Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.) për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.
Vëllezër besimtarë!
Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: „Pse po humbim kohë në diskutime të panevojshme?“
Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Një njeri që pastrohet në ditën e xhuma, e pastron veten e tij me sa të mundet, i lyen flokët me vaj ose parfumohet nga parfumet e shtëpisë së tij, shkon në xhami dhe nuk shkakton ndarje mes dy vetave (që janë ulur), falet ashtu siç e ka urdhëruar Allahu dhe pastaj dëgjon me vëmendje atë që thotë imami, do t’i falen të gjitha mëkatet nga e xhumaja deri në xhumanë tjetër, përveç nëse bën ndonjë nga mëkatet e mëdha.”
Të nderuar vëllezër!
Sot dua ta ndaj me ju ndjenjën e pakënaqësisë dhe autokritikës, sepse unë personalisht, por edhe ne si umet i Muhamedit (a.s.) shpesh hyjmë në diskutime të pakuptimta dhe e humbim dinjitetin tonë duke diskutuar për gjëra që janë të dukshme, të qarta si dita, ose janë absolutisht të parëndësishme për cilësinë e jetës sonë të përditshme fetare.
Më lejoni t’ju tregoj një tregim: Gomari një herë i tha tigrit: “Bari është i kaltër!“ Tigri iu përgjigj: “Jo, bari është i gjelbër.” Debati u bë i ashpër, kështu që ata vendosën të shkonin te luani, mbreti i kafshëve, për të gjykuar. Gomari e pyeti luanin: “Lartëmadhëria Juaj, a nuk është e vërtetë që bari është i kaltër?“ Luani, duke mos dashur të hynte në debat të kotë, u përgjigj: “Nëse ju besoni se kjo është e vërtetë, atëherë bari është i kaltër?” Gomari, i kënaqur me vendimin, kërkoi dënim për tigrin. Luani më pas tha: “Tigri do të dënohet me tre ditë heshtje.”
Tigri i habitur e pyeti luanin: “Lartëmadhëria Juaj, pse po më dënoni mua, kur është e qartë se bari është i gjelbër?“ Luani iu përgjigj: “Çështja nuk është nëse bari është i kaltër apo i gjelbër, por pse ti e ke humbur kohën dhe dinjitetin tënd duke debatuar me një gomar, si dhe akoma ke ardhur tek unë për të kërkuar konfirmimin e diçkaje që tashmë e di se është e vërtetë!”
A kemi harruar se sa e çmuar është koha? A kemi harruar se çdo minutë, çdo moment që kalojmë në diskutime të pakuptimta, ne i humbim begatitë e Allahut që na janë dhënë? Allahu i Lartësuar duke i përshkruar ata që do të hyjnë në Xhenet, në Kuran thotë: “Të cilët shmangen nga fjalët e kota.” (el-Mu’minun, 3) Dhe, ku jemi ne, o vëllezër (dhe motra)? Ku jemi ne në raport me këtë rregull? A jemi me të vërtetë krenarë, që kohën dhe dinjitetin tonë e kemi ulur në nivelin e një gomari, i cili këmbëngul me kokëfortësi në marrëzi të dukshme, ndërsa ne e humbim durimin dhe nderin tonë, derisa ia dëshmojmë diçka që edhe ai vetë e di, por nuk do ta pranojë?
Dhe derisa qytetërimet e tjera punojnë në arritjet teknologjike, punojnë në cilësinë e edukimit të tyre, eksplorojnë hapësirën kozmike dhe hapësirat detare, umeti i Muhamedit (a.s.) ende i diskuton të njëjtat pyetje si disa shekuj më parë; – se a duhet muslimani t’i ngrejë duart në lutje apo jo, se a duhet të jenë pantallonat të shkurtra apo të gjata, se a duhet të jenë këmbët të hapura apo të mbyllura gjatë namazit… dhe shumë pyetje të ngjashme të parëndësishme për jetën tonë të përditshme fetare.
Pejgamberi (a.s.) na ka paralajmëruar: “Unë i garantoj një shtëpi në mes të Xhenetit, atij që lë debatin edhe pse ka të drejtë.” Kurse ne? Ku jemi ne në raport me këtë hadith? Pse kemi harruar që dinjiteti i besimtarëve është më i shenjtë se çdo fitore në diskutime të pakuptimta?
A nuk është e turpshme që tigri, një kafshë e fuqishme, të shkojë te luani, për të kërkuar drejtësi, dhe të ndëshkohet për hyrjen e tij të pamenduar në një debat të pakuptimtë? A nuk e shihni se si ne, sikur ai tigri, jemi të gatshëm ta humbasim dinjitetin tonë për shkak të diskutimeve të panevojshme dhe shkatërruese? Ku është krenaria jonë, ku është forca jonë?
Çka është me besimin tonë për atë që e dimë se është e vërtetë? Pse kërkojmë vërtetim nga të tjerët për atë që jemi të vetëdijshëm se është e vërtetë? Imam Shafiu ka thënë: “Sa herë që nuk jam grindur me një dijetar e kemi arritur të vërtetën, ndërsa sa herë jam grindur me një injorant ai më ka mundur!” Çfarë tregon kjo për ne? Pse po i lejojmë injorantët që të na çojnë në beteja të kota, në të cilat ne humbim më shumë sesa që mund të fitojmë? Ku është krenaria jonë, ku është forca jonë?
Ky tregim, edhe pse në dukje i thjeshtë, duhet të na tronditë thellë, sepse ai e tregon realitetin tonë të sotëm. Ai duhet të na kujtojë detyrimin tonë për ta kursyer kohën, për ta ruajtur dinjitetin tonë dhe për të mos u përkulur në nivelin e atyre që kërkojnë argument për hir të argumentit, e jo për hir të së vërtetës. Nuk duhet të lejojmë që diskutimet e pakuptimta të na largojnë nga ajo që është me të vërtetë e rëndësishme, nga ajo që Allahu i Plotfuqishëm na e ka besuar si amanet.
O Allahu ynë!
Udhëzona në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi, e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në rrugën e atyre që janë të humbur! Amin!!!
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)