Të Fundit
Fundi apo vdekja e faraonit

Fundi apo vdekja e faraonit

Dalja e Musait (a.s.) bashkë me Benu Israilët nga Egjipti, çarja e detit dhe mbytja e faraonit, përbëjnë ngjarje vendimtare në historinë e profetit Musa (a.s.). Këto ngjarje, janë mesazh që u drejtohet zullumqarëve, por dhe atyre që u është bërë padrejtësi dhe janë shtypur. Këto ngjarje, përbëjnë dhe thelbin e vlerës mbi të cilën do të flasim në rreshtat në vazhdim: Të ndjejmë madhështinë, fuqinë dhe pushtetin e Zotit. Si zullumqarët, ashtu dhe ata që u është bërë padrejtësi, duhet ta ndjejnë fuqinë dhe pushtetin e Zotit. Zullumqarët duhet të kenë frikë nga ndëshkimi dhe hakmarrja e Zotit, kurse të shtypurit të kenë shpresë se ndihma dhe përkrahja e Zotit nuk do të vonojë.

Historia e shpëtimit të profetit Musa (a.s.) dhe e mbytjes së faraonit dhe ushtrisë së tij, është një histori që rrëfehet në të katër anët e globit. Ajo na është rrëfyer kushedi sa herë kur kemi qenë fëmijë dhe e dëgjojmë akoma sot në xhami dhe ligjërata të ndryshme. Për shkak se e kemi dëgjuar dhe e dëgjojmë, nuk e ndjejmë forcën e të Gjithëpushtetshmit dhe të Fuqiplotit, e cila mishërohet dhe konkretizohet në formën më të mirë në këtë ndodhi. Harroje se e ke dëgjuar me dhjetëra herë deri sot dhe lexoje sikur e lexon për herë të parë. Ndjeje se fuqia dhe pushteti i Zotit janë të pakufishëm. Mbushe zemrën tënde me madhështinë e Fuqiplotit që ka në dorë gjithçka. Sa herë të biesh në ruku dhe të thuash: “Subhane rabbijel Adhim” (I patëmeta është Allahu Madhështor) përpiqu ta ndjesh madhështinë e Tij. Nuk ka më madhështor dhe më fuqiplotë se Allahu. Ai është i Plotfuqishëm kundra zullumqarëve dhe i plotfuqishëm në favor të të shtypurve dhe të të vuajturve.

Thika nuk i është ndarë nga qafa profetit Musa (a.s.) që nga dita që lindi gjer ditën që e shpëtoi Zoti bashkë me Benu Israilët nga faraoni. Ditën që ai shpëtoi nga faraoni dhe kaloi detin, ishte tek të pesëdhjetë e pesat. Ajo është një ditë vendimtare dhe shumë e rëndësishme, ashtu siç ishte vendimtare dita e Bedrit për profetin Muhamed (a.s.) dhe myslimanët.

Kushdo që ndihet i shtypur, le të përsërisë me gjithë zemër: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut Fuqiplotë dhe të Gjithëpushtetshëm”. Kushdo që shtyp dhe i bën padrejtësi dikujt tjetër, fëmijëve të tij, gruas, shërbëtorit, punonjësve etj., duhet të frikësohet nga kjo ngjarje që do të cekim në rreshtat në vazhdim.

Zoti kishte vite që i kishte lënë kohë faraonit që të reflektonte për sjelljet dhe veprimet e tij. Por kishte ardhur koha që të ligat e tij të merrnin fund.

Historia e mbytjes së faraonit dhe e ushtarëve të tij është trajtuar në shumë sure të Kuranit dhe kjo me qëllim që ta ndjesh madhështinë e Zotit dhe mrekullinë e Librit të Tij. Kjo, me qëllim që ky Libër të zërë vend në zemrën tënde, që të ndërgjegjësohesh se ai nuk është një libër që mund ta lexosh sa për të kaluar kohën. Nëse je pa përkrahje dhe i pafuqishëm, mos u dëshpëro se me ty është Allahu. Nëse je zullumqar dhe shtypës i të tjerëve, dëshpërohu dhe kije frikë ndëshkimin e Zotit.

Hebrenjtë e lanë kryeqytetin ku banonin dhe që me natë, bashkë me Musain (a.s.) u nisën për një udhëtim të gjatë që do të zgjaste dyzet vjet. Beramsis, në kohët e sotme njihet me emrin Sherkie. Vendi ku kaluan detin, është pak a shumë në Gjirin e Suezit. Në Jordani, profeti Musa (a.s.) bashkë me popullin e tij  humbasin në shkretëtirë, ku dhe ai vetë bashkë me të vëllain Harunin vdesin pa mbërritur në Jerusalem. Për dyzet vjet me radhë, hebrenjtë e humbasin rrugën në shkretëtirën e Jordanisë.

 

Eksodi nga Egjipti

Zoti e urdhëroi profeti Musa (a.s.) që të nisej bashkë me popullin e tij që me natë, pasi Faraoni do t’u vihej pas që t’i ndalonte. Zoti thotë në Kuran: (Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin!” (Duhan, 23)

Menjëherë Musai (a.s.) bashkë me vëllain e tij Harunin (a.s.), u shpërndanë në lagjet e hebrenjve për t’i njoftuar se duhej të niseshin me natë. Atyre u kërkohej të nxitonin, me qëllim që të shkëputeshin sa më shumë nga kryeqyteti pa aguar. Destinacioni më i afërt i tyre ishte deti, pikërisht gjiri i Suezit, i cili përbënte pikën më të afërt me bregun tjetër.

Nga ana tjetër, me të dëgjuar se Benu Israilët kishin braktisur Egjiptin, faraoni urdhëroi ushtrinë që të përgatitej për t’i ndjekur. Ai ndihej i etur për gjak, por nuk e dinte se Zoti kishte caktuar diçka tjetër. Ashtu siç i kishte therur foshnjat e hebrenjve dhe i kishte hedhur të mbyteshin në ujin e Nilit, atë ditë vetë faraoni do ta shijonte këtë përfundim. Gjithmonë shpërblimi përfundimtar vjen sipas punëve dhe veprave që ke vepruar më parë. Atij i ishte mbushur kupa me zullume dhe do të ndëshkohej me të njëjtën mënyrë me të cilën kishte ndëshkuar Benu Israilët.

Të gjithë Benu Israilët i lanë shtëpitë e tyre dhe u nisën për të shpëtuar nga dhuna dhe shtypja e faraonit. Asnjë prej tyre nuk qëndroi, por të gjithë pa përjashtim pranuan që t’i bashkëngjiteshin Musait (a.s.). Shumë prej tyre ishin besimtarë të sinqertë dhe iu bindën urdhrit të Zotit dhe të profetit Musa (a.s.). Por shumica prej tyre i braktisën shtëpitë dhe u larguan, pasi nuk kishin zgjidhje tjetër. Po të qëndronin në Egjipt, dhuna dhe shtypja ndaj tyre do të dyfishohej, kështu, e kishin më të lehtë të largoheshin. Ata dolën të detyruar, jo si zgjidhje. Kur ishte puna për t’u përballur me faraonin, ishte vetëm Musai (a.s.) dhe Haruni (a.s.) ata që dolën. Asnjë tjetër nga Benu Israilët nuk u shkoi pas.

Mes eksodit të çifutëve nga Egjipti dhe hixhretit të myslimanëve nga Meka në Medine ka shumë dallim. Shumica e çifutëve e lanë Egjiptin nga halli, ngaqë nuk kishin zgjidhje tjetër. Ndërkohë që shokët e profetit Muhamed (a.s.) e lanë Meken për hir të Zotit dhe të dërguarit të Tij. Hixhreti i myslimanëve të Mekës ishte krejtësisht i ndryshëm, pasi ndodhi si zgjedhje e tyre dhe jo si detyrim.

Kur Benu Israilët hynë në Egjipt, numri i tyre ishte gjashtëdhjetë vetë. Në kohën kur u larguan nga Egjipti, numri i tyre ishte rritur në gjashtëqind mijë. Ata hynë dhe u vendosën në Egjipt në kohën e Jusufit (a.s.) dhe u larguan prej tij në kohën e Musait (a.s.). Ata u vendosën në Egjipt katërqind vite më parë, kur Egjipti udhëhiqej nga dinastia e Heksosëve. Nga Egjipti u largohen përfundimisht pas katërqind vitesh në kohën e faraonit Ramsis.

 

Në mbështetje të së drejtës

Veç kësaj, nuk duhet të neglizhojmë diferencën mes eksodit të tyre nga Egjipti dhe asaj që ndodh sot në Palestinë. Ata u larguan nga Egjipti për shkak të dhunës dhe shtypjes që ushtrohej ndaj tyre. Por sot ata vetë janë shndërruar në makineri dhune dhe shtypjeje. Kur dolën nga Egjipti e drejta ishte me ta, por sot e drejta është kundër tyre. U larguan për t’i shpëtuar dhunës dhe diskriminimit, por sot janë kthyer në dhunues dhe diskriminues të popujve të tjerë. U larguan për t’i shpëtuar racizmit, por sot janë shndërruar në racistët më të mëdhenj. Ai që dje shtypej, sot shtyp, atij që dje i bëhej padrejtësi, sot bën padrejtësi. Ne jemi me ata që u bëhej padrejtësi dhe shtypeshin dje, por kurrsesi nuk mund të jemi me të njëjtët kur transformohen në makineri dhune ndaj të tjerëve.

Ishte profeti Musa (a.s.), Haruni (a.s.) dhe një numër besimtarësh, ata që tërhoqën pas me qindra mijëra hebrenj të shtypur. Ata u shndërruan në lokomotivën e një treni me vagonë të shumtë. Nëse në mesin tonë si myslimanë do të ekzistonin besimtarë të drejtë, pozitivë, dashamirës të njerëzimit etj… ata do të shërbenin si lokomotivë për vagonët e njerëzve dembelë, të plogësht, negativë dhe të heshtur.

Vetëm Musai (a.s.) bashkë me Harunin (a.s.), do ta kishin shumë të vështirë t’i bindnin Benu Israilët për t’u nisur drejt Palestinës.

 

Me cilin grup do të ishe?

Gjashtëqind mijë çifutë lanë shtëpitë e tyre natën, të frikësuar dhe pa nxjerrë zë dhe u nisën në drejtim të detit. Me vete morën ushqim sa për të kaluar detin.

Nëse do të ndodheshe në mesin e popullit të Musait (a.s.) në çastin kur u nisën për udhë, në cilin grup do të bëje pjesë, në grupin e besimtarëve apo në grupin e pasivëve? Shumica e Benu Israilëve ishin pasivë dhe hapnin sytë çfarë do të bënin të tjerët.

Por atë ditë kishte ardhur koha që Benu Israilët të konstatonin me sytë e tyre fuqinë e Zotit. Atë ditë, ata do e shohin me sytë e tyre ndëshkimin e faraonit që i kishte shtypur dhe u kishte therur foshnjat. Atë ditë Zoti do të hakmerrej për njerëzit e dobët, duke e ndëshkuar simbolin e tiranisë, faraonin.

Ndodhia e mbytjes së faraonit ceket në shumë ajete të Kuranit, me qëllim që besimtarët të sigurohen se tiranët dhe shtypësit do të kenë të njëjtin fund.

Gjashtëqind mijë çifutë braktisën Egjiptin natën dhe iu drejtuan detit. Ata nuk dinin gjë nëse faraoni u ishte vënë pas. Vetëm Musai (a.s.) e dinte, pasi e kishte frymëzuar Zoti: “ Pastaj, Ne i shpallëm Musait: “Ti udhëto natën me robërit e Mi, por do të jeni të ndjekur.” (Shuara, 52)

Ndërkohë, faraoni kishte dhënë alarmin në të gjithë vendin. Ai kishte urdhëruar të mobilizohej ushtria dhe menjëherë të vihej në ndjekje të Benu Israilëve.

“Dhe Faraoni dërgoi nëpër qytete lajmëtarë (Për të thënë) “Këta janë një grup i vogël që na kanë provokuar, por ne jemi kurdoherë të gatshëm!” (Shuara, 53-56)

E gjithë ushtria u vu pas Benu Israilëve me të gjithë kapacitetet e saj luftarake, këmbësorë, kalorës, harkëtarë, dhe vetë faraoni ngiste karrocën e tij me zell për të derdhur sërish gjak.

Si faraoni me ushtrinë ashtu edhe Musai (a.s.) me popullin e tij vazhduan udhëtimin, derisa u takuan në atë vend dhe kohë të caktuar, sikur ishte planifikuar nga vetë Zoti i lartësuar. Zoti thotë në Kuran: “Edhe sikur t’i kishit lënë takim njëri-tjetrit, nuk do të ishit pajtuar për kohën e ndeshjes. Por Allahu e përmbushi atë ngjarje që ishte e caktuar, me qëllim që kush duhej të vdiste, të vdiste me prova të qarta dhe, kush duhej të mbetej gjallë, të jetonte me prova të qarta. Vërtet, Allahu i dëgjon të gjitha dhe di çdo gjë.” (Enfal, 42)

Në fakt, këto ajete i janë shpallur profetit Muhamed (a.s.) në betejën e Bedrit, por ato janë të vlefshme edhe për rastin e Musait (a.s.). Ato kanë kuptim për çdo kohë dhe vend, për të gjithë besimtarët, të cilët gëzojnë ndihmën dhe mbështetjen e Zotit ndaj zullumqarëve dhe tiranëve.

 

Përballë njëri-tjetrit

Ushtria e faraonit u vu në ndjekje të Benu Israilëve, derisa të dyja palët u panë nga larg. Kur Benu Israilët e panë ushtrinë e faraonit nga pas, i humbën shpresat dhe u demoralizuan. Zoti thotë në Kuran: “Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!””(Shuara, 61)

Para kishin detin dhe nga pas shihnin ushtrinë e faraonit, e cila nxitonte drejt tyre duke lënë pas një re gjigande pluhuri. Me afrimin e ushtrisë, ata shihnin se u afrohej dhe një fund i tmerrshëm. Kushedi sa prej tyre kanë fajësuar Musain (a.s.) dhe Harunin. Kushedi sa prej tyre i kanë thënë: “Çfarë na bëre kështu! Na more në qafë! Na çove drejt vdekjes!”

Musai (a.s.) ua ktheu me fjalë, të cilat janë tregues i bindjes dhe i sigurisë në ndihmën dhe mbështetjen e Zotit të lartësuar. Ai u tha: “Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën””. (Shuara, 62)

Fjalë të tilla në një moment kaq delikat, e afrojnë profetin Musa (a.s.) tek zemrat tona. Veç kësaj, ato janë treguese të mbështetjes së plotë në ndihmën dhe përkrahjen e Zotit. E çfarë mund të bënte faraoni me ushtrinë dhe armatimet e tij, përballë fuqisë madhështore të Zotit, i Cili i ka krijuar dhe ka krijuar gjithçka tjetër?!

Kur Musai (a.s.) i tha fjalët e mësipërme, nuk dinte se çfarë do të ndodhte. Ai nuk e dinte se shkopi dhe bastuni i tij do ta ndanin detin më dysh dhe të gjithë Benu Israilët do e kalonin, ndërsa faraoni do të mbytej. Këto fjalë ai i tha teksa përballë kishte detin, kurse nga pas shihte faraonin që afrohej çdo çast e më shumë. Musai (a.s.) nuk e dinte si do të shpëtonin nga ky panik dhe rrezik që u kanosej. Ai e dinte se bastuni i tij shndërrohej në gjarpër dhe kishte përpirë gjarpërinjtë e magjistarëve. Por nuk dinte se çfarë mund të bënte më shumë. Gjithçka që dinte ai ishte se Zoti ishte i gjithëfuqishëm dhe nuk do ta zhgënjente. “Në të vërtetë, me mua është Zoti im.” Sa vend kanë zënë në zemrën tënde këto fjalë o vëlla dhe oj motër? A të kujtohen këto fjalë sa herë që bota tregohet e padrejtë me ty? A e ndjen praninë e të Gjithëpushtetshmit në jetën tënde? A di të jetosh pa qenë i frikësuar nga fatkeqësitë dhe sprovat e jetës, pasi Zoti është me ty?

 

Siguria në ndihmën dhe fuqinë e Zotit

Zoti thotë në Kuran: “Dhe Ne i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” Menjëherë deti u nda dhe çdo pjesë e tij u bë si mal i madh.” (Shuara, 63)

Ai që deri në ato çaste ishte det, në një çast u hap më dysh duke formuar dy male uji. Mjafton një urdhër hyjnor që diçka të bëhet dhe ajo bëhet në çast. Zoti i lartësuar thotë në Kuran: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.” (Jasin, 82)

Përgjatë historisë së profetit Musa (a.s.) kemi hasur në shumë ushtarë të Zotit, të cilët u vunë në shërbim të Musait (a.s.). Fillimisht, në shërbim dhe mbrojtje të Musait (a.s.) u vu lumi Nil, i cili e mbajti sëndukun ku ndodhej dhe e çoi tek gruaja e faraonit. Dashuria që pushtonte zemrën e kujtdo që e shihte Musain foshnje ishte ushtar i Zotit. “Unë kam hedhur në ty dashurinë Time”(Taha, 39).

Refuzimi i foshnjës për të pirë qumësht gjiri nga mëndeshat e ofruara ishte ushtar i Zotit. Vetë deti që u ça më dysh, me qëllim që të kalonte Musai (a.s.) me popullin e tij, ishte ushtar. Deti, jo vetëm që u nda më dysh, por të dyja anët dukeshin si dy faqe mali të ngurta. Në historinë e Musait (a.s.) ne i shohim të mishëruara dhe të personifikuara cilësitë e madhështisë dhe të fuqisë së Zotit.

Veç kësaj, në historinë e Musait (a.s.) ne shohim një përshkallëzim që ka njohur vetëm ngjitje në mbështetjen dhe sigurinë në ndihmën e Zotit. Herën e parë kur ai hodhi shkopin dhe u shndërrua në gjarpër, Musai (a.s.) edhe pse ishte duke biseduar me Zotin, ia mbathi nga frika e gjarprit. Herën e dytë, kur doli para magjistarëve, shkopinjtë e të cilëve u shndërruan në gjarpërinj, Musai (a.s.) nuk ia mbathi, por thjesht ndjeu pak frikë dhe pasiguri. Kurse herën e tretë kur u gjend mes detit dhe ushtarëve të faraonit, ai demonstroi maksimumin e sigurisë në ndihmën e Zotit.

Me bindjen dhe sigurinë më të madhe, ai i tha popullit të tij të frikësuar dhe të pashpresë: “Në të vërtetë, me mua është Zoti im.

Besimi dhe siguria në ndihmën dhe përkrahjen e Zotit nuk vjen njëherazi. Ajo vjen e forcohet duke ndjerë praninë e Zotit, duke e përjetuar Kuranin në jetën tonë të përditshme.

Musai (a.s.) bashkë me popullin e tij hynë mes dy maleve të ujit që ishte hapur dhe e përshkuan distancën gjersa arritën në bregun tjetër. Shpeshherë mendoj se çfarë mund të kenë thënë gjatë rrugës. Nuk mund të ketë fjalë tjetër veçse: “La ilahe il-lallah“. Ne jemi mësuar ta dëgjojmë këtë ndodhi sesi Zoti e çau detin më dysh që të kalonte Musai (a.s.) me popullin e tij dhe vazhdojmë me ngjarjet e tjera që pasuan. Ajo që kërkoj të bëjmë, është që ta përjetojmë këtë ndodhi, ta imagjinojmë veten sikur ndodhemi me popullin e Musait (a.s.) dhe të përjetojmë të njëjtat emocione. Unë kërkoj që ta imagjinojmë çastin kur u hap deti, uji u nda në dy pjesë, peshqit u ndanë disa në njërën anë, të tjerët në anën tjetër, rruga ku do të kalonin njerëzit u bë e përshtatshme për të ecur.

 

Mbytja e faraonit

Pas pak çastesh mbërrin faraoni me ushtrinë e tij dhe me sytë e tyre shohin mrekullinë e çarjes së detit. Si është e mundur që ai nuk besoi në ato çaste?! Çfarë priste më shumë ai njeri?! Si është e mundur që ushtarët e tij nuk besuan?! Si është e mundur të kenë pasur zemra kaq të ngurta?! Si është e mundur që nuk e ndjenë madhështinë e Zotit?! A thua edhe ti lexues i dashur do të vazhdosh me zemër të ngurtë edhe pasi ta lexosh këtë ndodhi?!

Më e keqja e faraonit është se ai as që nuk u frikësua të paktën. Kur pa detin të hapur në dy pjesë dhe hebrenjtë në mes duke kaluar, të paktën, ai duhej të ishte frikësuar nga ajo pamje. Ajo që e bëri faraonin as të mos besojë, as të mos frikësohet, por të vihet pas hebrenjve është një gënjeshtër e tij. Po, po, është një gënjeshtër. Gjatë gjithë kohës ai ishte mësuar ta quante Musain (a.s.) magjistar dhe mashtrues. Aq shumë e kishte akuzuar Musain (a.s.) për mashtrim dhe magji, saqë e kishte besuar dhe vetë. Edhe në ato çaste, ai u tha ushtarëve se ajo që shihnin ishte një magji dhe mashtrim i Musait. Ai shpifi kundër Musait (a.s.), e besoi vetë këtë shpifje dhe ndëshkimi i erdhi pikërisht prej saj.

Kur Musai (a.s.) me popullin e tij kaluan në bregun tjetër, faraoni me ushtrinë e tij nuk kishin hyrë akoma në det. Me të dalë njeriu i fundit, Musai (a.s.) e goditi sërish detin me bastun që të mbyllej siç ishte. Por Zoti i tha: “Lëreni pas detin e hapur, se ata, me siguri, do të fundosen si ushtri!” (Duhan, 24)

Musai (a.s.) kishte si objektiv vetëm të kalonte detin, por Zoti kishte vendosur që ta ndëshkonte një herë e mirë faraonin për gjithçka që ai kishte vepruar.

Me të hyrë faraoni bashkë me ushtrinë, dy malet e ujit filluan të bashkoheshin me njëri-tjetrin.“Por, kur po mbytej”.

Të gjitha mumiet e faraonëve të Egjiptit, i kanë duart e kryqëzuara mbi bark. Mumia e vetme që e ka dorën të ngritur, sikur kërkon të mbrohet nga diçka, është e faraonit Ramsis. Në kohën që dy malet prej uji filluan të bashkoheshin, ai ka ngritur dorën, sikur ka dashur të mbrohej dhe ajo i ka ngrirë në atë gjendje.

“Por, kur po mbytej, (Faraoni) tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë bijtë e Izraelit; dhe unë jam ndër myslimanët.” (Junus, 90)

Por një besim i tillë erdhi vetëm pasi konstatoi vdekjen e sigurt. Për këtë, Zoti i përgjigjet se ishte tepër vonë për të besuar.

“Vallë, tani (po beson), ndërkohë që më parë ishe i padëgjueshëm dhe ngatërrestar?!”(Junus, 91)

Të gjithë ata që janë marrë me mashtrime, kanë marrë ryshfete, janë ushqyer me haram, u kanë hyrë në hak të tjerëve etj… mos të presin dënimin e Zotit dhe ditën kur nuk ka më kthim. Porta e pendimit është e hapur deri ditën kur njeriu konstaton vdekjen dhe fillon të ndahet nga kjo botë. Pendohu tek Zoti i gjithëfuqishëm, o vëlla dhe oj motër! Hiqi qafe të gjitha pasuritë që i ke marrë në rrugë të pandershme, hiqi qafe të gjitha zullumet që ke bërë!

 

Mos u bëj shërbëtor i zullumqarëve

Bashkë me faraonin u mbytën edhe ushtarët e tij. Kjo, pasi ata që vihen në shërbim të zullumqarëve dhe të tiranëve, janë zullumqarë dhe tiranë. “Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i zullumqarëve!” (Kasas, 40)

Shumë njerëz, të cilët u shërbejnë diktatorëve dhe zullumqarëve, shpeshherë thonë: “Në fakt ne nuk kemi gjë në dorë, ne jemi hallexhinj, ne thjesht zbatojmë urdhrat etj.”. Në fakt, të gjithë ata që u shërbejnë zullumqarëve dhe keqbërësve, janë zullumqarë dhe keqbërës.

Haxhaxh ibnu Jusufi, një tiran dhe shpirtkatran, e kishte burgosur Seid ibnu Xhubejrin dhe e torturonte pa mëshirë. Xhelati që e torturonte, një ditë e pyet Seid ibnu Xhubejrin: “O imam! A mendon se unë i ndihmoj dhe u shërbej zullumqarëve?”.

Seid ibnu Xhubejri iu përgjigj: “Jo. Ti nuk je përkrahës dhe shërbëtor i zullumqarëve. Shërbëtor i zullumqarëve është ai që u lan rrobat, u gatuan etj…”

Xhelati e pyeti: “Po unë çfarë qenkam atëherë?!”

Seidi iu përgjigj: “Ti je zullumqar dhe keqbërës si ata.”

 

Triumf për ftesën

Zoti thotë në Kuran: “Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje.” Por, në të vërtetë, shumica e njerëzve nuk ua vënë veshin shenjave Tona.” (Junus, 92)

Pasi faraoni u mbyt dhe u nda nga kjo botë, Zoti e nxori kufomën e tij në breg me qëllim që të balsamosej dhe të ruhej. Po përse nuk duhej të fundosej në det dhe të mos dihej çfarë u bë me të?

Kjo, sepse shumë egjiptianë e besonin si zot dhe nëse nuk do ta shihnin të vdekur, do të vazhdonin ta besonin, duke menduar se është ngjitur në qiell në fronin e tij të përjetshëm. Duke e parë me barkun e fryrë nga uji dhe gojën plot kripë, ata do të siguroheshin se ai që e kishin besuar se ishte zot, nuk ishte tjetër veçse një njeri i pafuqishëm, i cili sapo kishte vdekur. Ai që guxoi të pretendojë se ishte zoti, u mbyt në det, u balsamos dhe sot vazhdon të dëshmojë pavërtetësinë e pretendimit të tij.

Dita që profeti Musai (a.s.) shpëtoi bashkë me popullin e tij, kurse faraoni u mbyt bashkë me ushtrinë, është ditë triumfi për ftesën dhe fenë. Kjo ditë, është ditë suksesi për profetin Musa (a.s.), i cili arriti ta realizonte obligimin e parë me të cilin e kishte ngarkuar Zoti, të nxirrte Benu Israilët nga Egjipti. Në këtë kohë, Musai (a.s.) ishte tek të pesëdhjetë e pestat dhe kishte përmbushur një nga misionet e tij. Vallë a do të kishte sukses profeti Musa (a.s.) në përmbushjen e misionit të dytë? Këtë pyetje e shtrojmë, pasi me të kaluar detin, çifutët panë një fis pagan që adhuronte një idhull. Menjëherë, ata e harruan mrekullinë, me të cilën i kishte shpëtuar Zoti dhe i thanë Musait (a.s.): “O Musa, na cakto dhe neve një idhull që ta adhurojmë.”

Musait (a.s.) i duhej të merrej me edukimin e brezit të ri, i cili do të përmbushte misionin, me të cilin e kishte ngarkuar Zoti.

 

Përse agjërojnë myslimanët ditën e Ashurasë

Kur u pyet profeti Muhamed (a.s.) mbi agjërimin e kësaj dite, u përgjigj: “Është dita kur Zoti ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij nga faraoni”.

Në këtë ditë manifestohet fuqishëm fuqia dhe pushteti i Zotit të lartësuar. Për këtë, myslimanët e përkujtojnë me agjërim dhe adhurim. Veç kësaj, ne si myslimanë, duke agjëruar këtë ditë të madhe, deklarojmë dashurinë tonë për profetin Musa (a.s.), i cili, pa dyshim, është më i afërt me ne sesa mund të jetë me çifutët.

Dr. Mourise Buckay, gjatë studimit të mumieve të Egjiptit, teksa po merrej me mumien e Ramsisit, zbuloi se ai kishte vdekur i mbytur dhe më pas ishte nxjerrë dhe ishte balsamosur. Atij i treguan mbi ajetin e Kuranit që thotë: “Sot do të shpëtojmë vetëm trupin tënd, që të bëhesh mësim për ata që vijnë pas teje,”(Junus, 92), dhe në vitin 1982 ai përqafoi Islamin.

 

Faraoni Ditën e Kiametit

Në suren Gafir, përmenden disa ajete lidhur me faraonin dhe Ditën e Kiametit. Vallë si do të ndihet ai atë Ditë, kur të kuptojë se me miliona e miliarda myslimanë kanë recituar ajete të Kuranit, ku ai përshkruhej si zullumqar dhe keqbërës?

“Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë. Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhini ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” Dhe, kur të grinden në Zjarr, të dobëtit – ushtarët dhe shërbëtorët e tyre - do t’u thonë eprorëve që madhështoheshin: “Ne ishim ithtarët tuaj, ndaj, a mund të shmangni prej nesh një pjesë të dënimit tonë?” Ata që madhështoheshin, do të thonë: “Të gjithë ne jemi në zjarr. Allahu tashmë i ka gjykuar robërit e Tij.” Dhe ata që gjenden në zjarr, do t’u thonë rojtarëve të Xhehenemit: “Lutjuni Zotit tuaj që të na e lehtësojë dënimin, qoftë vetëm një ditë!” Ata do të përgjigjen: “Vallë, a nuk ju kanë sjellë të dërguarit tuaj prova të qarta?”. Ata do të thonë: “Po, është vërtetë.” Do t’u thuhet: “Atëherë thërrisni për ndihmë!” Por thirrjet e tyre do të jenë të kota. Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Ditën kur do të sillen dëshmitarët. Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjë dobi shfajësimi i tyre. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i shëmtuar. Ne i kemi dhënë Musait udhëzimin Tonë dhe u kemi dhënë në trashëgim bijve të Izraelit Librin, si udhërrëfyes dhe këshillë për mendarët.” (Gafir, 45-54)

Këto ajete mbyllen me një ajet, i cili i drejtohet profetit Muhamed (a.s.), ku Zoti i thotë: “Andaj, bëhu i durueshëm ti (o Muhamed!), sepse, pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë. Lutju Zotit për faljen e gjynaheve të tua dhe lartësoje Zotin tënd me falënderim, në mbrëmje dhe mëngjes!” (Gafir, 55).  /KBI-Bujanoc/