Të Fundit
Padrejtësia (urrejtja)

Padrejtësia (urrejtja)

Padrejtësi quhet akti i shkeljes së të drejtave të njeriut që i gëzon qysh prej lindjes së tij deri në vdekje.

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Mos iu afroni pasurisë së jetimit derisa ai të arrijë pjekurinë, (mund t’i afroheni) vetëm në mënyrë më të mirë, zbatoni me drejtësi masën dhe peshojën. Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij. Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse është çështja për (kundër) të afërmit, dhe zotimin e dhënë All-llahut plotësonie. Këto janë me çka Ai ju porositë kështu që të përkujtoni.” (En’am; 152)

Njerëzit, që të gjithë, janë robër të Allahut të Madhëruar, e që nënkupton se askush nuk ka të drejtë të dëmtojë tjetrin, sidomos kur kihet parasysh fakti se Allahu, si Krijues, ia ka ndaluar padrejtësinë edhe Vetes së Tij.
Pejgamberi alejhi selam transmeton se Allahu ka thënë: “O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar padrejtësinë Vetes, sikur që e kam ndaluar atë në mesin e juaj, pra mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit!” (Hadith Kudsijj )

Pra, nëse Allahu i Madhëruar nuk po iu bëka padrejtësi krijesave, ndërsa Ai është Krijues i tyre dhe askush nuk mund ta merr në llogari për çfarë bën, atëherë krijesat aq më pak e kanë këtë të drejtë. Ata që i përkrahin zullumqarët, ata që bënë padrejtësi në mesin e njerëzve, e meritojnë mallkimin e All-llahut. All-llahu nuk do ti mbrojë këta njerëz, dhe zullumqarët do të mbeten të pa ndihmuar. Sepse nuk ka mëkat më të madh se padrejtësia.
Për mëkatin i cili është në mes teje dhe All-llahut, ka shpresë se – All-llahu është Fisnik dhe do ta falë atë. Nëse mëkati është në mes teje dhe njerëzve tjerë, atëherë nuk ka shpresë tjetër vetëm se të ta falë ai që e ke ofenduar, shpifur, përgojuar apo që i ke bë ndonjë dëm. Zullumqari do të duhej të pendohet për padrejtësinë që ua ka bërë tjerëve dhe të kërkojë falje prej atij që i ka bërë dëm qysh në dunja.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Mos i bëni zili njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin; mos e urreni njëri-tjetrin; mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, duke u hidhëruar; mos i ndërhyni me shitblerjen tuaj tjetrit në shitblerje. Bëhuni rob të All-llahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i bën atij padrejtësi, nuk e degradon e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu.” Tri herë tha duke bërë shenjë në gjoksin e tij. “Një njeriu i del mjaftë e keqja, nëse e degradon vëllanë e tij musliman. Secilit musliman patjetër i janë të shenjta dhe të paprekshme: jeta, pasuria dhe nderi i muslimanit tjetër.” (Transmeton Buhariu)
“Mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia keni zili njëri-tjetrit, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit (gjatë zemërimit), as mos i shkëputni marrëdhëniet tuaja dhe bëhuni robër të All-llahut, vëllezër të mirëfilltë. Për muslimanin nuk është e lejuar ta braktisë vëllanë e tij (pas hidhërimit) e të mos flasë më tepër se tri ditë.’ (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Urrejtja është emocion njerëzorë që paraqitet si afekt i agresivitetit të mbledhur kundër një personi ose ndonjë grupi të shoqërorë (popujve, pakicave, etj.).
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “E atë (dënim) për shkak se ata ndoqën rrugën të cilën All-llahu e urren, kurse e urrejtën atë që Ai e pëlqen, prandaj Ai ua asgjësoi veprat e tyre.” (Muhammed; 28)

Pendimi për padrejtësi është kërkimfalja ndaj personave që u është bërë e padrejta.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Kush i ka bërë një padrejtësi (zullum) vëllait të vet në nderin e tij apo në diç tjetër, le t’i kërkojë falje atij po atë ditë, para se mos të bëhet çështja për dinarë e dirhemë (para se të vihen veprat në llogari): nëse e ka një vepër të mirë – do t’i paguhet me të padrejtësia; por nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtuarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum).” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

– Llojet e padrejtësisë

Padrejtësia është tre llojesh:
• Padrejtësia ndaj Allahut,
• Padrejtësia ndaj njerëzve dhe
• Padrejtësia ndaj vetës.

-Padrejtësia ndaj Allahut:

Padrejtësia ndaj Krijuesit, Allahut e cila është edhe padrejtësia më e madhe. Allahu na tregon në Kur’an.
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “(përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj All-llahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësi më e madhe!” (Lukman; 13)
“Këto janë dispozita të All-llahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e All-llahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” (Bekare; 229)

-Padrejtësia ndaj njerëzve:

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Ndëshkimi i të keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët. E kush hakmerret për padrejtësitë që i janë bërë, ndaj të tillëve nuk ka ndonjë përgjegjësi. Përgjegjësia (ndëshkimi) është vetëm kundër atyre që u bëjnë njerëzve padrejtë dhe kundër atyre që pa farë arsye bëjnë çrregullime në tokë. Për të tillët është një dënim i dhembshëm. Kush bën durim dhe fal, s’ka dyshim se ajo është virtyti më i lartë (i lavdishëm). (Shura; 40-43)
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Mos bëni padrejtësi, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Kiametit.” (Transmeton Muslimi)

-Padrejtësia ndaj vetës:

Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Pastaj Ne u lamë në trashëgim librin robërve Tanë që Ne i kemi zgjedhur; e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë me ndihmën e All-llahut, të parët në punë të mira, e kjo është ajo mirësia e madhe.” (Fatir; 32)

Ndërsa Musai alejhi selam dhe Junusi alejhi selam i drejtohen Allahut duke i thënë se i kanë bërë zullum vetvetes për shkak të padëgjueshmërisë ndaj Allahut .
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Ai tha: “Zoti im, unë e ngarkova veten e Ti më fal mua!” Dhe Ai ia fali, se Ai është që fal shumë, është mëshirues.” (Kasas; 17)

Dhe në fakt të gjitha këto tre lloj padrejtësish janë padrejtësi ndaj vetvetes, sepse njeriu kur bën zullum, ai në fakt i bën zullum vetëm vetes së tij dhe askujt tjetër. Nuk ka dyshim që njeriu në Islam ka të drejtë të kërkojë hakun dhe të drejtën e tij, sepse Allahu ia ka dhënë këtë të drejtë.
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Dhe mos e mbytni njeriun që All-llahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush mbytet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos e kalojë kufirin në mbytje derisa ai është i ndihmuar (prej Zotit).” (Isra; 33)

Ky është ligji i Allahut dhe çdo musliman, i cili i beson Atij duhet patjetër ta zbatojë. Por, dita ditës po shohim se shoqëritë muslimane janë infektuar nga udhëheqësit tiranë të tyre dhe ato po kalojnë nga një zullum i një personi në zullum të shumë personave, pra zullumin e kthejnë me zullum dhe kjo padyshim është e ndaluar dhe njëkohësisht e dënuar në Islam. Kur njerëzit kërkojnë të fitojnë të drejtat e tyre me zullum, atëherë ata nuk do të kenë ndihmën dhe mbështetjen e Zotit, prandaj edhe shikojmë që zullumi dhe padrejtësia, veçanërisht në vendet islame zgjat me muaj e me vite. Nuk është prej urtësisë së Allahu që të zhduk një zullumqarë dhe të sjellë një ushtri me zullumqarë të tjerë. Padrejtësia nuk e ndihmon popullin, i cili ka qenë me vite i shtypur, sepse edhe ata kërkojnë të bëjnë zullum si udhëheqësit e tyre.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Lufta më e mirë është fjala e drejtë përpara një udhëheqësi zullumqarë.” (Transmeton Muslimi)

Por Pejgamberi alejhi selam nuk ka thënë që digjni, plaçkitni, thyeni, vidhni, shkatërroni dhe zhdukni çdo gjë që gjeni në vend me pretekst të rrëzimit nga pushteti të udhëheqësve zullumqarë. Në Islam është e ndalur rreptësisht masakrimi i njerëzve dhe i kufomave dhe nuk i takon një muslimani të mburret me diçka, që është në kundërshtim me ligjin e Zotit. I lutem Allahut Fuqiplotë që t’i ndihmojë njerëzit e shtypur dhe t’i drejtojë ata rrugës së drejtë, larg zullumit dhe padrejtësisë. Vëllezër dhe motra besimtarë, kjo temë është shumë e rëndësishme dhe themelore për çdo musliman.
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (Nahl; 90)

– Dijetarët për padrejtësinë

“Pasi të varroset, do t’i vijnë Munkeri dhe Nekiri dhe do t’i thonë: ‘Do të rrahim me njëqind goditje me kamxhik’. I vdekuri do të thotë: “Njeriu do te tregojë për veprat e tij të mira që i ka bë në këtë botë”. Ata do ta marrin parasysh këtë dhe do t’ia zvogëlojnë numrin e goditjeve për dhjetë. Ai vazhdimisht do t’u tregojë se çfarë veprash ka bërë, e ata do t’ia zvogëlojnë numrin e goditjeve derisa të arrijë në një. Atëherë do t’i thonë: “Do të biem vetëm një herë”. Nga ajo goditje do të mbushet varri me flakë, kurse ai do t’i pyes: ‘Pse më goditët?’ Ata do të përgjigjen: ‘Ke kaluar pranë njeriut të cilit i është bërë e padrejtë. Ka kërkuar që t’i ndihmosh, e ti ke refuzuar’. Kjo është gjendja e atij i cili nuk e ka ndihmuar atë që i është bërë e padrejtë, e çka do të bëhet me atë që ka bërë padrejtësi dhe ka qenë zullumqar?!” (Ibn Mejseri )
“Njeriu, kur e dëmton dikë dhe ka për qëllim të kërkojë falje prej tij, por nuk arrin, e pastaj e lutë All-llahun pas çdo namazi ta falë të dëmtuarin, do të lirohet nga përgjegjësia për padrejtësinë që e ka bërë.” (Ibn Mihrani )
“Kush i ndihmon zullumqarit, ose e mëson se si ta nëpërkëmbë të drejtën e muslimanit, do të vijë në Ditën e Kiametit me hidhërimin e All-llahut dhe do të mbajë barrën e asaj padrejtësie në shpinën e vet.” (Ibn Mesudi )
“Nëse bëj mirë, e bëj për vete, e nëse dikujt i bëj keq, vetë i kam bërë dëm vetvetes.” (Aliu radij All-llahu anhu )
“Të takohesh me All-llahun me shtatëdhjetë mëkate, të cilët janë në mes teje dhe Atij, e ke më lehtë se sa të takohesh me Të me një mëkat, i cili është në mes teje dhe ndonjë njeriu tjetër.” (Sufjan Eth-Theuri )
“Asnjë njeri nuk do te duhej të parfumohet me erë vaji, as me diçka që është më e lirë se ajo. nëse ka borxh, derisa ta kthejë borxhin e vet.” (Ibrahim bin Ed’hemi )
“Ta lexoj një ajet prej Librit të All-llahut dhe ta zbatoj në jetë, është më e dashur për mua se sa të lexoj njëmijë hatme. T’i gëzoj besimtarët dhe t’iu ndihmoj në zgjidhjen e problemeve të tyre, është më e dashur për mua se sa tërë jetën ta kaloj në ibadet. Ta lë dhe ta braktisi dynjanë, është më e dashur për mua se sa të kem vlerën e ibadetit të gjithë banorëve të qiejve dhe të tokës. Ta lë një masë drithi të haramit, është më e dashur për mua se sa të kryej njëqind haxhxhe me pasuri hallall.” (Fudajl bin Ijjadi )
“Më shumë çka e nxjerr imanin nga zemra është padrejtësia ndaj njerëzve.” (Ebu Beker Verraku )
“Keni veshur rroba të shtrenjta e luksoze, jeni parfumosur me erëra të mira që të mos ndiheni keq para njerëzve, ndërkohë që edhe ata janë njerëz sikur ti. A nuk ju vjen turp nesër kur të dilni para pejgamberëve dhe njerëzve të mirë i ndotur prej mëkateve që keni bërë!?” (Hasan El-Basriu )

Shënohet se Omeri e ka pyetur Ahnef bin Kajsin: “Kush është më i padijshëm në mesin e njerëzve?” Ky u përgjigj: “Ai që e shet Ahiretin e vet për dynjanë”. Omeri e pyeti: “A dëshiron të ta them se kush është më i padijshëm se ky?” Ahnefi i tha: “Po, o prijës i besimtarëve”. Omeri i tha: “Ai i cili e shet Ahiretin e vet për dynjanë e njeriut tjetër”.
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve.” (Fussilet; 46)

Ebu Kasim Hakimin e kanë pyetur: “A ka mëkate që e nxjerrin imanin nga zemra e njeriut?” Ai u përgjigj: “Po. Tre vepra e nxjerrin imanin nga zemra. E para është të mos e falënderojë All-llahun e Madhëruar për Islamin. E dyta është të mos ketë frikë për humbjen e Islamit dhe e treta është që njeriu t’u bëjë padrejtësi muslimanëve.”
Humejdi transmeton prej Enesit se ka thënë: “I Dërguari alejhi selam i ka dhënë një njeriu tri këshilla.” I ka thënë: “Më shpesh sille ndërmend vdekjen dhe preokupimi i saj do të largojë prej çdo gjëje tjetër. Bëhu falënderues, sepse ajo do t’i shtojë të mirat. Më shpesh bën lutje, sepse s’e di se kur All-llahu do ta pranojë lutjen.. Assesi mos e the detyrimin dhe mos ndihmo që ai të thyhet. Ruaju mirë prej imoralitetit dhe padrejtësisë, sepse atij që i bëhet padrejtësi All-llahu i ndihmon. Ruaju mirë prej intrigave, sepse intrigat dhe fryti i saj i kthehen intrigantit.”
Mensuri transmeton prej Muxhahidit, e ky prej Jezid bin Semuretit, se ka thënë: “Në Xhehennem ka lugina e gotulla ku ndodhen gjarpërinj të mëdhenj si deve, e akrepat si mushka. Banorët e xhehennemit kur do të kërkojnë t’u lehtësohet dënimi, do t’u thuhet: “Dilni prej birave tuaja”. Atëherë gjarpërinjtë do t’i kapin për fytyre, buze dhe për organet e tjera, për të cilat All-llahu do të dëshirojë, dhe do t’ua heqin lëkurën. Ata në atë rast do të kërkojnë mbrojtje prej tyre dhe të kthehen në dhomat e tyre në Xhehennem. Pastaj do të dënohen me zgjebe, kështu që do ta kruajnë lëkurën aq shumë saqë do të shfaqen eshtrat e tyre. Njëri prej tyre do të pyetet: “O njeri, a të pengon kjo?” Ai do të përgjigjet: “Po, natyrisht se më pengon”. Atëherë do t’i thuhet: “Kjo është për atë që e ke shqetësuar besimtarin”.
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Atyre që nuk besuan dhe penguan nga rruga e All-llahut, u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin shkatërrime.” (Nahl; 88)

Shënohet se Omeri radij All-llahu anhu ka thënë: “Besimtarit i mjafton fatkeqësia e tre të metave: Nëse i qorton njerëzit për të metat të cilat i ka edhe vetë; Nëse te të tjerët e vëren çdo të metë, e të vetat nuk i sheh dhe nëse bashkëbiseduesin e vet e shqetëson me diçka që atij nuk i intereson”.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Lajmëtari nën Arsh, në Ditën e Kiametit, do të thërras: “O ummeti i Muhammedit, ato (vërejtje) që i kam pasur ndaj jush, ua kam falur dhe ua kam dhuruar. Kanë mbetur mospajtimet dhe padrejtësitë në mes jush. Faleni njëri tjetrin dhe hyni në Xhennet me mëshirën time.” (Transmeton Buhariu)

I Dërguari ynë Muhammedi alejhi selam, ngaherë paralajmëroi shkatërrimin e një shoqërie kur paraqitet frika që ti thonë hapur të padrejtit se është i padrejtë. Unë them, ne jo që frikohemi ti themi të padrejtit se është i pa drejtë, por ne e përkrahim dhe ia themi të kundërtën: mirë e ke, dhe ai mburret me atë padrejtësi që bën… Ndërsa Muhammedi alejhi selam na porositi që ta themi të vërtetën edhe nëse është e hidhur për ne, ky pra është muslimani ta dëshmojë të vërtetën edhe kur e vërteta është kundër tij.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ndihmojeni vëllanë tuaj të padrejtë dhe atij që i bëhet padrejtësi!”; Të pranishmit i thanë: “O i Dërguari i Allahut, dakord – do ta ndihmojmë ndokënd që i bëhet padrejtësi, po si ta ndihmojmë të padrejtin!?”; I Dërguari alejhi selam u përgjigj: “Duke e ndalur nga padrejtësia që bën.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
“Nëse njerëzit shikojnë një të padrejtë i cili është duke bërë padrejtësi dhe nuk e ndalojnë atë, Allahu do ti përfshijë që të gjithë në dënim.” (Transmeton Buhariu)

– Allahu në anën e të dëmtuarve

Fakti se është ndaluar padrejtësia dhe se Allahu nuk e do as për Vete atë, do të thotë se Allahu përkrah dhe ndihmon të dëmtuarin.

– Allahu si ndihmës i tyre
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Keni kujdes nga lutja e të dëmtuarit ngase ajo bartet mbi re (tek Zoti mbi qiej). Allahu thotë: “Pasha Krenarinë dhe Madhërinë Time! Do të ndihmoj, qoftë edhe pas një kohe!” (Transmeton Buhariu)

Në këtë hadith vërejmë se Allahu i Madhëruar qëndron me të dëmtuarin dhe se do ta ndihmoj atë, herët a vonë.

– Shembull i dënimit të zullumit në dunja

Rrëfehet se një musliman i varfër jetonte vetëm nga peshkimi, por, siç ndodhë me besimtarin, Allahu e sprovoi dhe për ditë të tëra nuk mund të peshkonte gjë.
Ishte gjëja e vetme me të cilën ia siguronte familjes furnizimin, andaj edhe brengosej, sidomos kur furnizimi në shtëpi filloi të pakësohej dukshëm. Çdo ditë dilte në bregdet për peshkim, por kot. Një ditë, pas një kohe të gjatë qëndrimi në bregdet, tha në vete: “Kjo le të jetë hera e fundit për sot!” – dhe hodhi rrjetën. Priti pak ndërsa rrjeta filloi të rëndohej. Kuptoi se kishte zënë diçka. Kur e nxori, pa se kishte zënë një peshk goxha të madh, që kurrë më parë nuk kishte peshkuar të tillë. U gëzua shumë, por jo gjatë. Në fakt, peshkatari falënderoi Allahun shumë dhe mendoi, përveç që një pjesë do ta shfrytëzojë për ushqim, tjetrën do ta ndajë për shtije dhe për lëmoshë. Kështu do të vepronte sikur mbreti që kaloi pranë të mos e shihte peshkun. Ishte vërtet peshk i rrallë. Ushtria kërkuan që ta jap peshkun për mbretin, por peshkatari refuzoi. Pranoi vetëm t’ua shiste, por ata ia morën me dhunë.
Kur u kthyen në pallat, mbreti kërkoi që t’ia gatuanin atë peshk për darkë, shijen e të cilit do ta kuptonte vetëm pas pak ditësh, atëherë kur do të zbulohej se mbreti ishte sëmurë nga gangrena. I thirrën mjekët ndërsa ata pas kontrollimit i propozuan mbretit që t’i nënshtrohet një operacioni për heqjen e gishtërinjve të këmbës për të parandaluar sëmundjen, e cila kërcënon edhe nëngjurin e tij. Mbreti refuzoi këtë dhe parapëlqeu që ta durojë dhimbjen, por, u pa se vendimi i tij ishte i gabuar. Pas vetëm pak ditësh u detyruan t’ia sillnin disa mjekë tjerë, jashtë vendit, për kontrollim, dhe vetëm pas herës së tretë kur u vërtetua se sëmundja kishte arritur deri tek gjuri, mbreti pranoi t’i nënshtrohej operacionit.
Kjo që i ndodhi mbretit e shqetësoi atë pa masë, andaj, mendoi ta thërriste një njeri të urtë e ta pyeste për këtë gjë. Ia sollën një njeri të mençur, të cilin mbreti e pyeti se çfarë mund të ketë qenë shkak i kësaj fatkeqësie të tij. Njeriu i urtë i tha: “Patjetër se ti i ke bërë padrejtësi dikujt!” Mbreti iu përgjigj me habi: “Nuk më kujtohet t’i kem bërë dikujt padrejtësi.” “Kujtohu mirë!” – i tha njeriu i urtë, ngase kjo nuk si të mos jetë shkak i ndonjë padrejtësie të bërë.
Atëherë mbretit i ra ndërmend peshku i madh dhe peshkatari. Urdhëroi ushtrinë t’ia sjellin peshkatarin. Ushtria shkuan në bregdet, dhe si zakonisht, e gjetën në vendin e vet. E morën dhe e sollën tek mbreti, i cili e pyeti: “Ma thuaj të vërtetën, çfarë bëre kur ta mora me dhunë peshkun e madh?” “Nuk bëra asgjë” – foli paksa i frikësuar peshkatari. “Fol se nuk do të ndodhë gjë e keqe!” – i tha mbreti. Atëherë, kur peshkatari u sigurua, foli dhe tha: “Kur ti ma more peshkun, u ktheva kah Allahu dhe u luta: “O Zoti im! Ai e tregoi fuqinë e tij ndaj meje, andaj tregoje edhe Ti fuqinë Tënde ndaj tij!” Prej drejtësisë së Allahut të Madhëruar është që të ndihmojë madje edhe ata që nuk janë fare besimtarë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ruaju lutjes së të dëmtuarit, qoftë ky edhe jomusliman, ngase nuk ka perde (pengesë) para lutjes së tij!” (Transmeton Muslimi)

– Ndëshkimi në këtë botë

Ndonjëherë të padrejtit, për shkak se nuk ndëshkohen aty për aty, mashtrohen dhe kësisoj zhyten thellë e më thellë në padrejtësi. Kjo nuk nënkupton assesi se ata i shpëtojnë dënimit të Allahut të Madhëruar, përkundrazi.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Vërtetë, Allahu i Madhëruar do ta afatizojë zullumqarin derisa kur ta kap, nuk do të mund t’i shpëton. Pastaj, Pejgamberi alejhi selam lexoi nga Kur’ani (ajetin 102 nga kaptina Hud): “Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm, e i ashpër.”

– Allahut nuk mund t’ia fshehin të vërtetat

Allahut nuk mund t’i shpëtojnë as në botën tjetër. Ta zëmë, kanë kaluar nga kjo botë pa u ndëshkuar, atëherë në botën tjetër assesi nuk do të shpëtojnë. Ta zëmë, nëse ata arrijnë përkohësisht ndonjë të mirë materiale, shkak i mashtrimeve dhe manipulimeve, kjo nuk do të thotë se edhe tek Allahu do të kalojnë pa u zbuluar.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Ju po ngrini padi (hasmëri, mospajtime) tek unë, dhe ndodhë që ndonjëri prej jush të jetë më orator, më bindës se tjetri (edhe pse në fakt nuk ka të drejtë), kështu që, nëse gjykoj për të sipas fjalëve që flet (ndërsa ai nuk ka të drejtë), le të mos e merr atë gjë (që e fiton nga gjykimi), ngase ajo në fakt është një hise e zjarrit të Xhehennemit për të!” (Transmeton Tirmidhiu)

Zullumqari do të falimenton në ditën kur do të ketë problemet dhe nevojat më të mëdha.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” (As-habët) Thanë: “I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para e as mall.” Tha: “I falimentuar i ummetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me agjërim, me zekat, por njëkohësisht ai ka sharë atë, ka shpifë këtë, ka ngrënë pasurinë e atij, ka derdhur gjakun e këtij, ka rrahë tjetrin, atëherë i jepen këtij e atij (atyre që i ka dëmtuar v.k.) prej të mirave të tij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj edhe ky do të hedhet në zjarr.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Nga këtu, Pejgamberi alejhi selam bën thirrje dhe porosit që të mos e shtyjmë pendimin nga padrejtësia deri në atë kohë kur do të jetë vonë.
Pejgamberi alejhi selam, ka thënë: “Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij, në ndër apo gjë tjetër, le t’ia kërkojë hallallin sot, para se të mos vlejë më dinari dhe dërhemi, për shkak se, nëse ka vepra të mira, do t’i merren aq sa ka bërë padrejtësi (e do t’i jepen të dëmtuarit), e nëse nuk ka të tilla, atëherë i merren të këqijat (mëkatet) të dëmtuarit dhe i ngarkohen atij!| (Transmeton Buhariu)

Të nderuar vëllezër!
Ta paramendojmë veten si njërin prej këtyre të falimentuarve, sikur jemi para Allahut dhe tashmë na është marrë çdo e mirë që kem bërë dhe i është dhënë palës së dëmtuar ndërsa pritet nga momenti në moment edhe urdhri për të na dërguar në Xhehennem, si do të ndiheshim?

• Si do ta përballonim atë moment?
• Si do ta përjetonim urdhrin për të na dërguar në zjarr?
• Si do të ndiheshim kur do të shihnim ata që kanë ndarë drejtësi tek kënaqen me pozita të larta tek Allahu?

Të mos harrojmë, para vete kemi mundësinë e zgjedhjes, o të jemi të drejtë, e të shpërblehemi, o të jemi të padrejtë, e të ndëshkohemi.
Allahu thotë në Kur’anin famëlartë: “Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.” (Enbija; 47)

Allahu e di më së miri!

Allahu na ruajt prej padrejtësisë.
AMIN ! /mesazhi/