Të Fundit
Le të gëzohemi për begatitë e Allahut

Le të gëzohemi për begatitë e Allahut

„Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo ‎është më mirë se ajo që grumbullojnë ata.” (Junus, 58)‎

Patjetër duhet të mësohemi t’i trajtojmë dhimbjet tona me gëzim dhe disponim të mirë.
‎Ekzistojnë shumë gjëra me të cilat mund të gëzohemi. Duhet të gëzohemi për njerëzimin ‎tonë, duke e ditur se Allahu i ka dhënë kaq shumë njerëzimit.‎

Allahu i Plotfuqishëm thotë: „Na, me të vërtetë, i kemi nderuar bijt e Ademit: u kemi bërë të ‎mundshme të udhëtojnë në tokë dhe në det, duke i furnizuar me gjellëra të shijshme, dhe ‎u kemi dhënë përparësi të madhe ndaj shumicës nga ata që i kemi krijuar.“ (el-Isra, 70)‎

Dhe Ai thotë: „Me të vërtetë, Na e kemi krijuar njeriun në formën (harmoninë) më të ‎bukur.“ (et-Tin, 4)‎

Ne do të duhej të gëzohemi për begatitë që i kemi, e të cilat shpesh i neglizhojmë ose i marrim ‎si të mirëqena. Ne duhet ta ndiejmë gëzimin që jemi gjallë. Duhet të gëzohemi për familjen ‎dhe të dashurit tanë, dhe për caktimin që na ka dhuruar Allahu.‎

Ne duhet të gëzohemi duke e falënderuar Allahun për begatitë e Tij, sepse për shkak të ‎falënderimit tonë, Allahu do të vazhdojë të na dhurojë begati.‎

Kur Allahu i Plotfuqishëm në ajetin e lartpërmendur thotë: „Me dhuntinë e Allahut dhe ‎mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen“ – Ai na fton që të gëzohemi për begatitë dhe ‎mëshirën e Tij. Kjo u referohet të gjitha të mirave që Allahu na ka dhënë në jetën tonë, duke e ‎përfshirë, por pa u kufizuar, edhe pasurinë materiale.‎

Sa u përket begative të Allahut në lidhje me pasurinë materiale, Allahu i Plotfuqishëm thotë: ‎‎„Nuk është mëkat të kërkoni nga Zoti juaj ndonjë të mirë (materiale)…” (el-Bekare, 198)‎

Allahu gjithashtu thotë: “…Kurse disa të tjerë udhëtojnë nëpër botë, duke kërkuar dhuntitë ‎e Allahut (për jetesë)…” (el-Muzzemmil, 20)‎

Begatitë e Allahut kanë të bëjnë me masat paraprake të Tij – në gjithçka që Ai na jep, ta ‎marrim në mënyrë të shëndetshme dhe të ligjshme. Edhe nëse na është dhënë pak, nuk ‎duhet të lodhemi shpirtërisht dhe emocionalisht në kërkim të pasurisë dhe garës së ‎vazhdueshme me ata që mund të kenë më shumë prej nesh. Një pasuri e vogël që i plotëson ‎nevojat tona, është shumë më e mirë se bollëku i pasurisë që shoqërohet me lakmi dhe ‎pakënaqësi.‎

Allahu i Plotfuqishëm, gjithashtu na flet që të gëzohemi për mëshirën e Tij, të cilën mund ta ‎gjejmë në njohuritë tona për Të, në fenë tonë, në shpalljen e Kuranit dhe në mirësinë të cilën ‎Ai e ka vendosur në zemrat tona.‎

Kjo është arsyeja pse pejgamberi Muhamed (savs), ka thënë: “Zilia lejohet vetëm ndaj dy ‎personave: njeriut i cili e di Kuranin, e mëson atë ditë e natë dhe punon sipas tij, dhe ‎njeriut të cilit Allahu i ka dhënë pasuri, dhe ai ditë e natë e shpërndanë atë.” (Buhariu dhe ‎Muslimi)‎

Në këta dy shembuj që i përmend pejgamberi Muhamed (savs), janë treguar njerëz, të cilëve ‎Allahu u ka dhuruar begati të kësaj bote dhe mëshirën e Tij shpirtërore – të mirën e kësaj bote ‎dhe të botës tjetër.‎

Kur e arrijmë gëzimin dhe kënaqësinë në këto dy aspekte, atëherë ne e kemi arritur lumturinë ‎e vërtetë të kësaj bote. Kjo është begati të cilën Allahu ia jep atij që Ai dëshiron.‎

Për më tepër, begati është të lindësh në fe, sepse feja na bën që të gjitha shpresat tona t’i ‎mbështesim tek Allahu, dhe të gjitha aspiratat tona t’i drejtojmë për ahiret. Feja na mundëson ‎që të shikojmë edhe përtej gjendjeve tona momentale – madje edhe të atyre që duken si të ‎pashpresë – me pritje se ato do t’i kapërcejmë me mëshirën e Allahut.‎

Feja na jep fuqinë, e cila na nevojitet për të qenë këmbëngulës.‎

Selman el-Auda