Të Fundit
Muhamedi a.s. është shembëlltyrë e edukatës

Muhamedi a.s. është shembëlltyrë e edukatës

Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salati, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhammedit a.s..

I nderuari xhemaat,

I Madhi Allah në Kur’anin e Famëmadh ka urdhëruar:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيم
وَإِنَّكَ لَعَلَىٰ خُلُقٍ عَظِيمٍ

“Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!” ( Kalem, 4)

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ :
“إِنَّمَا بُعِثْتُ لِأُتَمِّمَ صَالِحَ الْأَخْلَاقِ.”

Në bazë të transmetimit të Ebu Hurejres, i Dërguari i Allahut s. a. v. ka urdhëruar si vijon:
“Unë (nuk) jam dërguar (veçse) për të plotësuar (vënë në jetë) moralin e bukur.”

Ishte muaji i Ramazanit i vitit 610. Muhammed El-Emini (i besueshmi), në një ditë kur, siç e kishte bërë zakon, qe tërhequr në vetminë e shpellës Hira, u takua me melekun e shpalljes dhe përjetoi përvojën e shpalljes. Nga ky emocion dhe ankth, me zemër të frikësuar u kthye me vrap në shtëpinë e tij, pranë bashkëshortes, Hatixhes r. a., së cilës tregoi ç’kishte përjetuar. I tha asaj: “Pata frikë nga vetja.” Kundrejt shqetësimit të tij, Hatixheja r. a. ishte tejet e qetë. Sepse ajo kurrë nuk e hsihte të mundur që një njeriu të përkryer me virtyte të larta morale siç ishte ai t’i ngjante diçka e keqe. Prandaj e ngushëlloi të shoqin duke i thënë: “Mos thuaj ashtu! Betohem në Allahun që Ai nuk të turpëron kurrë ty. Sepse ti kujdesesh për farefisin dhe nevojtarët; e mbron të uriturin dhe të pastrehun; gostit mysafirin dhe i ndihmon ata që kanë rënë në telashe dhe fatkeqësi.” Me të gjitha këto cilësi që ia numëroi Hatixheja r. a., Muhamedi s. a. v. ishte vërtet njeri me karakter që rrallë mund të hasej te dikush tjetër, e sidomos në periudhën e injorancës kur kishin humbur vlera të tilla morale.

Këto fjalë ngushëlluese që i tha Hatixheja r. a. të Dërguarit të Allahut në momentin e kthimit nga Hiraja, ishin si një koment i ajetit kur’anor në të cilin Allahu i Madhërishëm dëshmon me lëvdatë për moralin e të dërguarit të Tij: “Ti vërtet zotëron moral të lartë.” Ky ajet i kreut El-Kalem, një nga suret e para të shpallura të Kur’anit, vë në dukje se i Dërguari i Allahut edhe para pejgamberisë të tij ishte me moral të lartë. I Dërguari i Allahut, që para Pejgamberisë ishte shquar në shoqëri me moralin e tij të lartë duke fituar epitetin e merituar dhe të njohur “Muhammed El-Emin” (Muhammed i Besueshmi). Një nga arsyet e dërgimit të tij si pejgamber ishte edhe mbizotërimi i moralit të mirë në shoqëri.

I Dërguari i Allahut nuk u dërgua për të thurur nga e para poemën e moralit të bukur, dhe as për të “konstatuar” normat morale, por u dërgua për të “plotësuar” moralin e bukur që vargu i pejgamberëve para tij u kishin mësuar njerëzimit. Me pohimin: “Unë (nuk) jam dërguar (veçse) për të plotësuar moralin e bukur,” ai theksonte se kishte marrë përsipër detyrën për të ringjallur ose për të sjellë vlera morale të reja në vend të atyre që me kohë ishin zbehur, kishin humbur apo ishin degjeneruar. Në fakt të gjithë pejgamberët qenë dërguar me të njëjtën përgjegjësi. Por cilësinë e tij si plotësues dhe zbatues, i Dërguari i Allahut e ka shprehur kështu: “Gjendja ime dhe e pejgamberëve para meje, i ngjan atij që ka ndërtuar një shtëpi. Ai e ka bërë shtëpinë e tij të bukur dhe e ka përsosur, por vetëm në një cep të saj ka ngelur një vend bosh për një tullë. Njerëzit e shëtisin (vizitojnë) këtë shtëpi, mahniten prej saj dhe thonë: ‘Sikur edhe kjo tullë të ishte vendosur në vendin e saj!’ Unë pra, jam ajo tullë; unë jam i fundit prej pejgamberëve.”

Njëherë, djali i xhaxhait të Enes b. Malikut, Sa’d b. Hishami, kur erdhi në Medinë, i kërkoi Aishes r. a. që t’i tregonte për moralin e të Dërguarit të Allahut. Aishja r. a. e pyeti: “Ti lexon Kur’an, apo jo?” Sa’di iu përgjigj: “Po.” Atëherë nëna e besimtarëve i tha: “Ja pra, morali i Pejgamberit ishte Kur’ani.” Në disa transmetime theksohet se Aishja r. a., pas këtyre fjalëve lexoi ajetin kur’anor: “Vërtet, ti je me moral të lartë!” ose nëntë ajetet e para të kreut El-Mu’minun. Sepse Pejgamberi i cili e kumtoi dhe e jetoi Kur’anin, gjatë gjithë jetës e pati përfaqësuar në nivelin më ideal moralin e parashikuar prej tij.

Ashtu siç ka theksuar edhe Enes b. Malik, i Dërguari i Allahut, ishte më i përsosuri i njerëzve për sa i përket moralit. Megjithatë i Dërguari i Allahut, duke u përpjekur ta përsoste edhe më tej moralin e tij, i kërkonte mbrojtje Zotit nga morali i keq. Në këtë drejtim ishin edhe lutjet që i drejtonte Allahut gjatë faljes së namazit: “…(Zoti im!) Më bëj të arrij moralin e bukur. Askush veç Teje nuk mund të më bëjë të arrij moralin e bukur. Largoje prej meje moralin e keq. Askush veç Teje nuk mund ta largojë prej meje moralin e keq!…”

I Dërguari i Allahut shfrytëzonte çdo mundësi dhe përpiqej pandërprerë që t’i nxiste shokët e tij për t’u pajisur me moral të bukur. I Dërguari i Allahut, një grupi medinasish, që kishin ardhur bashkë me Ubade b. Samin për t’i shprehur besnikërinë, krahas zotimit se nuk do t’i bëjnë shirk Allahut, u kërkoi të betohen edhe lidhur me disa norma morale; se nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë zina (marrëdhënie seksuale jolegjitime, nuk do të vrasin fëmijët e tyre, nuk do të shpifin dhe të ngjashme.

I Dërguari i Allahut, kur e dërgoi Muadh b. Xhebelin në Jemen si guvernator, e këshilloi kështu: “O Muadh b. Xhebel! Vepro me moral të mirë ndaj njerëzve.” Sahabët e dalluar, aq shumë e kishin përvetësuar shembullin dhe këshillat e të Dërguarit tonë s. a. v., sa që edhe pas vdekjes së tij i drejtonin vetes pyetjen se “Si do të vepronte dhe ç’do të kishte thënë ai sikur të ishte gjallë?” dhe kështu përpiqeshin ta mbanin të gjallë moralin e Pejgamberit s. a. v..

Kur’ani, për dallim prej moralit të periudhës së injorancës që mbështetej në sistemin fisnor dhe traditën stërgjyshore, solli një botëkuptim moral që mbështetej në monoteizëm (tevhid) dhe merrte në konsideratë pëlqimin e Allahut. Aspektet që e bënin të dallueshëm moralin kur’anor nga sistemet e tjera morale, ishte besimi në botën tjetër ku ai mbështetej dhe parimet universale që solli. Sipas këtyre parimeve, morali është virtyt që i duhet kushtuar kujdes jo vetëm në marrëdhëniet ndërnjerëzore, por edhe në ato me Zotin, me gjallesat e tjera dhe me mjedisin në përgjithësi. Qëllimi përfundimtar i Islamit është pikërisht që të sjellë në jetë shoqëritë dhe individë të moralshëm e që andej, një botë të moralshme. Me këto tipare, morali islam paraqet një strukturë të gjallë që gjithnjë e orienton njeriun drejt më të mirës dhe më të bukurës.

Aspektet më të spikatura të moralit islam janë “dëlirësia” domethënë të kërkosh vetëm pëlqimin e Allahut pa pritur kurrfarë interesi, si dhe “ihsan-i”, që do të thotë të jesh i vetëdijshëm se Zoti të sheh në çdo çast, edhe pse ti nuk e sheh Atë, dhe të sillesh në përputhje me këtë. Kjo dëshmon për një lidhje të ngushtë mes moralit dhe besimit në Islam. Allahu i Madhërishëm i ka përgëzuar ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu” dhe që qëndrojnë vetëm drejt. Ndërsa i Dërguari i Allahut, duke thënë se, “Më i përsosuri prej besimtarëve për sa i përket besimit, është ai me moralin më të mirë,” ka vënë në dukje unitetin mes besimit dhe moralit. Gjithashtu ka theksuar se njerëzit me moral më të mirë, janë njerëzit më të dobishëm dhe më të dashur për të.

Në moralin islam nuk është anashkaluar as ndërgjegja. Një njeri i vetëdijshëm e me besim, mund ta dallojë të mirën nga e keqja duke u konsultuar me ndërgjegjen e tij. Sepse mirësia/sevapi është ajo në të cilën zemra gjen prehje dhe qetësi; kurse e keqja/mëkati është ajo që e shqetëson zemrën. Pejgamberi a. s. ka thënë se “Mirësi është morali i mirë. Kurse e keqja është ajo që të shqetëson përbrenda dhe që nuk do ta dinë edhe të tjerët.” Megjithatë ka herë kur njeriu, si rrjedhojë e natyrës së tij, gabon. Në të tilla raste i Dërguari i Allahut këshillon: “Kudo që të jesh, ji i vetëdijshëm për përgjegjësitë që ke ndaj Allahut! Pas ndonjë të keqeje, bëj diçka të mirë që ta zhdukë atë. Dhe sillu ndaj njerëzve siç e kërkon morali i mirë!” Sepse siç potencon Allahu i Madhërishëm, mirësitë i shlyejnë të këqijat.

Mes moralit dhe adhurimeve ka një raport të ngushtë. Adhurimi, përveç se është një detyrë karshi Allahut, e ndihmon personin që të zhvillohet edhe moralisht. Për këtë arsye në Kur’an është vënë në dukje cilësia e namazit si largues nga të këqijat dhe paturpësitë. Në të kundërt, nëse adhurimi i personit nuk bëhet shkak për zbukurimin e moralit të tij, kjo është një gjendje kundërthënëse. I Dërguari i Allahut, kur është pyetur për një grua të përmendur për namazin, agjërimin dhe lëmoshën e saj të shumtë, por që i kishte cënuar me fjalë komshinjtë e saj, ka thënë se ajo do të jetë në xhehennem. Ky unitet dhe ekuilibër mes besimit, adhurimeve dhe moralit, tregon se të qenit i moralshëm, me një fjalë është përpjekje për të gjetur monoteizmin (tevhidin) në çdo gjë.

Një nocion tjetër i përafërt me moralin është “edeb-i”, edukata. Kjo fjalë, që do të thotë “mirësjellje, ftesë për gosti, qëndrim i mirë,” përfshin norma të caktuara që rregullojnë jetën individuale dhe shoqërore të personit, duke filluar nga marrëdhëniet me njerëzit. Këto norma, edhe pse përfshijnë edhe çështje të tjera që nuk janë të lidhura drejpërdrejt me sjelljet e moralshme, janë të lidhura ngushtë me moralin praktik. Në këtë kuadër, të përmbajturit normave të edukatës dhe zbatimi i tyre, në të njëjtën kohë janë konceptuar si nevojë e të qenit i moralshëm. Sepse në thelbin e normave të edukatës qëndron synimi i zbukurimit dhe maturimit moral të njeriut. Abdullah b. Mes’udi, një ndër shokët e shquar të Pejgamberit të Allahut, Kur’anin, që është burim i parimeve të edukatës dhe moralit, e ka cilësuar në raport me rrënjën e fjalës edukatë, domethënë “me’dubetull-llah” që do të thotë “respekt nga ana e Allahut” dhe ka thënë: “Merrni sa të mundni nga gostia e Tij!” Diku tjetër ka thënë se kushdo që jep edukatë, dëshiron që ajo të përvetësohet, ndërsa edukata e Allahut është Kur’ani. Kështu besimtari do të pajiset me edukatë dhe moral, në masën që do ta zbatojë Kur’anin në jetën e tij. Kur’ani dhe i Dërguari s. a. v. sa ç’janë burim i moralit, po aq janë edhe burim i edukatës. Siç thotë edhe Mevlana Xhelaledin Rumiu: “Kuptimi i Kur’anit ajet për ajet, është edukata.” Edhe i Dërguari i Allahut me gjithçka të tij është shembëlltyrë e edukatës. Faleminderit.

(Hutbe e mbajtur nga muftiu i Tetovës Prof.Dr. Qani Nesimi në Dobrosht)