Të Fundit
Një hutbe kushtuar festave të fundvitit

Një hutbe kushtuar festave të fundvitit

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Të nderuar vëllezër besimtarë,

Në hutben e sotme do të flasim për Festat

Allahu i Plotfuqishëm në Kuran thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote, por veprat e mira, që mbetën përherë, janë më mirë të shpërblyera te Zoti dhe janë shpresë më e mirë.” (el-Kehf 46)

Kurse në ajetin tjetër thotë: “Dinie se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, dhe se vetëm te Allahu është shpërblimi i madh.” (el-Enfal 28)

Pasuria jonë dhe familja jonë për neve janë dhurata shumë të vlefshme nga Allahu i Plotfuqishëm. Si edhe për të gjitha begatitë dhe dhuratat tjera që na i ka dhuruar Allahu i Plotfuqishëm, ne do të pyetemi edhe për pasurinë dhe familjen, dhe për to do të japim llogari para Allahut, siç thuhet në hadithin që e transmeton Abdullah ibn Omeri (r.a.), në të cilin thotë:

“E kam dëgjuar Pejgamberin (savs) duke thënë:  ‘Ju të gjithë jeni barinj, dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj; sunduesi është bari dhe është përgjegjës për tufën e tij; grua është bareshë në shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe është përgjegjëse për tufën e saj; shërbëtori është bari në pronën e zotërisë së tij dhe ai është përgjegjës për tufën e tij. (Mendoj se ai tha edhe): Burri është bari në pronën e babait të tij dhe është përgjegjës për tufën e tij. Ju të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për tufën tuaj.’” (Buhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu)

Në ajetin e cituar Allahu i Plotfuqishëm na tregon qartë: pasuritë tuaja dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë e juaj. Ne ua dhamë ato juve për t’ju parë se si do të silleni me ato që ju kemi dhënë,  pasurinë tuaj a do ta shpenzoni në hallall apo në haram, a do ta shpenzoni me masë apo do ta shkapërderdhni, a do ta grumbulloni dhe do ta ruani për veten tuaj, apo do të jepni zekat, sadakë dhe do t’i ndihmoni të tjerët. Por edhe fëmijët tuaj janë sprovë, thotë Allahu i Lartësuar. Kur ua ka dhënë Ai, me të ju ka vënë në provim dhe sprovë – për të parë se a do të jeni falënderues ndaj Tij, dhe a do të silleni me ta ashtu siç kërkon Ai, apo për shkak të tyre, do t’ia ktheni shpinën Allahut të Mëshirshëm.

Në mënyrë të ngjashme, i Plotfuqishmi thotë: “O besimtarë, mos t’ju habisin pasuria juaj dhe fëmijët tuaj nga të përmendurit Allahun. E ata që bëjnë këtë, do të humbin.” (el-Munafikun, 9)

Vëllezër besimtarë,

Është koha kur në vendin tonë dhe në mbarë botën kanë filluar festa të llojllojshme, të cilat jo vetëm që nuk janë islame, por as të krishterët dhe çifutët të cilët e mbajnë besimin e tyre nuk i shënojnë dhe nuk u japin rëndësi të veçantë. Megjithatë, është e pikëllueshme sa shumë muslimanë i festojnë këto festa dhe shpenzojnë para për to. Është e pikëllueshme sa shumë muslimanë vetëm për shkak të një qejfi dhe argëtimi të fëmijës kryejnë mëkate, të cilat në thelb janë shirk – dhe ne të gjithë e dimë se shirku është mëkati i cili të nxjerr nga feja.

Të dashur vëllezër,

Le ta pyesim vetveten: A ia vlen që për një argëtim të vogël të fëmijës ta sjellim fenë tonë në pikëpyetje, që për një grusht karamele ose një dhuratë të pavlerë për Halloween ta nxisim zemërimin e Allahut!?

Ne do t’i dëgjojmë njerëzit tonë duke thënë: Është fëmijë, lëre le të argëtohet, sepse edhe fëmijët e tjerë e bëjnë këtë, dhe justifikime të tjera të ngjashme. Fëmija një vjeçar nuk e di si quhet, kurse nëna dhe babai i vendosin maskë për Halloween, ia dekorojnë bredhin për vitin e ri, e fotografojnë me Babadimrin (Shën Nikollën), dhe kështu me radhë. Madje, edhe nëse e din, a duhet të lejojmë që për këtë arsye, ne që jemi dhe që do të jemi përgjegjës për ta, t’i bartim pasojat – sepse do të dalim para Allahut të Plotfuqishëm dhe do të përgjigjemi: pse i kemi lejuar dhe pse nuk kemi reaguar?

Ne, gjithashtu, do të dëgjojmë edhe ata që shkojnë edhe një hap më tutje, në deklarimet e tyre dhe thonë: Ne po jetojmë bashkë me të krishterët, këto janë festat e tyre, ne duhet t’i respektojmë ato. Vëllezër, Islami na urdhëron që t’i respektojmë të gjithë dhe të drejtat e të gjithëve, por nuk na urdhëron dhe nuk na nxit, që nëse dikend dhe festen e tij e respektojmë, që edhe ta festojmë atë festë dhe t’i japim rëndësi.

Buhariu dhe Muslimi e shënojnë hadithin në të cilin thuhet se në një rast, pranë Pejgamberit (savs), kaloi një xhenaze dhe ai u ngrit nga respekti për xhenazen. Sahabët u befasuan dhe e informuan Pejgamberin (savs), se xhenazja ishte e një hebreu, meqë rast ai tha: “A nuk është shpirti i hebreut shpirt njeriu?!” Pejgamberi (savs), u ngrit në këmbë në shenjë respekti, dhe në këtë mënyrë i shprehu respekt dhe aty u ndal, nuk e ndoqi më tutje funeralin, nuk u lut me ta për të vdekurin, as nuk i festoi festat e tyre.

Një nga parashenjat e Kiametit, siç thotë Pejgamberi ynë (savs), është edhe ajo kur nëna e lind zotërinë e saj, domethënë, kur prindërit e lindin zotërinë e tyre. Pastaj, i robërohen fëmijës duke ia plotësuar të gjitha dëshirat dhe kërkesat e tij, duke e shpërfillur përmbushjen e obligimeve ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Njeriu gjithë ditën punon, angazhohet, nuk ka kohë për të ngrënë e lëre më për tu falë, duke u përpjekur të sigurojë çdo gjë që fëmija ia dëshiron dhe pastaj, ai i njëjti fëmijë, për shkak të cilit e ka neglizhuar ahiretin e tij, e shtyn që t’ia dekorojë bredhin për vitin e ri, që t’ia paguajë pakon, të cilën në shkollë do t’ia japë Shën Nikolla (dhe atëherë fëmija e don ma tepër Babadimrin sesa prindin, sepse prej Babadimrit, megjithatë po merr diçka), gjithashtu, e shtyn t’i blejë kostum për Halloween, që t’i organizojë parti për ditëlindje dhe kështu me radhë. Sikur të mos ishte e mjaftueshme që për shkak të kësaj, për t’ia siguruar gjithçka që kishte nevojë, sot i humbi të gjitha pesë vaktet, kurse të premten edhe xhumanë. Vëllezër, nuk guxojmë të lejojmë që të bëhemi robër të fëmijëve tanë.

Ne shpesh dëgjojmë në bisedë se për shkak të punës dhe detyrimeve, nuk po ka kohë për të shkuar në xhami. Njeriu i arsyeshëm e kupton se njeriu duhet edhe të punojë, por që ta braktisë krejt jetën e tij, edhe të kësaj bote edhe të ahiretit, sepse po duhet ta plotësoj qejfin e secilit, kjo nuk është punë me vlerë. Blej fëmijës smartphone, blej laptop (sepse gjoja ka nevojë për shkollë), pastaj jepi para për patentë shoferi, pastaj kur ia ke mundësuar patentën, atëherë blejë edhe automobil, që si të gjithë fëmijët normalë, të ketë me çka të shkojë në shkollë, pastaj blejë rrobat dhe këpucët me firmë, që të mos ndahet nga fëmijët e tjerë… Dhe krejt jetën tonë e vendosim në të, duke mos menduar për rolin tonë real në këtë botë. Dhe pastaj në fund të ditës, për shkak edhe të një qejfi shtesë të fëmijës, imitoji të pafetë duke i festuar festat e tyre, sepse gjoja të gjithë po bëkan këtë.

Ebu Hurejre (r.a.), transmeton se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Do të vijë një kohë kur besimtari nuk do të jetë në gjendje ta ruaj besimin e tij, përveç atij i cili me besimin e tij do të shkojë nga kodra në kodër, nga maja në majë, nga shkëmbi në shkëmb. Kur të vijë ajo kohë, nuk do të fitohet për jetë, përveçse me zemërimin e Allahut të Plotfuqishëm (me fitim haram). Kur të vijë ajo kohë, njeriu do të shkatërrohet për shkak të gruas së tij dhe fëmijëve të tij, nëse nuk do të ketë grua dhe fëmijë, atëherë do të shkatërrohet për shkak të prindërve të tij, nëse nuk do të ketë prindër, atëherë do të shkatërrohet për shkak të farefisit dhe fqinjëve të tij! Ata e pyetën: – Pse kjo do të jetë kështu, o i Dërguari i Allahut? Ai tha: Do ta turpërojnë për shkak të furnizimit të vogël (varfërisë), kështu që njeriu për shkak të kësaj do të ekspozohet ndaj asaj që do ta shkatërrojë!” (Kitabul-zuhd el-kebir, Bejheki, nr.446)

Vëllezër të dashur,

Ne jemi dëshmitarë për situatat ku njerëzit për shkak të gjendjes së dobët financiare, ose për shkak se nuk mund t’i përmbushin dëshirat e më të afërmve të tyre, ekspozohen ndaj problemeve të ndryshme, grindjeve në familje, sa që në disa raste vjen edhe deri te divorci. Kështu, njeriu për t’i përmbushur kërkesat e tyre, merr rrugën e fitimit haram për t’ua siguruar atë, merr rrugën e haramit ku mbetet pa fe. I tilli, atëherë nuk ka kohë për veten e tij e lëre më për namaz, zhytet gjithnjë e më shumë në mëkat, endet pa ndonjë qëllim duke e humbur edhe atë që i ka mbetur nga feja.

Gratë e sahabëve të ndershëm, kur ata dilnin nga shtëpia për të fituar diçka, u thoshin: “Na sillni furnizim hallall, sepse ne mund ta durojmë urinë, por nuk mund ta përballojë zjarrin e xhehenemit.”

Prandaj Allahu i Plotfuqishëm, në ajetin e sipërtheksuar, na porosit: “Dinie se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë.” Andaj, le të mos biem në këtë konfuzion, le të mos lejojmë që pasioni i dikujt, kënaqësia e dikujt të jetë përpara robërimit ndaj Allahut të Plotfuqishëm, edhe nëse ata janë fëmijët tanë. Dihet se çka ju takon fëmijëve dhe aty duhet të vendoset kufiri. Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë me kohë se çka mundet dhe çka nuk mundet, dhe nuk duhet të bëjmë kompromis. Sepse nëse i mësojmë kështu, pastaj do të jetë e vështirë që t’i largojmë prej saj.

Pejgamberi (savs) na thotë: “Kush e imiton një popull, ai atij edhe i takon”, andaj, duhet të kemi kujdes se kujt do t’i takojmë. Duhet ta mbajmë në mend hadithin e famshëm të Muhamedit (savs), ku thotë: “Çdo fëmijë lind në fitre (në fenë e pastër), por pastaj prindërit e tij e bëjnë hebre, të krishterë ose zjarrputist.” (Muttefekun alejhi)

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na japë fuqinë për të ruajtur fenë tonë dhe të fëmijëve tanë në këtë kohë të sprovave dhe fatkeqësive. Që të na ndihmojë që fëmijët tanë t’i qesim në selamet. Që të na i falë mëkatet dhe të na i mbulojë turpet, dhe që me mëshirën e Tij të na çojë në xhenet. Amin.

/imam.ba/

Përshtati: Miftar Ajdini