Të Fundit
Sadakaja nuk ia pakëson pasurinë një personi

Sadakaja nuk ia pakëson pasurinë një personi

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Dërgojmë salavat dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë ata që kanë jetuar dhe kanë vdekur me besim në zemër.

Vëllezër besimtarë! Tema e hutbes së sotme është: „Sadaka nuk ia pakëson pasurinë e një personi“

Muslimanët gjithmonë kanë qenë bamirës dhe kanë dhënë për fenë islame, por ata kurrë nuk i kanë shpërdoruar pasuritë e tyre pa nevojë. Ata e kanë investuar mundin e tyre përmes të cilit kanë fituar pasuri, dhe pastaj nga ajo pasuri u kanë dhënë dhe i kanë ndihmuar të tjerët. Me dhënien e tyre, ata kanë synuar ta fitojnë kënaqësinë e Allahut dhe ta tregojnë sinqeritetin e tyre. Muslimani është i lumtur dhe i gëzuar kur mund ta ndihmojë dikë, dhe për lumturinë dhe gëzimin e tij ka shumë arsye, të cilat vetëm shpirti i sinqertë njerëzor dhe i dëlirë mund t’i kuptojë. Ai e jeton jetën e tij në përputhje me ajetin kuranor, në të cilin Allahu i Lartësuar na inkurajon të gjithë neve që të mendojmë, dhe na tregon se kujt i përket pasuria, të cilën ne e dhurojmë. Ai na porosit:“Çfarëdo ndihme të mirë që bëni, (shpërblimi) është në dobinë tuaj, se ju këtë e bëni vetëm për hir të Allahut!”

Ju që jepni për hir të Allahut të Lartësuar, do të shpërbleheni prej Tij, do të shpërbleheni sipas qëllimit dhe synimit tuaj. Ai më tej na thotë: “Çfarëdo që jepni ju nga të mirat do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.” (el-Bekare, 272)

Çfarëdo që njeriu të dhurojë në rrugën e Allahut, atij do t’i kompensohet ajo dhe për të do të shpërblehet, por për këtë, ai duhet të jetë plotësisht i bindur. Njeriu nuk duhet të mendojë se pasuria e ndarë është zhdukur dhe ka humbur, përkundrazi, duhet të jetë i bindur se pasuria e ndarë mbetet përgjithmonë dhe rritet, ndërsa pasuria që nuk është ndarë do të zhduket.

Vëllezër të respektuar!

Ebu Kebshe Omer b. Sa’d el-Enmari (r.a.), tregon se ai e kishte dëgjuar Pejgamberin (savs), duke thënë: “Betohem në tri gjëra dhe mbajeni mend mirë atë që do t’ju them:(1)‘Sadaka nuk ia pakëson pasurinë e një personi. (2) Nëse njeriut i bëhet një padrejtësi, dhe ai e përballon me durim, Allahu do t’ia rritë krenarinë e tij. Dhe (3)nëse njeriu e hap derën e lypjes, Allahu do t’ia hapë derën e varfërisë.”’

1.‘Sadaka nuk ia pakëson pasurinë e një personi.’

Një nga karakteristikat e besimtarëve dhe fetarëve është që t’i përgjigjen shpejt urdhrit të Allahut të Plotfuqishëm, sepse sadaka është një nga urdhrat e përcaktuar dhe të inkurajuar nga i Plotfuqishmi. Të jesh në gjendje të kapërcesh vështirësi të caktuara në jetë është një çështje e madhe për çdo musliman. Sadaka na ofron një mundësi të tillë dhe na i largon vështirësitë tona, prandaj le të mos jemi nga ata që këtë e lënë pas dore në jetë. Se sa çështje e madhe është sadaka në Islam, dhe sa do të jetë e vlerësuar në ahiret,flet edhe fakti, se për ata që japin sadakë do të ketë një derë të veçantë përmes së cilës ata do të hyjnë në xhenet.

(2) ‘Nëse njeriut i bëhet një padrejtësi, dhe ai e përballon me durim,Allahu do t’ia rritë krenarinë e tij’

A jemi ne muslimanë të tillë, të cilët Pejgamberi (savs) i ka përshkruar, se ata, as vëllait të tyre musliman, por edhe asnjë njeriu tjetër, as nuk i bëjnë padrejtësi, dhe as nuk e lënë në baltë? Prandaj, le të kemi kujdes që të mos t’i bëjmë padrejtësi askujt, as mos ta ofendojmë ndokënd me drejtësi,duke dëshmuar kundër tij për atë që nuk i takon. Le të jemi gjithmonë të drejtë, sepse do të shpërblehemi për të.

(3) ‘Nëse njeriu e hap derën e lypjes, Allahu do t’ia hapë derën e varfërisë’

Muslimanit nuk i lejohet lypja, sidomos nëse është i aftë të punojë, dhe nëse mund ta sigurojë jetesën nga puna e tij. Pejgamberi (savs), na udhëzon për ndershmëri, që njeriu të mbështetet në punën e vet, që të largohet nga varësia e njerëzve të tjerë dhe të bëjë përpjekje e të mbështetet në Allahun e Plotfuqishëm. Karakteristikë e besimtarit është që mos t’i frikësohet askujt përveç Allahut të Madhërishëm. Kur njeriu nuk e ka këtë cilësi, atëherë Allahu i Madhërishëm e bën, që zemrën e tij ta sundojë frika dhe ai të ketë frikë nga gjithçka; të ketë frikë për ekzistencën e tij, të ketë frikë nga varfëria, të ketë frikë nga vetevetja, dhe në fund të ketë frikë nga vdekja, e cila do t’i vijë nga Allahu i Lartësuar, ndaj të Cilit shpesh është i pabindur.

Në fund e lusim Allahun e Lartësuar, që të na japë sukses për ato (fjalë dhe vepra) të cilat Ai i do dhe është i kënaqur me to!
O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)