Të Fundit
NATA E MADHE E MIRAXHIT, e Marte, me 02.04.2019

NATA E MADHE E MIRAXHIT, e Marte, me 02.04.2019

Ditën e Marte, me datë 02.04.2019, është nata e madhe e Miraxhit.

Për të gjithë ata që duan ta përcjellin këtë ditë me agjërim, Syfyri mbyllet në orën 04:37 ndërsa Iftari hapet në orën 19.20.

Falja e namazit të Akshamit do të bëhet në xhami, ku do të mbahet ligjëratë fetare për nder të kësaj nate.

Programi fillon në ora 19:20 me faljen e namazit të Akshamit.

Miraxh do të thotë “shkallë, ngjitje, lartësim”. Nata e shënuar e Mi’raxhit bie në natën e 26 të muajit Rexheb (sipas kalendarit hënor) dhe shënon ndodhinë e ngjitjes në qiell të Pejgamberit Muhamed (a.s.).

Ngjarja ka ndodhur një vit e gjysmë para Hixhretit (emigrimit të Profetit (a.s.) nga Meka në Medine) dhe është realizuar në dy etapa. Në fillim Pejgamberi (a.s.) është bartur nga Qabeja në faltoren Aksa të Jeruzalemit. Kjo etapë quhet “Isra” që do të thotë “udhëtim natën”. Pastaj, po atë natë, Pejgamberi Muhamed (a.s.) është ngjitur në qiell deri në prezencën para Zotit. Kjo ngjitje është quajtur “Miraxh”. Ky udhëtim ishte me trup e me shpirt, zgjuar e jo fjetur.

Në Miraxh, Pejgamberi jo vetëm u ngjit në horizontin kufitar të njohjes njerëzore (Sidretul-Munteha), madje edhe tej kapacitetit të engjëllit Xhibril, por iu afrua vendit ku do të bashkëbisedonte me Krijuesin e Gjithësisë.

Natë kjo që e përmend edhe Kur’ani fisnik.:

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).”

Pra, në këtë natë, Muhammedi a.s. përjetoi ngritjen më të madhe, dhe nga Allahu i Madhërishëm ka pranuar obligimin për pesë kohët e namazit.