Të Fundit
Disa fetva rreth agjërimit

Disa fetva rreth agjërimit

Meqenëse besimtarët gjatë ramazanit vijnë në situata kur janë në dilemë se si të veprojnë siç duhet dhe a është agjërimi i tyre i vlefshëm, këtu po i sjellim disa nga pyetjet më të shpeshta rreth agjërimit dhe muajit ramazan me përgjigjet e tyre nga fetva-i emini Dr. Enes Ljevaković. Për shkak të specifikave të situatës, disa pyetje i kemi përcjellë fjalë për fjalë, ndërsa përmbajtja e të tjerave mund të shihet në nëntituj.

Iftari para perëndimit të diellit

Në ditën e parë të agjërimit kam bërë gabim dhe kam bërë iftar 10 minuta para kohës së akshamit. A duhet ta agjëroj përsëri atë ditë?

Pasiqë në rastin tuaj kemi të bëjmë me gabim dhe jo me harresë, ju duhet ta agjëroni atë ditë dhe ta falni (përsëri) akshamin sepse e keni falur para kohe, kurse agjërimin e keni ndërprerë para akshamit. Allahu nuk e ndëshkon një person nëse vepron diçka me gabim, pa dashje. Ngrënia me gabim e prish agjërimin, për dallim nga ngrënia me harresë, e cila nuk e prish agjërimin.

Syfyri pas agimit (imsakut)

Personi i cili ha syfyr pas imsakut, a është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë?

Personi i cili ha syfyr pas imsakut, është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë, sepse e ka prishur agjërimit të tij duke ngrënë ushqim pas agimit, kur tashmë ka hyrë koha e agjërimit. Juristët islamë konsiderojnë se ky person pa tjetër duhet të përmbahet nga ushqimi dhe pija deri në iftar të asaj dite për respekt dhe shenjtërim të kohës së agjërimit.

Ndërprerja e agjërimit për shkak të punës së rëndë fizike
dhe angazhimeve sportive

Unë punoj si saldator në mekanikën e metaleve të rënda jashtë vendit nga 10 orë në ditë. Cili është qëndrimi i sheriatit rreth agjërimit në punë të tilla?

Personat që punojnë punë të rënda fizike gjatë të cilave humbin sasi të mëdha të lëngjeve, ashtu që agjërimi mund ta rrezikojë shëndetin e tyre, kanë justifikim (uzur) që ta ndërprejnë agjërimin, kurse ato ditët e humbura t’i kompensojnë më vonë, sipas ajetit kuranor: “Ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar) – Allahu ka bërë lehtësi për ju, e jo vështirësi e mundime…” (el-Bekare, 185)

Ajo që mund të çojë në sëmundje ose shërim të ngadaltë mund të ketë tretman të sëmundjes. Në fundjavë apo pushime, nuk ka asnjë justifikim për të mos agjëruar. Gjithashtu, juristët islamikë konsiderojnë se personat në raste të ngjashme duhet ta bëjnë nijet agjërimin, dhe mund ta ndërpresin atë vetëm kur të ndjejnë vështirësi të mëdha për shkak të agjërimit.

Unë jam sportist dhe falënderoj Allahun e Plotfuqishëm që më ka dhënë forcë edhe të agjëroj edhe të stërvitem. A mund të më përgjigjeni se a duhet të kryej keffaret nëse e kam prishur agjërimin me dashje, nga frika se mundimi i madh do të ma dëmtojë shëndetin, në ditën kur kam pasur një ndeshje të pashmangshme, për të cilën mësova më vonë. Gjithashtu, a duhet ta kryej keffaretin për ditët e humbura me dashje kur kam pasur 4 ndeshje në 3 ditë?

Kur bëhet fjalë për ditët e humbura të agjërimit, nëse ndeshjet janë luajtur në vendin e huaj, dmth. në një vend të largët 80 kilometra ose më shumë nga vendbanimi juaj, atëherë si musafir ju keni mundur të mos agjëroni në ato ditë. Mirëpo, nëse ndeshjet janë luajtur në vendbanimin tuaj ose në një vend jo shumë larg për të pasur statusin e musafirit, atëherë duhet ta kishit filluar agjërimin, dhe pastaj, nëse do t’ju mbisundonte uria dhe etja dhe do të frikësoheshit për shëndetin tuaj, atëherë në atë situatë keni mundur ta ndërpritni agjërimin. Nëse fare nuk e keni agjëruar atë ditë, pa dy bazat e përmendura të mos agjërimit, atëherë duhet të pendoheni për lëshimin e bërë, t’i agjëroni përsëri ditët e humbura, si dhe të kryeni një keffaret për të gjitha ditët e humbura. Allahu i Lartësuar e pranoftë mundin tuaj dhe veprat e mira dhe ju ndihmoftë juve në sport dhe në jetë.

Detyrimi i agjërimit kur shkoni në det

Unë jam i mendimit se në dilemën e zgjedhjes midis pushimit vjetor në det dhe ramazanit, muslimani duhet t’i japë përparësi ramazanit. Pushimi në bregdet gjatë ramazanit, veçanërisht gjatë verës, qoftë personi agjërueshëm ose jo, nga pikëpamja fetare nuk është zgjedhje e mirë, sepse ambienti që mbizotëron atje në atë kohë, është në kundërshtim me ambientin dhe vlerat që përmbajnë dhe formojnë agjërimin dhe ramazanin. Unë gjithashtu e kuptoj dëshirën tuaj (të dynjasë) dhe nevojën, andaj zgjidhni ju vetë se çfarë mendoni se është më mirë dhe më parësore për ju. Allahu ju ndihmoftë që të zgjidhni atë që është më e mira për ju në këtë botë dhe në botën e ardhshme.

Vlefshmëria e agjërimit gjatë punës me alkool
dhe me ushqim haram

Meqenëse jam i punësuar si kamerier dhe kam ndërmend – me vullnetin e Zotit – të agjëroj ramazanin, ju lutem të më përgjigjeni, a është e mundur të agjëroj dhe në të njëjtën kohë, si agjërues, ta shërbej musafirin i cili porosit pije alkoolike?

Agjërimi nuk do të jetë i prishur në rastin në fjalë, por do të ishte më mirë nëse mund t’i shmangeni asaj pune të paktën gjatë ramazanit. Nëse nuk është e mundur, agjërimi do të jetë i vlefshëm, me vullnetin e Zotit.

Agjërimi në praninë e tymit të duhanit

Thithja pa dashje e tymit të duhanit në dhomën e tymosur, a e prish agjërimin tim?

Agjërimi juaj është i vlefshëm, sepse ju nuk keni thithur tymin e duhanit me qëllim dhe me dashje, por kjo ka ndodhur si rezultat i qëndrimit tuaj në dhomën e tymosur. Në dhoma të tilla nuk duhet të hyhet pa nevojë. Nuk është korrekte dhe është jo kulturore sjellja e disa individëve, të cilët gjatë ramazanit pinë duhan në ambientet ku hyjnë ose qëndrojnë edhe agjëruesit.

Vlefshmëria e agjërimit në rastin e përdorimit
të produkteve mjekësore dhe preparateve higjienike

A e prish agjërimin përdorimi i pikave të syrit, hundës, pompave të astmës dhe injeksionet?

Vendosja e pikave në sy nuk e prish agjërimin, sepse nuk paraqet futjen e ushqimit dhe pijeve në trup përmes rrugëve natyrore. Nëse pikat që hyjnë në hundë depërtojnë në pjesën e brendshme të trupit, e prishin agjërimin, sepse hunda është një hapje natyrale përmes së cilës lëngu mund të hyjë në trup. Nëse nuk depërton në brendi të trupit nuk e prishë agjërimin.

Përdorimi i pompës nuk e prish agjërimin, sepse ajo vetëm e lagështon ajrin që thithet.

Injeksioni, përveç infuzionit, nuk e prish agjërimin.

I sëmuri mund të mos agjërojë nëse agjërimi i tij e dëmton, por ai është i detyruar ta agjërojë (më vonë) atë ditë të humbur të agjërimit. Nëse agjërimi nuk i paraqet ndonjë vështirësi, ai është më mirë të agjërojë.

Marrja e insulinës përmes injeksionit në lëkurë nuk e prish agjërimin dhe mund të përdoret gjatë agjërimit.

Vlefshmëria e agjërimit në rastin e kryerjes së mëkatit

A e prish agjërimin blasfemia (sharja), gënjeshtra, përgojimi, mosfalja e namazit, veshja e pahijshme dhe shikimi i gjërave të palejuara?

Nëse kemi të bëjmë me blasfeminë e cila nxjerr nga feja, agjërimi do të prishet dhe, bashkë me përtëritjen e imanit, duhet të agjërohet ajo ditë. Nëse, megjithatë, bëhet fjalë për sharje të zakonshme (e cila nuk nxjerr nga feja), agjërimi nuk do të prishet, por vlera dhe shpërblimi i tij qenësisht do të zvogëlohen. Sharja gjatë agjërimit është shenjë se ai agjërim nuk po e arrin qëllimin e tij të plotë, por e plotëson vetëm formën. Në një hadith thuhet: “Ka shumë agjërues, të cilët nga agjërimi i tyre nuk kanë asgjë tjetër përveç urisë dhe etjes.” Allahu i Lartësuar na ruajtë nga sprova dhe belaja e tillë!

Edhe gënjeshtra e zvogëlon vlerën e agjërimit. Pejgamberi (savs), thotë: “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe veprimin me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta le ushqimin dhe pijen e tij.” (Buhariu, 6057) Kush gënjen gjatë agjërimit, do ta vazhdojë agjërimin dhe nuk është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë. Se a do të pranohet agjërimi i tillë nga Allahu, kjo është pyetje tjetër. Për këtë vendos Allahu.

Qëllimi i agjërimit është të arrihet devotshmëria – takvallëku dhe mbrojtja nga mëkatet, ndërsa personi që nuk e fal namazit nuk mund të përshkruhet si i devotshëm dhe i mbrojtur nga mëkatet (sepse mos falja e namazit është një nga mëkatet më të mëdha), kështu që agjërimi i tij nuk e arrin qëllimin e vet. Se a do të pranohet agjërimi i tillë tek Zoti, ne nuk e dimë.  Zoti është i mëshirshëm dhe mund ta mëshirojë personin e tillë. Nëse kryhet një mëkat (duke e lënë namazin), kjo nuk do të thotë, se duhet të kryhen edhe mëkate të tjera (mos agjërim, etj). Prandaj, personi i tillë nuk duhet të dekurajohet nga agjërimi, por përkundrazi, në një mënyrë të bukur duhet të inkurajohet, që përveç agjërimit të fillojë edhe faljen e namazit dhe kryerjen edhe të detyrave të tjera islame.

Edhe gruaja që nuk vishet sipas rregullave islame është e obliguar të agjërojë. Mëkati për veshje jo-islamike nuk nënkupton parregullsi automatike ose çlirim nga agjërimi, nga namazi dhe nga ibadetet e tjera. Zoti shpërblen për vepra të mira, fal dhe ndëshkon për mëkatet; kjo është në kompetencën e Tij. Vepra e kujt do të jetë e pranuar, vetëm Ai e di.

Ne nuk mund t’ia mohojmë atij që kryen ndonjë mëkat – dhe çdokush në diçka kryen mëkat – të drejtën dhe obligimin për të kryer cilindo ibadet dhe të shpresojë në mëshirën e Zotit. Allahu askënd nuk e ka përjashtuar nga mëshira e Tij përveç shejtanit dhe ata që vdesin si jobesimtarë. Ai, nuk do ta falë në botën e ardhshme, siç thotë në Kuran, atë që i ka bërë shirk Atij, ndërsa do ta falë, cilindo mëkat tjetër përveç shirkut. “Ai që ka punuar ndonjë të mirë, qoftë ajo e vogël madje sa thërmia, do ta shohë atë, kurse ai që ka punuar të keqe, qoftë madje sa thërmia – do ta shohë atë.” (ez-Zelzele, 7-8)

Edhe sytë, si organet dhe shqisat e tjera, duhet të largohen nga gjërat e ndaluara, siç është shikimi i lakuriqësisë, njëjtë siç largohet agjëruesi nga ushqimi, pija dhe kënaqja e nxitjes seksuale. Mirëpo, nëse agjëruesi nuk arrin të kontrollojë shikimin e tij, agjërimi i tij nuk do të prishet, por shpërblimi i agjërimit me siguri do të zvogëlohet, pasi që nuk e ka arritur plotësisht qëllimin e vet (kontrolli i plotë i trupit, shpirtit, pasioneve, shqisave dhe mbrojtja nga gjërat e ndaluara – gjendje takvallëku). Se a do të pranohet agjërimi i tillë tek Zoti, ne nuk e dimë. Në çdo rast, nevojitet pendimi (tevbe) për shkak të këtij mëkati. Allahu i Lartësuar është i Mëshirshëm, e pranon pendimin e atij që pendohet sinqerisht.

Gjithashtu, mëkatet e vogla shlyhen me dhënien e sadekatul-fitrit.

Përgojimi, bisedat e kota e të llojllojshme, shikimi në avretin e huaj dhe të ngjashme, formalisht nuk e prishin agjërimin, por e zvogëlojnë vlerën e tij dhe shkaktojnë mëkat. Këto vepra janë të ndaluara edhe jashtë ramazanit, por veçanërisht gjatë agjërimit.

Vlefshmëria e agjërimit në këto raste:
Vjellja, të rënët pavetëdije dhe rrjedhja e vrullshme e gjakut nga hunda.

Vjellja pa dashje nuk e prish agjërimin, ndërsa shkaktimi me qëllim i vjelljes e prish agjërimin, në bazë të hadithit në të cilin Pejgamberi (savs), thotë: “Kush vjell nuk është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë, ndërsa ai i cili me dashje shkakton vjellje, është i detyruar ta agjërojë përsëri atë ditë.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe).

Humbja e vetëdijes gjatë agjërimit nuk e prish agjërimin, gjithashtu edhe rrjedhja e gjakut nga hunda ose nga ndonjë pjesë tjetër të trupit.

Gjidhënia e foshnjës

Ushqyerja me gji e foshnjës nuk e prish agjërimin. Agjërimin e prish ajo që hyn në trup përmes të hapurave natyrore, dhe jo ajo që del nga trupi.

Vizita e gjinekologut dhe dentistit

Ekzaminimi gjinekologjik ose stomatologjik nuk e prish postin. Mirëpo, këto ekzaminime pa nevojë të madhe, duhet të shmangen gjatë agjërimit.

preporod.com

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)