Të Fundit
Letër e hapur drejtuar shkëlqësisë së tij, Amfillohije…

Letër e hapur drejtuar shkëlqësisë së tij, Amfillohije…

Shkëlqesija juaj Amfillohije, po ju shkruaj në cilësinë e një imami (hoxhë) nga Ulqini, të cilët ndajmë të njëjtën detyrë të përbashkët si prijësa fetarë të komuniteteve tona. E pash të udhës që tju rikujtoj, se, NE si prijësa fetarë duhet të jemi shembull për njëri tjetrin dhe mbi të gjitha për besimtarët tanë që ne i përfaqësojmë. E kemi një amanet ku Zoti na ka dhënë që të përçojmë mesazhin e Tij, të dashurisë, harmonisë, paqës dhe vëllazërisë, në të kundërtën jemi shërbëtor të djallit të mallkuar.

Nga mësimet e Jezusit si dhe nga praktika e Muhamedit (Paqa dhe Mëshira e Zotit qofshin mbi të dy) na kanë mësuar se tempulli fetarë ndërtohet për njeriun që të gjejë qetësinë psiqike, të ngopë shpirtin me rehati, prehje dhe ku i nënshtrohet udhëzimeve dhe porosive të Krijuesit të Plotfuqishëm, për të siguruar jetën e amshueshme. E këto tempuj, objekte fetare ndërtohen në zona të populluara dhe u shërbejnë banorëve të asaj zone, që ti lidhë ato me Zotin e tyre.

Andaj lind pyetja se Kisha në Rumi për çfarë shërben përderisa aty nuk ka kujt t’i shërben! Vallë a s’po largohemi nga porositë e Jezusit dhe porositë e tija!

Ju në vitin 2005 me ndihmën e ushtrisë së atëhershme serbomalazeze vendosët një kishë të metaltë në majën e Rumisë në tokën e huaj, dhe tani në vitin 2018 po e betonizoni duke e mveshur me gurë, ku përsëri, po e vulosni duke cenuar dhe goditur harmoninë ndërfetare që kemi pas me shekuj në trojet tona.

Ajo Kishë në atë vend, nuk e ka qëllimin e një tempulli religjioz, por ka një mision krejt tjetër, të natyrës politike, e cila në fakt, paraqet një intolerancë kundrejt grupeve të tjera religjioze, të cilat në princip, nuk e kanë “traditën” e ndërtimit të kulteve, atje ku nuk u duhet, atje ku nuk jetojnë njerëz ose atje ku nuk jetojnë njerëzit e “llojit të vet”. Andaj si e tillë kjo kishë nuk i shërben Hyjit, por djallit.

Historia juaj e kaluar gjatë shekujve, na ka mësuar se ju nuk ndërtoni Kisha për nderë të Perëndisë, por për politikat e juaja për krijimin e Serbisë së Madhe në dëm dhe në uzurpimin e tokave të huaja të popujve tjerë fqinjë. E tillë është edhe sot, duke ngrehur kisha e duke sajuar histori. Apo siç thotë Kilibarda, se, me ngritjen e kishës në Rumi, kisha serbe “ka formuar shtet brenda shtetit”.

Erdhët në Rumi dhe në ishujt e Krajës, shkuat në Shas dhe dolët në Kalanë e Ulqinit, a thua cili është destinacioni tjetër që doni ta bëni pronë serbe dhe të kishës suaj. Si dëshironi ta mbillni dashurinë e Jezusit mbi këto parime të kundërta nga mësimet e tija dhe aspak biblike!!

Historia na mëson se në Rumi asnjëher nuk ka pasur kishë serbe, këtë e ka deklaruar edhe Mitropoliti i Malit të Zi, Mihajlo, ku mes reagimeve të tija ndaj kishës suaj në Rumi, ka thënë: “Rumia dhe maja e saj do të duhej të liheshin si vende të traditës, pa lejuar të ndërtohet objekte të cilitdo lloji. Nuk është e vërtetë se aty ka qenë e ngritur një kishë, që pastaj ta kenë shembur turqit (sepse nuk ka ekzistuar fare), duke shtuar se “brenda këtij objekti të metaltë, që KOS-i e quan kishë, asnjëri s’do ti lutej Zotit”.

Siç ka thënë edhe V. Popoviq, se me vendosjen e kishës serbe në Rumi, Amfillohije “i ka dëbuar nga Rumia shqiptarët, malazezët, muslimanët, katolikët, e ka bërë serb malin i cili kurrë nuk ka qenë i tillë”.

Shkëlqesia juaj Amfilohije, kjo që po bëni ju është një thik mbi simbolet e bashkëjetesës, provokim politik, që tmerrsisht fyen e godet tre besimet, të cilët nuk duan të ndahen, por që dëshirojnë ta trashëgojnë këtë harmoni ndërfetare që na kanë lënë të parët tanë dhe që e ruajmë me fanatizëm në mos prishjen e saj. Andaj në Rumi nuk pati asnjë problem, derisa nuk u kujtuat ju që ta ndryshoni situatën. Ju po përpiqni të fusni përçarje e konflikte ndërmjet shqiptarëve e malazezëve. Andaj për hatër të Zotit dhe të Jezusit si ndjekës së rrugës së tij, hiqni dorë nga shërbimi i djallit.

Me respekt, Imami nga Ulqini, Senad ef. Maku.