Të Fundit
Sikur Pejgamberi a.s. po flet për neve!

Sikur Pejgamberi a.s. po flet për neve!

Vëllezër të dashur, xhemat i respektuar!

Ebu Seid el-Hudrij (r.a.), thotë se Pejgamberi (savs), ka thënë:“Kush e shfrytëzon të lejuarën dhe ushqehet me hallall, kush e ndjek sunetin tim, dhe nuk i bën keq askujt, do të hyjë në xhenet!” Sahabët e pranishëm i thanë:“O i Dërguari i Allahut, shumica prej nesh jemi të tillë!’ Pejgamberi (savs), tha: “Në shekujt që do të vijnë, do të jenë pak!”

Kanë kaluar shekuj, tashmë janë bërë 14, që kur Pejgamberi (savs), këtë ua ka thënë sahabëve. Kur ai e ka thënë këtë, muslimanët ishin larg nga harami, e ndiqnin Pejgamberin (savs) në plotëni, e jetonin sunetin e tij, dhe askujt nuk i bënin keq. Për shkak të veçantisë së asaj gjenerate të parë, asaj gjenerate e cila është pjekë me Pejgamberin (savs), ne jemi të obliguar që ta nderojmë, ta respektojmë, ta marrim për model; jemi të obliguar që ta njohim jetën e tyre, në mënyrë që të kuptojmë se është e mundur Islami të jetohet, sepse ata – sahabët e Pejgamberit (savs) – kanë qenë njerëz, mu kështu siç jemi edhe ne; që duke lexuar për qëndrimin e tyre ndaj Shpalljes dhe Pejgamberit (savs) të kuptojmë, të mësojmë se vetëm jeta e tillë – jeta sipas rregullave të fesë – i sjell njeriut, njerëzimit fat, fuqi, i sjell fitore.

Abdullah ibn Amër ibn el-As (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Tregoni respekt për sahabët e mi, duani ata, sepse ata janë njerëzit më të mirë, ndër ata me të cilët kam jetuar! Besoni në Allahun, dhe konfirmoni pejgamberinë time! Besoni në vërtetësinë e asaj me të cilën kam ardhur nga Allahu! Ndiqne atë dhe praktikone! Pas sahabëve, gjenerata më e mirë janë tabiinët. Ata nuk më kanë parë, ose nuk do të më shohin, por do të besojnë në atë me të cilën kam ardhur. Pastaj ata që do të vijnë pas tyre, sepse ata do t’i marrin për model sahabët dhe tabiinët.”

Pastaj, Pejgamberi (savs), vazhdoi duke thënë: “Do të vijnë gjeneratat të cilët do ta neglizhojnë namazin, dhe të cilët do t’i ndjekin pasionet e tyre, do ta braktisin atë që ua kam urdhëruar, do ta përqafojnë, ndjekin dhe jetojnë atë që ua kam ndaluar! Do ta gjymtojnë fenë e tyre, duke iu robëruar pasioneve, kurse njerëzve të tjerë do t’ua tregojnë dhe do të lavdërohen me veprat e tyre. Do të betohen, edhe pse atë prej tyre nuk do ta kërkojë askush. Do t’i tradhtojnë amanetet e besuara. Do të flasin dhe do të gënjejnë, fjalët dhe veprat nuk do t’ju përputhen, prej tyre do të ngrihet dituria dhe butësia. Do të sundojë, po e nënvizoj fjalën “do të sundojë” injoranca dhe imoraliteti! Do të zhduket turpi mes tyre dhe besnikëria, do të përhapet gënjeshtra, mashtrimi, mosrespektimi i prindërve dhe mos mbajtja e lidhjeve familjare. Do të ushqehet shpresa për jetë të gjatë.

Brezat që do të vijnë do të jenë koprracë, lakmitarë për dynjanë. Në mesin e tyre do të përhapet zilia, zinaja, sjellja e keqe dhe fqinjësia e keqe. Njerëzit do të dalin nga feja sikur që del shigjeta nga harku. Kiameti do të bëhet kur në Tokë do të jetojnë njerëzit më të këqij.

Pastaj, përsëri vazhdoi: “Nëse doni të banoni në xhenet, dhe t’i gëzoni begatitë e tij, kapuni fortë për sunetin tim dhe bashkësinë. Mos i pasoni risitë, sepse çdo risi është mashtrim. Allahu i Plotfuqishëm nuk do të lejojë që umeti i Pejgamberit (savs), të bashkohet rreth mashtrimit. Kush e lë përkushtimin (ndaj Allahut), e lëshon bashkësinë, i neglizhon urdhrat e Allahut dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e Tij, do ta takojë Allahun e Plotfuqishëm duke qenë i zemëruar me të, dhe Ai do ta hedh në xhehenem.”

Vëllezër! A sillemi ne rreth vetes, a e shikojmë jetën tonë? Me të drejtë mund të pyetemi, vallë, këtu rastësisht, a mos po bëhet fjalë për neve?

Pejgamberi Muhamed (savs), po flet për njerëzit të cilët do ta neglizhojnë namazin edhe pse do ta dinë se ai është urdhër i qartë i Zotit! Se ai është ‘farzi ajn’ – detyrim personal i secilit musliman e muslimane të mençur, moshërritur dhe nuk ekziston asnjë rrethanë në të cilën mund të lirohemi nga namazi.

Pejgamberi (savs), po flet për njerëzit të cilët do t’i ndjekin pasionet e veta, dhe do ta dinë se kjo është rruga e shejtanit.

Pejgamberi (savs), po flet për njerëzit të cilët do të lavdërohen me veprat e tyre të mira! Këtu rastësisht, a mos po bëhet fjalë për neve? Ne e dimë se theksimi i veprës së mirë që e kemi bërë e zhvleftëson atë. Jemi në rrezik, se duke u lavdëruar me të mirën që kemi bërë, do ta humbim atë të mirë.

Pejgamberi (savs), na ka paralajmëruar, dhe ne e dimë shumë mirë, se ai për pasuesit e tij është frikësuar nga shirku i vogël! Kur është pyetur, se çka është ai? Ai ka thënë: “Njerëzit- pasuesit e tij do t’i bëjnë veprat e mira për t’i parë të tjerët e jo për Zotin.”

Pejgamberi Muhamed (savs), thotë: “Në shekujt që do të vijnë, në brezat që do të vijnë pas tabiinëve, do të jetojnë njerëzit të cilët do të betohen kur të flasin, e atë prej tyre nuk do ta kërkojë askush.”Kjo do të thotë, se ata as vetë nuk e besojnë atë që e flasin!Pejgamberi (savs), na ka paralajmëruar neve që rrallë herë të betohemi kur të flasim. Dhe ai betim i rrallë në fjalimin tonë do të vërtetojë se po e flasim të vërtetën, dhe nuk kemi nevojë për atë që flasim të kërkojmë për vete dëshmitar. Kur ne të betohemi në ato raste të rralla, atë duhet ta bëjmë ekskluzivisht me emrin e Zotit.

Pejgamberi (savs), sikur flet për neve – kur po flet për brezat që do të vijnë, dhe thotë: “Ata do të jenë njerëz të cilët do t’i tradhtojnë amanetet e besuara.”Ata që do ta humbin besimin, jemi ne!

Jam i sigurt, shumë herë e kemi dëgjuar, dhe besoj se shumica prej nesh e di përmendsh hadithin e Pejgamberit (savs), i cili fuqishëm na paralajmëron, në të cilin thotë:– لاَ إيماَنَ لِمَنْ لاَ أمَانَةَ لَهُ –/La imane limen la emanete lehu!/Nuk ka besim në zemër, nuk ka iman, ai i cili e tradhton amanetin.”Mund ta ilustrojmë edhe me shembull: Juve mund të ju kontrollojë secili se a jeni në punë, si mësuesi që është në orë të mësimit, ose kudo në punë, por juve askush nuk mund të ju kontrollojë se a po punoni! Ju mund të luani me fëmijët tërë orën, a ke qenë në punë – po! Fëmijët që ju kanë ardhur në orë të fizikës, matematikës etj. janë amanet. Ata juve ua kanë besuar, sikur që ua besojmë makinën në fabrikë, sikur që ua kanë besuar punëtorët që për ta të kujdeseni. – لاَ إيماَنَ لِمَنْ لاَ أمَانَةَ لَهُ –Nuk ka besim në zemër, ai që e tradhton amanetin.

Vëllezër! Insistoj që seriozisht të reflektojmë në këtë hadith të Pejgamberit (savs)!

Pejgamberi (savs), flet se: “Do të vijnë njerëz në Tokë, breza, pasues të tij, të cilët do të flasin dhe do të gënjejnë!

Ne shumë herë kemi dëgjuar se Pejgamberi (savs), është pyetur nga sahabët: “Cilët njerëz?”Pra, kanë pyetur sahabët, të cilëve ai u thotë:“Kush e shfrytëzon të lejuarën dhe ushqehet me të lejuarat, e ndjek sunetin tim, dhe askujt nuk i bën keq, do të hyjë në xhenet!” ata i thanë: “Po të gjithë ne jemi të tillë!’

Dhe ata të tillët e kanë pyetur: “A mundet besimtari të jetë koprrac?”

Pejgamberi (savs) thotë:“Mund të ndodh!”

Pastaj është pyetur: “A mundet besimtari të jetë frikacak?”

Pejgamberi (savs) thotë:“Mund të ndodh!”

Dhe është pyetur: “A mundet besimtari që të jetë gënjeshtar?”

Pejgamberi (savs), me vendosmëri është përgjigjur: “Kurrsesi jo!”Besimi dhe gënjeshtra nuk mund të banojnë bashkë, sepse: – إنَّ الْكِذْبَ مِنْ أَبْوَابِ النِّفَاقِ! –/Innel-kidhbe min ebvabin-nifak/“Gënjeshtra është derë e hipokrizisë.” Dhe ata njerëz që do të flasin dhe do të gënjejnë, do t’i kenë fjalët dhe veprat të pa harmonizuara.

Allahu i Lartësuar na drejtohet neve të cilët jemi ulur këtu – besimtarëve, një miliard e 750 milionë pasues të Pejgamberit (savs): – يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لِمَ تَقُولُونَ مَا لَا تَفْعَلُونَ -O besimtarë, përse flisni atë që nuk e veproni?/Ju drejtohet atyre që po protestojnë në Suedi, pse një budalla e ka djegë Kuranin. Kurse unë ju pyes juve: Kush mund të na djeg neve Kuranin? Askush!! (…) Ai që e ka djegë, ai ka problem, ne nuk kemi problem.

– لِمَ تَقُولُونَ مَا لَا تَفْعَلُونَAllahu pyet: Përse flisni atë që nuk e veproni?Ju thoni se jeni besimtarë, ju thoni se e doni Allahun dhe Pejgamberin, ju kinse luftoni për Islam. Ndërsa për Islam luftohet duke e jetuar, duke e treguar me vepra bukurinë dhe madhështinë e kësaj feje, dhe jo me demonstrata, me rrënim e me budallaki nëpër qytete të Evropës dhe gjetiu.

– كَبُرَ مَقْتًا عِنْدَ الله أنْ تَقُولُوا مَا لَا تَفْعَلُونَ–Është mëkat i madh të gënjesh, ta flasësh atë që nuk e vepron.

Pejgamberi (savs), kur i dëgjoi sahabët duke thënë: “O i Dërguari i Allahut, po ne të gjithë jemi të tillë. Ne e ndjekim sunetin, ruhemi mirë nga harami dhe askujt nuk i bëjmë keq!” Ai u tha: “Por do të vijnë breza, në shekujt e mëvonshëm, ku do të ketë pak të tillë, të cilët ruhen nga harami, të cilët e jetojnë sunetin tim dhe askujt nuk i bëjnë keq.”

Pejgamberi (savs), sikur flet për neve! Sikur flet për neve kur thotë: “Në mesin e atuyre njerëzve do të zhduket turpi!”

Unë jam i sigurt, se ne shumë herë kemi dëgjuar se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Vel haja’u shu’betun minel-iman.”/Turpi është pjesë përbërëse e besimit-imanit./ Kush nuk ka turp, ai të paktën imanin e ka të gjymtë, ai ka problem me bindjen e tij. Tash ne mund t’i numërojmë me mijëra situata, në të cilat dëshmojmë se turpi është zhdukur nga jetët tona, nga familjet tona, nga shtëpitë tona. Mund të numërojmë situata të panumërta në të cilat edhe vajzat, edhe rejat, edhe bashkëshortet ecin nëpër shtëpi, nëpër oborre, nëpër ara – mos e dhashtë Zoti të themi – si në plazh, sepse edhe në plazh dhe askund tjetër, muslimani nuk guxon të (zh)vishet ashtu.

Nga ky vend i ndershëm shumë herë kemi folur për ndershmërinë! Jo shumë moti, duke elexuar një libër, kam hasur në një fjali e cila del nga burimi i fesë sonë, ku thuhet: “Rrobat me të cilat nuk mund të falesh, mos i vish!”Kjo është ajo që i ka hije muslimanit.

Pejgamberi (savs), thotë:“Në shekujt e mëvonshëm, pasuesit e tij do të jenë të tillë që nuk do të kujdesen për prindërit – dhe do ta dinë, nuk do të jenë të painformuar, ata do ta dinë, të gjithë do ta kenë në shtëpi Kuranin, të përkthyer në gjuhën e tyre, dhe do ta dinë se Allahu i Lartësuar thotë:“Zoti yt ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Ate dhe t’u bëni mirësi prindërve.” Pastaj, do ta dinë se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kënaqësia e Zotit” – a don ti ta verifikosh ‘kënaqësinë e Zotit’? Shiko se a janë prindërit tu të kënaqur me ty!? Ata do ta dinë se mirësia ndaj prindërve nuk përfundon as pas vdekjes së tyre, por ata janë të obliguar për ta të bëjnë lutje që Allahut’i shpëtojë! Janë të obliguar, që për ta të bëjnë vepra të caktuara, që kur të dalin para Zotit për të dhënë llogari, të shohin një grumbull të veprave të mira, të habitur do të pyesin: “Prej nga janë këto?!” Do tu thuhet: “Këto t’i ka dërguar fëmija yt!” Të vetëdijshëm se rruga deri te kënaqësia e Zotit është përmes kënaqësisë së prindërve tuaj!

A flet Pejgamberi (savs) për neve, kur thotë: “Pasuesit e tij do t’i neglizhojnë të afërmit, ata do të jenë plotësisht të lënë pas dore, ata nuk do të vizitohen fare.” Ne neglizhencën tonë ndaj rregullave të fesë së lartë, ne mos jetësimin e sunetit të Pejgamberit (savs), e arsyetojmë me thënien e zakonshme ‘koha është e tillë’. Poeti thotë:

Ne vazhdimisht e fajësojmë kohën – kurse faji është tek ne,
sepse, sikur koha (zamani) të fliste do të na fajësonte neve!

Nuk na ka bërë neve koha të mos falemi, nuk na ka bërë neve koha që t’i shpërdorojmë amanetet, nuk na ka bërë neve koha që të mos jemi të mirë me prindërit, dhe të gjitha këto që i numëruam, nuk janë shkaku pse ne po jetojmë në vitin 2020, por pse nuk po i jetojmë dispozitat e shpallura dhe nuk po e ndjekim sunetin e pejgamberit Muhamedit (savs), i cili thotë: “Në mesin e pasuesve të tij, në brezat që do të vijnë pas atyre brezave të zgjedhur do të përhapet zilia.” Dhe kur ti bën zili, pyete veten tënde: ‘Çka përbuz ti tek ai që i bën zili?Ti tek ai e përbuz ndonjë virtyt të tij, ndonjë sukses të tij, askush nuk i bën zili një vagabondi, askush nuk i bën zili njeriut që i jepen s. fitrat, askush. Shiko, mendo, nëse ai virtyti i tij, ai suksesi i tij të bëhet inspirim, që ti të nisesh atij shtegu për të cilin Zoti të drejton dhe thotë:– فَاسْتَبِقُوا الْخَيْرَاتِ“Bëni gara në punë të mira!”

Pejgamberi (savs) thotë: “Do të përhapet urrejtja, do të përhapet fqinjësia e keqe!”

Vëllezër!Unë besoj se ju bashkë me mua, do të zhgënjeheni kur të mësoni për rastin, kur fqinji nuk e lejon fqinjin e tij,që ta tërheq kabllon e telefonit nëpër gypin (i cili tashmë është i) vendosur në arën e tij, dhe nuk e lejon. A mund të imagjinoni ju, pasuesit e Pejgamberit, se çfarë urrejtje dhe çfarë përdhosje e fqinjësisë mbizotëron mes nesh! Unë e mbaj mend, gjyshi im i ndjerë, e pat lejuar fqinjin tonë Temiz, që në arën që quhet ‘Brezhnik’ përgjatë diagonales (nga qoshja në qoshe) ta hap kanalin dhe ta sjellë ujin për ujitje, ndërsa gruri ishte me kallinj. Gjyshi im nuk ka ditur çka janë ‘kutubi sitte’, nuk e ka pasur as Kuranin e përkthyer, nuk ka pasur asgjë nga ajo që kemi ne. Por çka kishte ai dhe gjyshërit tonë? Ai e kishte besimin, fqinjësinë, fqinjësinë!!

Ne vazhdimsht e fajësojmë kohën – kurse faji është tek ne,
– sepse, sikur koha (zamani) të fliste do të na fajësonte neve!

Ndoshta, vëllezër, Pejgamberi (savs), në hadithin e fillimit, flet për neve!

Transmeton Abdullah ibn Mesudi (r.a.) i cili thotë: “Me një rast ishim me Pejgamberin (savs),dhe ai me shkopin e tij e tërhoqi një vijë nëpër rërë, pastaj tha:“Kjo është Rruga e drejtë (Sirati mustekim).” Nga të dyja anët ai tërhoqi edhe vija të tjera dhe tha: “Këto janë rrugë të gabuara.” Pastaj e lexoi ajetin:“Kjo është rruga ime e drejtë; prandaj ndiqnie, e mos shkoni rrugëve tjera që t’ju shmangin ato nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porositë Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.” (el-En’am, 153)

Pejgamberi (savs) thotë: “Në shekujt që do të vijnë do të sundojë injoranca dhe imoraliteti!” Po e nënvizoj: fjalën ‘sundojë’!

A ka në vendin tonë, apo në ndonjë vend tjetër në botë umeti i Muhamedit (savs) shkolla, fakultete, universitete..?! A ka në vendin tonë, apo në ndonjë vend tjetër në botë umeti i Muhamedit (savs) profesorë, magjistra, doktorë..?!

Ne në vendin tonë kurrë nuk kemi pasur më shumë, por, në funksionet përgjegjëse nuk zgjedhen të diturit për të sunduar! Ne do të kemi dituri, por do të sundojë përshtatshmëria, dëgjueshmëria. Do të sundojë injoranca dhe imoraliteti, sepse i padituri mund të blihet, andaj do të sundojë korrupsioni, mito.

Nafi’ ibn el-Harith kishte ardhë te halifi Omer (r.a.), në Medine me personin që quhej Asfan. Këtë Asfanin, Omeri (r.a.), e kishte emëruar kryetar të Mekkes. Kur vjen te Omeri, ky i tha:“O Asfan, tash gjatë mungesës tënde, kënd e ke lënë për zëvendës tëndin?

Asfani: “E kam lënë Ibn Ubzen!”

Omeri (r.a.):“Kush na qenka ky Ibn Ubze? Unë nuk kam dëgjuar për të!”

Asfani: “Ai është një rob i yni i liruar!”

Omeri (r.a.): “O Asfan, po a mekkasve, kureshëve ua ke lënë që t’i udhëheqë robi i liruar kur ti nuk je aty?!

Asfani: “Pasha Allahun, ai më së miri i njeh dispozitat, ai më së miri i njeh detyrimet, dhe ai e lexon Librin e Allahut!”

Omeri (r.a.): “E kam dëgjuar Pejgamberin (savs), kur ka thënë: “Allahu i Plotfuqishëm do ta lartësojë çdo njeri që niset kësaj rrugës së diturisë!”

A flet Pejgamberi (savs), për neve, a është fjala për neve, kur thotë: “Do të sundojë injoranca dhe imoraliteti!”– përkatësisht, që ne, të gjitha detyrat me përgjegjësi në shoqëri, nga më të lartat deri te ato më të ultat, do t’ua japim të përshtatshmëve dhe të dëgjueshmëve.

Do të kthehem në fillim: Ebu Seid el-Hudrij (r.a.) ka thënë: Na ka thënë Pejgamberi (savs):

“Kush e shfrytëzon të lejuarën dhe ushqehet me hallall, kush e ndjek sunetin tim, dhe nuk i bën keq askujt, do të hyjë në xhenet!” Sahabët thanë:“Po ne të gjithë jemi të tillë!’ Pejgamberi (savs) tha: “Por, në shekujt që do të vijnë, të tillët do të jenë shumë pak!”

O Zot i Lartësuar, të lutemi na ndihmo! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përkthim me përshtatje: Miftar Ajdini