Të Fundit
Ekzistenca jonë në këtë botë është shumë e shkurtër

Ekzistenca jonë në këtë botë është shumë e shkurtër

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të Cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Salavatet, selami dhe bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin (a.s.), për familjen e tij, për shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër besimtarë! Tema e hutbes së sotme është: “Ekzistenca jonë në këtë botë është shumë e shkurtër”

Jemi në fund të vitit 2020. Për njëqind vjet, përkatësisht, në vitin 2120, të gjithë ne që jemi aktualisht në këtë botë, së bashku me të afërmit dhe miqtë tanë, do të jemi nën dhé.

Në shtëpitë tona do të jetojnë njerëz plotësisht të huaj, pronat dhe pasuritë tona do të jenë në duart e njerëzve, të cilët nuk do të kujtojnë asgjë për neve. Pra, kush prej nesh e kujton stërgjyshin ose katërgjyshin e tij, dhe kujt i shkon mendja tek ai? Askujt!

Atëherë, pse kalojmë kaq shumë kohë, duke menduar se si po na shohin të tjerët dhe çka mendojnë ata për ne, si dhe për të ardhmen e pasurisë sonë, të banesave dhe ndërtesave të kësaj bote? E gjithë kjo do të bëhet e parëndësishme dhe e padobishme pas 100 vjetësh.

Ekzistenca jonë nuk është gjë tjetër, veçse një shkrepje e shkurtër në jetën e universit,
e cila do të kalojë dhe do të shuhet sa hap e mbyll sytë. Dhjetëra gjenerata do të vijnë pas nesh, dhe secila gjeneratë së shpejti do të përshëndetet me këtë botë, dhe flamurin do t’ia dorëzojë gjeneratës tjetër, para se ta realizojnë edhe çerekun e ëndrrave të tyre.

Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme të kuptojmë, se madhësia jonë reale dhe koha reale në këtë univers, janë shumë më të vogla se sa që ne e imagjinojmë. Sepse, kur të largohemi nga kjo botë dhe të banojmë në varre, do ta kuptojmë sesa e parëndësishme ishte kjo botë, dhe sa qesharake ishin ëndrrat tona – për të qenë të respektueshëm, të lavdishëm dhe të fuqishëm në këtë botë.

Dhe, do të dëshirojmë që tërë jetën tonë ta kishim kaluar në vepra të mira, posaçërisht në bamirësi ndaj prindërve, ndaj të afërmve dhe miqve, ndaj nevojtarëve dhe të varfërve, ndaj të dobëve dhe të sëmurëve.

Ah, sa prej nesh, kur të na arrijë vdekja, me hidhërim do të pendohemi dhe – siç na mëson Kurani – do të themi:“O Zoti im, më kthe(në këtë botë),që të bëj vepra të mira e takompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë të cilën ai kot e thotë, e ata para tyre do të kenë barrierë (distancë periodike) der në ditën kur do të ringjallen.”(El-Mu’minun, 99-100)

Dhe, gjithashtu, do të thotë:“O, i gjori unë, sikur të isha i përgatitur në jetën time!”(El-Fexhr, 24)

Megjithatë, për sa kohë që jemi ende gjallë, ne kemi mundësi të mendojmë dhe të ndryshojmë. Shejtani ka qenë mjaft i qartë dhe i sinqertë me ne që nga fillimi, dhe na ka thënë se do të na mashtrojë dhe do të na çojë në humbje në këtë botë, kurse në ahiretdo të na braktis.

Mirëpo, ne jemi të shurdhër, të verbër dhe memecë, ne nuk mendojmë. Sikur mëkatarët e mëdhenj të kishin menduar, nuk do të kishin bërë mëkate ndaj Allahut dhe nuk do ta kishin merituar ndëshkimin e dhimbshëm në ahiret. Këtë e vërteton Kurani me këtë ajet:

“Jobesimtarët, thonë: ‘Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të gjendeshim midis banorëve të xhehenemit!” (el-Mulk, 10)

E lusim Allahun e Plotfuqishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit, të na i falë mëkatet tona dhe të na mëshirojë në këtë botë dhe në botën tjetër.

O Zoti ynë, na ndihmo në rrugë të mbarë. Largoje të keqen nga ne, dhe bëje që veprat tona më të mira, të jenë veprat e fundit në këtë botë!

O Zot, ndihmoju të rrezikuarve që t’i realizojnë të drejtat e tyre!

O Zot, çliroje umetin nga pandemia, nga okupatori dhe nga sundimtarët e dhunshëm!

O Zot, mos na sprovo neve me atë që nuk mund ta përballojmë!

O Zot, mos lejo asnjëherë që të na poshtërojnë ose mposhtin pabesimtarët.

O Zot, bëje që dita jonë më e lumtur të jetë dita e takimit me Ty! Dhe, me mëshirën Tënde na vendos në xhenetin e përjetshëm! Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

(Islampress)