Të Fundit
Faleminderit Jusufit (a.s.)

Faleminderit Jusufit (a.s.)

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga tregimet kuranore për sprovat e tij jetësore, mësova se disa njerëz na urrejnë për shkak të përparësive tona, dhe jo për shkak të mangësive tona. Jusufin (a.s.), e urryen për shkak të bukurisë dhe mirësisë së tij, e urryen pse ai nuk ngjasonte me ta. Njerëzit nuk duan që dikush t’ua kujtojë atyre të metat e tyre.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se ndonjëherë goditjet vdekjeprurëse na vijnë prej nga nuk shpresojmë. Jusufi (a.s.) ishte i sigurt nga ujku, por nuk ishte i sigurt nga vëllezërit e tij të vërtetë.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se nuk kam nevojë tu flas të gjithëve për mirësinë dhe begatitë që mi ka dhuruar Allahu, sepse disa njerëz kanë horizont të ngushtë dhe zemër edhe më të ngushtë. Ata më shumë shikojnë në atë që është në duart e të tjerëve, se sa në atë që është në duart e tyre.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se kriminelët dhe horrat ndonjëherë veshin rroba të këshilltarit. Pra, a nuk i tha Iblisi stërgjyshit tonë Ademit (a.s.): “A do të ta tregoj pemën e përjetësisë?”, kurse vëllezërit e Jusufit (a.s.), babait të tyre Jakubit (a.s.) i thanë: “Ne jemi këshillues të tij të sinqertë!” ; “Ne, me siguri, do ta ruajmë atë!”

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij, mësova se një e keqe është më e vogël se tjetra dhe se njerëzit dallohen në të keqen e tyre, siç dallohen edhe në mirësinë e tyre. Jusufin (a.s.), e shpëtoi vëllai që ishte më pak i keq, duke thënë: “Mos e mbytni Jusufin!”

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova që të mos e zbuloj frikën time para të tjerëve, sepse njerëzit atë frikë mund ta përdorin kundër meje. Jakubi (a.s.), u tha bijve të tij: “Unë brengosem që ju ta merrni atë, e druaj se mos do ta hajë ujku, kur nuk do të jeni të kujdesshëm”, kështu që këtë e përdoren vëllezërit e tij, dhe pasi e hodhën në pus, i thanë babait: “Jusufin e hëngri ujku.”

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se kriminelin shpesh e zbulojnë detaje të vogla, të cilave ai nuk ju kushton vëmendje. Kështu vëllezërit e Jusufit (a.s.), harruan ta grisin këmishën Jusufit dhe me çka ia bënë me dije Jakubit (a.s.), se djalin e tij Jusufin nuk e ka ngrënë ujku, sepse çfarë është ai ujk që e ha njeriun dhe rrobat e tij mbeten të padëmtuara.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se e mira dhe e keqja nuk janë në gjësende, por në mënyrën se si i përdorim gjësendet. Këmisha e Jusufit (a.s.), në një moment ishte dëshmi e rrejshme, një herë ishte dëshmi e pafajësisë së tij, kurse një herë tjetër ishte ilaç, sepse babait tij, Jakubit (a.s.), iu kthye shikimi kur ia sollën këmishën e Jusufit dhe ia vendosën në fytyrë.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se njeriu fisnik nuk tradhton, se njeriu i lirë të mirën nuk e kthen me të keqe, se njeriu fisnik nuk pështyn në pusin nga i cili pi ujë. Jusufi (a.s.), refuzoi çdo mendim për të shkelur kurorën me gruan e sundimtarit i cili i bëri mirë atij, duke thënë: “Allahu më ruajtë, ai zotëriu im (e burri yt), më nderoi me vendosje të mirë (si mund t’i bëj hile në familje)”. S’ka dyshim se tradhtarët nuk kanë sukses.”

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se nuk ka amanet të vërtetë dhe besueshmëri pa pasur mundësi reale për ta tradhëtuar besimin, as nuk ka nder të vërtetë, pa pasur mundësi reale për të bërë kurvëri. Jusufi (a.s.), pati mundësi për ta bërë këtë, por njerëzit si Jusufi nuk e tradhëtojnë amanetin, as nuk bëjnë kurvëri.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se e gjithë bota nuk mund të më detyrojë që të bëj atë që nuk dua, prandaj u ndala së kërkuari justifikime në rrethana dhe situata. Zulejha ishte pronare e Jusufit (a.s.), të dy ishin vetëm në pallat, ajo i mbylli dyert, në vetvete e shfaqi bukurinë, pushtetin dhe dëshirën, por Jusufi (a.s.), i rezistoi dhe nuk deshi të bëjë atë që ajo kërkonte.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se ëmbëlsia e besimit (imanit) e mbizotëron hidhërimin e sprovave të jetës, se kënaqësia e imanit të bën ta harrosh hidhërimin dhe ashpërsinë e burgut, dhe se ty, nëse e tradhton besimin, edhe pallati më i madh do të duket i ngushtë.

– Faleminderit Jusuf (a.s.)! Nga historia e tij mësova se mineralet fisnike nuk i ndryshojnë vetitë e tyre duke e ndryshuar vendin. Për Jusufin (a.s.), në burg flisnin se është bamirës, ndërsa kur u bë sundimtar, vëllezërit e tij kërkuan që t’i falë, sepse e dinin se është bamirës.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se zilia është burimi i çdo të keqeje. Sepse mëkati i parë në qiell, është bërë për shkak të zilisë, kur Iblisi refuzoi t’i përulet Ademit (a.s.), dhe po ashtu mëkati i parë në Tokë, është bërë për shkak të zilisë, kur Kabili e mbyti vëllanë e tij Habilin.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se shkaku i ngatërresave dhe korrupsionit është menaxhimi i keq, dhe jo mungesa e fondeve financiare. Kur Jusufi (a.s.) i shpëtoi Egjiptasit nga thatësira dhe vitet jopjellore, ai nuk erdhi me burime të reja, por me aftësi të menaxhimit dhe udhëheqjes, ashtu që burimet dhe rezervat e vjetra ia arriti t’i bëjë të reja.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se kjo botë është në shenjë të një lufte të vazhdueshme midis së mirës dhe së keqes, dhe se ajo nuk do të pushojë deri në Ditën e Gjykimit. E vetmja gjë që ndryshon në këtë luftë janë pjesëmarrësit. Lufta e Jusufit (a.s.) me Zulejhan simbolizon luftën midis dëlirësisë dhe epshit në të gjitha brezat, ndërsa lufta e Jusufit (a.s.) me vëllezërit simbolizon luftën midis dashurisë dhe urrejtjes në çdo kohë.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se Allahu i Plotfuqishëm i zgjedh armët në luftën midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, të cilat njeriu nuk i mendon kurrë. Allahu i Plotfuqishëm ka mundur të dërgojë melekë për t’i shembur muret e burgut ku ishte Jusufi (a.s.), dhe në atë mënyrë ta shpëtojë nga fatkeqësia, por Ai ia ‘dërgoi’ sundimtarit të Egjiptit një ëndërr, të cilën e pa dhe e cila u bë shkaku i çlirimit të Jusufit nga burgu.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se çdo pozitë në shtet është përgjegjësi, dhe jo nder. Jusufi (a.s.), nuk e kërkoi pozitën e Ministrit të Financave për t’i sunduar njerëzit, por për t’ua ndarë me drejtësi të mirat e tyre të përbashkëta, dhe sikur ta dinte se në Egjipt ka dikush që është më i aftë se ai, nuk do ta kishte kërkuar.

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova që pikëllimin dhe dhimbjen time mos t’ia paraqes askujt tjetër përveç Allahut të Plotfuqishëm, sepse njerëzit janë të ndarë në ata që ju duan dhe ata që ju urrejnë. Ata që ju duan vuajnë nga sprovat tuaja, ndërsa ta që ju urrejnë, ju poshtërojnë juve, dhe në fakt, asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë asgjë me pikëllimin tënd. Andaj, pse pikëllimin dhe dhimbjen tënde të mos ia paraqesësh Atij në dorën e të Cilit është pushteti dhe caktimi!

– Faleminderit Jusufit (a.s.)! Nga historia e tij mësova se njeriu fisnik fal atëherë kur ka mundësi për të ndëshkuar dhe për të marrë hak, dhe se falja është pjesë e sjelljes së tij. Ai që fal nuk i fyejnë dhe nuk i nënçmon ata që vijnë tek ai për t’i kërkuar falje për mëkatin dhe padrejtësinë që i kanë bërë.

Edhem Sherkavi; saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)