Të Fundit
Mos e përgatit varrin për vete, përgatite veten për varr!

Mos e përgatit varrin për vete, përgatite veten për varr!

Vëllezër të dashur, xhemat i respektuar!

Ekzistojnë dy këshilltarë, paralajmërues; njëri flet, kurse tjetri heshtë.

Paralajmëruesi (vaizi) i cili flet është Kurani, kurse ai i cili heshtë është vdekja.

Ka thënë Pejgamberi (savs): “Ne për çdo ditë jemi në kontakt edhe me njërin, edhe me tjetrin!”

Duke qenë të pajisur me mendje dhe arsye, ne e kemi obligim ta dëgjojmë porosinë, e cila deri te veshët tanë na vjen si fjalë e Zotit (Kuranin), por, gjithashtu, jemi të obliguar ta dëgjojmë edhe porosinë e cila deri te ‘veshët tanë’ na vjen duke e shikuar botën përreth nesh.

Kurani neve në mënyrë të qartë, të kuptueshme e të padyshimtë na paralajmëron se çdo krijesë ka fillim dhe mbarim. Është interesante të vërejmë se në realitet vetëm ‘fundi’ ynë, nuk është fund, por është ‘kthim’.

Përcjellja e përditshme e të vdekurve, e vëllezërve dhe motrave tona, edhepse në heshtje, na paralajmëron neve në mënyrë të qartë, të kuptueshme e të padyshimtë se është i sigurt dhe i pashmangshëm momenti edhe i shkuarjes sonë, se do të vjen dita, kur edhe neve do të na përcjellin.

Besimtarit nuk guxon t’i ndodhë që ta përcjell vëllanë, motrën e vdekur, fqinjin, xhematliun e që nga kjo të mos merr mësim. Ai merr mësim, sepse beson dhe e di se kjo nuk është zhdukje, por është shpërngulje. Ne e përcjellim trupin, ia kthejmë burimit të tij – tokës. E lëshojmë në shtëpinë e cila quhet varr (ar. kabr), kurse atje askush, pavarësisht se çka ka qenë në dynja, nuk merr asgjë të kësaj bote. Çdo kush me vete merr vetëm veprat e tij dhe besimin e tij.

Për të qenë jeta në këtë botë e lumtur, kurse shoqëria e rregulluar, është e domosdoshme që njerëzit të jenë të vetëdijshëm, që ta dinë se nuk është vetëm kjo jetë e kësaj bote, por që kjo është vetëm një pjesë e jetës sonë, e cila përmes vdekjes kalon në përhershmërinë tonë.

Pejgamberi (savs), duke dashur që të jemi të paralajmëruar, që të jemi të vetëdijshëm, se dynjaja është vetëm një fazë e jetës sonë, dhe jo e tëra, na inkurajon që përveç rastit të përcjelljes së të vdekurve, edhe vizitën e varrezave ta marrim si paralajmërim shtesë, që të vetëdijesohemi për kalueshmërinë tonë, që përsëri të pyesim:

‘Çka është vlera në të vërtetë?’

‘Çka është ajo, që në jetën e amshueshme, do të na bëjë të lumtur?’

Vizita e varrezave ju bën mirë edhe të vdekurve, edhe të gjallëve.Prandaj, pejgamberi Muhamedi (savs), na inkurajon që t’i vizitojmë varrezat, meqë rast, ndalesën e vizitës së varrezave, e cila ishte aktuale në fillim të Islamit, e shfuqizoi dhe e abrogoi.

Transmetohet nga Burejde (r.a.) se Pejgamberi (savs), ka thënë:“Ju pata ndaluar t’i vizitoni varrezat, por tash, vizitoni ato!”Sepse kjo na përkujton ahiretin, na përkujton kalueshmërinë tonë.

Dobia për të gjallët nga vizita e varrezave, konsiston në faktin se aty do të paralajmërohemi, do të ia kujtojmë vetes, se edhe vetë do të shtrihemi në dheun e ftohtë e të lagësht, dhe do të bëhemi ushqim për krimba.

Në shumë transmetime, të cilat i shënojnë Ebu Davudi, Nesaiu, Hakimi, theksohen shumë dobi nga vizita jonë që ju bëjmë varrezave, p.sh. thuhet se kjo njeriun e shtynë që të bëjë vepra të mira, ia përkujton kalueshmërinë e tij, zemrat njerëzore bëhen të ndjeshme dhebëhen më të përgatitura për ta pranuar vërejtjen dhe këshillën.

Vëllezër të dashur!

Edhe të vdekurit kanë dobi nga vizita jonë që ju bëjmë varrezave. Kjo dobi e tyre pasqyrohet me selamin që ua japim, dhe me lutjen që ia drejtojmë Allahut të Plotfuqishëm, në të cilën i lutemi që t’i mëshirojë ata dhe t’ua falë mëkatet.

Është rregull fetar, që kur të hyjmë në varreza, të japim selam. Ne e dimë, sepse Pejgamberi (savs), na ka mësuar, se ata në selam na përgjigjen, por ne këtë nuk e vërejmë, nuk e hetojmë!

Hz. Aishja (r.a.), e ka pyetur Pejgamberin (savs), se si t’ju drejtohet të vdekurve?Ai ka thënë:“Thuaj: ‘Selami, paqja qoftë mbi banorët e këtyre shtëpive (varreve), besimtarëve dhe muslimanëve! Allahu ju mëshiroftë juve që keni vdekur dhe ata që do të vdesin. Edhe ne, me siguri, do të ju bashkëngjitkemi juve!”

Vëllezër të dashur!

Feja jonë nuk e feston vdekjen, ajo e feston jetën. Feja jonë na mëson neve që ne asgjë të mos investojmë në vdekje, por gjithmonë dhe ekskluzivisht, të investojmë vetëm në jetë.Së këndejmi, nga burimet e fesë sonë ka dalë këshilla që thotë: “Mos e përgatit varrin për vete, por veten për varr!

Ka njerëz që fare nuk kanë varr, i ka marrë uji, i ka djegë zjarri, i ka ngrënë bisha, por ata nuk janë zhdukur. Është zhdukur trupi i tyre, sikur që do të zhduket edhe ai që ne e vendosim në varr. Shpirti dhe ajo që udhëton me të, nuk zhduken.

Ekziston mundësia, siç na mëson feja, se edhe pasvdekjes, në varr të na arrijnë veprat e mira. Shumë herë e kemi dëgjuar hadithin, në të cilin flitet për: Sadakën e vazhdueshme, për njeriun i cili pas vetes kalënë vakëf pronë, ose dituri, ose fëmijë të edukuar mirë. Kur fëmija, fëmija yt, vjen te varri, bën lutje për ty, i lutet Allahut të Plotfuqishëm për të falur dhe mëshiruar ty, kur ta lexon një Fatiha,dhe të tjera, këto janë vepra të mira, të cilat do të regjistrohen në llogarinë tënde edhe pas shkuarjes tënde nga kjo botë.

Pasiqë në sjelljen tonë ndaj varrezave, gjithnjë e më shumë, po zë vend hapësira, duhet të theksohet se nuk ke arritur t’i edukosh fëmijët në Islam, në fenë tonë fisnike – nëse ta betonojnë varrin, nëse mbi varr ndërtojnë varrezë, objekt – sepse kjo as të vdekurit as të gjallit, askujt nuk i sjell asnjë dobi. Ai mermeri, apo betoni, çdo gjë përveç nishanit të zakonshëm, as babait tënd të ndjerë, as nënës tënde të ndjerë, as fëmijës tënd të ndjerë, dhe asnjërit nga të ndjerët tuaj nuk i sjell kurrfarë dobie, kurse neve, neve na sjell dëm!

Imagjinoni, nëse në vend se në atë mermer, në vend se në atë beton, ato qindra ose mijëra euro, t’i kishe ndarë për shpirt të tyre, t’i kishe investuar në ndonjë hajrat, do të kishin dobi edhe ata në jetën e varrit (në berzah), ata në varr, por edhe ne të gjallët.

Pejgamberi (savs), ka thënë: “Në ëndërr e kam parë një njeri, i cili në Ditën e Gjykimit mbrohej nga zjarri, nga flaka e xhehenemit, por erdhi sadaka dhe e mbrojti.”

Jo shumë moti, kam kaluar pranë një varri, ku fëmijëtpo ia betononin varrin e babait të tyre. Unë i pyeta: Sa kushton kjo? Ata më thanë: Kushton 700 euro!

Një kompani ishte kontraktuar për t’i kryer punët e betonimit.

Unë ju thashë: Ekziston numër i pafund i mënyrave për t’i hedhur të hollat në asgjë! Njëra nga mënyrat më të shprehura, të mos them, më të marra, është kjo që po bëni ju!! Sepse kjo, nuk i sjell dobi askujt, kurse neve, na e vështirëson pastrimin e varrezave, na e vështirëson mirëmbajtjen e tyre dhe e shëmton pamjen e tij. Me ato mermerë dhe betone, ato varrezat tona gjithnjë e më shumë po duken se të jenë varreza të huaja.

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na ndihmojë! Amin!

Përkthim me përshtatje:[1]Miftar Ajdini


[1]https://akos.ba/izet-camdzic-ne-pripremaj-kabur-za-sebe-vec-sebe-za-kabur/