Të Fundit
Pse është namazi më i mirë se gjumi?

Pse është namazi më i mirë se gjumi?

Çdo mëngjes muezini në ezanin e sabahut i shqipton fjalët:

“Es-salatu hajrun mine-n-nevm” (Namazi është më i mirë se gjumi!)

Në veprën e mirënjohur të Imam Malikut “El-Muvetta” [Libri 3, nr. 318] gjendet transmetimi në të cilin thuhet se një ditë muezini erdhi deri te halifi Omer ibn el-Hattabi për ta thirrur për namazin e sabahut. Mirëpo, e gjeti atë duke fjetur, kështu që i shqiptoi fjalët e famshme: “Es-salatu hajrun mine-n-nevm” (Namazi është më i mirë se gjumi!).
Pas kësaj, Omeri e urdhëroi që këto fjalë patjetër t’i këndojë gjatë ezanit të sabahut. Kështu, këto fjalë kanë mbetur kujtesë për luftën e hazreti Omerit me gjumin.

Mirëpo, pse është namazi më i mirë se gjumi!?

Fjetja në thelb nënkupton pranimin e thirrjes së nefsit tonë, dmth. përgjigje nevojave dhe pasioneve tona, ndërsa namazi është përgjigje në thirrjen e Krijuesit Suprem.

Namazi është më i mirë se gjumi, sepse gjumi në fakt e vdes trupin, (Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Allahu iu merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes, por dhe atyre që nuk kanë vdekur e janë në gjumë, e ai ndalë shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, e të tjerëve ua kthen shpirtrat deri në kohën e caktuar… Me të vërtetë, për këtë ka argumente, për ata që mendojnë.” (ez-Zumer, 42)), ndërsa namazi është ringjallje e trupit. Pra, namazi e lëviz trupin e njeriut dhe e mban aktiv.

Është e vërtetë se ëndrra paraqet pushim për trupin, mirëpo namazi paraqet pushim për shpirtin.

Namazi është më i mirë se gjumi dhe për shkak se në gjumë marrin pjesë të gjithë; besimtari, jobesimtari dhe politeisti, ndërsa në namaz merr pjesë vetëm besimtari.

Në një transmetim vërtetësia e të cilit nuk është konfirmuar, por që në të fsheh një urtësi e madhe, thuhet se një burrë e pyeti Pejgamberin (savs): “Gjumi është ai me të cilin na shpërblen Allahu në këtë botë!?” Në këtë Pejgamberi (savs) i thotë: “Vdekja është mik i gjumit, kurse në xhenet nuk ka vdekje!” [“En-nevmu ehu-l-mevti“, shënon Bejhekiu nga Xhabir bin Abdullahu].

Me atë rast, sahabët, kishin pyetur: “O i Dërguari i Allahut, po në çka, pra, ata kanë lehtësim (rahati)?” Ai u tha atyre: “Atje nuk ka rraskapitje (luġūb), dhe çdo gjë për ta është edhe lehtësim.” [Aḍvāʼus-selef, 1998, hadithi nr. 491, fq. 478]

Atëherë Allahu i Madhëruar e shpalli ajetin: … në të cilën nuk do të lodhemi dhe në të cilën nuk do të rraskapitemi.” (Fatir, 35)

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Gjatë gjumit tuaj, shejtani i lidh gjithkujt tri nyje pas koke dhe i fryn çdo nyjeje duke thënë: ‘Ke natë të gjatë, fli pra.’ Kur ky njeri zgjohet dhe kujton Allahun, atëherë zgjidhet një nyje, në qoftë se merr abdes, zgjidhet edhe një nyje, në qoftë se falet, zgjidhet edhe nyja e fundit dhe ngrihet i gjallë dhe në gjendje të mirë shpirtërore; kurse në të kundërt, ngrihet në gjendje të keqe shpirtërore dhe i plogësht.” [el-Buhari, 1142]

Vdekja në fakt, për njeriun paraqet jetën e vërtetë, ajo është zgjim i vërtetë. Kështu hz. Aliu ka thënë: “Njerëzit flenë, dhe kur vdesin – ata zgjohen.” Ndërsa gjumi është një nevojë kalimtare.

O Zot, mos lej që të jemi të pakujdesshëm ndaj thirrjes Tënde, dhe na bëj prej atyre të cilët kujdesen për namazet e tyre! Amin.

Perktheu: Miftar Ajdini