Të Fundit
Mbi gjendjen e njerëzve në Ramazan

Mbi gjendjen e njerëzve në Ramazan

Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim agjërimin e muajit të Ramazanit , ashtu sikur edhe adhurimet e tjera, për të gjithë muslimanët që i plotësojnë kushtet e vendosura nga Ai. Mirëpo jo të gjithë muslimanët i kryejnë adhurimet ashtu siç kërkohet.

Në vendin tonë do të hasësh në asi muslimanësh, të cilët nuk e falin namazin, por agjërojnë të gjithë muajin. Jo rrallëherë dëgjojmë se dikush thotë se agjërimi i këtyre njerëzve nuk pranohet. Padyshim që agjërimi i tyre është i pranuar tek Allahu, megjithëse ata janë gjynahqarë për mosfaljen e namazit. Në Ditën e Gjykimit, Allahu i Madhëruar ka vendosur një peshore ku do të peshohen të gjitha veprat që njeriu ka kryer, të mirat dhe të këqijat. A nuk thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: “Kush ka bërë një të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.”[1]

Do të hasim në asi muslimanësh të cilët kanë vendosur të agjërojnë vetëm disa ditë nga Ramazani, apo vetëm natën e Kadrit. Padyshim që kjo është e pranuar tek Allahu, detyrë e jona është që t’i motivojmë ata që të agjërojnë më tepër se një ditë apo të gjithë Ramazanin.

Do të hasim në asi muslimanësh, të cilët nuk agjërojnë as edhe një ditë nga Ramazani, por thonë që në këtë muaj të begatë nuk do të pijmë alkol, as cigare dhe nuk do të fusim në gojë mish derri. Për të tillë njerëz më vjen ndërmend ajeti kuranor: “Ndërsa kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtimin e zemrës së tij.”[2] Ku i dihet në këtë Ramazan ai privohet nga harami, kurse në Ramazanin e ardhshëm do të privohet nga ushqimi dhe pija për të agjëruar për hatër të Allahut dhe raste të tilla ka patur.

Do të hasim në asi muslimanësh, të cilët nuk agjërojnë dhe kur fillojnë të hanë apo pinë para teje që agjëron, menjëherë e kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe ndihen në faj e të kërkojnë falje. Edhe kjo është një shenjë e mirë, sepse kjo është dëshmi që tregon se këta njerëz e dinë vlerën dhe rëndësinë që ka agjërimi.

Jo rrallëherë ndodh që ne i paragjykojmë vajzat për nga veshja, sakaq ato agjërojnë të gjithë Ramazanin. Këtu nuk ka asgjë për të çuditur, sepse fakti që ato agjërojnë është dëshmi e besimit të tyre, pavarësisht se nuk kryejnë një urdhër të fesë. Ashtu sikurse prej nesh kërkohet që t’i shmangemi paragjykimeve.

Gjatë ciklit menstrual gratë e kanë të ndaluar të agjërojnë dhe si rrjedhojë atyre u lejohet të hanë dhe të pinë gjatë ditës. Megjithatë do të ishte diçka më mirë për to që mos hanë e pinë në sy të njerëzve, sepse mund të bëhen sebep për keq për njerëzit, të cilët nuk e dinë këtë rregull dhe kur shikojnë një grua me shami që po ha në mes të ditës mund të keqkuptohen.

Ngandonjëherë dëgjojmë disa muslimanë të cilët thonë se agjërimi jonë nuk ka të krahasuar me agjërimin e prindërve tanë, të cilët kanë vuajtuar shumë në kohën e komunizmit. Unë mendoj se nuk kemi përse të bëjmë të tilla krahasimesh, sepse Allahu i Madhëruar ashtu sikur e ka bërë obligim agjërimin e muajit të Ramazanit obligim për prindërit tanë ashtu e ka bërë obligim edhe për ne. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata njerëz tashmë kanë kaluar. Ata do të kenë çfarë kanë merituar dhe ju do të keni atë që meritoni.”[3] Unë jam i bindur plotësisht se edhe ne po të jetonim në atë kohë do të agjëronim, sepse motoja jonë e përbashkët është “Dëgjuam dhe u bindëm. Na fal o Zot dhe e ardhmja do të jetë tek Ti.”[4]

Gjatë netëve të Ramazanit, xhamitë mbushen plot e përplot me muslimanë, të cilët falin namazin e teravisë. Ka nga asi muslimanësh që për 30 net janë të përpiktë në faljen e namazit të teravisë, teksa i gjen ata që nuk falin farzet. Ky është realitet i njohur në mesin tonë. Ky realitet mund të duket si paradoksal, sepse si mundet që muslimani t’i japë prioritet faljes së namazit vullnetar (sunet) ndaj atij obligativ(farz). Megjithatë ne nuk duhet të anashkalojmë faktin se ata bashkë me teravitë falin edhe namazin e jacisë, pra dashje pa dashje e kryejnë faljen e një namazi obligativ. Po ashtu falja e namazit të teravisë mund të jetë një derë e hapur për të kuptuar se muslimani duhet të falë edhe pesë namazet obligative (farz) në ditë.

Zhurma e fëmijëve gjatë netëve të Ramazanit në xhami është tepër shqetësuese. Aq shumë zhurmë bëhet saqë muslimani nuk arrin të përkushtohet aq sa duhet në kryerjen e adhurimit brenda në xhami. Po a duhet të largohen fëmijët nga xhamia për shkak se na shqetësojnë dhe nuk na lënë rehat që t’i kryejmë ritet ashtu siç duhet?! Unë as që do ta mendoja një gjë të tillë. Sa e sa fëmijë “shqetësues” kanë frekuntuar xhamitë tona gjatë Ramazanit dhe kur janë rritur janë bërë besimtarë të mirë e të përkushtuar?! Por kjo kurrsesi nuk do të thotë që ne t’i lëmë ata të lirë. Jo! Detyrë e prindërve është që t’i mbajnë fëmijët e tyre pranë dhe t’ua tërheqin vëmendjen. Ashtu sikur edhe imami i xhamisë duhet t’ua tërheqë vëmendjen herë pas here, derisa të ngulitet në mesin tonë kultura e mosbërjes zhurmë në xhami.

Gjatë ditëve të Ramazanit, disa shkolla organizojnë eskursion. Në të tilla organizime fëmijët kanë shumë dëshirë që të marrin pjesë, mirëpo duke qenë se janë agjërueshëm privohen nga kjo mundësi. Në të tilla raste do të sugjeroja për fëmijët të shkojnë në eskursion, sepse për udhëtarin është e lejuar që mos të agjërojë dhe po ashtu fëmija i cili nuk ka mbushur moshën e pubertitetit nuk e ka për obligim agjërimin. Por pas Ramazanit, fëmija duhet ta plotësojë atë ditë që e ka lënë mangut për shkak të eskursionit.

Një traditë e bukur që është bërë zakon në xhamitë tona është mbajtja e bisedave të ndryshme fetare që bëhen para Ramazanit por edhe gjatë tij. Duke qenë se në namazin e teravisë vijnë shumë të rinj, atëherë kjo është mundësia më e mirë për t’i folur atyre për çështjet e fesë, pak para namazit të jacisë, pas tij, midis rekateve të teravisë apo kur e shikon të përshtatshme imami i xhamisë për të folur.

Një traditë tjetër e bukur gjatë Ramazanit është edhe shtrimi i iftareve. Muslimanët ftojnë njëri-tjetrin dhe sofrat i mbushin plot e përplot me ushqime për të fituar shpërblimet e atij që shtron iftarin. Padyshim që një veprim i tillë e shton më shumë vëllazërinë dhe solidaritetin midis muslimanëve në këtë muaj të begatë.

Juristët e medh’hebit Hanefi e kanë lejuar dhënien e vitrave në vleftë monetare dhe kjo është një çështje shumë e njohur. Gjithsesi unë do të preferoja që me paratë e vitrave të blihen ushqime dhe t’u shpërndahen nevojtarëve, sepse nëse u jepen në vleftë monetare mund që edhe të keqpërdoren, pavarësisht se ne nuk jemi përgjegjës se për çfarë mund të përdoren. Gjithsesi kjo është thjesht një preferencë dhe gjithsekush zgjedh atë që e shikon si më të përshtatshme.

Dhe së fundmi, gjithka çfarë kam shkruajtur janë thjesht reflektime, sepse të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se cila është gjëja më e mirë që duhet të bëjmë gjatë muajit të Ramazanit.

Allahu e di më mirë

Autor: Elton Harxhi

[1] – Sure Zelzele: 7-8.

[2] – Sure Haxh: 32.

[3] – Sure Bekare: 134.

[4] – Sure Bekare: 285.