Të Fundit
Shkaku i agjërimit të Ashurasë

Shkaku i agjërimit të Ashurasë

Dita e Ashurasë konsiderohet prej ditëve të bekuara në Islam. Kjo ditë zë një vend të veçantë tek zemrat e muslimanëve. Në këtë ditë, muslimanët afrohen tek Allahu me agjërim për shkak se në lidhje me agjërimin në këtë ditë janë transmetuar një sërë hadithesh. Dita e Ashurasë është një rast i mirë që muslimani të meditojë e të reflektojë ndaj ngjarjve me peshë historike dhe fetare që kanë ndodhur në të. Ajo është dita në të cilën ne kujtojmë se Allahu e ka shpëtuar Musain (a.s) dhe popullin e tij nga zgjedha e Faraonit dhe ushtrisë së tij. Po cili është shkaku i agjërimit të ditës së Ashurasë dhe cilat janë ato hadithe që flasin për agjërimin në këtë ditë?

Çfarë kuptojmë me fjalën “Ashura”?

Ashura është dita e dhjetë e muajit Muharrem. Të këtij mendimi janë pjesa dërrmuese e dijetarëve. “Ashura” është një fjalë arabe që nënkupton ditën e dhjetë, ashtu sikur për ditën e nëntë thuhet “Tasuae”. Kjo ditë konsiderohet e shenjtë në Islam dhe ka vlerë historike dhe fetare.

Origjina e agjërimit të Ashurasë:

Origjina e agjërimit të kësaj dite zë fill qysh para Islamit, sepse hebrenjtë të cilët ishin në Medine e festonin (agjëronin) këtë ditë për shkak se Allahu e kishte shpëtuar Musain (a.s) dhe popullin e tij nga Faraoni dhe ushtria e tij. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain (a.s) që ta urdhëronte popullin e tij që ta kujtonin këtë ditë madhështore. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e patëm dërguar Musain me argumentet tona dhe i thamë: Nxirre popullin tënd prej errësirave në dritë dhe përkujtoju atyre të mirat e Allahut, se vërtet në ato ka argumente për secilin që është shumë i durueshëm dhe shumë falenderues.”[1]

Kur Profeti (a.s) shkoi në Medine i gjeti hebrenjtë të cilët agjëronin në këtë ditë. Ai (a.s) tha: “Çfarë është kjo? Ata thanë: kjo është një ditë e mirë. Kjo është dita në të cilën Allahu i shpëtoi Benu Israilët nga armiku i tyre. Prandaj edhe Musai (a.s) ka pasë agjëruar. Profeti (a.s) tha: Unë jam më meritor se Musai për ju. Ai agjëroi dhe urdhëroi (muslimanët) të agjëronin në atë ditë.”[2]

Hadithet që flasin për agjërimin e ditës së Ashurasë:

Në lidhje me vlerën dhe agjërimin e ditës së Ashurasë janë përmendur një sërë hadithesh profetike:

Abdulla ibn Abas (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka urdhëruar për të agjëruar në ditën e Ashurasë, në ditën e dhjetë.”[3]

Aishja (r.a) transmeton se “Profeti (a.s) ka urdhëruar për agjërimin e ditës së Ashurasë, në ditën e dhjetë.”[4]

Abdulla ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse jetoj deri në vitin tjetër do të agjëroj edhe ditën e nëntë.”[5]

Ebu Katade El Ensarij (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) është pyetur rreth agjërimit të ditës së Ashurasë. Ai (a.s) tha: “Agjërimi i asaj dite shlyen gjynahet e vitit të kaluar.”[6]

Ebu Musa (r.a) ka thënë: “Hebrenjtë e kanë pasë konsideruar ditën e Ashurasë ditë feste. Profeti (a.s) tha: Agjërojeni atë të ditë!”[7]

Përshkallëzimi i legjislacionit të agjërimit të Ditës së Ashurasë:

Në fillim, agjërimi i ditës së Ashurasë ka qenë obligim (vaxhib) për muslimanët. Por pasi Allahu e bëri obligim agjërimin e muajit Ramazan, agjërimi i ditës së Ashurasë u bë i pëlqyeshëm (mustehab). Aishja (r.a) ka thënë: “Në periudhën e xhahilijes, kurejshët kanë pasë agjëruar në Ditën e Ashurasë dhe po ashtu edhe i Dërguari i Allahut (a.s) e ka pasë agjëruar. Kur ai shkoi në Medine, ai agjëroi dhe dha urdhër që edhe (muslimanët) të agjëronin. Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit, ai tha: Kush dëshiron të agjërojë dhe kush të dojë le mos të agjërojë.”[8]

Agjërimi i ditës së Ashurasë para dhe pas saj:

Është veprim i pëlqyeshëm (mustehab) që muslimanët të agjërojnë në ditën e Ashurasë, para saj dhe pas saj duke vepruar kështu në kundërshtim me veprimin e hebrenjve. Transmetohet se Ibn Abasi (r.a) ka thënë: Kur i Dërguari i Allahut (a.s) ka agjëruar ditën e Ashurasë dhe urdhëroi për të agjëruar në atë ditë, njerëzit thanë: O i Dërguar i Allahut! Ajo është Dita, të cilën të hebrenjtë dhe të krishterët e madhërojnë?! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Në vitin tjetër, me leje të Allahut, do të agjërojmë ditën e nëntë. Kur erdhi viti tjetër, i dërguari i Allahut (a.s) vdiq.”[9]

Dijetari eminent Ibn Kajjim El Xheuzije (r.h) ka thënë: “Gradët e agjërimit të Ashurasë janë tre: më e mira dhe më e plota: me agjëruar ditën e Ashurasë, para dhe pas saj; me agjëruar ditën e nëntë dhe të dhjetë dhe për këtë aludojnë shumë hadidhe dhe grada më e ulët është me agjëruar vetëm ditën e dhjetë.”

Së fundmi:

Dita e Ashurasë është një mundësi e mirë për të nxjerrë mësime nga historia, për të ditur rëndësinë dhe vlerën e nijetit të pastër, për t’u mbështetur tek Allahu në të gjitha situatat si dhe shumë e shumë përfitime të tjera.

Burimi: islamonline.net

Përshtati: Elton Harxhi

[1] – Sure Ibrahim: 5.

[2] – Buhariu.

[3] – Tirmidhiu.

[4] – Bezari.

[5] – Muslimi.

[6] – Muslimi.

[7] – Buhariu.

[8] – Buhariu dhe Muslimi.

[9] – Muslimi.