Të Fundit
Cila është simbolika e ngritjes së duarve gjatë lutjes (duasë)?

Cila është simbolika e ngritjes së duarve gjatë lutjes (duasë)?

Ngritja e duarve gjatë lutjes është një veprim fisnik i robit të dobët dhe të varur, ndaj Zotit Fisnik dhe të Pavarur, ndaj Krijuesit. Me këtë veprim njeriu e tregon varësinë e tij ndaj Zotit, varfërinë e tij në raport me Të, përulësinë e tij, vogëlsinë dhe bindjen para Tij.

Sa më shumë të rritet vetëdija e njeriut për nevojën e Allahut, sa më shumë të rritet dëshira e tij për Allahun e Madhërishëm dhe për t’i bërë lutje, aq më shumë rritet dëshira për ngritjen e duarve kah Allahu, për shtrirjen e duarve me bindje dhe përulësi para Allahut të Plotfuqishëm.

Ngritja e duarve gjatë lutjes është shenjë e pranimit të shehadetit, të tevhidit, të madhërimit dhe lavdërimit të Tij. Ky veprim është tregues i besimit të njeriut se Allahu i Plotfuqishëm është lartë mbi krijesat e Tij dhe i mban të gjitha, është tregues se Ai është plotësisht e pavarur nga të gjitha krijesat e Tij, ndërsa të gjitha krijesat janë të varura dhe të nevojshme për Krijuesin e tyre.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “O njerëz! Ju jeni të varfër te Allahu, (nevojtarë për çdo gjë). E, Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i denjë për falënderim.” (Fatir, 15)

Me ngritjen e duarve gjatë lutjes ne e dëshmojmë ekzistencën e Allahut, e dëshmojmë se Allahu drejton çdo gjë, si dhe drejton çdo qenie të gjallë. Allahu i Lartëmadhërishëm është Ai që planifikon dhe organizon çdo gjë, Ai i menaxhon të gjitha krijesat e Tij. Dhe, pasiqë është kështu, atëherë Ai është i Vetmi që meriton t’i bëjmë ibadet, t’i falemi dhe t’i bëjmë sexhde. Ai, i Plotfuqishmi, meriton dashuri maksimale dhe përulësi maksimale, sepse emrat e Tij, cilësitë e Tij dhe veprat e Tij janë të përsosura:

“Po, kështu është kjo, ngase Allahu është Ai i Vërteti, e që, të gjitha ato që ata i adhurojnë, përpos Tij, janë të kota. Dhe, padyshim, Allahu është i Lartësuar dhe i Madh.” (el-Haxh, 62)

Çdo formë e robërimit dhe bindjes ndaj dikujt tjetër përveç Allahut është mashtrim dhe e pavërtetë. Çdo dashuri për ndonjë hyjni tjetër njeriut i sjell dënim, ndërsa çdo mbështetje në dikë tjetër përveç Allahut është tregues i mashtrimit dhe varfërisë së njeriut. Kushdo që kërkon dinjitet te dikush tjetër pos Allahut, do të poshtërohet, ndërsa kushdo që dëshiron me shumicë do të mbetet pa të. Ai është vendtakimi i fundit i dëshirave tona, i lutjeve tona dhe i nevojave tona:

 “Prej Tij kërkojnë çka ka në qiej dhe në Tokë…” (err-Rrahman, 29)

Ngritja e duarve gjatë lutjes do të thotë pranim se Allahu është Fisnik dhe Mirëbërës, i dëgjon lutjet e atyre që i luten, ju përgjigjet atyre që janë në vështirësi, ju jep atyre që i kërkojnë, asnjë mëkat nuk është aq i madh sa që Ai nuk mund ta falë. Nuk ka asnjë nevojë që Ai nuk mund ta plotësojë. Sikur të gjithë banorët e qiejve dhe të Tokës të mblidhen, njerëzit dhe xhinët, të gjallët dhe të vdekurit, ata në të thatë dhe ata në ujë, dhe të kërkojnë çka ju nevojitet, dhe Ai t’i japë secilit prej tyre atë që dëshiron, kjo nuk do ta zvogëlonte as sa një atom pushtetin e Tij dhe atë që ka. Mëshira e Tij përfshin çdo gjë, thesari i Tij është i plotë dhe nuk e pakëson atë dhënia, shpërndarja ditë e natë.

Pejgamberi savs në një hadith thotë:

“Zoti i juaj është i turpshëm dhe bujar, Ai turpërohet nga robi i Tij i cili i ngrit duart drejt Tij, që t’ia kthejë bosh.”

Ngritja e duarve gjatë lutjes simbolizon pranimin tonë të dijes së Allahut, gjithëpërfshirjen e saj dhe monitorimin e vazhdueshëm të njerëzve. Atij, të Plotfuqishmit, nuk i fshihet asgjë, Ai dëgjon çdo gjë dhe dëgjimi i një krijese nuk e pengon për ta dëgjuar një tjetër. Pavarësisht nga numri dhe lloji i zërave, ata tek Ai nuk përzihen. Ai e sheh ecjen e milingonës së imtë të zezë në një shkëmb të errët në natën e errët. Allahu i Plotfuqishëm i di edhe detajet më të vogla e krijesave të Tij, çdo atom të tyre, çdo qelizë, trurin, enët e gjakut, Ai, i Plotfuqishmi, e sheh edhe krahun e mushkonjës së imtë në natën e errët.

Me ngritjen e duarve gjatë lutjes, njeriu e pranon lartësinë e Allahut mbi krijesat. Zemrat e besimtarëve, të cilët gjatë lutjes i ngrenë duart e tyre kah qielli, lidhen me Allahun e Madhërishëm, i Cili është mbi krijesat e Tij.

Ngritja e duarve gjatë lutjes e kthen dhe lartëson edhe zemrën e njeriut kah Allahu i Plotfuqishëm.

Autor: Abdurezzak bin Abdulmuhsin el-Bedr.

Përkthim: Miftar Ajdini