Të Fundit
Kur është Nata e Kadrit, o Fudajl ibn Ijad?

Kur është Nata e Kadrit, o Fudajl ibn Ijad?

Fudajl bin Ijadi është lindur në vitin 725 në Horasan, me origjinë arabe. Fillimisht ka qenë udhëheqësi i një bande kusarësh, që i kanë plaçkitur njerëzit rrugës, mirëpo më vonë do t’i ndodhë ngjarja e mëposhtme dhe të bëjë një kthesë të madhe në jetën e tij. Do t’i përkushtohet fesë, asketizmit dhe do të kalojë në qytetin Kufe, ku ka marrë mësime edhe nga i madhi Ebu Hanife, Sufjan eth-Theuriu dhe nga A’meshi. Bëhet një dijetar dhe mistik i njohur historikisht. Më në fund do të ndërrojë jetë në Mekke në vitin 803.)

Në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, disa njerëz ishin mbledhur në xhami (me siguri në Kufe) dhe e pyetën Fudajl bin Ijadin, se kur është Nata e Kadrit?

Ai u përgjigj: Nuk e di kur është për ju Nata e Kadrit, por për mua personalisht e di shumë mirë kur ka qenë.

E pyetën: Kur paska qenë për ty Nata e Kadrit?

Ai u përgjigj: Unë kam qenë një kusar, hajdut e bandit me një ekip të tmerrshëm, saqë kam guxuar t’i pres edhe udhët shtetërore të karavaneve dhe t’i plaçkis tregtarët…

Një ditë e pash një grua të bukur, e ndoqa nga pas për ta mësuar shtëpinë e saj, dhe në mbrëmje, kur rra terri, u nisa të shkoja tek ajo dhe isha i gatshëm që edhe ta përdhunoja, në qoftë se do ta lypte nevoja… Arrita te shtëpia e saj… Nisa t’i ngjitem murit për te dritarja e dhomës së saj…

(Kur e tregoj këtë ngjarje, në këtë kohë unë nuk isha një jobesimtar. Jo, unë isha një besimtar musliman, por isha një musliman në zemrën e të cilin Kur’ani nuk kishte gjetur vend dhe Kur’ani nuk ishte udhëzuesi im, determinuesi i jetës sime)…

Duke u ngjitur për te dritarja e kësaj gruaje, në një shtëpi ngjitas me të sajën dhe me dritaren hapur, një njeri me zë të lartë e me përkushtim të thellë lexonte Kur’an. Në ato momente ai e lexonte ajetin: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të All-llahut dhe para së Vërtetës (Kur’anit) që Ai e ka shpallur…?!” (el-Hadid, 57:16)

Sapo e dëgjova këtë ajet kur’anor, më lëshuan duart, u këputa, nuk mund të qëndroja më dhe rrash poshtë përtoke… Zemra më dridhej furishëm… Aty për aty thash me vete: “Gjithsesi, o All-llah! Ka ardhur koha… I kam mbushur pesëdhjetë vjet, por nuk paskam qenë askund. Ja, tani ky qenka momenti, tani erdhi koha ime…” I kërkova falje Zotit thellë nga zemra…

Ashtu i tronditur dhe i dërmuar shpirtërisht, kërkoja një vend ku të strehohesha e të mos më shihte njeri… Ditëve në vijim nuk dilja në rrugë, sepse nuk doja të takoja njeri… E dija se të gjithë i dinin turpet dhe prapësitë e mia… Në një mbrëmje u strehova te një shtëpi e pabanuar, e lënë shkretë. Kur, aty pashë një grup tregtarësh të huaj që ishin strehuar dhe rrinin heshtur nën hijen e hënës… Dikur aty kah mesnata, njëri prej tyre u thotë të tjerëve: “A nisemi sa është akoma terr?” Një tjerër i tha: “A mos je çmendur ti? A nuk e di ti se ne tani gjendemi në territorin e një kusari të tmerrshëm, në territorin e Fudajlit? Ai vetëm duke nuhatur me hundë, na gjen se ku jemi… T’i lutemi Zotit të mos na gjejë, se mjerë për ne pastaj. Le të presim të dalë drita e pastaj nisemi, sepse ai nuk plaçkit ditën”. Kur i dëgjova këto fjalë për mua, u trondita aq shumë saqë më kishte rënë të fikët… Kur u zgjova, thashë: “O All-llah, unë ika nga e keqja e nefsit tim dhe doja të fshihesha këtu, të strehohesha te mëshira Jote, ndërsa këtu takova njerëz që fshiheshin prej meje, prej sherit tim, në terrin e natës Tënde, në mëshirën Tënde; sa njeri i keq që qenkam unë! O All-llah, më fal! O All-llah, më fal! O All-llah, më fal e më drejto!”

Në këto momente Fudajli u drejtohet atyre që në xhami e pyetën se kur është Nata e Kadrit duke u thënë: “Vëllezër të nderuar, ja kjo ishte Nata ime e Kadrit! Nata kur Kur’ani zbriti dhe zuri vend në zemrën time, në shpirtin tim! Nata kur Kur’ani u bë pishtari i jetës sime!”

Burimet:

Türkiye Diyanet Vakfı, İslam Ansiklopedisi, Stamboll 1996, vëll. 13. f. 208-209.
El-Kushejri, er-Risaleh, Kajro 1989, f. 47.

Rejhan Neziri
Kreuzlingen, 27 prill 2022