Të Fundit
Sikur të na vizitonte Muhammedi alejhis-selam

Sikur të na vizitonte Muhammedi alejhis-selam

Pyetem…

Çfarë do të bënim sikur Muhammedi alejhis-selam të na vinte në vizitë disa ditore pa paralajmërim? Më intereson si do të silleshim? E di, do t’ia jepnim dhomën më të bukur dhe do ta nderonim me ushqimin dhe pijet më të mira. Do të ishim tej mase të gëzuar që e kemi këtë mubarek mysafir dhe që mund t’i shërbejmë.

Pyes veten, dhe përkundër kësaj, unë kam frikë… Kam frikë nëse do ta prisnim në derë kur të shohim se vjen drejtë derës sonë!

Si do të vepronim para se t’i themi: “Urdhëro, ja ResulAllah”, para se ta përshëndesim krahëhapur: “Mirë se erdhe”. Pyetem, çfarë do të bënim para kësaj?!

A do t’i fshihnim gazetat që janë gjithandej dhe do ta zëvendësonim me një Kur’an?

A do ta lenim televizorin të ndezur, apo do të mundoheshim ta mbulojmë së shpejti me diçka, apo ndoshta do ta dërgonim në bodrum sikur nuk e kemi fare?

A do ta fiknim radion dhe videot nga të cilat do të turpëroheshim?

A do t’i hiqnim CD-të që i kemi radhitur nëpër dhoma dhe do të vendosnim librat e hadithit në vend të tyre?

Pyetem…

A do ta lejonim përnjëherë këtë mysafir të ndershëm të hyjë në shtëpinë tonë, apo do të vraponim andej këndej duke fshehur gjithçka? A do t’i kërkonim të na pres pak te dera?

Pyetem…

Sikur i Dërguari alejhis-selam të dëshironte të qëndrojë tek ne, a do të silleshim si zakonisht? A do të zgjoheshim para lindjes së diellit apo thjesht do ta vazhdonim gjumin? A do të mund t’i fshihnim zënkat dhe zhurmat e zakonshme në familje?

Pyetem…

A do t’i falnim namazet pa ngurrim dhe a do të faleshim familjarisht në xhemaat? A do të zgjoheshim me vullnet që ta falim namazin e sabahut? A do të kishim sukses që fëmijët tonë e rritur t’i zgjojmë nga krevati aq herët? Apo do të mendoheshim ku ta fshehim djalin tonë 15 vjeçar i cili kurrë nuk ka rënë në sexhde? Ndoshta do ta dërgonim diku tek familjarët…

Pyetem…

Si t’ia sqarojmë mysafirit tonë se jeta na ka ikur kontrollit? A thua do t’i pranonim gazetat që postieri na sjellë në derë? A do t’i lexonim së bashku me mysafirin?

Pyetem…

A do ta merrnim me vete të Dërguarin alejhis-selam në vendet ku kishim në plan të shkojmë ato ditë? A do ta merrnim me vete në kafenenë ku me fund të shkurtë shërben bija j17 vjeçare? Dhe a do të qëndronim me orë të tëra siç e kemi zakon?

Mendoj…

Ndoshta do ta futnim brenda në shtëpi pa asnjëfarë frike. Mendoj, si do ta kalonim bashkë ditën dhe natën? Si do të ndjeheshim kur fëmija jonë të na përshëndes me: “Çao!”, ndërsa bija jonë e veshur shkurtë del nga vetura e dikujt… Ndoshta do t’i thonim: “Ja ResulAllah, ne nuk kemi faj!”

Pyetem…

Si do të qëndronte puna kur papritmas në gosti të na vinin fqinjët dhe miqtë me të cilët shoqërohemi dhe t’i dëgjonte debatet tona të zakonshme?

Pyetem, si do të silleshim me mysafirin tonë të dashur?

Pasi i Dërguari alejhis-selam të kalonte disa ditë me ne, si do të vazhdonim të sillemi mandej? Do t’i ktheheshim përditshmërisë para se të na vinte ai në vizitë! Apo, ndoshta jo!

Autor: Ibrahim SADRI

******

Zoti ynë, na forco në rrugën e Islamit, mos na sprovo me gjërat që nuk mund t’i mbajmë, na bë prej atyre me të cilët Ti je i kënaqur, udhëzoi fëmijët tanë në rrugën e duhur, na mëshiro në Ditën e Gjykimit dhe na fal mëkatet tona që i bëjmë haptas dhe fshehtas. Amin!

Përktheu: Lutfi Muaremi