Të Fundit
Islami është mirësjellje për të tjerët

Islami është mirësjellje për të tjerët

Jeta e njeriut në këtë botë kalimtare në vazhdimësi përfshinë dy lloje sjelljesh: para së gjithash, sjelljen e tij ndaj Allahut të madhërishëm, Krijuesit të botëve, dhe sjelljen ndaj krijesave të Tij: njerëzve, xhinëve, kafshëve, bimëve, objekteve etj.

Në bazë të këtyre dy sjelljeve, do të jetë shpërblimi apo ndëshkimi i njeriut në këtë dhe në botën tjetër. Nëse ai është i drejtë me Krijuesin e tij, Allahun e madhërishëm: nëse e adhuron dhe e madhëron Atë, e falënderon për mirësitë e dhuruara dhe u bindet urdhrave të Tij, u shmanget ndalesave; nëse ai i trajton mirë krijesat e Tij siç e ka urdhëruar Allahu, përpiqet të jetë mik i sinqertë i tyre, bamirës dhe i dobishëm në shoqërinë e tij, i drejtë, i butë dhe i dhembshur ndaj krijesave, dhe nëse bën durim gjatë ndonjë shqetësimi nga ata dhe nuk i dëmton; të tillët do të kenë sukses dhe jetë të lumtur në të dy botët! Ai do të gëzojë grada ta lartë tek Allahu i Madhërishëm dhe sigurisht që do të ketë vend të shkëlqyeshëm dhe të respektueshëm me njerëzit dhe të gjithë do ta duan.

Në shumë ajete kur’anore, Allahu i madhëruar e bashkoi të drejtën e krijesave me të drejtën Krijuesin e tij, dhe gjithashtu një lidhje e pashmangshme e tillë shihet edhe në shumë hadithe të të Dërguarit të Allahut, salallahu alejhi ue selem!

Përkthimi i ajetit të 36 në suren En-Nisa thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj…”

Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na porosit që sinqerisht vetëm Atij t’i bëjmë ibadet, ndërsa bamirësi të tregojmë ndaj të gjitha krijesave të Allahut, siç janë prindërit, familja, fqinjët, miqtë, dhe anëtarët e shoqërisë të cilët janë sprovuar me mospasje apo nevojat elementare të jetës!

Ky ajet kur’anor erdhi në kuptim të përgjithshëm, dhe i përfshinë të gjithë kategoritë, pa marr parasysh nëse janë muslimanë apo jobesimtarë, qofshin robë të mirë të Allahut apo mëkatarë, qofshin të afërm apo të largët! Me të gjithë duhet të sillemi me drejtësi dhe të jemi bamirës, edhe pse duhet dhënë përparësi besimtarëve para të tjerëve, apo familjes para kundrejt të tjerëve!

Qëndrimin Islam e mësojmë nga fjalët e të Madhërishmit, i cili në përkthim është: “Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën miq ata, është punëmbrapshtë.” [El-Mumtehineh, 8,9]

Me siguri shumë lexues do të vërejnë se pas fjalëve nga vargu “të bësh mirë”, nuk është theksuar për çfarë mirësi bëhet fjalë. Dijetarët kanë thënë se kjo është për shkak se ata do të përfshinin në kuptim të përgjithshëm të gjitha llojet e bamirësisë, si me fjalë ashtu edhe me vepra.

Shejh Es-Sa’di, Allahu e mëshiroftë ka thënë: ”Meqenëse njeriu nuk do të jetë në gjendje t’i kënaqë njerëzit me pasuri, ai urdhërohet ta bëjë me atë që është në gjendje! U urdhërua për bamirësi mbi të gjitha krijesat! Si pjesë e kësaj, nënkuptohet ndalimi i të folurit të shëmtuar, madje edhe ndaj jobesimtarëve. Kjo është arsyeja pse Allahu i Madhërishëm tha: “Diskutoni me ithtarët e Librit vetëm me mënyrën më të mirë!…” (pjesë e kuptimit të ajetit 46 të sures El-Ankebut) Ndër cilësitë morale të njeriut, me të cilat i inkurajoi robërit e vet, Allahu i Madhëruar janë të jetë i sinqertë dhe i virtytshëm në lidhje me fjalët dhe veprën e tij, të mos bëjë keq, të mos shajë dhe të mos jetë i pasjellshëm, të mos grindet, por të jetë me ahlak të bukur me butësi të madhe, të jetë i sjellshëm me të gjithë, të jetë i durueshëm në gjithçka që i ndodh nga krijesat, e gjithë kjo e duke ndjekur urdhrin e Allahut dhe duke shpresuar në shpërblimin e Tij! “(Tefsir es-Sa’di, f. 39)

Imam el-Kurtubi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Gjithë ajo që u përmend shpie në moral të bukur. Ndaj çdo njeri duhet të jetë i butë me fjalët e tij, fytyra e tij të jetë e ndriçuar dhe e buzëqeshur, ndaj bamirësve dhe ndaj mëkatarëve, ndaj praktikuesve të sunnetit dhe ndaj novatorit! Duhet t’i bëjë të gjitha sa më sipër pa dashur të përgëzojë askënd ose të thotë fjalë në mënyrë që të kënaqë mendimin e dikujt. Ngase Allahu i Madhërishëm u tha Musait dhe Harunit: “Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet…” (përkthimi i ajetit 44 të sures Ta-ha), sepse me këdo që flasim nuk është më i keq, më mëkatar se sa Faraoni, ndërsa ne e shohim urdhrin e Tij që të jenë të butë.”

Talha ibn ‘Umer, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “I kam thënë Attaut:

“Ti je njeri rreth të cilit mblidhen njerëz të të gjitha fraksioneve, ndërsa unë jam njeri me gjuhë të ashpër dhe do t’u thoja fjalë të rënda. Ai më tha: Mos vepro kështu! Allahu i Madhëruar thotë: “Flitini atij fjalë të buta…” Ky ajet i përfshinë si hebrenjtë ashtu edhe të krishterët, kështu që çfarë mendoni për atë që është pasues i fesë së vërtetë!”(El-Xhami’u li ahkami el-Kur’an, 2/16)

“…do t’u thoni fjalë të mira njerëzve…” (pjesë e ajetit të 83 nga sureja el-Bekare), sepse, fjalët e bukura e ndriçojnë shpirtin e njeriut dhe i zhbllokojnë dryzat e rënda dhe të ndryshkur nga zemrat e tyre. Fjalët janë ndihmësi ynë për të dhënë, por edhe për të pranuar këshilla të këndshme, ato kontribuojnë në respektimin dhe vlerësimin, por edhe në forcimin e dashurisë ndërnjerëzore. Fjalët e bukura janë një provë e madhe e zemërgjerësisë së njeriut dhe moralit të tij të bukur, të korrektësisë së gjuhës së tij dhe të fisnikërisë së shpirtit të tij! Cilësitë e tilla duhet të jenë pjesë e pandashme e çdo besimtari! E lus Allahun e Madhërishëm të na ndriçojë me udhëzime dhe urtësi nga Kur’ani dhe Sunneti, dhe të na udhëzojë drejt përvetësimit të moralit sa më të bukur! Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, familjen e tij, sahabët dhe të gjithë pasuesit e tyre!

Përktheu: Lutfi Muaremi

Islampress.ch