Të Fundit
Zemrat e verbra

Zemrat e verbra

Ne jemi dëshmitarë të verbërisë dhe bredhjes në errësirë, ndërkohë të gjithë falënderimit Allahut kemi sy.

Përse aq shumë largohemi nga rruga e drejtë të cilës shkonte Muhammedi alejhis-selam, sahabët e tij dhe gjeneratat e para të besimtarëve? Përse veprojmë gjëra të cilat nuk i bën as i verbëri? Përse rrotullohemi në labirintin e magjepsur të qejfeve të dynjasë, duke e kërkuar dritën në perëndim, ndërsa akoma më tepër zhytemi në thellësitë e errëta të detit? A kemi sy dhe a shohim me ta?!

Shikojmë me sy epshi djalin apo vajzën, veturat e bukura apo rastin e mirë për profit – ndërsa askujt si intereson a është hallall apo haram‼

Bëhemi si skifteri kur janë në pyetje kënaqësitë e dynjasë. Kërkojmë kënaqësi në gjithçka që na rrethon. Ndërsa i ngjasojmë ullukut përmes së cilëve kalon uji duke mos ngel asgjë në ta. Dhe kështu pak nga pak, shesim Ahiretin për dynjanë… të përhershmen për të kalueshmen… Xhennetin për Xhehennemin… shpërblimin për ndëshkimin, besimin për mosbesimin… nënshtrimin Allahut subhanehu ue te’ala për nënshtrim shejtanit…

Deri kur do të bredhim kështu së kërkuari fatin atje ku ekziston vetëm mirazhi i saj? A mendoni se ky dynjallëk do të ekzistojë përgjithmonë, ndaj tubojmë pasuri, duke shkelur mbi kufoma për arritjen e qëllimit? A jeni i vetëdijshëm se sot, nesër, nga ju nuk ngelet asgjë përveç një grumbulli mbeturinash, kockash dhe kalbësirë? A e keni parasysh se pashmangshëm ju do të bëheni delikatesë në menynë e krimbave dhe se pamja e juaj magjepsëse, pantallonat ‘Levis’, ‘rejbanët’, makijazhi etj. do të jenë një trup i kalbur, ndërsa apartamentin tuaj do ta zëvendësojnë dy metër katrorë vetmie dhe errësire; pa ajër, dritë, shokë, pasuri dhe luks?!

Atje të dërguarit e Allahut presin përgjigjen nga ju, kush është Zoti yt? A e dini?

Ndoshta mendoni se keni rra nga qielli në këtë tokë, apo kinse jeni krijuar rastësisht, apo ndoshta krenoheni me origjinën nga “majmunët”?

Ndërsa në rast se besoni se Allahu është Krijues, atëherë mendoni çfarë do të ndërmerrni që ta dëshmoni fenë tuaj.

A do të ti jepni përparësi shoqërisë, kafeneve, disko-klubeve, vajzave, djemve, modës së perëndimit, amoralitetit, alkoolit dhe punëve të tjera djallëzore, në vend të nënshtrimit dhe madhërimit të Krijuesit të gjithësisë?! Atij rreth të Cilit do të pyeteni kur të mbeteni vetëm në varrin e ftohët, kur t’i dëgjoni hapat e atyre që ua falin xhenazen, si largohen dhe humben. Edhe familjarët ikin, mbeteni vetëm ju dhe veprat tuaja, mu ashtu siç thotë Muhammedi alejhis-selam: “Njeriun e përcjellin tre gjëra në varr, dy kthehen, ndërsa një mbetet me të. Kthehen familja dhe pasuria, ndërsa mbeten veprat.”

A thua do të mburreni atëherë me idetë tuaja moderne, jetën e kaluar në haram, veturat dhe vilat, autoritetin në shoqëri, punë, shkollë, apo do të kërkoni të kthehet koha mbas dhe të bëheni besimtar të sinqertë, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:

“Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse218, deri në ditën kur do të ringjallen. Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin. Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem. Zjarri do t’ua përcëllojë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët). (Dhe atyre do t’u thuhet): “Vallë, a nuk ju lexoheshin Shpalljet Tona dhe i quanit ato gënjeshtra?!” Ata do të thonë: “O Zoti ynë, neve na mposhti e keqja (tekat dhe dëshira) jonë dhe ishim një popull i humbur. O Zoti ynë, nxirrna prej Xhehenemit e, nëse kthehemi prapë tek e keqja, atëherë jemi keqbërës të vërtetë.” Ai do t’u thotë: “Rrini aty të përbuzur dhe mos Më flisni asgjë!” Mes robërve të Mi, ishte një grup i cili thoshte: “O Zoti ynë, ne kemi besuar, andaj na fal dhe na mëshiro! Ti je më i miri i mëshiruesve!” Por ju (o jobesimtarë) i keni tallur ata (aq shumë), sa ju bënë të më harronit Mua së përmenduri, e përherë i përqeshnit ata. Unë i kam shpërblyer ata sot për durimin e tyre e ata, me të vërtetë, janë të shpëtuar. Ai do t’u thotë (jobesimtarëve): “Sa vjet keni qëndruar në Tokë?” Ata do të përgjigjen: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë dite. Pyesni ata që i kanë numëruar!” Ai do të thotë: “Keni qëndruar shumë pak. Eh, sikur ta kishit ditur! Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” [EL-MU’MINÛN: 99-115]

Do të pendoheni që nga zemrat tuaja nuk i keni hequr shtresat e gafletit, dhe mashtrimit magjepsës të kësaj bote. Sikur ti zgjoni zemrat tuaja të fjetura, të cilat i kanë luhatur valët e oqeaneve prej nga Iblisi dërgon ushtritë e veta të shejtanëve dhe xhinëve me detyrë që të eviton zgjimin e zemrave tuaja. Ngase, me të vërtetë është zemra ajo që shikon. Jo çfarëdo zemre, por zemrat mbushura me përkushtim ndaj Krijuesit, frikërespekt, dashuri ndaj Islamit dhe Ahiretit, ndërsa urrejtje ndaj dynjasë.

Pyeteni ndoshta çfarë shikon? E shikon vërtetësinë e fjalëve të Allahut të madhëruar.

“Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.” [El-Hadid, 20]

Domethënë, nëse zemra është e pastër dhe e nënshtruar Allahut të Madhërishëm, sytë e vërejnë qartë rrugën e vërtetë, ndërsa nëse zemra është mbështjell nga mëkatet, ajo është e verbër për të vërejtur vërtetën dhe mirësinë. Prandaj, jini të sigurt se nuk janë të verbër ata të cilëve Allahu ua mori të pamurit, por të verbër janë ata të cilët veprat e tyre të liga të shikojnë të bukura, ndërsa mirësinë vepër të keqe.

Kush është i Dërguari juaj? A thua do t’ju shkon mendja tek idolët e shumtë, si për shembull grupi muzikor “U2”, tagutët të cilët ndiqni dhe imitoni në koncertet e të cilëve shkoni, ndërsa fotografitë e tyre i zmadhonit dhe adhuronit? Ose sikur në mjegull do të kujtoni tregimet e nënave plaka të cilat na tregonin rreth një bariu, beduini, të cilin Allahu e bëri vulën e Pejgamberëve.
Përveç kësaj, cila është feja jote? A keni fe? A është zemra juaj rob i ideve të gabuara, apo akoma më keq, përveç Allahut besoni edhe zota tjerë.

A turpëroheni që i takoni fesë Islame, ngase emrin e keni Ahmed, Muhammed, Ibrahim, Fatime, Hatixhe…?!

Zgjohuni o shpirtra të fjetur nga gjumi shekullor. Hiqni nga vetja zinxhirët e djallit me të cilat ua ka lidhur zemrat. Kujtoni çastin të cilin e kemi gjithë e më afër, në përqafimin e të cilit shkojmë padyshim të gjithë.

“Por Ai i lë ata deri në një afat të caktuar dhe, kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast.” [El-Nahl, 61] Ndërsa atëherë ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar, çdo shpirt do të shijojë vdekjen. Pastaj vijon, ballafaqimi me Atë të cilin mohonit, nga feja e të Cilit turpëroheshe.

Prandaj thoni njëherë e përgjithmonë JO asaj që Allahu ndaloi dhe që largon nga Xhenneti; dhe kujtoni që zjarri i kësaj dynjaje djeg, por është 70 shkallë më i dobët se ai i Xhehennemit. Të parën e shuan uji, të dytën veç Islami dhe Imani.

Prandaj urdhëroi vëlla dhe motër, hapja zemrën tënde të Gjithëmëshirshmit, i cili ju thërret:

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit.” [Ali Imran, 133]

Pendohuni derisa dera e pendimit është e hapur, meqë “vërtetë Allahu pranon pendimin e robit të vet deri sa ti vjen shpirti në fyt”. Mbushni zemrat tuaja me istigfar ngase “Allahu më tepër i gëzohet pendimit të robit të Vet, se sa që gëzohet njeriu pasi ta gjenë devenë e humbur në shkretëtirë pa ujë dhe ushqim.”

Nga Enesi radiAllahu anhu , transmetohet se ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të ketë thënë:
“Allahu i Madhëruar ka thënë:

O biri i Ademit, vërtetë do ti falë të gjithë mëkatet deri sa më drejtohesh dhe lutesh për falje.

O biri i Ademit, sikur mëkatet e tuaja të jenë sikur retë qiellore, mandej kërkon falje – do të fali.

O biri i Ademit, sikur të më vish me mëkate sa është toka, por më takon pa bërë shirk – do të fali.”

E juaja është të zgjidhni – faljen e Allahut dhe kënaqësinë e përjetshme, ose kënaqësinë kalimtare në dynja dhe vuajtjen e përhershme në Xhehennem.”

Vendosni, o ju të zotët e mendjes‼!

Shkruan: Melisa Hoxhiq

Përshtati: Lutfi Muaremi

(Islampress)