar e jetësor. Ai ishte i vetmi që e kompletoi misionin e tij fetarë, i përsosi ligjet e fesë dhe në të besuan popuj të tërë gjatë jetës së tij. Përveç përsosjes së fesë, ai themeloi edhe shtetin e ri, duke i bashkuar fiset në popull dhe popujt në umet. Dhe për umetin e vet vuri bazat e jetës së tij fetare. Ai, pra, e filloi misionin e tij fetar dhe jetësor dhe e përfundoi atë”.

ENCIKLOPEDIA BRITANICA- “Muhamedi ishte Profeti më i suksesshëm i të gjithë Profetëve dhe personaliteteve religjioze.”

BERNARD SHOW- “Unë jam thellë i bindur se sikur një personalitet i rangut të Muhamedit të sundonte botën e sotme, do të kishte sukses në zgjidhjen e problemeve botërore dhe do ta çonte botën kah paqja dhe shpëtimi.”
“Në kohën e tashme, shumë nga të afërmit e mi evropianë kalojnë në fenë e Muhamedit dhe mund të thuhet se konvertimi i Evropës në Islam tashmë ka filluar”.

EMILE DERMENGHEM- “Muhamedi është sigurisht një Profet nga radha biblike”.

LA MARTINE- Historiani francez, në librin e tij “Historia e Turqve”, shkurtimisht e respekton tejmase me fjalët: “Filozof, orator, profet, ligjvënës, luftëtar, ngadhnimtar idesh, rilindës i sërishëm, i fesë së logjikës dhe të Zotit pa idhuj dhe afreke: Themelues i njëzet mbretërive të botës dhe i një mbretërie shpirtërore Ai është Muhamedi”.
“Muhamedi është më pak se një Zot- një Profet.”

OTO VON BIZMARK- “O Muhamed, më vjen keq që nuk kam qenë bashkëkohësi yt.”

MAHATMA GANDHI- “Feja islame urdhëron që të adhurohet Allahu dhe vepra e Tij. Ndërkohë që Perëndimi ishte në një errësirë të tmerrshme, ylli islam në Lindje i kishte sjellë rehati, paqe dhe dritë. Feja islame nuk është gënjeshtare… Unë i kam lexuar veprat lidhur me jetën e Profetëve të besimit islam dhe atyre që janë pranë tij. Këto vepra ma kanë tërhequr shumë vëmendjen, saqë, kur i përfundova më erdhi keq që nuk kishte më. Unë nxora përfundimin se përhapja kaq e shpejtë e fesë islame nuk është bërë për shkak të dhunës… Njerëzit me dëshirë e kanë pranuar fenë islame. Në myslimanizëm ndërmjet Allahut dhe robit të Tij nuk ka ndërmjetësues… Meqë krishtërimi kishte shumë mungesa, ishte e nevojshme të bëhen reforma të ndryshme. Kurse në muslimanizëm çdo gjë është ashtu siç ka qenë në fillim. Nuk ka qenë nevoja për asnjë ndryshim.”

LLAV NIKOLLAJEVIQ TOLSTOJ- “S’ka dyshim se Profeti Muhamed është një ndër reformatorët më të mëdhenj të njerëzisë. Atij i takon lavdi më i madh, sepse njerëzinë e ka udhëzuar drejt dritës më të madhe, drejtësisë dhe paqes, e ka penguar derdhjen e pafajshme të gjakut njerëzor dhe kështu i ka hapur rrugën përparimit dhe civilizimit. Këtë vepër të madhe nuk do të mund ta zbatonte askush tjetër përveç një njeriu, pos me fuqi mbinatyrore, njeri që është i denjë secilës, mrekullisë dhe kujdesit”.

RILKE- “Kurrë s’ka lexuar, kurse tani-shiko! Një fjalë e tillë dhe për dijetarin është e paarritshme.”

EDWARD GIBBON DHE SIMON OCKLAY , “History of the Saracen Empire”, London, 1870, p.p. 54. – “Unë besoj në një Perëndi dhe në Muhamedin-të Dërguarin e Perëndisë, është predikim i thjeshtë dhe i pandryshuar i Islamit. Imazhi intelektual i Hyjnisë asnjëherë nuk është degraduar me ndonjë idhull të dukshëm. Nderimet e Pejgamberit kurrë nuk e kanë tejkaluar masën e virtytit njerëzor, kurse parimet jetësore të tij e kanë mbajtur mirënjohjen e ithtarëve të vet brenda kufijve të arsyes dhe fesë”.
Po ashtu Gibboni, në librin e tij “Ngritja dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake”, jep mendimin për Kur’anin dhe fenë Islame: “Në fenë e Muhamedit nuk ka vend për dyshim, kurse Kur’ani është dritë e dëshmisë për njëshmërinë e Zotit”.

TOMAS CARLYLE – “Ka pasur edhe njerëz të tjerë që kanë predikuar monoteizmin, por asnjë s’ka qenë i barabartë me besimin e tij të fortë dhe të pastër në një Zot.”

BOSWORTH SMITH – “Muhamedi ishte krijues i umetit, themelues i perandorisë, rimëkëmbës i fesë në të njëjtën kohë. Atij, edhe pse analfabet, i është shpallur libri që përmban letërsi, jurispundencë, norma morale të përgjithshme si dhe libra të shenjtë të përfshirë në një libër. Dhe ai e ka shenjtërinë e vet edhe sot e kësaj dite në një të gjashtën e njerëzimit.”

Po ashtu, si JAMES H. HEART, JAMES A. MICHENER, FERLONG, S. H. LEEDER, JOHN WILLIAM DRAPER, CARL BRACKELMANN, D. V. BODLY, ANDRIN SERVE, JULES MESERMAN, edhe shumë mendimtarë të tjerë të shquar botëror kanë dhënë mendimet e tyre mbi Islamin dhe Profetin Muhamed a.s.

Literatura e shfrytzuar:
Dituria Islame: Nr. 1, viti 1986; Nr. 20, viti 1990; Nr. 22-23, viti 1991; Nr. 24, viti 1991; Nr. 25, viti 1991; Nr. 30-31, viti 1991; Nr. 36 viti 1992; Nr. 51, viti 1993; Nr. 71, viti 1995; Nr. 98, viti 1998; Nr. 99, viti 1998.