Të Fundit
Nderoni të vjetrit dhe kini mëshirë për të rinjtë!

Nderoni të vjetrit dhe kini mëshirë për të rinjtë!

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të nderuar vëllezër!

Tema e hutbes së sotme është: Nderoni të vjetrit dhe kini mëshirë për të rinjtë!

Mësimet më të mira janë mësimet e jetës, dhe një nga ato mësime, për ne, është edhe mësimi i një gjyshi, të cilin gazetarët e kishin pyetur për kohët e shkuara, për gruan, për fëmijët, etj. … dhe ai ju ishte përgjigjur me këto fjalë:

“Kanë qenë dhe kanë kaluar, por përsëri erdhën kohë të vështira, o biri im!” – tha gjyshi, dhe vazhdoi:

“Që kur di për vete dhe prej kur mbaj mend, gjithmonë kemi jetuar me vështirësi, por më përpara ishte më lehtë për të jetuar. Nuk kishim shumë, por zemra ishte e kënaqur me atë që kishim.

Zemra ishte plot dashuri prej së cilës buronte respekti për njerëzit. Babai ishte baba, nëna ishte nënë dhe fëmija – fëmijë.

Kurse sot? Nuk ka nevojë të flasim shumë, çdo gjë dihet. Gjithnjë e më shumë njerëzit po lahen nga lotët e tyre, sepse lumturia për dike është vetëm koncept, tregim.

Nëse më pyesni mua, o biri im, unë një kohë të gjatë nuk kam ndierë asnjë grimcë gëzimi dhe qetësie. Një kohë të gjatë, unë nuk kam qeshur me gjithë zemër, ashtu me gjithë shpirt.”

Gjithqysh e kam quajtur, por nuk e kam ditur se duhet ta quaj “jeta ime”. Por tani e di …

A po më pyesni për fëmijët?

Ata i kam të mirë, qofshin me jetë e me shëndet! Të gjithë i kanë fëmijët e tyre dhe jetën e tyre. Vijnë e më vizitojnë sa munden dhe më ndihmojnë sa munden. Unë rri këtu në dritare dhe shikoj diku me orë të tëra, nëse më pyesni ku? As vet nuk e di!

Por shikoj dhe pres, dhe kur i shoh fytyrat e dashura të fëmijëve të mi sikur të më shkëlqejë dielli, edhe pse rrallë herë më shkëlqen.

Më thonë se kanë shumë obligime dhe vazhdimisht janë në nxitim.

Mbaje mend, biri im, Allahu jep, kurse njerëzit e shfrytëzojnë.

Megjithatë, diçka të mirë na ka dhënë dhe e ka lënë, e ajo është se ne të gjithë jemi fëmijë dhe do të bëhemi edhe prindër. Sot jemi të rinj – nesër të vjetër. Sot jemi të fortë – nesër të dobët. Sot jemi të shëndoshë – e nesër kush e di? Dhe se, nëse ka drejtësi, pikërisht, këtu është drejtësia!

Edhe unë dikur kam qenë i ri dhe i fortë. Edhe unë kam qenë i lumtur dhe entuziast. Edhe mua nëna dhe babai më kanë pritur sikur unë që po pres tani. Prandaj, mos harro, biri im, çdo gjë kthehet! “

Vëllezër të dashur!

Ky tregim i gjyshit duhet të na nxit që të mendojmë.

Ku humbi ai rregulli i bukur i mirësjelljes sonë islame?

Ku humbën të gjitha ato rregulla të bukura të sjelljes?

Ku humbën rregullat, që plakut duhet t’i jepet vendi që i takon, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë:

“Në tubim nuk i lëshohet vendi tjetër kujt pos tre vetave: Plakut për shkak të vjetëve, dijetarit për shkak të diturisë dhe sundimtarit për shkak të pozitës.”

Ku humbën rregullat, që të vjetërve duhet tu jepet përparësi në të gjitha gjërat, duke filluar nga shërbimi kur shtrohet sofra, me rreshtat në xhami, e deri te përparësia në të folur. Transmetohet se, njëherë kishin ardhur te Pejgamberi (savs), tre veta: Abdurrahman ibn Sehli, Muhejjis ibn Mesudi dhe Huvejjis ibn Mesudi, dhe kishte filluar të flasë, Abdurrahmani i cili ishte më i riu ndër ta, mirëpo Pejgamberi (savs) e kishte ndërprerë duke i thënë:

“Le të flasë më i vjetri!”

Ku humbën rregullat, që të vjetrit nuk guxojmë t’i nënçmojmë, t’i përqeshim… sepse Pejgamberi (savs), ka thënë: “Tre njerëz mund t’i nënçmojë vetëm hipokriti (munafiku): plakun i cili është plakur në Islam, dijetarin dhe udhëheqësin e drejtë!”

Vëllezër të dashur!

Çka po ndodh sot, që është bërë normale, që ai i cili ende nuk i ka hequr pelenat të ulet përpara, ndërsa babai, gjyshi ose musafiri të ulet te dera?

Çka po ndodh sot, që është bërë normale, që në autobusin përplot me nxënës nuk ka vend për t’u ulur plaku i lodhur, invalidi, gruaja shtatzënë…?

Çka po ndodh sot, që është bërë normale, që fëmija t’ia lexojë ‘alfabetin’ babait, në vend se babai atij?

Çka po ndodh sot, që është bërë normale, që një i ri i cili shyqyr Zotit ka filluar t’i praktikojë disa gjëra të Islamit, e që deri dje ishte çdo gjë tjetër por jo edhe musliman i vërtetë, dhe fillon ta nënçmojë dhe ta dërgojë në Xhehenem, gjyshin për shkak të tesbihve, mevludit, diturisë së ‘pamjaftueshme’… kurse po ai gjysh e ka ruajtur dhe mbrojtur Islamin atëherë kur ka qenë më së vështiri?

Çka po ndodh sot, që është bërë normale, të kalohet pranë një plaku dhe mos t’i jepet selam apo të pyetet për shëndetin, etj.

Kush është fajtor për këtë gjendje të fëmijëve dhe të rinjve tanë?

A janë fajtorë fëmijët, të rinjtë, apo dikush tjetër?

Rinia nuk është fajtore, por fajtorë janë prindërit e tyre, fajtorë janë mësuesit e tyre, fajtorë janë imamët e tyre.

Kur Washingtoni u bë presidenti Amerikës, shumë njerëz erdhën për ta uruar, kurse ai e hapi derën e dhomës tjetër ku ishte ulur nëna e tij dhe tha: “Atë duhet ta uroni, atë duhet ta falënderoni, ajo më ka lindur dhe më ka rritur!”

Vëllezër të dashur!

Siç po mund të shohim, ne jemi fajtorët e vetëm për këtë mungesë kulture të fëmijëve tanë. Ne jemi ata të cilët duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë sjelljen e bukur islame, vazhdimisht t’ua përsërisim dhe t’ua përsërisim të njëjtën gjë, sepse kur t’ua mësojmë atë, një ditë ata do të jenë që do të vazhdojnë t’ua mësojnë fëmijëve të tyre këto të njëjtat gjëra.

Gjatë këtij mësimi dhe gjatë këtij edukimi, ne duhet të jemi të mëshirshëm, të butë, e besa edhe të durueshëm, sepse fëmijët me kërkesat e tyre shpesh dinë edhe ta teprojnë.

Si duhet të sillemi me fëmijët tanë, më së miri do të na tregojnë dy shembujt në vijim nga Pejgamberi ynë i dashur Muhamedi (savs).

1 – Ebu Hurejre (r.a.), ka thënë: “I Dërguari i Allahut savs, e puthi Hasanin (r.a.) në prani të el-Akra bin Habis et-Temimi (r.a.), i cili tha: ‘Unë i kam 10 fëmijë dhe kurrë nuk e kam puthur asnjërin prej tyre!’ Pejgamberi (savs), e shikoi dhe i tha: “Kush nuk është i mëshirshëm ndaj të tjerëve as ndaj tij nuk do të kihet mëshirë!”

2 – Mëshira e Pejgamberit (savs), ndaj fëmijëve kishte arritur deri në atë masë sa që ai mbesën e tij të vogël Umamen, e mbante mbi supe derisa falej. Kur shkonte në ruku’, e lëshonte, ndërsa kur kthehej përsëri e merrte, derisa e përfundonte namazin.

Vëllezër të respektuar!

Nëse ne duam të jemi me Pejgamberin (savs), në Xhenet, atëherë duhet që këtë hutbe ta kuptojmë në mënyrën më serioze të mundshme, sepse Pejgamberi (savs) ka thënë:

“O Enes, respektoji të moshuarit dhe bëju i mëshirshëm ndaj të rinjve, atëherë do të jesh me mua në Xhenet!”

O Allahu i Plotfuqishëm, të lutemi që fëmijët tanë t’i bësh gëzim të syve dhe zemrave tona!

Po të lutemi, o Allahu i Madh, që t’i udhëzosh ata në rrugën e drejtë.

Që t’i bësh të nënshtruar ndaj Teje dhe respektues ndaj neve, që jemi prindërit e tyre.

Bëji ata bartës, ndihmues dhe pasues të fesë Tënde dhe të Sunetit të Pejgamberit Tënd, Muhamed (savs).

O Zot, mos lejo që të na turpërojnë në këtë botë as në botën tjetër, dhe bëj që me ta të jemi krenarë, o Zoti i të gjitha botëve. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini