Të Fundit
“Tre muajt” dhe netët e mira (Netët e Mëdha)

“Tre muajt” dhe netët e mira (Netët e Mëdha)

Jemi duke hyrë në ditët e para të muajit Rexhep ditë këto që për nga vlera dallojnë nga ditët e muajve të tjerë, pos atyre të muajit Shaban dhe Ramazan. Pra janë ditët e njërit nga tre muajt e mëdhenj apo të bekuar, të cilët Allahu i Madhëruar për të mirën e besimtarëve i bëri të bekuar.

Ndërkaq vlera e muajit të Ramazanit, drejtë për së drejti përmendet në Kur’anin Fisnik, duke theksuar se vetë ai u shpall në këtë muaj. Rëndësinë e muajit Rexhep, Shaban dhe Ramazan e tregon edhe fakti se në këto muaj gjenden katër netët e mira: Nata e Regaibit, Nata e Miraxhit, Nata e Beratit dhe Nata e Kadrit.

Muhammedi a.s. në fillim të Muajit Rexhep e ka bërë këtë lutje (dua):

“ O Zot na beko në Rexhep dhe në Shaban dhe na mundëso ta presim Ramazanin!”

Natyrisht gjatë këtyre tre muajve, besimtarët, pos ibadeteve të përditshme, duhet ta shtojnë vëllimin e punëve të dobishme, siç janë dhënia e lëmoshës (sadakasë), zeqatit, agjërimit etj. (sidomos Muhamedi a.s. ka praktikuar agjërimin në muajin Shaban). Kështu ai në një hadithe i përgjigjet Usame ibn Zejdit, i cili shprehu habinë e vet duke vërejtur se i Dërguari a.s. nuk agjëron në asnjë muaj (pos Ramazanit) më së shumti se sa në muajin Shaban:

“ Ky është një muaj që njerëzit e kanë lënë anash edhe pse është në mes të muajit Rexhep dhe Ramazan. Në këtë muaj i shkojnë veprat Zotit të gjithësisë, ndërsa unë më së shumti dua që veprat e mia të dalin para Zotit derisa jam duke agjëruar. “ (transmeton Nesaiu, Ahmedi, dhe Ebu Davudi).

Nata e Regaibit

Nata e Regaibit, gjithnjë bie në natën e xhumasë së parë të Muajit Rexhep. Përndryshe kjo natë njihet për nga ajo që thuhet se e ëma e Pejgamberit a.s. Emineja e ka hetuar veten se është shtatzanë.

Nata e Miraxhit

Nata e Miraxhit bie me 27 natë të muajit Rexhep, natë kjo që e përmend edhe Kur’ani fisnik.:

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).”

Pra, në këtë natë, Muhammedi a.s. përjetoi ngritjen më të madhe, dhe nga Allahu i Madhërishëm ka pranuar obligimin për pesë kohët e namazit. Në këtë natë po ashtu, Muhammedi a.s. gjatë kryerjes së Israsë dhe Miraxhit përjetoi dhe kundroi shumë gjëra, të cilat atë e trimëruan në kryerjen e misionit të tij pejgamberik.

Është interesant të përmenden reagimet e mosbesimtarëve dhe besimtarëve, të asaj kohe, kur Muhammedi a.s. u tregoi se brenda nate ka udhëtuar prej Mesxhidu Haramit (Mekë) deri në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), e prej aty në qiejt e lartë. Këtë më së miri na e përshkruan vet Muahmmedi a.s. në hadithin që e transmeton Ahmedi: “ Në natën kur ndodhi Israja, drita më zbardhi në Mekë. Tregova për ngjarjen duke e ditur se për këtë do të mundoheshin të më bëjnë gënjeshtarë. Erdhi Armiku i Allahut, Ebu Xhehli u ul pranë meje, pastaj më tha në mënyrë ngacmuese:

“ A ka ndodhur diçka e re? Po iu përgjigja, çka? – pyeti ai. Jam ngritur- i thash. Ku? Tha ai. Në Bejtul Makdis i thashë. Pastaj kur zbardhi drita agove tek ne tha Ebu Xhehli. “ Po” i përgjigja”. (Kështu Ebu Xhehli i hutuar dëshiron që Muhammedi a.s. këtë t’ua tregoj edhe njerëzve tjerë atë që ia tregoj atij. Dhe i thiri njerëzit e i tha Muammedit a.s. të tregoj. Kur ata e dëgjuan se çka u tha Pejgamberi, të habitur e pyetën atë: “A mund ta përshkruash Mesxhidin sepse në mesin tonë ka të atillë që kanë qenë Jerusalem dhe e kanë parë Mesxhidin?”” Dhe fillova t’ua përshkruaj: – Thotë Muhammedi a.s. “ Në përshkrim nuk munda t’i kujtoja disa hollësi atëherë ma sollën (engjëjt) Mesxhidin dhe e vunë para shtëpisë së Ujkalit; E shikoja dhe e përshkruaja. Pasi përfundova, u ngritën disa e thanë: “ Pasha Allahun, ai e përshkroi në tërësi.”

Në versionin që transmetohet prej Hasanit, thuhet se atë ditë shumë nga ata që e kishin pranuar Islamin, u kthyen në pabesim e disa shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë:

“ A ke dëgjuar se ç’po flet shoku yt? Thotë se mbrëmë ka shkuar në Bejtul Mukaddes, është falur në të, dhe pastaj të njëjtën natë është kthyer në Mekë!” Në këtë Ebu Bekri u përgjigjet: “Nëse e ka thënë këtë, atëherë e ka thënë të vërtetën, dhe ç’keni për tu çuditur për këtë. Pasha Allahun ai më informon se Lajmi (Kur’ani) pjesë pjesë i vjen nga qielli ditën natën dhe unë i besoj, e kjo është më e pamundur se kjo çka çuditeni ju. (….)” nga ky rast Ebu Bekri, nga Muhammedi a.s. e merr emrin “Es- Sidik” (i sinqerti).

Nata e Beratit

Nata e Beratit bie në natën e 15- të të muajit Shaban. Ajo natë na paralajmëron ardhjen e shpejtë të Muajit Ramazan , muajit tonë më të dashur, kështu që sa më mirë duhet të përgatitemi shpirtërisht dhe fizikisht për agjërim dhe ibadete tjera. Se çfarë nate është dhe çfarë rëndësie ka kjo natë më së miri na e përshkruajnë hadithet e Muhammedit a.s. :

“Në natën e 15- të të muajit Shaban të gjitha veprat nxirren përpara Zotit të gjithësisë, për këtë arsyeje unë dëshiroj që veprat e mia të nxirren para Tij deri sa unë agjëroj”. (Nesaiu)
“ Në natën e 15-të të muajit të Shabanit Allahu i Madhërishëm i urdhëron melekut të vdekjes, vdekjen e të gjithë atyre qenieve që duhet të vdesin atë vit”.(Ed-Dinaveri)
“Kur fillon nata e 15-të e muajit Shaban, rrini zgjuar , ndërsa ditën që pason agjëroni”. (ibn Maxhe)

Nata e Kadrit

Nate Kadrit bie në natën e 27-të të muajit Ramazan. Ajo është nata më e vlefshme dhe më e bekuar. Në të filloi të shpallet Kur’ani Fisnik. Një kaptinë e Kur’anit mban emrin e kësaj nate. Vlerën e kësaj natë më së miri ne tregon Kur’ani:

“ Ne e shpallëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit; e ç’të bëri ty të dish se çka është nata e Kadrit ? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj….”

Për vlerën e kësaj nate flasin shumë hadithe të Muhammedit a.s. ai u ka folur sahabëve ditën e fundit të muajit Shaban:

“ O njerëz, u është afruar dhe e ka hedhur hijen e tij dhe freskinë në ju muaji i bekuar i përparimit dhe begatisë, në të cilin është një natë e cila është më e mirë se të gjitha netët në një mijë muaj- muaji i agjërimit, të cilin Allahu e ka bërë obligim, ka urdhëruar që të agjëroni dhe netët e tij ti kaloni në iradet vullnetarisht. “(Ibn Huzejme).

S’ka dyshim se për “tre muajt” dhe netët e bekuara në ta mund të thuhet edhe më shumë. Kjo sidomos vlen për muajin e Ramazanit dhe natën e Kadrit. Kjo që u tha më lartë për ta, ka për qëllim që ti nxis besimtarët që sa më shumë ta shfrytëzojnë pranin e këtyre muajve.
_____________
Botuar në:
Hëna e re, viti IX, nr. 91-92, 1 janar 1995, fq. 23.