Të Fundit
Le të fuqizohemi shpirtërisht në natën e Miraxhit

Le të fuqizohemi shpirtërisht në natën e Miraxhit

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme, me lejen dhe ndihmën e Allahut, do të flasim në temën: Le të fuqizohemi shpirtërisht në natën e miraxhit!

Ditët dhe netët e bekuara janë periudha të veçanta kohore, në të cilat është e shprehur mëshira dhe falja e Allahut të Plotfuqishëm. Ato janë mundësi për besimtarët që të fuqizohen shpirtërisht dhe tafitojnë mëshirën dhe begatinë e Allahut të Plotfuqishëm.

Nata e Miraxhit – nata e 27 e muajit rexheb. Ajo është njëra nga netët e bekuara në kalendarin hixhri.

Viti i dhjetë i misionit të Muhamedit (savs), është quajturViti i pikëllimit, sepse atë vitkanë kaluar në botën tjetër,gruaja e Pejgamberit (savs), hazreti Hatixhja dhe xhaxhai i tij Ebu Talibi, të cilët ishin dy mbështetësit kryesorë të tij në këtë botë. Muhamedi (savs), atë vit udhëtoi për në Taif, një qytet 50 kilometra larg Mekës, për t’i thirrë banorët e tij në Islam.Ai banorëve të Taifit iu drejtua me fjalë të zgjedhura, duke pritur që ata t’i përgjigjen dhe ta pranojnë Islamin. Mirëpo, në vend të përgjigjes së pritur, ata Pejgamberit (savs),i drejtuan sulme verbale dhe fizike. Sprovat në rrugën e thirrjes së arabëve në fenë e Allahut nuk e dëshpëruan Pejgamberin (savs), përkundrazi ato e inkurajuan që të bëjë përpjekje shtesë dhe përkushtim ndaj misionit pejgamberik.

Pas vështirësive dhe sprovave që hasi, dy ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme e forcuan dhe inkurajuan Pejgamberin (savs), për misionin dhe thirrjen e tij të mëtejshme –ato janë Israja dhe Miraxhi. Surja e Kuranit el-Isra fillon me fjalët:“Qoftë lavdëruar Ai,që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (Meka) gjer në Mesxhidi Aksa (Jerusalem), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (el-Isra, 1)

Israja – është udhëtimi i natës i Pejgamberit (savs), nga Meka në Jerusalem, ku ai e drejtoi namazin para pejgamberëve.Mirazhi– është ngjitja e Pejgamberit (alejhis-selam), përmes sferave qiellore deri në Sidretul-muntehā, ku ai bisedoi me Allahun e Plotfuqishëm.

Ibën Mesudi (r.a.), ka thënë: “Pejgamberit (savs), në Miraxh i janë dhënë tri dhurata: (1) Pesë kohë të namazit, (2) ajetet e fundit të sures el-Bekare, dhe (3) i është dhënë premtimi se do t’u falen mëkatet e mëdha pjesëtarëve të ummetit të tij, të cilët nuk i kanë bërë shirk Allahut.”(Muslimi)

Personi i parë që e konfirmoi të vërtetën e këtij udhëtimi dhe e mori titullin es-Siddik – I sinqerti, ishte hz. Ebu Bekri (r.a.). Kur e pyetën: A ke dëgjuar se çka po flet shoku yt?Ai i pyeti: Çka po flet ai?Ata i thanë: Ai po pretendon se ka udhëtuar gjatë natës deri në Jerusalem, kurse më pas është ngjit edhe në qiej.Ai u tha atyre: Nëse ai ka thënë kështu, atëherë është e vërtetë.(Ibn Hishami)

DHURATAT E MIRAXHIT

1. Pesë namazet ditore

Në Miraxh për umetin e Muhamedit (savs), u urdhërua namazi, i cili është mënyra më sublime e shprehjes së mirënjohjes dhe bindjes ndaj Allahut të Plotfuqishëm.Fillimisht Pejgamberit (savs), iu urdhëruan 50 namaze ditore, por me këshillën e Musait (a.s.), kërkoi lehtësim, derisa numri i namazeve të urdhëruara u reduktua në 5 namaze ditore.Atëherë i dëgjoi fjalët: “E kam përcaktuar farzin Tim, ua kam lehtësuar robërve të Mi, dhe një vepër të mirë e shpërblej dhjetëfish. Këto janë 5 namaze, por sikur të ishin50, tek Unë fjala nuk ndryshon.”(Buhariu dhe Muslimi)

Pejgamberi (savs), ka thënë se namazi është miraxhi i besimtarit, ngjitja e tij shpirtërore në nivelet më të larta të pastërtisë dhe njohjes shpirtërore.

“Lexo Librin (Kuranin) që të është shpallur ty dhe kryeje namazin! Namazi, me të vërtetë, të largon (pengon) nga korrupcioni dhe nga çdo vepër e shëmtuar. E, të përmendurit e Allahut është më e madhja (lutje)! – E, Allahu di çka punoni ju.” (El-Ankebut, 45)

2. Ajetet e fundit të sures el-Bekare

Tre ajetet e fundit të sures el-Bekare janë një dritë,e cila nuk i është dhënë asnjë pejgamberi para Muhamedit (savs). Në ajetin e fundit të sures el-Bekare përmendet mëshira e pakufishme e Allahut ndaj umetit të Muhamedit (savs).

Allahu i Plotfuqishëm thotë:“Allahu nuk ngarkon askë përtej mundësive të veta, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata para nesh! Dhe Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën nuk kemi fuqi! Dhe na i mbulo të këqiat, na fal dhe na mëshiro. Ti je Mbrojtësi ynë, pra na ndihmo kundër popullit pabesimtar!” (El-Bekare, 286)

Besimtarët duke i lexuar këto ajete, i ndriçojnë shpirtrat e tyre dhe vendet ku banojnë me një dritë të veçantë, dhe në këtë mënyrë ata e arrijnë mbrojtjen nga çdo e keqe.

3. Falja e mëkateve

Përveç faljes së Allahut të Plotfuqishëm, mëshira e Tij theksohet edhe në mundësinë e shafaatit të Pejgamberit (savs), për umetin e tij.Pejgamberi (savs), ka thënë:“Çdo pejgamber kishte një lutje që pranohej prej tij, kështu që, secili prej tyre nxitoi ta përdorte atë lutje, kurse unë e ruajta lutjen time për t’i bërë shefaat umetit tim në botën tjetër.”(Buhariu, Muslimi)Besimtarët shpresojnë se do të gëzohen meshafaatine Pejgamberit në Ditën e Gjykimit.

Natën e Miraxhit është mirë ta kalojmë në dhikër, duke thënë me gjuhë dhe zemër fjalë lavdëruese dhe falënderuese për Allahun e Plotfuqishëm. (Subhanallah, Elhamdulil-lah, La ilahe il-lallah, Allahu ekber). Sepse dhikri sjell qetësi në zemrat e njerëzve dhe i forcon atopër të bërë vepra të mira.

Lehtësimi pas vështirësisë

Njëri nga mesazhet e Miraxhit është se sprovat, vështirësitë dhe fatkeqësitë në jetën e njeriut kanë kuptim, kanë fillim dhe kanë fund. Kuptimi i sprovave është që njeriun ta forcojnë, fuqizojnë dhe ta bëjnë më të mirë. Miraxhi e ka forcuar dhe fuqizuar Pejgamberin (savs),në misionin e tij. Kurse miraxhi ynë (namazi) do të na forcojë, fuqizojë dhe inkurajojëneve derisa të ecim me përulësi në rrugën e veprave të mira.

Muhamedi (savs), ka thënë: “Zoti juaj është fisnik dhe turpërohet që t’ia kthejë duart bosh robit të Tij, kur ai i lutet në lutje. (Ebu Davudi)

Atëherë, edhe ne t’i lutemi Allahut të Plotfuqishëm që në zemrat tona të mbjell iman të fortë! Që kujtimi për Miraxhin të jetë shkas i vendimit tonë, që t’u përmbahemi më mirë dispozitave islame dhe të përgatitemi për Ditën e llogaridhënies.

– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

– O Zot, na bëj prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

– O Zot, na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, kurse fëmijët tonë bëri prijës të umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
– O Zot, na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini