Të Fundit
Besimi dhe puna në dritën e fesë islame

Besimi dhe puna në dritën e fesë islame

“Nuk ka dyshim se ata që besuan Allahun dhe bënë vepra të mira) do të kenë kopshte të Xhenetit Firdeus për kënaqësinë e tyre!” (El-Kehf) 107)

Hyrje

Feja islame që në zanafillën e saj e gjithashtu edhe gjatë rrugëtimit të saj shumë shekullor, vazhdimisht u përqendrua në dy komponentë të rëndësishëm: në besimin e sinqertë në Allahun e Gjithëmëshirshëm dhe në punën e angazhimin e ndershëm.
Në të vërtetë, para se të shkëlqente drita e Kuranit, tek arabët dominonin parime e vese të gabuara. Jeta e ndershme kishte humbur kuptimin e saj. Ajo më s’kishte ndonjë peshë dhe për të kishin ndryshuar edhe mendimet e edhe qëllimet. Atëbotë, lidhjet dhe marrëdhëniet shoqërore ishin ngritur mbi dominimin e shtresës së lartë (të pasurit dhe të fortët) ndaj shtresës së ulët (të varfrit dhe të dobëtit). Pikërisht në këtë kohë të pa kohë dhe shumë të vështirë, kur shpresat e njerëzve tashmë ishin venitur skajshmërish dhe në kulmin e këtyre kundërthënieve, Allahu e dërgoi Muhamedin a.s. dhe përmes tij edhe Kuranin, për të thirrur njerëzit për të besuar në Zotin Një dhe për të ndryshuar këtë gjendje. Dëshira për këtë ndryshim njëherësh qe edhe pikënisja për ndryshimin e një populli të tërë, duke mbjellë në zemrat e njerëzve besimin në një Zot, Krijuesin e Gjithësisë. Ai i tregoi njerëzisë se adhurimi i gjërave që s’të sjellin as dëm dhe as dobi është gjë e kotë, ndaj dhe adhurim meriton vetëm Krijuesi Fuqiplotë:
“Ky është Allahu – Zoti juaj! Nuk ka të adhuruar tjetër meritor përveç Tij, Krijuesi i çdo sendi, prandaj adhuroni Atë. Ai është Mbikëqyrës ndaj çdo sendi!”(1)
Armiqtë, të cilët u munduan që në çfarëdo mënyre të pengonin përhapjen e fesë islame, nuk u dorëzuan lehtë, por përkundrazi, ndërmorën të gjithë llojet e pengesave deri te përdorimi edhe i torturave kundër atyre pak myslimanëve të parë. Për më tepër, ata i shpallen luftë Pejgamberit a.s. dhe besnikëve të tij, madje edhe i bojkotuan, i lëçitën dhe bënë premtime e betime për t’i ndërprerë të gjitha lidhjet në mes tyre dhe palës myslimane. Dhuna e tyre bëri që të shkruanin “Proklamatën” e njohur, të cilën e varën në mes të Qabesë. Myslimanët qëndruan në këtë gjendje të vështirë të bojkotuar afro tri vjet me radhë, ushqimi u sillej vetëm fshehtazi, e nga uria e madhe shumë herë u detyruan të hanin edhe gjethe të pemëve.

Besimi dhe puna në dritën e Kuranit

Me gjithë këto tortura e mundime, myslimanët nuk iu dorëzuan thirrësve injorantë e gabimtarë. Sepse, besimi i drejtë e i vërtetë kishte zbukuruar zemrat e tyre dhe ai u jepte guxim e kurajë për t’iu bërë ballë të gjitha vështirësive. Ishte pikërisht besimi ai që i bënte që të forcoheshin në baza të forta gjerë sa t’ua bëjë Zoti të mundur fenë në tokë, t’i ndryshoj: pas dobësisë – fuqi, pas frikës – siguri, pas vështirësive – lehtësi, qetësi e paqe.
Në suren “En-Nur”, Zoti xh.sh., ka thënë: “Zoti u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe punojnë (vepra) të dobishme se do t’i bëjë sundimtarë në tokë, sikurse që i ka bërë ata para tyre, dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre me të cilën Ai është i kënaqur (të është fe për ata), dhe që frikën do t’ua zëvendëso] me siguri (qetësi). Ata më adhurojnë Mua e nuk më bëjnë shok asgjë. E, kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë të prishurit.”(2)
Kur e shfletoj më Kuranin, vërejmë se Allahu i Madhëruar, sa herë që e përmend besimin në Zot, gjithmonë atij ia bashkon edhe veprimin e punëve të mira e të vlefshme. Kur i lavdëron besimtarët e ndershëm, për ta thotë: ” … ata që besojnë dhe që punojnë vepra të mira … “.
Kjo përsëritet shumë herë në Kuran, gjë që vërteton peshën dhe rëndësinë që ka. Jo vetëm kaq. Për të tillët besimtarë, Allahu do të dhurojë dashuri në zemrat e besimtarëve të tjerë. Ja si e përshkruan këtë Ebu Hurejreja:” I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Nëse Allahu e do një njeri, Ai e thërret Xhibrilin duke i thënë “Allahu e do filanin! O Xhibril duaje atë!” Xhibrili do ta dojë atë, pastaj Xhibrili do të bëjë thirrje ndër banorët e qiellit, “Allahu e do filanin, kështu që edhe ju duhet ta doni atë.” Kështu të gjithë banorët e qiellit do ta duan atë njeri dhe pastaj atij i sigurohet kënaqësia e njerëzve të Tokës!”(3)
Ngjashëm me këtë, nga ana tjetër, kur Allahu i përmend njerëzit besimtarë të shpëtuar nga zjarri i Xhehenemit, nuk e ndanë punën e dobishme nga besimi i sinqertë:
“Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira … !”
Feja islame nuk e konsideron të vetëmjaftueshme për pjesëtarët e saj që të synojnë vetëm imanin-besim duke u përqendruar vetëm në të e asgjë tjetër, por, vrojtuesi i sinqertë vëren se si ajo, krahas besimit, kërkon edhe punën prej ithtarëve të saj, e vërteton vlerën e madhe të saj, bile atë e llogaritë edhe lutje: me punë dallohen njerëzit dhe sipas saj edhe shpërblehen: “Nuk do të shpërbleheni” (me asgjë tjetër) përveç (me atë) që keni punuar.”(4)
Në një ajet tjetër, Zoti xh.sh., thotë: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër përveç ajo që ka punuar, dhe se angazhimi i tij në të ardhmen do të duket, e pastaj do të shpërbehet me shpërblim më të drejtë!”(5)
Puna në dritën e fesë islame konsiderohet e drejtë e çdokujt dhe, mbi të gjitha, nder, detyrë dhe jetë njëkohësisht. Kjo në një anë, e në anën tjetër, Islami e urren pamasë parazitin, atë që jeton në kurriz të tjetërkujt duke shfrytëzuar djersen e tij. Pejgamberi a.s. i kushtoi respekt të posaçëm djersës së punëtorit, ndërsa për dorën e tij të vyshkur nga puna, pos tjerash, tha: “Këtë dorë kurrë nuk do e prekë zjarri i Xhehenemit.”
Me këtë, Pejgamberi a.s. e tregoi gradën e lartë që gëzon puna në fenë islame.
Për vlerën e punës në tokë duke kërkuar furnizim, Zoti xh.sh., në Kuran, urdhëron e thotë: ” … Andaj, ecni gjithandej nëpër anë të Tokës dhe ushqehuni nga begatitë e saj, dhe se tek Allahu do të jetë Ringjallja!”(6)
Nga ky ajet i Kuranit qartazi kuptohet se Islami nuk e kufizon aktivitetin e njeriut, nuk e përcakton vetëm një fushë të caktuar, përkundrazi, rrethin e tij e le të lirë që të zgjerohet për t’i përfshirë të gjitha llojet e punës.

Nga praktika e Pejgamberit a.s

Transmetohet se Muhamedi a.s. një ditë qe ulur me disa shokë të tij, dhe rastësisht pranë tyre kaloi një djalosh i ri e i fuqishëm, i cili qe zgjuar herët në agim dhe shkonte në punë. Shokët e Pejgamberit a.s. thanë: “Ah! Për këtë të gjorin! Sikur të ishte rinia dhe trupi i tij në rrugën e Zotit?!”
– “Mos thoni ashtu, se ai nëse ka dalë për të punuar për fëmijët e tij të vegjël, ai është në rrugën e Zotit; nëse ka dalë të punojë për prindërit e tij të shtyrë në moshë, ai është në rrugën e Zotit; nëse ka dalë të punojë për veten e vet që të ndalet nga gjërat e ndaluara (haramet), ai është në rrugën e Zotit, e nëse ka dalë të punojë veç sa për sy e faqe e për mendjemadhësi, ai është në rrugën e djallit!”- iu përgjigj atyre Pejgamberi a.s..(7)
Duke parë Pejgamberi a.s. se çfarë pasojash kishte lënë përtacia nëpër popuj të ndryshëm, e ndaloi atë dhe e urrej i skajshmërish duke thënë:
“Për ymetin tim më së tepërmi kam frikë: rritjen e barkut dhe dhënien pas gjumit e përtacisë!”.
Në një rast tjetër, Pejgamberi a.s. e lavdëroi punën me thënien e tij të mirënjohur: “Te merrte ndonjëri prej jush konopin e të barttë me të dru në shpinë, kishte me qenë më mirë për të se sa t’ia zgjaste dorën ndokujt, pavarësisht nëse i japin ose jo!”
Pejgamberi a.s. gjithmonë është kujdesur që ymetit të tij t’i mbjellë dashurinë për punën. Ai shumë herë e ka lavdëruar ngrënien e ushqimit si rezultat i punës së dorës vetanake, sepse kjo është më e mirë, dhe jo duke pritur e shikuar se kush po e zgjatë dorën për t’i ndihmuar. Lidhur me këtë, ai një herë tjetër kishte thënë: “Nuk ka ngrënë ndonjëri prej jush ushqim më të mirë se sa me ngrënë nga puna e dorës së vet, dhe se pejgamberi i Zotit, Davudi a.s., ushqehej nga puna e dorës së tij!”(8)
Për më tepër, Pejgamberi kishte njoftuar se Zekerijai a.s. kishte punuar si zdrukthëtar:
Transmeton Ebu Hurejreja se Pejgamberi a.s. kishte thënë: “Zekerijai a.s. kishte qenë zdrukthëtar!”
Prandaj, me zotëruar njeriu një zanat ose më shumë, natyrisht që është mirë. Fundja, njeriu sa më shumë që di dhe bën, aq më i vlerësuar dhe i dobishëm do të jetë.
Zoti xh.sh. e ka krijuar këtë gjithësi për njerëzinë dhe e ka nënshtruar që të shfrytëzojnë çdo gjë në të. Atë, Allahu nuk e krijoi për vetveten, I Lartësuar qoftë Allahu nga kjo me lartësim të lartë! As nuk e ka krijuar atë për melaqet, ngase melaqet nuk kanë nevojë të pinë ujë për të shuar etjen, nuk kanë nevojë për të veshur petk të bukur për ta mbuluar e zbukuruar trupin e tyre. As nuk e krijoi Zoti gjithësinë për gjallesat e tjera, se ato nuk kuptojnë-mendojnë çka bëjnë. Mu për këtë, Fuqiploti thotë në Kuranin famëlartë:
“Allahu është Ai, I Cili ka krijuar qiejt dhe Tokën, dhe (I Cili) çon shiun nga qielli duke nxjerrë fruta (begati) ushqim për ju; (Allahu është Ai) I Cili i ka bërë anijet të jenë të nënshtruara ndaj jush që të mund të lundrojnë nëpër det me leje të Tij; po ashtu Ai i ka bërë edhe lumenjtë të ju nënshtrohen juve. Ai ka bërë që Dielli dhe Hëna të ju nënshtrohen dhe për të mirën tuaj të qarkullojnë pandërprerë, dhe ua ka nënshtruar juve natën dhe ditën. Dhe ju ka dhënë gjithçka që I keni kërkuar, e nëse i numëroni Begatitë e Zotit, nuk do të mund t’i numëroni (nuk ka numër sa ka begati të Zotit). Vërtet, njeriu është tiran dhe mosmirënjohës!”(9)

Shembuj nga praktika e sahabëve

Të gjithë këto të mira që Zoti i Gjithëmëshirshëm i dha njerëzisë, Kurani në një vend i përmbledh shkurtimisht e thotë: “Ai është Zoti i Cili krijoi për juve gjithçka që ka në tokë.” Mu për këto begati, të cilat ia dhuroi Zoti xh.sh. njeriut, nuk i mbetet gjë tjetër atij, vetëm të aktivizohet në tokë duke punuar drejt që të ushqehet nga mundi dhe djersa e tij. Në të vërtetë, njeriu me këtë ia arrin qëllimit të tij final-mbërrin kënaqësinë e Zotit, kënaqësi të cilën Ai e dëshiroi për robërit e vet besimtarë. Sa për ilustrim, po e cekim një shembull të gjeneratës së hershme të sahabëve, të cilët ishin shembull për mbarë njerëzinë me pajisjen e tyre me këtë veti.
Transmeton Ebu Hasani se në një rast Osman bin Afvani kishte dëgjuar se shoku i tij, Eba Dherr el-Giffariu, kishte rënë në gjendje jo të mirë ekonomike. Për këtë arsye, ai ia kishte dërguar një sasi të hollash përmes robit të tij, duke e porositur: nëse e pranon ai këtë, ti do të jesh i lirë. Robi i dërgoi Eba Dherrit dhuratën, por u befasua kur ai nuk e pranoi dhe i tha: “Pranoje këtë, të mëshiroftë Zoti, se në pranimin e kësaj është liria ime!” Eba Dherri iu përgjigj: “Nëse në të është liria juaj, njëkohësish në të është robëria ime!”, dhe kështu refuzoi pranimin e dhuratës, vetëm e vetëm për nder të shpirtit të tij.
Puna, kërkimi i furnizimit, të ndërruarit e vendit për këtë qëllim nuk është në kundërshtim me mbështetjen e besimtarit te Zoti xh.sh .. Këtë më së miri e shpjegon rasti i një personi i cili hyri në xhami e devenë e tij nuk e kishte lidhur, pastaj pyeti Pejgamberin: “A të lidhi devenë time, apo ta lë të lirë e të mbështetëm te Zoti xh.sh.?
Pejgamberi a.s., iu përgjigj: “Lidhe devenë e pastaj mbështetu te Zoti!”
Kurse Hakimi transmeton nga Muaviu, i biri Kurrës, e thotë:
“Njëherë Omer bin Hattabi takoi disa njerëz të papunë dhe i kishte pyetyr se kush jeni ju?
– “Të mbështeturit te Zoti!”-i kishin thënë ata.
– “I mbështetur është ai i cili e mbjellë një kokërr bereqet në tokë, e punon mirë e mirë, e pastaj mbështetet te Zoti xh.sh.” – iu kishte thënë Omeri.
Ja se ç’ju tha një ditë Muhamedi a.s., shokëve të vet lidhur me një person i cili i kishte kushtuar rëndësi të madhe anës shpirtërore, kurse anën fizike e kishte lënë pas dore krejtësisht, Ndërsa Pejgamberi a.s., ishte ulur në mesin e shokëve të tij, ata në bisedë e sipër po lavdëronin një shok të tyre duke thënë:
“Me të vërtetë filani agjëron ditën, lutet tërë natën dhe gjithmonë përmend Zotin”.
-“Kush e furnizon atë?” – i pyeti Pejgamberi a.s.
– “Ne të gjithë e furnizojmë, ja Resulallah” .
– “Po të gjithë ju jeni më të mirë se ai!” – iu tha Pejgamberi a.s.
Kur dëgjuan shokët e Pejgamberit këtë konstatim nga ai, menjëherë u aktivizuan në fusha të ndryshme jetësore me qëllim që të furnizoheshin nga punët me duart e tyre dhe të fitonin një gradë të lartë tek Allahu xh.sh., sepse Allahu punëtorët e vyeshëm i krahason me luftëtarët që luftojnë për hir të Tij:
” … dhe të tjerët të cilët punojnë në tokë duke kërkuar nga begatitë e Zotit dhe të tjerë të cilët luftojnë në rrugën e Zotit.”(10)

Si përfundim

Kështu duhet të kuptohet feja islame, bazat dhe qëllimet e kësaj feje të ndritshme, besimi në të vetmin Zot xh.sh. dhe përforcimi i këtij besimi me punë dhe veprime të mira e të dobishme. Me këtë, në të vërtetë, njeriu i garanton vetes harmoni në këtë jetë e njëherësh arrin kënaqësinë e Zotit në botën e përtej me.
Myslimani, gjithashtu, me këtë i ndihmon – i kontribuon edhe bashkësisë së tij, e cila është dhe duhet të jetë simbol për çdo bashkësi tjetër shoqërore. Sepse në një hadith, të cilin e gjejmë si përmbyllja më e mirë për gjithë atë që u tha më sipër, Pejgamberi a.s. thotë:
“Imani – besimi nuk është vetëm me të dëshiruar (shpresuar), por çka zë vend në zemër dhe vërtetohet me punë. Në të vërtetë, një popull e kishte tradhtuar shpresa imagjinative, kishin lënë punën dhe qenë ulur duke thënë: “Ne kemi mendim të mirë në Zotin!” Ata, me këtë u mashtruan rëndë, sepse po të kishin menduar mirë do të kishin punuar mirë!”(11)

________
1. El-En’am, 102.
2. En Nur; 55.
3. Transmeton Buhariu.
4. Jasin, 54.
5. En-Nexhm, 39-41.
6. El-Mulk, 15.
7. Transmeton Taberaniu.
8. Transmeton Buhariu.
9. Ibrahim, 32-34.
10. Ez-Zumer: 20.
11. Transmeton Dejlemiu nga “Musnedi” i Firdeusit.

Resul Rexhepi

/islamgjakova