Të Fundit
Dita e ashures (jevmu ashura)

Dita e ashures (jevmu ashura)

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Tema e hutbës sonë të sotme është Dita e Ashures ose Jevmu-Ashura.

Është dispozitë e Allahut të Plotfuqishëm, që në ditën e krijimit të qiejve dhe Tokës, Ai vendosi që koha të llogaritet me 12 muaj, në mesin e të cilëve, nder veçantë ju dha 4 “muajve të shenjtë” (eshhurul-hurum).

Pejgamberi (savs), në një hadith të transmetuar nga Ebu Bekrete (r.a.), shpjegon se cilët janë këta 4 muaj, duke thënë: [1]

„Transmeton Ebu Bekrete (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: ‘Koha sillet, sikur atë ditë kur Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën. Viti ka 12 muaj, prej tyre 4 janë të shenjtë: 3 janë njëri pas tjetrit: (1) dhul-ka’de, (2) dhul-hixhe dhe (3) muharrem, dhe (4) rexhebi, i cili është midis xhumadel-uhra dhe shabanit!’ “ (Buhariu)

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), konsideron se Allahu i Plotfuqishëm, këtyre 4 muajve ju ka dhënë vend të veçantë, sepse në këta muaj rriten mëkatet, e po ashtu edhe veprat e mira. Prandaj, në këta muaj, duhet të kemi shumë kujdes për veprimet tona. Le t’i bëjmë vetes pyetje:

A ndryshojnë sjelljet dhe jeta jonë në këta muaj nga muajt e tjerë?

A bëjmë në këta muaj ibadet të shtuar apo jemi zhytur në mëkate, duke harruar se ku jemi dhe ku po shkojmë?

A kemi harruar disa prej nesh, se ne jemi njerëz të vdekshëm të zakonshëm, të cilët do të jemi përgjegjës për çdo hap, veprim dhe mendim Ditën e Gjykimit?!

Në këta 4 muaj të shenjtë përfshihet edhe muaji muharrem, në të cilin dita e 10-të është ‘Dita e Ashures’ (Jevmu-Ashura).

Për vlerën e agjërimit në muajin muharrem, si dhe faljen e namazit të natës, flet hadithi, të cilin e shënon imam Muslimi: [2]

Transmetohet nga Ebu Hurejre (r.a.), se Pejgamberi (savs), ka thënë: „Agjërimi më i mirë pas ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut muharrem, ndërsa namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës!“ (Muslimi)

Sipas transmetimeve, Pejgamberi (savs), gjatë qëndrimit në Mekë agjëroi në ditën e 10-të të muharremit. Pas mbërritjes së tij në Medine, ai i gjeti hebrenjtë që agjëronin Ashuren. Në këtë kuptim është edhe ky transmetim: [3]

Abdullah ibn Abbasi (r.a.), ka thënë: „Pejgamberi (savs) erdhi në Medine dhe i pa hebrenjtë që agjëronin Ashurën, andaj i pyeti: „Çka është kjo?“ Ata thanë: „Kjo është një ditë e bukur, dita në të cilën ka shpëtuar Musai (a.s.) me Benu israilët nga armiku i tyre, kështu që Musai (a.s.), e agjëroi atë.“ Ai tha: „Unë Musain e kam më afër sesa ju!“ – kështu që ai agjëroi dhe i urdhëroi që edhe ata të agjërojnë.“ (Buhariu)

Në koleksionin e imam Ahmedit gjendet edhe ky transmetim:

„Kjo është dita, në të cilën u ndal anija në kodrën Xhudijj, dhe Nuhu (a.s.), e agjëroi atë …” (Ahmedi)

Imam Buhari e regjistron edhe këtë transmetim: [4]

Transmetohet nga Ibn Abbasi (r.a.), i cili ka thënë: „Unë nuk e kam parë Pejgamberin (savs), me më shumë dëshirë duke agjëruar ndonjë ditë sesa Ashuren dhe këtë muaj të bekuar (duke iu referuar ramazanit).“ (Buhariu)

Në koleksionin e Muslimit gjendet hadithi, në të cilin thuhet se agjërimi i Ashures është shkaku i faljes së mëkateve të kryera në vitin e kaluar: [5]

 “Agjërimi i Ditës së Ashures është shkak i faljes së mëkateve të kryera gjatë vitit të kaluar!“ (Muslimi)

Vëllezër të respektuar;

Pejgamberi (savs), ka rekomanduar që të agjërohet përveç ditës së 10 të muharremit edhe një ditë para ose një ditë pas saj. Kështu në transmetimin e mëposhtëm thuhet: [6]

Transmetohet nga Abdullah ibn Abbasi (r.a.), se pasi që Pejgamberi (savs), e agjëroi Ashuren dhe i urdhëroi sahabët që ta agjërojnë, i thanë atij: „O i Dërguari i Allahut, kjo është një ditë të cilën e shënojnë hebrenjtë dhe të krishterët!” Meqë rast, Pejgamberi (savs), tha: „Në vitin e ardhshëm, me vullnetin e Allahut, do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë!“ Por ai nuk e priti vitin tjetër, sepse Pejgamberi (savs) ndërroi jetë atë vit!“ (Muslimi)

Duke e agjëruar ditën e 9-të të muharremit, muslimanët në këtë ibadat dallohen nga Pasuesit e Librit (Ehlul-Kitab).

Dijetarët islamë kanë thënë se janë tri shkallë të agjërimit të Ashures:

1) Që të agjërohet vetëm dita e 10, por kjo është në kundërshtim me atë që ka thënë Pejgamberi (savs): „Në vitin e ardhshëm, me vullnetin e Allahut, do ta agjërojmë edhe ditën e nëntë!“

2) Që të agjërohet një ditë para ose një ditë pas saj.

3) Që të agjërohet një ditë para edhe një ditë pas bashkë me Ditën e Ashures. Në këtë mënyrë, duke agjëruar tre ditë nga muaji muharrem, ne do ta kryejmë sunetin e Pejgamberit (savs), i cili i agjëronte nga tri ditë në çdo muaj, sidomos Ditët e Bardha, përkatësisht, ditën e 13, 14 dhe 15, të muajve hixhrij.

Vëllezër të dashur!

Allahu i Plotfuqishëm na ka dhuruar këtë mundësi që ta fitojmë një vepër të mirë dhe të pastrohemi nga mëkati, andaj mos ta humbasim!

Mos ta lëshojmë mundësinë që me agjërim, si një nga ibadetet më të sinqerta, në këto ditë ta ringjallim sunetin e Pejgamberit (savs), të fitojmë mirësi, ta fitojmë dashurinë e Allahut të Plotfuqishëm, t’i afrohemi Atij, dhe në këtë mënyrë t’ia shprehim Atij bindjen tonë!

Prandaj, le t’i agjërojmë, me vullnetin e Allahut, tri ditë; një ditë para Ashures, ditën e Ashures dhe një ditë pas saj, përkatësisht, të dielen, të hënën dhe të martën.

O Zot, na forco në rrugën e Islamit!

Ndihmoji vëllezërit dhe motrat tona të rrezikuara kudo që janë!

Na ruaj nga e keqja e armiqve të Islamit dhe armiqve tanë!

O Allah! Na e prano agjërimin e ditëve të Ashures dhe na bëj prej atyre që garojnë në zbatimin e sunetit të Pejgamberit tonë (savs)!

O Zot! Na i mëshiro prindërit dhe paraardhësit tanë të vdekur, të cilët na e sollën dritën e Islamit! Si dhe udhëzoji fëmijët dhe pasardhësit tanë dhe bëji ata prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut, dhe bëji gëzim të syve dhe zemrave tona në këtë botë dhe në botën e ardhshme!

O Allahu ynë i dashur! Na mëshiro neve në Ditën e Gjykimit dhe na ndero në xhenet me shoqërinë e pejgamberëve, të sinqertëve, të shehidëve dhe të njerëzve të mirë! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

Hatib Nezim ef Halilović Muderris/islampress/


[1] ) عَنْ أَبِي بَكْرَةَ رَضِي اللَّه عَنْه أَنَّ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ قَالَ: “الزَّمَانُ قَدِ اسْتَدَارَ كَهَيْئَتِهِ يَوْمَ خَلَقَ اللَّهُ السَّمَوَاتِ وَالْأَرْضَ، السَّنَةُ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ثَلَاثَةٌ مُتَوَالِيَاتٌ ذُو الْقَعْدَةِ وَذُو الْحِجَّةِ وَالْمُحَرَّمُ وَرَجَبُ مُضَرَ الَّذِي بَيْنَ جُمَادَى وَشَعْبَانَ.” (البخاري)

[2] ) عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِي اللَّه عَنْهُ، قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: ” أَفْضَلُ الصِّيَامِ بَعْدَ رَمَضَانَ شَهْرُ اللَّهِ الْمُحَرَّمُ وَأَفْضَلُ الصَّلَاةِ بَعْدَ الْفَرِيضَةِ صَلَاةُ اللَّيْلِ.” (مسلم)

[3] ) عَنِ عَبْدِ اللهِ ابْنِ عَبَّاسٍ رَضِي اللَّه عَنْه قَالَ: “قَدِمَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ الْمَدِينَةَ فَرَأَى الْيَهُودَ تَصُومُ يَوْمَ عَاشُورَاءَ فَقَالَ: “مَا هَذَا؟” قَالُوا: “هَذَا يَوْمٌ صَالِحٌ، هَذَا يَوْمٌ نَجَّى اللَّهُ بَنِي إِسْرَائِيلَ مِنْ عَدُوِّهِمْ فَصَامَهُ مُوسَى.” قَالَ: “فَأَنَا أَحَقُّ بِمُوسَى مِنْكُمْ.” فَصَامَهُ وَأَمَرَ بِصِيَامِهِ.” (البخاري)

[4] ) عَنِ ابْنِ عَبَّاسٍ رَضِي اللَّه عَنْه، قَالَ: ” مَا رَأَيْتُ النَّبِيَّ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَتَحَرَّى صِيَامَ يَوْمٍ فَضَّلَهُ عَلَى غَيْرِهِ إِلَّا هَذَا الْيَوْمَ يَوْمَ عَاشُورَاءَ وَهَذَا الشَّهْرَ يَعْنِي شَهْرَ رَمَضَانَ.” (البخاري)

[5] ) صِيَامُ يَوْمِ عَاشُورَاءَ أَحْتَسِبُ عَلَى اللَّهِ أَنْ يُكَفِّرَ السَّنَةَ الَّتِي قَبْلَهُ!” (مسلم)

[6] ) عَنْ عَبْدَ اللَّهِ بْنَ عَبَّاسٍ رَضِي اللَّه عَنْه، أَنَّهُ قَالَ:”حِينَ صَامَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَوْمَ عَاشُورَاءَ وَأَمَرَ بِصِيَامِهِ قَالُوا: يَا رَسُولَ اللَّهِ إِنَّهُ يَوْمٌ تُعَظِّمُهُ الْيَهُودُ وَالنَّصَارَى.” فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّه عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: “فَإِذَا كَانَ الْعَامُ الْمُقْبِلُ إِنْ شَاءَ اللَّهُ صُمْنَا الْيَوْمَ التَّاسِعَ” قَالَ: “فَلَمْ يَأْتِ الْعَامُ الْمُقْبِلُ، حَتَّى تُوُفِّيَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهم عَلَيْهِ وَسَلَّم.” (مسلم)