Të Fundit
Festimi i Vitit të Ri, kthim në paganizëm

Festimi i Vitit të Ri, kthim në paganizëm

Paganizmi është besim në shumë hyjni apo perëndi, formë e lashtë e feve para kalimit në njërën nga fetë monoteiste. Kështu e shpjegon këtë term fjalori i gjuhës shqipe, e kjo vetvetiu nënkupton se është formë totale e gabuar e besimit, e mbështetur në mitologji të ndryshme, andaj assesi nuk do ta kisha quajtur fe. Nëse realisht gjurmojmë në të dhënat historike, me lehtësi konstatojmë se festimi i krishtlindjeve dhe vitit të ri nuk ka lidhje me fetë monoteiste, as me krishterimit, as me judaizmin e assesi me Islamin, por thjesht është një festë e bazuar në mitologjinë pagane, e që është inkorporuar në krishterizëm përmes paganizmit romak. Sipas fjalorit “Wordsowoth Dictionary of Beliefs Religions – fjalor për besimet dhe fetë” konfirmohet se festa e krishtlindjes në realitet ishte një zëvendësim i festës pagane e cila mbahej në të njëjtën datë, për të festuar ditëlindjen e diellit të pa thyeshëm, ose siç thuhet në enciklopedinë e lirë Wikipedia, në shenjë të festimit të lindjes së zotit të diellit që quhej “Sol Invictus”, kurse festa njihej me emrin Saturnalia. Kjo festë ishte 25 dhjetori që ishte festë për shumicën e popujve të lashtë paganë që adhuronin diellin: këtë ditë e festonin sepse pas 25 dhjetorit fillon edhe zgjatja e ditës.

Nga popujt që e festonin 25 dhjetorin e që kanë jetuar para krishterimit në lindjen e largët janë edhe kinezët, që këtë datë e festonin si festë për lindjen e zotit të tyre të quajtur Zhang Ti.

Këtë ditë e festonin edhe persianet e lashtë në shenjë të lindjes së zotit të tyre Mithra, kurse budistët këtë datë e festonin në shenjë të shenjtërisë së zotit të tyre Budës. Gjithashtu këtë ditë Kaldejët në Azinë e vogël (Turqia e sodit) e festonin në shenjë të lindjes së zoti të tyre i quajtur Chris. Anglosaksonët, që janë gjyshërit e anglezëve të sodit, 25 dhjetorin e festonin para lindjes së Isa a.s., në shenjë të respektimit të lindjes së zotit të tyre. Te Lituanezët fillimi i vitit të ri ishte në dimër respektivisht pas 25 dhjetorit; edhe për rusët kjo datë ishte e shenjtë. Në Sham, respektivisht në Siri, Jerusalem dhe Betlehem, 25 dhjetori njihej si festë e veçantë para lindjes së krishterimit, e te grekët e vjetër më 25 dhjetor ishin të zhytur në gëzime dhe këndonin me zë të lartë duke thënë: “Këtë ditë ka lindur për ne biri i kësaj dite”,  e me këtë ishte për qëllimi Dionisi i biri i zotit të madh.

Në veprën “Fetë e botës” në titullin “Kalendari krishterë” përveç tjerash thuhet: Sistemi i numërimit të viteve që përdoret në botën perëndimore besohet se është i mbështetur në vitin e lindjes së Jezusit, porse kërkimet bashkëkohore tregojnë se Jezusi ka lindur më datë 4 para erës sonë e jo më 1 pas erës sonë. Sistemi i historisë krishtere si dhe ai anglosaksone vitin e ri e fillon me 25 dhjetor, kurse formën më të gjerë për përdorimin e numërimit të viteve, në këtë formë siç është sot, e filluan me miratimin e kalendarit gregorian në shekullin e XVIII, respektivisht në vitin 1752, sepse para kësaj date krishterët e përdornin datën e themelimit të Romës që është më 752 p.e.s.

Manifestimi i vitit të ri si dhe festave të krishtlindjeve që i festojnë besimtarët e fesë krishtere në mbarë botën për çdo vit që është 25 dhjetori për shumicën kishave, kurse fillimi i Janarit është për disa kisha duke përfshirë edhe kishën lindore që është iniciuar nga kisha perëndimore në fillim të shekullit të katërt krishterë.

Simbolika e dekorimit të pemës së Krishtlindjes

Edhe simbolika e dekorimit të pemës së quajtur pema e krishtlindjes nuk ka asgjë të përbashkët me fetë hyjnore, por thjesht është e bazuar në mitologjinë e popujve paganë dhe është përdorur edhe në kohërat para krishterimit.  Kjo ishte simbolikë e popujve para se të ekzistojë krishterimi si fe. Në bazë të Enciklopedisë “An Illustrated Encyclopedia of Traditional Symbols” (Enciklopedia me ilustrime dhe simbolika tradicionale), e shkruar nga G. C. Koper, vërtetohet se pema e dritës, ose siç quhet ndryshe pema e qiellit, ishte simbolikë e lindjes, ringjalljes dhe vdekjes kurse dritat dhe qirinjtë që vendohen mbi pemë simbolizojnë shpirtin.

Dekorimi i pemës simbolizon lindjen e yjeve dhe planetëve, si dielli, hëna etj., që vetvetiu nënkupton se  ka mbështetje në paganizëm. Në anën tjetër sa i përket dhuratave që vendosen në pemë, edhe këto gjithashtu kanë prejardhje pagane, sepse të njëjtat ishin përdorur edhe në paganizëm para krishterimit. Këso dhuratash i dhuroheshin Dionisit, që ishte zoti i  festimeve te grekët e vjetër, e gjithashtu i dhuroheshin zotit Otargatis te skandinavët e vjetër.

Pema e parë e dekoruar

Pema e parë e dekoruar me rastin e Vitit të Ri, sipas një mitologjie skandinave është kur një delegacion misionarësh të krishterë kishin prerë lisin e shenjtë gjigant, dhe nga rrënjët e saja u rrit një rrënjë e vogël pishe, e ajo pemë ishte pema e parë e dekoruar e kjo kishte ndodhur  në vitin 1510 në vendin e quajtur Riga në shtetet e Balltikut – Lituani.

Sa i përket pemës së dekoruar njëri nga priftërinjtë të krishterë, me emrin Vernon R. Lang, në artikullin e tij me titullin “Origjina e pagane në traditat krishtere”, përveç tjerash thotë: Tradita e adhurimeve, e cila është praktikuar te paganët, me krenari mund të përdoret edhe te të krishterët, përderisa ajo traditë nuk paraqet ndonjë mëkat apo abuzim. Atëherë nëse fëmijët dëshirojnë që të shohin dritat te pema e dekoruar me rastin e krishtlindjeve, atëherë konstatohet se kjo traditë është e mirë, mund të përdoret për të ilustruar të vërtetën e perëndisë për ta.”

Duke mos dashur të lëshohem në sqarimin e detajuar të qëndrimit islam rreth kësaj çështjeje, ngase ai veç më është i prerë, dua të theksoj edhe një herë se manifestimi i krishtlindjeve dhe i Vitit të Ti, nuk ka asgjë të përbashkët me fetë monoteiste, pra as me krishterimin, porse janë tradita që zënë fillin e tyre në paganizëm. Konstatojmë se, përveç argumenteve autentike rreth kësaj çështjeje, dijetarët muslimanë, pikërisht këtu, mbështesin edhe mendimin e tyre, kur për manifestimin e kësaj apo këtyre festave përfitojnë dispozitën e ndalimit (haramit). Andaj, festimi dhe manifestimi i këtyre festave për besimtarët muslimanë, jo vetëm që është i ndaluar, por është edhe nënçmim dhe kthim mbrapa në idhujtari (paganizëm).

Jusuf Zimeri