Të Fundit
Ne jemi ujë e dhe

Ne jemi ujë e dhe

Ji si toka

Kur harruam origjinën tonë, u prishëm vetë dhe prishëm dhe  të tjerët.

Ne jemi ujë dhe dhe`.

O njeri, ngjaji cilësive të elementëve, prej të cilëve je krijuar.

Ngjaji ujit …I pastër, i kthjellët, transparent…kudo që shkon, sjell dobi dhe mirësi.

Kërkues, i durueshëm…ai nuk e njeh dobësinë dhe lodhjen. Ndikon dhe gërryen në shkëmbin, që është shumë herë më i fortë se ai.

Bëhu si toka, prej së cilës jemi dhe drejt së cilës shkojmë. Toka gjithmonë prodhon dhe jep. Sa herë që e ujit dhe kujdesesh për të, ajo merr jetë, prodhon dhe të jep të mira pa fund.

Bëhu i pastër dhe ndjeje të mirën. A nuk e ke ndjerë erën e tokës, ku sapo kanë rënë pikat e para të shiut…Ti prej tyre je krijuar prandaj mos e bëj pis veten me gjynahe.

Bëhu si hekuri, i fortë në të drejtë. Goditjet e forcojnë dhe nuk e thyejnë. Sprova e zjarrit  e shkrin , e pastron dhe e bën më të fortë.

Bëhu si floriri, i pastër, i pandryshueshëm çfarëdo që të ndodhë në ambientin përreth.

Bëhu si lulja që shkëlqen, të dhuron gjithmonë aromën e asnjëherë s’të kërkon çmimin e saj.

Bëhu si pema me fruta, fut nën hije këdo që shkon e vjen, i dhuron frutat e saj secilit që do t’i marrë, ta kthen me të mira edhe kur ti i gjuan me gurë, sepse siç thonë: “Çdo enë pikon atë që ka brenda”.

Bëhu si fara e vogël, që kërkon mbrojtje nga toka e saj, çan rrugën pa zhurmë për në dritë e pastaj qëndron e fortë dhe e palëvizshme.

Bëhu si kalliri, që del nga barku i një fare, por me lejen e Zotit bëhet njëqind kokrra. Bëhu si ai, elastik, i pathyeshëm sado të fryjë era, sepse rrënjët e tij janë në tokën e tij dhe janë më të forta se çdo erë.

Bëhu si bleta e vogël, që ndalet vetëm tek lulet e mira, merr vetëm nektarin e pastër, dhe nxjerr vetëm mjaltë.

Bëhu si milingona, kërkuese në objektivin e saj çfarëdo që të ndodhë. Atë nuk e ndalin vështirësitë, nuk e dobësojnë pengesat, por vetëm sa i japin kurajo dhe jetë.

Bëhu si e gjithë natyra, që e refuzon të qëndruarit kot dhe pa punë.

A nuk e sheh ujin, që depërton dhe mbush të çarën më të vogël, e ti o njeri, krijesa më e nderuar e Zotit e le veten viktimë të kotësisë dhe papunësisë.

Bëhu një rob i bindur me dëshirë para Zotit tënd, i harmonizuar me të gjithë lëvizjen e universit rreth teje, që të lumturohesh në këtë jetë e në tjetrën.

Zoti nuk të krijoi ty, që të vuash, nuk të solli në tokë që të torturohesh, por përkundrazi, për ty nënshtroi gjithçka rreth e rrotull.

“Ne e nderuam njeriun, i dhamë atij mundësinë të lëvizë në tokë e në det dhe e dalluam nga shumë e shumë krijesa të tjera”.

Dr.Galija El-Imam