Të Fundit
Rregullat e sheriatit për veshjen e meshkujve

Rregullat e sheriatit për veshjen e meshkujve

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të gjitha botëve. Salavatet dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin e fundit, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, mbi familjen e tij dhe të gjithë ata që kanë jetuar dhe vdekur me besim në zemër.

Vëllezër të respektuar :

Islami është fe e natyrshme. Nuk përcakton dhe nuk vendos rregulla të sheriatit përveç për të mirën e njeriut dhe për interesin e tij. Sa i përket rregullave të sheriatit në lidhje me rrobat dhe veshjen vlen parimi burimor i lejueshmërisë, do të thotë, çdo gjë që nuk është e ndaluar me Kuran dhe sunnet, ajo është e lejuar. Duke pasur parasysh se çështja e veshjeve të meshkujve është gjithashtu një çështje e rëndësishme, në këtë hutbe do të shikojmë në rregullat e sheriatit në lidhje me veshjet për meshkuj.

Veshjet për burra duhet t’i plotësojnë kushtet e mëposhtme:

– Që të mos jetë nga materiali që është i ndaluar për meshkujt

Dijetarët pajtohen se meshkujt e kanë të ndaluar të veshin mëndafsh dhe ari, sepse transmetohet nga Aliu (r.a.) se ka thënë: “Pejgamberi (savs) e ka marrë mëndafshin në dorën e majtë, kurse arin në të djathtën, dhe ka thënë: “Këto të dyja janë të ndaluara për burrat e umetit tim,  kurse për gratë janë të lejuara.”

Mirëpo, nëse përdorimi i arit dhe mëndafshit bëhet i domosdoshëm, si p.sh. në mjekësi, atëherë do të lejohen.

Përveç mëndafshi dhe arit, burrat, e me këtë rast edhe gratë, e kanë të ndaluar të veshin veshje nga lëkura e derrit, pa marrë parasysh a është e regjur apo jo, ndërsa nga të gjitha kafshët tjera lëkura është e lejuar, nëse është e regjur.

– Që të mos jetë veshje për eminencë (dallim)

Sepse Pejgamberi (savs), ka thënë: “Kush vesh rroba për tu dalluar në këtë botë, Allahu do ta veshë atë me rroba të poshtërimit në Ditën e Gjykimit, pastaj do ta djegë në zjarr.”

Cilat janë rroba të dallimit?

Imam Sefarini thotë: “Një njeri ka veshur rroba të dallimit, nëse rrobat e tij dallohen nga rrobat e banorëve të atij vendi.”

Imam Merdavi thotë: “Është e neveritshme dhe nënçmuese veshja e rrobave të dallimit apo rrobave që nuk veshën në atë vend.”

Ibn Kajjimi ka thënë: “Suneti i Pejgamberit (savs), aludon që njeriu duhet të vishet ashtu siç vishen njerëzit në vendin e tij.”

Sot te ne mund të vërejmë njerëz, të cilët veshin rroba që nuk janë të përshtatshme për vendin tonë ose i shkurtojnë pantallonat e tyre deri në gjysmë të nëngjurit.

Ebu Ejub Es-Sahtijani është kujdesur që veshja e tij të jetë më e gjatë, dhe kur është pyetur për këtë, ai ka thënë: “Dikur veshje për dallim janë konsideruar rrobat më të gjata, kurse tani janë ato që janë më shumë të shkurtra.”

– Që të mos jenë veshjet shumë të shtrenjta apo shumë të vjetruara, siç veprojnë disa  pasanik arrogant dhe shkapërderdhës, nga njëra anë, apo disa individë duke veshur rroba të vjetruara duan të tregohen si të devotshëm.

Pejgamberi (savs) ka thënë: “Hani dhe jepni sadakë, dhe vishuni pa salltanet dhe pa treguar krenari.”

Në një rast Pejgamberi (savs) e sheh një njeri me rroba të vjetruara, andaj e pyeti se a ka pasuri. Njeriu u përgjigj se ka, kurse Pejgamberi (savs) i tha: “Atëherë pra, ha, pi, vishu, jepu sadakë të tjerëve, pa e tepruar dhe pa krenari, sepse Allahu dëshiron që t’i sheh gjurmët e begatisë Tij te robi i Tij.”

– Që me rroba mos të imitohen gratë, jobesimtarët apo mëkatarët

Në rrugët tona gjithnjë e më shumë shohim njerëz të cilët bartin simbole, të jobesimtarëve, siç është kryqi, apo simbole të grave, siç është vathi etj.

Abdullah b. Abbasi (r.a.) ka thënë: “Pejgamberi (savs) i ka mallkuar burrat që i imitojnë gratë dhe gratë që i imitojnë burrat!”

Kurse Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kush e imiton një popull, atij edhe i takon.”

– Që mos të përmbajnë parulla ose etiketa që janë të ndaluara me sheriat

Muslimanit nuk i lejohet të veshë rroba, në të cilat ka të shkruara fjalë të pamoralshme, nëse ka fotografi imorale, apo fjalë, shenja ose simbole të mosbesimit. Sa i përket imazhit të qenieve të gjalla, në përgjithësi, ka mosmarrëveshje se a janë haram apo mekruh. Malikijtë i konsiderojnë të lejuara, por më mirë është tu shmangemi. Mendimi më i drejtë është se ndalohet veshja e rrobave me fotografi të qenieve të gjalla, përveç nëse fotografia është aq e vogël sa që vështirë mund dallohen pjesët e trupit, apo nëse fotografisë i mungon një pjesë pa të cilën nuk ka jetë, siç është koka.

– Nëse veshja nuk i mbulon pjesët intime të trupit

Muslimani e ka obligim – vaxhib, mbulimin e pjesëve të turpshme të trupit, siç ka thënë Allahu i Plotfuqishëm:

“O bijtë e Ademit! Ju kemi dhënë rrobe që të mbuloni vendet tuaja të turpshme edhe veshje për zbukurim…”

Islami ka vendosur kufij natyror të pjesëve të turpit te trupi për burrat dhe për gratë. Pjesë të turpshme për burrat janë prej belit deri në gju. Gjithashtu nuk lejohen rrobat e ngushta të cilat i tregojnë pjesët e trupit ose përmes të cilave shihet trupi.

Sa u përket rrobave gjithashtu duhet ta dimë se Pejgamberi (savs) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush të mbathet, le të fillojë me këmbën e djathtë, ndërsa kur të zbathet, le të fillojë me të majtën, ashtu që këmba e djathtë të mbathet e para, kurse të zbathet e fundit.”

Xhabiri (r.a.) ka thënë: “Pejgamberi savs ka ndaluar që njeriu të mbathet duke qëndruar në këmbë!”

Vëllezër të respektuar, kjo hutbe ndoshta nuk ishte shumë interesante apo aktuale, por gjithsesi është shumë e dobishme për çdo musliman.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm, që të na bëj prej atyre që i ndjekin mësimet e Kuranit dhe të sunetit që nga detajet më të vogla deri te ato më të mëdhatë.

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre, çliroje umetin nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë, mos lejo që asnjëherë të na poshtërojnë apo mposhtin pabesimtarët, dhe na shpërble me xhenet në shoqëri me pejgamberët, me shehidët dhe me njerëzit e mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini