Të Fundit
Ç’ËSHTË “DITA E ASHURES” DHE KUR DUHET AGJËRUAR ?

Ç’ËSHTË “DITA E ASHURES” DHE KUR DUHET AGJËRUAR ?

Fjala “ashura” vjen nga gjuha arabe dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në arabisht do të thotë dhjetë. Dita e Ashures është dita e dhjetë e muajit Muharem.

Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abasit kur pejgamberi Muhamed a.s. erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun.

Ata iu përgjigjën : “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt agjërojmë”.

I Dërguari Allahut (salallahu aleihi we selem) u shpreh : “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (salallahu aleihi we selem)”. Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures. (Muslim, Sijam, 128).

Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, i Dërguari i Allahut Muhammedi (salallahu aleihi we selem) solli një liri për këtë temë duke thënë: “Pa dyshim që dita e ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush të dojë agjëron dhe kush te dojë, jo.” (Buhari, Sami, 57 ; Muslim, Sijam 117).

Agjërimi në ditën e ashures është sunnet (vullnetar). Veçse pejgamberi ynë i nderuar (salallahu aleihi we selem), për të mos u ngjarë hebrenjve, na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë apo e njëmbëdhjetë, ose të agjërohen tri ditë të njëpasnjëshme.

09 Muharrem – E Enjte, 27 Korrik (Syfyri 03:12 – Iftari 20:21)

10 Muharrem (DITA E ASHURASË) – E Xhuma, 28 Korrik (Syfyri 03:14 – Iftari 20:20)

11 Muharrem – E Shtune, 29 Korrik (Syfyri 03:16 – Iftari 20:19)

 

I Dërguari i Allahut (salallahu aleihi we selem) në një thënie të tij thotë : “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë përpara dhe ditën pasuese nga dita e ashures.”(Buhari, Saum69)

Ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ka thënë : “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë të ashures.”(Muslimi ; Ebu Davudi).
Ndërsa Ebu Katade transmeton se sahabët e kanë pyetur Pejgamberin (salallahu aleihi we selem) për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai u ka thënë : “Agjërimi ditës së Ashures i shlyen gjynahet e vitit të kaluar.” (Muslim, Sijam, 196).

 

Shkaku i agjërimit të ditës së ashures

Është falënderim për Zotin e Madhëruar që e shpëtoi Musain (alejhi selam) dhe popullin e tij nga faraoni dhe ithtarët e tij, e kjo ka ndodhur në ditën e dhjetë të muajit muharrem.

Dobitë e agjërimit të kësaj dite

1. Agjërimi i ditës së ashures është synet dhe i preferuar, me që është praktikuar, gjithashtu, nga Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

2. Këtë ditë e kanë agjëruar  edhe shokët e Pejgamberit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!) si dhe Musai (alejhi selam) para tyre, ne shenjë falënderimi, ndaj madhërisë së Zotit.

3. Edhe  historikisht kjo ditë ka vlerë  madhështore.

4. Preferohet agjërimi i  një dite para ose pas saj; d.m.th.: (9-10 ose 10-11 muharrem) për t’u dalluar nga hebrenjtë, sepse këtë  e ka urdhëruar Pejgamberi (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

5. Kjo është çka u përmend në sunet, sa i përket kësaj dite, e çdo gjë tjetër që bëhet në të, është risi (bidat) dhe në kundërshtim me udhëzimin e Muhamedit (paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të!).

Kjo është prej mirësisë së Allahut të lartësuar ndaj nesh, sepse na e mundësoi që nëpërmjet agjërimit të një dite, të na falen mëkatet e një viti të plotë; e Allahu është pronar i mirësisë së madhe. Kështu që shpejto, dhe shfrytëzoje këtë mirësi! Filloje vitin tënd të ri me adhurim  dhe punë të mbara, sepse punët e mira i shlyejnë ato të ligat (të këqijat).