(Xhamia deri në vitin 2012) (Xhamia e rindërtuar në vitin 2013)
XHAMIA E KLLEZNËS DHE IMAMET E SAJ
Kllezna është fshat i cili i takon Komunës së Ulqinit. Ka një pozitë karakteristike gjeografike: shtrihet në luginën e Klleznës, prej fshatit Pelink e kufizohet me liqenin e Shasit. Ajo në veri-jug të Anës së Malit shtrihet në mes maleve Mozhur – Zhgep dhe Malit të Brisë nga Ulqini. Me Anë të Malit kufizohet me Malin e Shasit, Malin e Kërpnetit dhe Malin e Pavarës. Përbëhet prej dy tërësive: Kllezna e Sipërme (Kllezna naltë) dhe Kllezna e Poshtme (Kllezna poshtë), të cilat ndahen në mënyrë natyrore me sheun e Megjureçit.
Ky fshat në dokumentet arkivore dhe në histori ka tre emra: Kalezina, Kelezena dhe Kllezna. Po ashtu të moçmit pohojnë se dikur moti ky vendbanim i vogël, është quajtur Bria, e nga kjo ndërsa sot e kësaj dite përdoren emërtimet (toponimet) Mali i Brisë, Fusha e Brisë, Liqeni i Brisë, Mulliri i Brisë, Kroni i Brisë etj. Është e njohur edhe për monumentin unik të kulturës, Urën e Klleznës, e cila është dëshmi e një lashtësie shekullore. E ndërtuar në vitin 1696 nga një mjeshtër dibran, varri i të cilit ende gjendet në një arë afër xhamisë së Klleznës, kjo urë ka qenë e vetmja që ka lidhë Ulqinin me Klleznën, por edhe me Anën e Malit dhe me Krajën.
Kllezna është e banuar me shqiptarë autoktonë, të cilët janë të njohur për mikpritje, bujari, atdhetari, fisnikëri, besnikëri, ndershmëri dhe bashkëjetesë në harmoni të plotë fetare. Klleznorët e të tri konfesioneve njihen si besimtarë të devotshëm. Ajo që i ka karakterizuar ata gjithmonë është fakti se midis tyre gjithmonë ka mbretëruar toleranca fetare. Por, edhe Kllezna, sikur të gjithë fshatrat e tjerë të banuar me shqiptarë në Mal të Zi, lëngon nga një plagë e dhimbshme – emigrimi. Sot në Kllezën kanë mbetur rreth 80 familje. Shumë familje nga Kllezna janë në Shtete të Bashkuara të Amerikës, ka edhe në shtete të Evropës, ndërsa shumë të tjera kanë dalë e jetojnë në Ulqin. Megjithatë, asnjë nga ata nuk e harrojnë vendin e të parëve të tyre dhe kudo që të jetojnë e quajnë veten klleznorë.
Sa i përket Xhamisë së Klleznës, të dhënat e shkruara thonë se është ndërtuar në vitin 1917 me kontributin e vetë besimtarëve, me sipërfaqe prej 84 m2. Mirëpo, ekzistojnë të dhëna, të cilat duhen të studiohen më thellë, që Xhamia e Klleznës është ndërtuar kur u ndërtua edhe Ura e Klleznës, pra në vitin 1696. Në oborrin e xhamisë janë varrezet e fshatit, disa prej të cilave janë me shekuj të vjetër. Xhamia është riparuar para vitit 1966, ndërsa në vitin 1984 u ndërtua plotësisht xhami e re, në themelet e xhamisë së rrënuar nga termeti i vitit 1979.
Pas 29 vitesh, Xhamia e Klleznës u rindërtua përsëri me datë 6 korrik 2013 në formën që ka sot.
Do t’i përmendi emrat e personave për të cilët ka të dhëna që kanë kryer detyrën e imamit në këtë xhami: Mulla Dan Klezna, Osman Spahiq deri 1939, Said Bisha, Sadik Llolla, Selim Shaptafa prej vitit 1952, ndërsa prej vitit 1988 e deri më 01.01.2011 Rifat Tulaj. Me pensionimin e tij detyrën e imamit sot e ushtron Senad ef. Maku, i cili kontribuoi shumë jo vetëm në rindërtimin e Xhamisë, por edhe në ngjalljen e veprimtarive e aktiviteteve të shumta në kuadër të kësaj Xhamie.
Përgatiti: Ardita Rama