Të Fundit
Hutbe mbi Mevludin

Hutbe mbi Mevludin

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, Zotit të të gjitha botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij të nderuar, mbi sahabët dhe mbi të gjithë pasuesit e tij.

Vëllezër të nderuar!

Jemi në muajin rebiul-evvel, në të cilin ka lindur Pejgamberi ynë (savs), shefatxhiu ynë, mëshira e të gjitha botëve dhe shembulli më i bukur. Ka qenë 12 rebiul-evveli dita më e lumtur për planetin tonë, prandaj edhe ne po e presim me padurim. (te ne, sivjet të dielen në mbrëmje është nata, kurse të hënën, më 18 tetor 2021, është dita e mevludit).

Kjo ditë është bërë simbol i gëzimit, prandaj është traditë që në të gjitha tubimet tona, me rastin e ngjarjeve të gëzueshme ta organizojmë këndimin e Mevludit. Për më tepër, në kohët e vështira të komunizmit, kur ishte e ndaluar shkuarja në xhami dhe praktikimi publikisht i fesë, Islami u ruajt me tubime të tilla.

Sot, për fat të keq, gjithnjë e më pak ka manifestime të tilla. Jo se nuk ka gëzim, por se njerëzit po e humbasin ngadalë interesin për Mevludin, e kështu edhe traditën. Situata aktuale pandemike e favorizon edhe më shumë këtë, kështu që pas disa vitesh të organizimit të mevludeve qendrore në xhamitë tona, këtë vit ne jemi të detyruar të heqim dorë nga organizimi i tij.

Një arsye shtesë pse tradita e këndimit të Mevludit po zhduket ngadalë, është pyetja e vazhdueshme, se a është këndimi i Mevludit bidat (risi). Prandaj, sot dua ta zgjidhim edhe këtë dilemë.

Kur bëhet fjalë për Mevludin, edhe pse ai nuk ishte kënduar në kohën e Pejgamberit (savs), në mënyrën se si ne e këndojmë atë sot, ai megjithatë, nuk mund të radhitet si risi (bidat).

Së pari: Gjatë jetës së Muhamedit (a.s.), kishte poetë që kënduan këngë për Pejgamberin (a.s.), për të cilat Pejgamberi (a.s.), edhe i shpërbleu ata. Mevludi i sotëm, gjithashtu është një këngë për jetën e Pejgamberit (a.s.).

Së dyti: Në vetë organizimin e programit të mevludit nuk ka asgjë të re. Aty ka gjithashtu: Lexim të Kuranit, salavate, tekbire, ilahi dhe lutje, si dhe mbajtje të vazit (ligjëratë). Praktikisht, do të duhej shumë kohë për t’i numëruar të gjitha përfitimet që kanë të pranishmit prej tij.

Dhe së treti: Sahabët e patën fatin që e panë Pejgamberin (a.s.), dhe u shoqëruan me të, dhe të gjithë ne e kemi të njohur pikëllimin e tyre që e përjetuan në ditën e vdekjes së tij. Prandaj, si mundemi ne, që nuk e kemi parë, të mos shprehim gëzimin tonë që jemi umeti i tij, si dhe pikëllimin tonë që nuk e kemi parë?!

Në lidhje me këtë, Imam Shihabuddin el-Kastalani ka shkruar: “Ebu Lehebi ishte parë në ëndërr pas vdekjes së tij, kështu që, ai ishte pyetur: “Çfarë ka ndodhur me ty?” Ai ishte përgjigjur: ‘Unë jam në zjarr të xhehenemit. Megjithatë, ndëshkimi më lehtësohet çdo të hënë në mbrëmje, kështu që më lejohet të pi ujë nga këta dy gishta (gishti tregues dhe gishti i mesëm), sepse unë e lirova Suvejben, kur ajo ma solli lajmin e mirë të lindjes së Pejgamberit..“’

Për këtë, Ibn el-Xhezeri thotë: “Nëse Ebu Lehebit, jobesimtar i cili është i mallkuar në Kuran dhe i cili është i ndëshkuar me Zjarr, i lehtësohet ndëshkimi për shkak se ndjeu gëzim natën e lindjes së Pejgamberit, atëherë çfarë të thuhet për muslimanin i cili beson në Njëshmërinë e Zotit, i cili është pjesë e umetit të Pejgamberit (a.s.), dhe i cili ndjen gëzim për lindjen e Pejgamberit, dhe shpenzon aq sa mundet për festimin dhe shprehjen e dashurisë së tij ndaj Pejgamberit (a.s.).“

Vëllezër të dashur!

Ka një kohë të gjatë që këndohet Mevludi. Jo vetëm në Kosovë, Bosnje dhe Turqi, siç mendojnë disa. Ibnul- Xhevzi (i cili vdiq në vitin 1201 m.), ka shkruar: “Njerëzit e dy vendeve të shenjta, pastaj në Egjipt, në Jemen, në Sham (Siri, Jordani dhe Liban) dhe në vende të tjera arabe nga Lindja deri në Perëndim, vazhdojnë ta festojnë lindjen e Pejgamberit (a.s.), dhe të shprehin gëzimin me shfaqjen e hënës së re të muajit rebiul-evvel. Ata me vetëmohim lexojnë poezi fetare dhe e këndojnë mevludin e Pejgamberit (a.s.).”

Për më tepër, deri para 100 vjetëve, Mevludi është organizuar edhe në Mekë, në qytetin e lindjes së Muhamedit (a.s.). Xhemaluddin el-Kureshi el-Hanefi (i cili vdiq në vitin 1587) ka shkruar: ”Një nga zakonet e Mekës është, që çdo vit natën e 12-të muajit rebiul-evvel, kadiu shafi’i në Mekë, pas namazit të akshamit përgatitet ta vizitojë vendin e lindjes së Pejgamberit (a.s.), me një delegacion të madh, duke përfshirë edhe tre kadi të tjerë (nga shkollat hanafite, malikite dhe hanbalite), pastaj juristët më të famshëm, njerëz nga familjet e njohura, me shumë fenerë, kandila dhe një masë të madhe njerëzish. Gjatë këtij tubimi, njerëzit lexojnë lutje për Sulltanin dhe Kujdestarin e Mekës. Kadiu shafii mban një fjalim të përshtatshëm, dhe pastaj kthehen në Haremin e Shenjtë para namazit të jacisë.“

Vëllezër të respektuar!

Le të gëzohemi! Pas këtyre kohëve të vështira do të vijnë kohë më të mira, me dëshirën e Allahut! Këtë na e ka premtuar Pejgamberi ynë (a.s.). Prandaj, le ta ruajmë fenë tonë dhe le ta ruajmë traditën tonë!

I lutemi Allahut të dashur që në këtë të na ndihmojë! Amin.

Referencë: https://www.dzematizetnanic.com//

Përshtati: Miftar Ajdini