Të Fundit
Hutbeja e Lamtumires, nga Muhamed a.s. në Arafat, Meke

Hutbeja e Lamtumires, nga Muhamed a.s. në Arafat, Meke

“O Njerëz! Dëgjoni çka do t’ju them, sepse nuk e di nese do t’ju takoj në këtë vend pas këtij viti.
O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve. Kjo është dita e flijimeve në emër të Allahut. Më të vërtetë gjaku dhe pasuria juaj janë të shënjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shënjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend.

Ruajeni, respektoni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor.  Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjere ai që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut. Ju, o njerëz, pashmangshëm dhe pakthyeshëm do t’i ktheheni  Allahut të Amshueshëm dhe Ai do t’ju marrë në përgjegjësi për veprat dhe punën tuaj.

O besimdrejtë! Ta dini, ta mbani mend dhe të jeni të bindur se përfundoi koha e mosdijes dhe traditave të këqija, që i sollën fatkeqësi të shumta gjinisë njerëzore. Unë jua kam treguar rrugën e shpëtimit, nëpër të cilën duhet të shkoni. Gjakmarrja është e ndaluar. Të gjitha akuzat e këtilla që rrjedhin nga koha para Islamit, anulohen. Akuza e parë e këtillë që anulohet është gjakmarja e xhaxhait tim, Amir b. Rebi`b. Harith b. Abdulmuttalibit, të cilin pa kurrfarë faji e mbytën njerëzit nga fisi Hudhejl. Kjo gjakmarrje le të harrohet dhe të gjitha të tjerat në të ardhmen le të falen.

Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara. Huadhënësi nga huamarësi duhet ta marrë vetëm atë që vërtet ia ka huazuar. Huatë e para që i nënshtrohen këtij vendimi janë huatë e xhaxhait tim Abbasit, i cili ka pasur mjaft borxhlinj.  O besimdrejtë! Duhet t`ua falni kamatat borxhlinjve. Dëgjoni këshillën time dhe pasuria juaj do të shtohet, sepse juve ju mbetet kryegjëja për tregti dhe punë të ndershme.  Nëse nuk e bëni këtë, duhet ta dini se do t`i zemëroni thellë Allahun dhe të Dërguarin e Tij.  Nëse borxhliu juaj është në vështirësi, duhet t`ia vazhdoni afatin e pagimit, ndërsa nëse jeni në gjendje që t`ia falni borxhin, kjo do të ishte edhe më mirë për ju.

O besimdrejtë! O njerëz! Frikësojuni asaj dite që me siguri do të vijë, kur të gjithë do të paraqiteni para Allahut, Gjykatësit të Vetëm Suprem. Kur ju pret drejtësia absolute. Kur të zotoheni se një borxh do ta paguani me kohë dhe kur ta lidhni marrëveshjen, të gjitha këto bëni me shkrim, dhe me besnikëri theksoni afatin e pagimit. O të vdekshëm! Duajeni dhe dëgjojeni Zotin, Krijuesin e tërë materiales dhe jomateriales, i cili krijoi meshkuj dhe femra, prej të cilëve u zhvillua gjinia njerëzore. Kini frikë nga Allahu, në ndihmën, prehjen dhe mëshirën e të Cilit të gjithë jemi të udhëzuar. Ne jemi të vdekshëm dhe në çdo çast jem gjithnjë e më afër vdekjes dhe takimit me Të, me Allahun e Amshueshëm, me Gjykuesin e Drejtë.

Shprehni repektin e duhur ndaj farefisit. Me përgjegjësi të thellë përmbushni detyrat dhe obligimet që egzistojnë ndërmjet burrit dhe gruas, ndërmjet prindërve dhe fëmijëve.  Fëmija e fiton xhenetin nën këmbët e nënës së tij. Ruajuni nga prostitucioni, tradhëtia bashkëshortore dhe xhelozia. Prostitucioni dhe tradhëtia bashkëshortore janë mëkate të rënda, ndërkaq xhelozia mund të shkaktoj prishjen e bashkëshortësisë. Martohuni me ato që i doni. E kur vullneti i Zotit t’ju bashkojë, atëherë respektojeni dhe duajeni njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri dhe harmoni të vërtetë.

O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri.  O besimdrejtë! Largohuni nga ngatëresat dhe përgojimet! Ata që shpifin për grate e ndershme, le të jenë të mallkuar në të dy botët. Ata që i akuzojne gratë e ndershme për tradhti në martese ose për amoralitet, ndërkaq që nuk mund për këtë t’i sjellin katër dëshmitarë të besueshëm, dënoni me tetëdhjetë goditje, dhe asnjëherë në të ardhmen në asgjë mos u besoni, sepse ata janë njerëz të  këqij.

Nëse mendoni se ndaj grave tuaja më nuk e ndjeni dashurinë e dikurshme, mos nxitoni, por mendoni mirë. Ndoshta Allahu nëpërmjet këtij sprovimi ju udhëzon në rrugën e fatit të ri të madh, me të cilën dëshiron t’ju përgëzojë. Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, meqë prej të gjitha gjërave që Allahu i ka lejuar, më së tepërmi e urren shkurorëzimin.  Gratë tuaja u janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit.

O njerëz! Sot djalli i mallkuar është i dëshpëruar,  sepse ka pësuar humbje dhe më nuk mund të ndikojë në ju. Por ju megjithatë gjithnjë bëhuni të kujdesshëm, që ai i mallkuar të mos ju vë në lajthitje as për gjërat më të vogla. O besimdrejtë! Kur e caktoni dhe e ndani ndërmjet veti trashëgiminë, bëhuni te drejtë dhe përmbajuni librit të Zotit. Ruajeni pasurinë e bonjakëve, të paaftëve dhe te sëmurëve mendore. Zoti çdonjërit ia ka dhënë te drejtën e vet, andaj nuk ka nevojë që trashëgimtarëve t’u lihet testament; ndërsa si testament nuk mund të lihet më tepër se një e treta(1/3) e pasurisë.  Fëmija i takon atij, ne shtratin e të cilit është i lindur.  Kush pohon se i takon tjetërkujt përveç prindit, atë do ta arrijë mallkimi i Zotit. Nuk i lejohet gruas që të japë diç nga pasuria e burrit të saj pa lejen e tij. Borxhi duhet paguar ndërsa sendi i huazuar duhet kthyer. Dhurata duhet të kthehet me dhuratë. Kush hynë dorëzanë për dikënd, obligohet edhe me përgjegjësi për dorëzani.  Me robërit dhe shërbëtorët silluni në mënyrë njerëzore. Ushqeni ata sikur që ushqeheni vetë, dhe vishni ata sikur që visheni vetë. Nuk guxoni t’u bëni keq, as t’i keqpërdorni. Edhe ata janë njerëz, edhe ata janë shërbëtore të Zotit.

O besimdrejtë! Ta dini dhe të mos harroni se të gjithë muslimanët janë vëllezër. Ju të gjithë jeni pIotësisht të barabartë në të drejta dhe detyra. Nuk ka kurrfarë përparësie arabi ndaj jo-arabit, e as jo-arabi ndaj arabit, as i ziu ndaj të kuqit, e as i kuqi ndaj të ziut përveç me devotshmëri. Të gjithë jeni pasardhësit e Ademit, ndërsa Ademi është prej dheut.

O muslimanë! Duhet të kujdeseni, të duheni dhe të ndihmoheni ndërmjet vete.  Nuk guxoni ta ofendoni njëri-tjetrin, e as t’i merrni me dhunë njëri-tjetrit diçka. Këto janë mëkate të rënda. Merreni vetëm ate që me vetëdëshirë ju jepet. Respektoni pacenueshmërinë e pasurive tuaja derisa janë në frymën e ligjeve të Zotit. Në punën tuaj Islami dhe interesi i përgjithshëm le të jenë  mbi ju dhe interesin tuaj personal. Përkushtojani Islamit jetën tuaj dhe në punën për Islamin jepni prej vetes githçka që mundeni. Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e askujt. Vetvetes mos i bëni dhunë. Mos harroni se mëshira është një ndër bazat kryesore të Islamit.

0 njerëz! Dëgjoni çka po ju them dhe mbajeni mend mirë. Unë po jua lë librin e Zotit – Kur’anin – te cilit nëse i përmbaheni gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtë, rrugën e drejtësise dhe së vërtetës. Kur’ani është libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e Allahut, fjalë e Tij, në vërtetësinë e së cilës nuk ka kurrfarë dyshimi.

Para vetes e keni tërë jetëi time, fjalët dhe veprat e mia. Gjithçka që kam folur dhe punuar, jam përpjekur që të jetë në pajtim të plotë me urdhrat e Allahut. Ju vërtet nuk do të gjendeni në lajthitje përderisa t’i përmbaheni Kur’anit dhe sunnetit tim.

O besimdrejtë! Thuajeni gjithnjë të vërtetën e pastër. Urrejtja asnjëherë le të mos ju  largojë nga rruga e të drejtave dhe drejtësisë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësohuni nga Allahu! Ai e sheh punën tuaj.

O njerëz! I dëgjuat porositë e mia, futini në zemrat tuaja e në jetën tuaj.  Të gjithë ata që i kanë dëgjuar këto fjalë të mia, le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar, sepse prej tyre mund të ketë më mbamendës se vetë dëgjuesit.

(Pas një pauze të shkurtër, i Dërguari i Zotit me një zë më të butë ka thënë):

“A e percolla mesazhin e Allahut tek ju, o njerez?”

“O i Dërguari i Zotit! Ti besnikërisht e ke përmbushur misionin tënd dhe neve na ke komunikuar çka të ka urdhëruar Zoti”, u përgjigjën më se 100 000 haxhinjte e pranishëm.

(Atëherë Muhammedi a.s. me zë solemn tha:)

“O Zoti im, dëshmo (në këtë)!

(Të njëjtën ditë, Zoti i Lavdishëm e shpalli edhe ajetin e fundit të Kur’anit):

“Sot persosa per ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntine time, dhe zgjodha per ju Islamin fe”. (Sure Maide, 3).

 

Shënim: Kjo ligjerate (hutbe) e Muhamedit as. eshte mbajtur ne vitin e 10 te Hixhres, pas kryerjes se Haxhit te fundit te Profetit.