Të Fundit
Neve na mjafton Allahu

Neve na mjafton Allahu

Falënderimet janë për Allahun e Madhërishëm, Zotin tonë të Cilin e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë, falje dhe udhëzim kërkojmë. Atë njeri të cilin e drejton Allahu askush nuk mundet ta humbasë, ndërsa atë njeri që humbët rrugën dhe veten e tij, askush tjetër veç Allahut nuk mundet ta drejtojë. Dëshmojmë dhe vërtetojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Madhërishëm, që është Një dhe i pa shoq. Dhe, dëshmojmë dhe vërtetojmë se Muhamedi (a.s.) është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij i fundit.

Vëllezër besimtarë! Tema e hutbes së sotme është: “Neve na mjafton Allahu“

Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë porosit: „E kush i frikësohet Allahut, Ai i bënë rrugëdalje atij, dhe e furnizon atë prej nga nuk e pret; kushdo që mbështetet te Allahu, Ai i mjafton atij.“ (Et-Talak, 2-3)

Vëllezër të dashur! Situata shëndetësore dhe politike në botë, e cila veçanërisht ka qenë shkatërruese gati tashmë një vit të plotë, ka detyruar shumë familje t’u kushtojnë pak më shumë vëmendje zakoneve të tyre të blerjes. Shumë buxhete familjare janë dëmtuar me shkurtimin e orarit të punës ose me pushime nga puna, të cilat me kredi ose qira (që ka çdo shtëpi) e bën jetën e sotme shumë më komplekse dhe para njerëzve paraqet një pyetje logjike: “Si t’i mbulojnë nevojat e tyre?” Dhe, derisa për shumë njerëz matematikisht është e pamundur ta mbijetosh muajin pa ndonjë të ardhur shtesë ose ndihmë, në sfond ekziston një zgjidhje shumë e thjeshtë, dhe ajo është lidhja me Atë i Cili e jep nafakën.

Kjo lidhje është e shumëfishtë. Natyrisht, fillon me namaz, dhe vazhdon me disa vepra të tjera.

1. Njëra nga këto vepra është edhe sadaka, e cila, si rregull, e rrit pasurinë, edhe pse në fillim nuk duket ashtu. Natyrisht, për të qenë sadaka efektive, ajo duhet të jetë e moderuar, dashamirëse dhe e papërfolur.

2. Rregulli i dytë është: Mos të shkapërderdhet pasuria! Ai që shkapërderdh, as nuk mund të ketë. Kurse ‘Ata që shkapërderdhin janë vëllezër të shejtanit’ – thotë Zoti ynë, dhe për këtë arsye ata nuk janë të dashur për Allahun e Madhërishëm. Atëherë, si do të kenë!

3. Gjëja e tretë, për të cilën duhet pasur kujdes, është që fitimi të jetë hallall. Fitimi hallall është i mbuluar me begatinë e Allahut, dhe për këtë arsye ai zgjat shumë më tepër sesa zakonisht. Nga ana tjetër, fitimi haram (si fitimi nga bixhozi, droga dhe prostitucioni) është jetëshkurtër dhe zhduket, siç thuhet: ‘Qysh vjen, ashtu edhe shkon.’

4. Rregulli i katërt është: Të mos bëhen mëkate! Pejgamberi ynë (savs), na mëson se mëkatet e pakësojnë nafakën. Kundrejt kësaj, njeriu duhet të bëjë sa më shumë istigfar (të kërkojë falje nga Zoti).

Transmetohet se një burrë u ankua te Hasan el-Basriu për shkak të thatësisë, dhe ai i tha: ‘Kërko falje nga Allahu.’

Një tjetër u ankua tek ai për varfërinë, dhe ai i tha: ‘Kërko falje nga Allahu.’

I treti kërkoi prej tij që t’i lutej Allahut që t’i falë fëmijë, dhe ai i tha: ‘Kërko falje nga Allahu.’

I katërti u ankua tek ai se kopshti i tij ishte jo pjellor, dhe ai gjithashtu i tha: ‘Kërko falje nga Allahu.’

Pasiqë ai të gjithëve ju përgjigj në mënyrë të njëjtë, të pranishmit e pyetën të habitur:

“Ty të erdhën njerëz të ndryshëm dhe u ankuan për probleme të ndryshme, dhe ti të gjithë i urdhërove që të bënin istigfar!”

Me atë rast, ai tha: ‘Unë nuk thashë asgjë nga vetja ime. Allahu i Lartësuar në suren Nuh (10-12) thotë: „Kërkoni falje nga Zoti i juaj, sepse, me të vërtetë, Ai është falës, i madh; Ai do t’ju dërgojë juve shi të bollshëm, – dhe do t’ju ndihmojë me pasuri dhe me fëmijë, dhe për ju do të krijojë kopshtije dhe për ju do të krijojë lumenj.”

Hapi tjetër i dobishëm është që të bëhet sa më shumë dhikër dhe të dërgohen salavate për Pejgamberin (savs). Në lidhje me këtë, transmetohet se Pejgamberi (savs), ka thënë: ‘Përmendja e shumtë e Allahut të Madhërishëm dhe dërgimi i salavatit mbi mua e parandalon varfërinë.’

Kurse Sehl ibn Sa’d (r.a.), ka thënë: “Erdhi një burrë te Pejgamberi (savs) dhe u ankua për varfëri dhe skamje. Pejgamberi (savs) i tha: “Kur të hysh në shtëpinë tënde, jep selam, edhe nëse ka dikush brenda edhe nëse nuk ka, pastaj dërgo selam mbi mua dhe lexoje një herë Kulhuvallahu ehad. Ai njeriu veproi kështu, dhe Allahu i dha atij nafakë, e cila arriti edhe te fqinjët dhe të afërmit e tij.”

Dhe, natyrisht, kurrë nuk duhet ta harrojmë bereqetin e leximit të Kuranit, pastaj lutjen, e cila ka fuqi ta ndryshojë fatin e njeriut, dhe kjo, pasha Zotin, nuk është diçka e vogël dhe, në fund, falënderimin për Allahun për begatitë e dhuruara, sepse Zoti ynë thotë: “Nëse bëheni mirënjohës, Unë, me siguri, do t’ju jap edhe më shumë; e nëse bëheni mohues, (do të dënoheni). Me të vërtetë, dënimi Im është i rëndë.” (Ibrahim, 7)

I lutemi Allahut të dashur që ta bëjë jetën tonë në shenjë të veprave të mira dhe bindjes ndaj Tij!

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini