Të Fundit
Hutbeja e Bajramit të Kurbanit

Hutbeja e Bajramit të Kurbanit

( خطبة عيد الأضحى )

 اَللهُ أَكْبَر، اَللهُ أَكْبَر ، اَللهُ أَكْبَر ، اَللهُ أَكْبَر و لِلَّهِ الْـحَمْد . اَللهُ أكبر كَبِيرًا وَ الْحَمْدُ لِلَّهِ كَثِيرًا وَ سُبْحَانَ اللهِ بُكْرَةً وَ أَصِيلاً . اَللهُ أكبرُ و لِلَّهِ الْحَمْدُ الَّذي جَعَلَ الْكَعْبَةَ قِبْلَةً لِلأَنَامِ . وَ فَضَّلَ يَوْمَ اْلأُضْحِيَّةِ عَلَى سَائِرِ اْلأَياَّمِ وَ جَعَلَ عِيدًا لِجَمِيعِ أَهْلِ اْلإسْلاَمِ . وَ أَمَرَ الْحُجَّاجَ بِلِسَانِ نَبِيِّ الْهُمَامِ فَقَالَ ذُو الْجَلاَلِ وَ اْلإكْرَام: “فَإذَا قَضَيْتُمْ مِنْ عَرَفَاتٍ فَاذْكُرُوا اللهَ عِنْدَ الْمَشْعَرِ الْحَرَام * تكبير * سُبْحَانَ خَالِقِ النُّفُوسِ وَ اْلأَنْفَاسِ وَ كَاشِفِ الْهُمُومِ وَ الْغُمُومِ وَ اْلوَسْوَاسِ . الَّذي جَعَلَ اْلكَعْبَةَ قِيَامًا لِلنَّاسِ * تكبير * سبحانَ مُفَتِّحِ اْلأَبوَابِ لِمَنْ هُوَ في ضِيقٍ . الذي شَرَّفَنَا بِيَوْمِ عَرَفَةَ وَ الْعِيدِ وَ أَيَّامِ التَّشْرِيق * تكبير * و أشهَدُ أنْ لا إلَهَ إلَّا اللهُ ، وَ أشْهدُ أنَّ محمدًا عبدُه و رسُولُه ، اللَّهُمَّ صَلِّ و سَلِّمْ و بارِكْ على هذا النبي و على آلِهِ و أصحَابِه و أنْصَارِه إلى يوْمِ يُبْعَثُونَ .

Xhemat të nderuar, vëllezër besimtarë!

Madhërimi është vetëm për Allahun. Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi! Allahu është më i madhi dhe vetëm Atij i përket falënderimi.

Falënderua qoftë Allahu – atij i qofshim falë – Krijuesit tonë të dashur që na e ka bërë Qaben vend drejtim tonin dhe kible. Që e ka dalluar ditën e kurbanave mbi të tjerat duke e bërë atë festë të madhe gjithislame. Ai nëpërmjet gojës së pejgamberit Ibrahim – siç na mëson Kurani – i ka urdhëruar haxhilerët (vizitorët e Qabes) që pasi të qëndrojnë në Arafat ta përmendin dhe ta madhërojnë Allahun duke thënë – الله أكبر -.

I lartësuar është Ai që na nderoi neve me ditën e Arafatit, me festën e Bajramit dhe me ditët e tekbiri teshrikut (prej sabahut të natës së bajramit deri ditën e katërt me iqindi = 23 kohë të namazit).

E përkujtojmë me respekt të madh pejgamberin tonë të dashur Muhamedin paqja, shpëtimi dhe mëshira e Zotit qoftë mbi te, mbi shokët e familjen e tij, mbi luftëtarët dhe mbarë besimtarët që ndjekin rrugën dhe mësimet e tij.

Xhemat të dashur,

Sot është ditë dhe festë e madhe për besimtarët muslimanë të mbarë botës.

Allahu ju bekoftë e ju shpërbleftë me dhuratat e tij të cilat i shpërndanë për hir dhe me rastin e kësaj feste, ua gëzoftë Allahu zemrat dhe ua plotësoftë dëshirat!

Në vijim, më lejoni t’i theksoj disa nga detyrat tona më të rëndësishme dhe më prioritare që duhet t’i kryejmë gjatë këtyre ditëve të festës në mënyrë që ta kalojmë si duhet dhe si kërkon Islami që t’i festojmë festat tona, dhe atë duke u mbështetur në argumentet e Kuranit dhe Sunnetit të Pejgamberit (a.s.).

Veprimi i parë që na pret kur të kthehemi prej xhamisë është therja e kurbanave. Ai që mundët, e pret vetë, kurse ai që nuk mundët së paku duhet të prezentojë therjen e kurbanit të vet. Kështu ka vepruar vetë Pejgamberi (a.s.) i cili menjëherë pas namazit i ka therë kurbanat e vet me dorë të vet. Ndërsa për prezentim të therjes ka thënë:

 – Oj Fatime, shko te kurbani yt dhe prezento therjen e tij, sepse me pikat e para prej gjakut të tij do të falen mëkatet e mëhershme. Tha: O i Dërguar i Allahut, a kjo vlen vetëm për neve, familjen e Pejgamberit, apo për neve dhe për muslimanët? Tha: Për neve dhe për muslimanët.

Andaj me këtë rast ju ftoj ta zbatojmë këtë Sunnet – pas xhamisë menjëherë te kurbanat!

Së pari t’i përgëzojmë dhe t’ua urojmë festën familjes sonë, pastaj të afërmve, fqinjve, miqve dhe mbarë besimtarëve bashkëvendas.

Urimet dhe dëshirat tona le të shoqërohen me pajtim ndërmjet veti me ata që jemi të hidhëruar, çfarëdo që të jetë arsyeja e hidhërimit. Nuk bën të mbahet inat më tepër se tri ditë. Vetëm në emër të Allahut mund të mbajmë hidhërim e inat! Nëse ofendohet Allahu, feja, shenjtëritë fetare etj.

Vëllezër të nderuar,

Feja jonë e lartë, pastaj festa jonë e sodit na porosit që të bëhemi solidarë. Gostitë e bajramit t’i bëjmë sa më me masë, pa kurrfarë teprimi. Dhuratave të ndryshme t’u hikim sa më shumë që të jetë e mundur. Këtë na e imponon edhe situata në të cilën ndodhemi. Të mundohemi e ta bëjmë shprehi që nga heqja dorë nga disa adete dhe disa harxhime t’ua ndihmojmë gjendjen atyre njerëzve të cilët nuk i kanë të plotësuara as nevojat elementare për jetë. Ky është obligim fetar dhe detyrë patriotike.

Pra, pajtim ndërmjet veti, urimet e ndërsjella, vizitat reciproke dhe solidarizimi janë një pjesë e mënyrës që duhet ta përmbajë festa islame, kurse formën e plotë të saj mund ta gjejmë në traditën e sahabëve të Pejgamberit (a.s.).

Në këtë kuadër e kemi këtë hadith:

Besimtarët në mëshirën, dashurinë dhe ndjenjat e ndërsjella ndaj njëri – tjetrit janë si shembulli i trupit (të njeriut); nëse lëngon një organ, do të vuajë tërë trupi nga pagjumësia dhe dhembja.

Këto ndjenja të larta morale të dashurisë, duhet t’i përfshijnë të gjitha shtresat; si të vjetrit e deri te më të rinjt e fëmijët. Ndaj fëmijëve kemi obligime si ndaj vetvetës. Gjatë ditëve të bajramit t’i marrim më tepër me vete, si në xhami, ashtu edhe në vizita. T’ua mësojmë shprehitë dhe traditat e mira. T’i ruajmë që të hollat që i fitojnë si dhurata për bajram mos t’i harxhojnë në vende të këqia e të dëmshme. T’i përgatisim që nesër të bëhen qytetarë dhe besimtarë të mirë, që të jenë në gjendje ta mbrojnë fenë dhe atdheun.

Vëllezër xhemat,

Po e përfundoj këtë hutbe me lutje tek Allahu xh.sh. që ta shtrijë ndihmën dhe mëshirën e Tij mbi mbarë muslimanët kudo që janë në botë.

O Allah! Për hirë të kësaj feste që Ti na e ke caktuar, na i prano lutjet dhe veprat tona.

Na ndihmo neve dhe ndihmoju muslimanëve që janë duke vuajtur. Shkatërroji armiqtë e tyre dhe t’onët siç i shkatërrove armiqtë e Pejgamberit (a.s.) duke e vu në vend premtimin Tënd.

Edhe neve, na mbro e na ndihmo në problemet tona, se vetëm Ti për këtë ke mundësi!

O Zot, ndihmoju mbarë muslimanëve edhe neve, që duke e ndjekur rrugën Tënde ta fitojmë përkrahjen Tënde dhe shpërblimin në të dy botët – Amin!

Miftar Ajdini