Të Fundit
Emri i Zotit, Er-Rezzak  (Furnizuesi) 2

Emri i Zotit, Er-Rezzak (Furnizuesi) 2

Siç e kemi përmendur edhe në fillim të këtyre faqeve, synimi ynë, me trajtimin e këtyre temave, është njohja e All-llahut të Madhërishëm. Dikush mund të thotë se emrat dhe cilësitë e All-llahut të Madhërishëm janë të shumtë dhe nuk mbahen mend të gjithë. Këtyre njerëzve unë u them që më e rëndësishme se të mësosh dhe të mbash mend të gjithë emrat dhe cilësitë e bukura të All-llahut të Madhërishëm, është që ndjenjën e dashurisë, madhështisë dhe njohjes së Zotit ta kesh të ngulitur thellë në zemrën tënde. Ta kesh të ngulitur në atë formë që të shtyjë drejt bindjes dhe drejt vënies në jetë të urdhërave të Tij.

Sipas konceptit tim, mund ta përkufizojmë dhe ta përmbledhim të gjithë fenë në tre fjalë: Njohje që të bën t’i bindesh Zotit dhe bindje që të bën të ndihesh i lumtur në këtë botë. Njohje, bindje dhe lumturi.

Një pikë tjetër që dua ta përmend, para se të fillojmë me temën tonë, është se kur trajtojmë një nga emrat dhe cilësitë e Zotit, ne e kemi të pamundur të përmendim gjithçka rreth kësaj cilësie. Unë jam i ndërgjegjshëm se e kam të pamundur ta bëj diçka të tillë. All-llahun e Madhërishëm nuk mund ta njohë askush ashtu si Ai është. Nëse do të mblidheshin shkencëtarët dhe dijetarët e gjithë tokës dhe t’u kërkoje të flisnin mbi një nga emrat dhe cilësitë e Zotit, nuk do të mund t’i dilnin në fund kurrën e kurrës.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an rreth këtij realiteti: ”Kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron.” (El-Bekare: 255)

“Thuaj: Sikur deti të ishte bojë për të shkruar fjalët e Zotit tim, sigurisht që ai do të shterej, para se të soseshin fjalët e Zotit Tim.”(El-Kehf:109)

Ndoshta kur të jemi në Xhennet, do t’i kërkojmë All-llahut të Madhërishëm të na i tregojë sekretet dhe të fshehtat që përmbanin emrat dhe cilësitë e Tij të larta. Diçka e tillë mund të kthehet në një nga kënaqësitë më të mëdha në Xhennet.

Secili prej nesh, teksa lexon mbi një nga emrat e bukur dhe cilësitë e larta të Zotit të Madhërishëm, duhet të meditojë në vetvete mbi mënyrën se si ta vërë në jetë këtë emër, si ta mbartë atë tek njerëzit e tjerë dhe si ta përhapë mes tyre. A e imagjinon sa i lumtur dhe i gëzuar do të jesh Ditën e Kijametit kur të dalësh para Zotit dhe t’i thuash: ”O Zot! Ajo që bëra në dynja është se u prezantova njerëzve dhe i bëra të njohin cilësitë e Tua të larta. O Zot, Ti je Falës dhe unë i ndërgjegjësova njerëzit mbi vlerën e këtij morali dhe përpiqesha të fal sa më shumë.”

Duke qenë të bindur se emri Er-Rezzak kërkon më shumë për t’u trajtuar, edhe në rreshtat në vazhdim do të flasim mbi këtë emër të bukur.

O njeri, rizkun e ke të garantuar prej Zotit, prandaj mos u nxito të fitosh pasuri në rrugë haram. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin.” (El-Fussilet: 10)

All-llahu i Madhërishëm e ka caktuar furnizimin dhe rizkun e çdo krijese deri në Ditën e Kijametit. Ai ka caktuar sa pika shiu do të bien, sa farëra do të mbijnë… Ai ka caktuar vitin dhe shekullin ku do të zbulohet dhe do të hyjë në përdorim nafta. Njerëzit do të lëvizin dhe do të ecin mbi burimet e naftës, pa e ditur se çfarë pasurish fshihet nën këmbët e tyre. Ajo do të zbulohet dhe do të hyjë në përdorim kur të rriten nevojat e njerëzimit për lëndë djegëse, për teknologjinë e tyre. All-llahu i Madhërishëm ka përcaktuar sa pemë i nevojiten njerëzimit, për të plotësuar nevojat e tyre për mobilje dhe produkte druri. Ai ka caktuar sasinë e hekurit në tokë, për ta përdorur për të ndërtuar shtëpitë. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: ”Me të vërtetë që Xhibrili më tha: Nuk do të vdesë askush pa plotësuar rizkun dhe jetën e caktuar.” Ky hadith është shumë qetësues mbi çështjen e rizkut. Askush nuk mund të thotë se filani vdiq pa e marrë sasinë e caktuar të frymëmarrjeve. Çdo frymëmarrje është e caktuar nga All-llahu i Madhërishëm që para se të lindësh.

Nëse beson dhe je i bindur se rizkun e ke të garantuar nga Zoti i Madhërishëm, atëherë mos e shit nderin, edhe nëse e gjithë bota e ka shitur për një kafshatë bukë. Nëse të gjithë vjedhin, marrin ryshfete, plaçkisin…, ti mos e bëj këtë. Nëse të gjithë ushqehen me haram, ti mos prano të ushqehesh me haram. Kurrë mos prano t’i afrohet gojës tënde ushqim haram. Kurrë mos prano të fusësh në xhep para haram. Kurrë mos prano ta ulësh dhe nënshtrosh veten para një njeriu, ndërkohë që Furnizuesi yt është Er-Rezzaku.

Një burrë i moshuar dhe i lodhur nga vuajtjet e jetës jetonte i vetëm. Të gjithë njerëzit habiteshin dhe thoshin me vete: ”Vallë, si ushqehet dhe si jeton ky njeri?!” Ai i dëgjonte dhe, duke qeshur, thoshte: ”O Zot! Më furnizo me ushqim, ashtu siç furnizon zogjtë e korbit!” Sa herë që dëgjonte keqardhjet e njerëzve, i moshuari përsëriste këtë lutje. Zogjtë e korbit, kanë një karakteristikë që nuk gjendet tek asnjë zog tjetër. Kur zogjtë e korbit dalin nga vezët, janë pa pupla. Me t’i parë në atë gjendje, prindërit e tyre i braktisin, pasi u duken si zogj të huaj. Zogjtë, duke mos pasur mundësi të fluturojnë, nuk kanë mundësi të ushqehen dhe mund të ngordhin nga uria. Por Er-Rezzaku nuk braktis askënd. Nga trupi i zogjve të sapolindur, del një aromë që është tërheqëse për një lloj krimbi. Me të ndierë këtë aromë, krimbat fillojnë të afrohen tek foleja ku ndodhen zogjtë. Kështu, ata kthehen në burim ushqimi për zogjtë e braktisur. Me të filluar t’u dalin puplat dhe t’u ndryshojë ngjyra në të zezë, prindërit kthehen përsëri dhe e habitshme është se krimbat tashmë fillojnë të largohen dhe fshihen. O Zot! Na furnizo me ushqim, ashtu siç furnizon zogjtë e korbit! Kjo nuk është thirrje për dembelizëm dhe për të braktisur punën. Nëse i kupton siç duhet emrat e All-llahut të Madhërishëm dhe kërkon t’i ndjesh ato në jetën tënde, duhet patjetër që të punosh me seriozitet. Kurrë muslimanët e parë nuk e kuptuan fenë si gjumë, dembelizëm, përtaci dhe mosangazhim.

Shpeshherë dëgjoja mbi një fakt të jetës së një lloji peshku, por, derisa e pashë me sytë e mi, nuk e besoja dot. Jeta dhe rizku i këtij peshku, tregon mënyrën se si All-llahu i Madhërishëm i furnizon krijesat e Tij mbi tokë. Shkencëtarët e jetës në oqeane dhe detra të thellë, pohojnë se nën sipërfaqen e detit lëvizin rryma uji, shpejtësia e të cilave arrin deri në 80 km/h. Nëse varkat me vela hasin në këto rryma, mund të udhëtojnë në drejtimin e rrymës, më shpejt seç lundronin me shpejtësinë e erës. Një nga këto rryma, e ka zanafillën në vendet Skandinave dhe vazhdon rrugën drejt brigjeve të Kilit dhe të Amerikës Jugore. Këto rryma, mbartin me vete lloje të ndryshme barërash që janë ushqim i preferuar për sardelet. Ky lloj peshku lëviz me rrymën, duke u ushqyer me këto barëra ushqyese për to. Në brigjet e Amerikës Jugore, këto tufa peshqish kthehen në ushqim të preferuar për delfinët, peshkaqenët dhe zogjtë e shumtë. Duke u ushqyer zogjtë me sardele, prodhojnë jashtëqitje që është shumë e dobishme për të mbjellat e zonës. Sigurisht, nga këto të mbjella përfitojnë banorët. Shohim se është një zinxhir, i cili tregon edhe njëherë se rizku dhe furnizimi është në dorën e All-llahut të Madhërishëm dhe se Ai ia ka garantuar atë çdo gjallese. Kushdo që studion dhe mediton mbi mënyrën se si funksionon gjithësia, do të shohë se ajo është një xhami e madhe ku njihet dhe besohet All-llahu i Madhërishëm. Thotë Zoti në Kur’an: ”All-llahut i përulet në sexhde gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.” (Er-Rad: 15)

Unë e shoh me vend ta risjellim përsëri thënien që përmendëm më sipër, ku Zoti i Madhërishëm thotë në një hadith kudsij: ”Unë i krijova qiejt dhe tokën, gjë që nuk më lodhi. A mund të më lodhë një copë bukë që ia çoj robit Tim? O robi Im! Të kam caktuar detyra dhe e kam detyrë të furnizoj. Nëse nuk i respekton detyrat ndaj Meje, Unë do të vazhdoj të furnizoj me rizkun Tim.”

Duke ditur se emri Er-Rezzak është shumë i dashur për ne dhe duke u nisur nga dëshira që ka secili prej nesh të pastrohet nga pasuritë haram, emrin Er-Rezzak po e trajtojmë në dy tema. Njohja më e mirë e emrit Er-Rezzak, do të na ndihmojë të ruhemi nga ryshfetet dhe korrupsioni, do të na ndihmojë të qëndrojmë larg pasurisë haram, do të na ndihmojë të qëndrojmë larg jetës në haram, do të na ndihmojë të mos e pranojmë nënshtrimin, do të na ndihmojë të punojmë me nder dhe të përpiqemi për një jetë më të mirë brenda kufijve të caktuar nga All-llahu i Madhërishëm.

Në temën e parë mbi këtë emër, në fund ne bëmë një pyetje: ”Çfarë kërkon prej nesh Er-Rezzaku? Dhe përmendëm tre pika: a-) Të mos ushqehesh me haram. b-) Të jesh krenar dhe të mos e ulësh veten për para më të pasurve. c-) Të punosh dhe të derdhësh djersë për të fituar rizkun.

Por ne lamë pa përmendur një pikë të katërt, e cila të bën të ndihesh i qetë, sidomos njerëzit e varfër dhe të vobekët. Ajo është për ata që u janë mbyllur dyert e shpresës dhe për të gjithë ata që ndihen të lodhur. Ka shumë njerëz që thonë: ”Unë i besoj të gjitha ato që the, por ndihem i rraskapitur. Ti nuk e di se si jetojmë. Nuk e di në ç’kushte jetojnë fëmijët e mi. Unë dhe familja ime ndodhemi në një udhëkryq dhe pa të ardhme…”

Tre pikat e lartpërmendura, janë pika që kanë të bëjnë me gjymtyrët dhe janë gjëra praktike. Kurse pika e katërt, ka të bëjë me zemrën dhe është shumë qetësuese.

Siç e kemi përmendur edhe në tema të tjera, adhurimi është dy llojesh: me gjymtyrë dhe me zemër. Kështu, pika e katërt nga ato që kërkon prej teje Er-Rezzaku, është:

  • Të jesh i kënaqur me atë që të ka dhënë All-llahu i Madhërishëm.

O vëlla dhe o motër, a je i kënaqur me atë që të ka dhënë All-llahu i Madhërishëm? Unë jam i sigurt se do të thuash: ”Po! Unë e falënderoj All-llahun për gjithçka.”, por le të depërtojmë më thellë në zemrën tënde, brenda asaj qosheje që e di vetëm Zoti i Madhërishëm. A je i kënaqur me Zotin? A e ke pranuar caktimin e Tij, ashtu siç është?

Adhurimet që kryhen me gjymtyrët, e kanë shpërblimin të kufizuar brenda kohës që kryhen. Më pas, duhet të veprosh diçka tjetër që të shpërblehesh. Kurse adhurimet që kryhen me zemër, e kanë shpërblimin të vazhdueshëm, madje edhe kur je duke fjetur. Kjo, pasi ai është një adhurim që ka gjetur vend në zemrën tënde. Nëse ti je i kënaqur me atë që të ka dhënë Zoti, këtë ndjenjë e ke gjatë gjithë kohës dhe kështu shpërblimi vazhdon pa ndërprerje.

O vëlla, a je i kënaqur me gruan me të cilën je martuar? A je i kënaqur me banesën ku jeton? A je i kënaqur me rrobat që vesh? A je i kënaqur me pamjen dhe fizionominë tënde? A je i kënaqur me situatën financiare tënden? O nënë, a je e kënaqur me All-llahun e Madhërishëm, edhe pse martesa e vajzës tënde është vonuar? O i diplomuar, a je i kënaqur që nuk ke gjetur akoma punë? O emigrant, a je i kënaqur që ke lënë atdheun për t’u punësuar në një shtet tjetër? A je i kënaqur me jetën tënde? A je i kënaqur me Zotin tënd?

Po vallë çfarë është të jesh i kënaqur me atë që të ka dhënë All-llahu i Madhërishëm? Si ta kuptoj këtë dhe çfarë do të thotë kjo? Atë mund ta përkufizojmë me fjalët: ”Ambicje dhe përpjekje për jetë më të mirë, duke qenë i kënaqur me gjendjen në të cilën ndodhesh momentalisht.” Ti ndodhesh në kulmin e përpjekjeve për të përmirësuar jetën dhe gjendjen ku ndodhesh, por, nga brenda dhe me zemër, nuk ndihesh keq dhe i përbuzur, për gjendjen në të cilën ndodhesh. Shumë njerëz, e kanë kuptuar gabim kënaqësinë me caktimin e Zotit. Ata mendojnë se ajo është të vendosësh dorën në faqe dhe të vazhdosh në atë gjendje, pa bërë përpjekjen më të vogël për ndryshim. Unë e pranoj me kënaqësi caktimin e Zotit dhe hallet e jetës, por Zoti më ka mësuar të përpiqem për një jetë më të mirë dhe të ndershme. Vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte i kënaqur me caktimin e All-llahut të Madhërishëm dhe me kushtet ku ndodhej në Meke, megjithatë ai vajti në Medine, ku shpresonte një jetë dhe kushte më të mira.

O motër, a je e kënaqur me burrin që ke, apo grindesh përbrenda për këtë martesë? O baba, a je i kënaqur që, edhe pse do të dëshiroje t’i nxjerrësh fëmijët xhiro dhe të luajnë, nuk mundesh? O i ri, a je i kënaqur me rrobat që ke veshur, të cilat nuk përputhen me modën dhe rrobat që veshin bashkëmoshatarët e tu? A je i kënaqur me makinën e vjetër që ke? A je i kënaqur me shtëpinë e vjetër ku banon? A je i kënaqur me faktin që vjen fundi i muajit dhe rroga nuk mjafton? Përgjigjen nuk e dua me gojë, por me zemër.

Thotë All-llahu i Madhërishëm në një hadith kudsij: “O robi im! Të kam krijuar për të më adhuruar, prandaj mos e harxho kohën kot! Ta kam garantuar rizkun, prandaj mos u lodh. Nëse është i pakët, mos u dëshpëro dhe nëse është i shumtë, mos u gëzo. Nëse je i kënaqur me atë që të kam dhënë, do ta qetësoj trupin dhe mendjen tënde dhe do të jesh tek Ne i lëvduar. Nëse nuk do jesh i kënaqur me atë që të kemi dhënë, do ta lodhim trupin dhe mendjen tënde dhe do të jesh tek Ne i përbuzur. Betohem në Krenarinë dhe Madhështinë Time se do ta bëj dynjanë që të dominojë në jetën tënde dhe do të vraposh pas saj, siç vrapojnë egërsirat në pyll, duke mos arritur prej saj, veçse atë që të kemi caktuar.”

Një i ditur thotë: ”Lëre dëshpërimin, pasi të kesh planifikuar siç duhet, pasi atë që e ke të garantuar nga dikush tjetër (Zoti) nuk ka pse ta bësh vetë.” O njeri, ti je mëkëmbës dhe përgjegjës për mbarëvajtjen në tokë dhe është e pakuptimtë që All-llahu i Madhërishëm të furnizojë dhe të ushqejë të gjithë krijesat e tjera, dhe të harrojë ty. Ti je krijesa më e shtrenjtë tek All-llahu i Madhërishëm. Ai i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen njeriut të parë, Ademit [alejhis-selam]. O njeri, gjithçka që të rrethon dhe çdo gjallesë që gjendet mbi tokë, është e nështruar për ty. Zoti e dëboi shejtanin nga Xhenneti, kur ky i fundit refuzoi t’i përulej babait tënd, Ademit [alejhis-selam]. Ti, o njeri, je i dashur dhe i shtrenjtë tek Zoti dhe rizkun e ke të garantuar prej Tij.

Në një hadith tjetër kudsij, All-llahu i Madhërishëm thotë: “O biri i Ademit, ke aq sa të mjafton, përse kërkon atë që të bën tiran? As me pak nuk kënaqesh dhe as me shumë nuk ngopesh. Nëse gdhihesh pa dhimbje në trup, i sigurtë në familjen tënde, duke pasur ushqimin e një dite, i thuaj kësaj bote lamtumirë.”    

Nëse je i shëndetshëm dhe nuk vuan nga një sëmundje, nëse e mbyll derën e shtëpisë, vendos kokën në jastëk dhe fle i qetë, dije se jeton në një mirësi dhe dhunti të madhe. Ka njerëz që nuk e dinë ku do të flenë natën e ardhshme. Ka njerëz që nuk i zë gjumi, pasi nuk e dinë se ku i kanë fëmijët.

O vëlla dhe o motër, nëse ju keni siguruar ushqimin e një dite, dijeni se jeni në mirësi. Burri dhe gruaja që ulen dhe planifikojnë mbi shpenzimet e një muaji dhe shohin se rrogat e tyre nuk i mbulojnë shpenzimet dhe janë të shqetësuar për këtë, nuk kanë shumë ndryshim me milionerët, të cilët nuk i zë gjumi mbi të ardhmen e fëmijëve të tyre pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitesh. Nga natyra e tij, njeriu është lakmitar. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], duke përshkruar lakminë e njeriut: “Sikur njeriu të kish dy lugina me flori, do të kërkonte një të tretë. Gojën e njeriut nuk e mbush veçse dheu.”        

Thotë Ibnul Kajjim: “Të jesh i kënaqur me Zotin, është dera më e madhe që të çon drejt Tij. Është ajo që qetëson zemrat e adhuruesve dhe është parajsa e tyre në këtë botë. Kush nuk e shijon këtë parajsë në  dynja, nuk do e shijojë atë as në jetën tjetër.”

Vallë, përse All-llahu i Madhërishëm e përkufizon ushqimin në atë të një dite dhe jo të një jave, një muaji, apo një viti?

Kjo, pasi asnjë prej nesh nuk është i sigurtë nëse do të jetojë deri nesër dhe se ai që është i kënaqur ndaj caktimit të All-llahut, është i sigurtë se Ai që e ushqen atë në një ditë, do ta ushqejë edhe në ditët në vazhdim.

Kur njeriun e merr gjumi, shpirti ngjitet tek Zoti, Krijuesi i tij. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: “All-llahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndalon shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.” (Ez-Zumer: 42)

Shpirtrat tanë dorëzohen çdo natë tek Krijuesi i tyre dhe Ai që ta kthen shpirtin çdo ditë në mëngjes, padyshim që të jep edhe ushqimin dhe furnizimin e asaj dite.

O vëlla dhe o motër, a je i kënaqur me gjendjen dhe situatën ku ndodhesh tani?

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “E ka shijuar ëmbëlsinë e besimit ai që është i kënaqur me All-llahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] si profet.”

Kënaqësia në këtë hadith nuk është ta shprehësh atë vetëm me gojë, por ta ndjesh atë më parë me zemër. Është kur ti të jesh i kënaqur me atë që të ka caktuar All-llahu i Madhërishëm.

Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Kush thotë kur zgjohet nga gjumi dhe në mbrëmje, jam i kënaqur me All-llahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhammedin si profet, është detyrë e All-llahut të Madhërishëm që ta kënaqë atë ditë.”

Sekreti i të thënit tre herë në mëngjes dhe tre herë në darkë qëndron në atë se, duke i përmendur shpesh me gojë, këto fjalë të vendosen dhe në zemër.

Në një hadith tjetër, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Kush e dëgjon ezanin dhe thotë: Jam i kënaqur me All-llahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhammedin si profet, i falen gjynahet.”

Islami është një fe sa e bukur po edhe aq praktike. Islami është  fe dhe ilaç një mijë herë më i fuqishëm dhe dobiprurës se ç’janë ilaçet kundër depresionit dhe stresit.

Kur Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] lutej, thoshte: “O Zot, më bëj të jem i kënaqur me atë që ke caktuar, që të mos dua ta shpejtosh atë që dëshiron ta vonosh dhe të mos dua ta vonosh atë që dëshiron ta shpejtosh.” Edhe pse ai ishte njeriu më ambicioz, pasi kërkonte të ndërtojë umetin më të madh, lutej që Zoti t’i dhurojë kënaqësi dhe ta pranojë caktimin e Tij dhe gjendjen ku ndodhet.

Në një hadith tjetër, lutej: “O Zot, unë të kërkoj të jem i kënaqur me atë që ke caktuar ndaj meje.”

Dijetarët thonë: ”Tre janë treguesit e kënaqësisë me caktimin e All-llahut të Madhërishëm: E para është që para se të veprosh një vepër, të falësh namazin e istihares. Me këtë, ti ia lë Zotit në dorë të vendosë atë që është më e mira dhe më e dobishmja për ty. E dyta është që të mos pezmatohesh me caktimin dhe përzgjedhjen e Zotit. Dhe e treta është që të vazhdosh ta duash All-llahun e Madhërishëm, edhe pas sprovave dhe fatkeqësive. Kjo, pasi ndodh shpesh që njerëz të ndryshëm, me t’u sprovuar me një fatkeqësi, e pakësojnë adhurimin e Zotit dhe diçka e tillë është tregues se ai nuk është i kënaqur me caktimin e Zotit. Para se të sprovohej, e shihje duke u falur, agjëruar, lexuar Kur’an, derdhur lot për hatër të Zotit…, por me t’i rënë fatkeqësia, i braktis këto për një kohë të gjatë. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Disa njerëz të tjerë e adhurojnë All-llahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim, e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.” (El-Haxh: 11)

All-llahu i Madhërishëm nuk adhurohet dhe nuk besohet me kusht që të na shkojë gjithmonë mbarë. Është normale që dikush të hidhërohet dhe të mërzitet kur i ndodh diçka e keqe, por e rëndësishme është ta pranosh vullnetin e Zotit dhe të thuash me gojë dhe zemër: ”Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”

 

Shembuj të atyre që kanë qenë të kënaqur me caktimin e All-llahut të Madhërishëm

Kur Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i lindi djali i tij, Ibrahimi, ishte 62 vjeç dhe ishte shpresa e tij e fundit për të pasur fëmijë. Aq shumë u gëzua Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] me lindjen e tij, saqë e mori në krahë dhe trokiste në dyert e shokëve të tij dhe ua tregonte. Por, pas gjashtë muajsh, Ibrahimi vdes. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e mori në prehër dhe duke qarë thoshte: “Syri qan dhe zemra hidhërohet, por ne nuk themi vetëm gjëra që e kënaqin Zotin. Me të vërtetë që ne jemi të hidhëruar për vdekjen tënde, o Ibrahim.” Më pas, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] hyri në shtëpi dhe, duke ngritur duart lart qiellit, tha: ”Ty të përgjigjem dhe e pranoj vullentin Tënd. Prej Teje vjen vetëm e mira dhe kurrë nuk vjen e keqja.” 

Fudejl bin Ijad është një nga dijetarët e mëdhenj muslimanë. Ai ishte serioz dhe rrallë herë shihej të buzëqeshë. Pas 30 vitesh, i vdes djali dhe nuk është parë të buzëqeshë më, përveç asaj dite. Kur e pyetën se si ka mundësi që buzëqeshte atë ditë, u përgjigj: ”Jam i kënaqur me vullnetin e Zotit, sido që të jetë, dhe e detyroj zemrën të jetë e kënaqur me caktimin e Tij. Për këtë buzëqesha, që ta detyroj zemrën edhe në të tilla raste.”

Dijetarët e kanë komentuar këtë ndodhi, ku Fudejli buzëqeshi në vdekjen e djalit, ndërsa vetë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] qau, dhe kanë thënë: “Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i bashkoi hidhërimin dhe kënaqësinë, ku syri që qau shprehte hidhërim, kurse zemra shprehte kënaqësinë ndaj vullnetit të Zotit. Kurse Fudejli nuk dinte t’i bashkojë të dyja, për këtë ai shfaqi kënaqësi me zemër dhe me fytyrë duke buzëqeshur.

Umer ibnul Hattabi [radijall-llahu anhu] thoshte: “Kur më ndodh një fatkeqësi, e ngushëlloj veten me katër gjëra: “Që nuk është në fenë time. Që nuk është më e madhe. Që Zoti do të ma shpërblejë me Xhennet dhe e treta është se kujtoj fatkeqësinë e vdekjes së Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].”

Në një thënie të tij, Umeri [radijall-llahu anhu] thotë: ”Për Zotin, nuk pyes se në ç’gjendje jam, me të mira apo të këqia, në mirëqenie apo në varfëri, në gëzim apo në hidhërim, përderisa gdhihem dhe ngrysem si musliman.”

Një herë Urve bin Zubejri, u nis për në Damask për të vizituar Halifen. Me vete mori edhe djalin e tij të vogël. Kur arriti në Damask, djali i kërkoi që të shkonte të shohë kuajt e Halifes dhe Urve e lejoi. Teksa luante me kuajt, djali rrëzohet nga kali dhe vdes, më pas e varrosin në Damask.

Pas ca kohësh, vetë Urves i infektohet këmba dhe doktorët e këshillojnë që ta presë këmbën dhe ia prenë. Njerëzit shkonin ta ngushëllonin. Për shkak se ishin dy fatkeqësi të rënda, nuk dinin për cilën ta ngushëllonin. Ai i shikonte dhe, duke buzëqeshur, thoshte: ”O Zot! Ty të takon falënderimi. O Zot, pata dy këmbë dhe dy duar. Më more njërën këmbë dhe më le tjetrën dhe dy duart. Për ty është falënderimi. Kisha shtatë djem, më more njërin prej tyre dhe më le gjashtë të tjerë. Për ty është falënderimi.” Më pas u kërkoi t’i jepnin këmbën e prerë. E mori në dorë dhe tha: “O Zot, Ti e di më mirë se nuk kam ecur me të kurrë në haram.” Dikush nga të pranishmit i tha: ”O Urve, mos u dëshpëro! Pasi ajo që të ka ndodhur është se një nga fëmijët e tu dhe një pjesë e jotja, kanë vajtur në Xhennet para teje!”

Përse të mos e shohim fatkeqësinë edhe nga ky këndvështrim?

Njoh një familje që u vdiq djali në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Ata kanë vetëm një vajzë tashmë, e cila është pesëmbëdhjetë vjeç dhe quhet Selma. Në një takim me të rinj, unë u kërkova të përmendin nga një mirësi me të cilën i kishte begatuar All-llahu i Madhërishëm. Selma, e cila ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, tha: ”Një nga mirësitë e Zotit ndaj meje, është se e la vëllanë mes nesh për pesëmbëdhjetë vite.” Ajo e shihte fatkeqësinë nga ana pozitive dhe jo nga ana negative.

Umran bin Husejn [radijall-llahu anhu] ishte një nga shokët e Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i cili nuk kishte lënë betejë me Profetin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] pa marrë pjesë. Pas vdekjes së Profetit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i paralizohet gjysma e trupit dhe qëndron i shtrirë për vite të tëra, derisa vdiq. Një ditë e vizitojnë disa nga shokët e tij dhe, kur e shohin në atë gjendje, fillojnë të qajnë. Ai i shikon i habitur dhe u thotë: “Juve qani, pasi u vjen keq për mua, kurse unë jam i kënaqur me atë që ka dashur All-llahu për mua. Për Zotin, e di që kjo nuk është dënim për mua, por është sprovë me të cilën Zoti më sprovon nëse jam i kënaqur me Të. Jini dëshmitarët e mi, o shokë, që unë jam i kënaqur me All-llahun e Madhërishëm.”

Kur u vra Hamzai [radijall-llahu anhu] në betejën e Uhudit, motra e tij, Safija, kërkoi ta shohë. Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] urdhëroi djalin e saj, Zubejrin, që ta marrë nënën dhe të kthehet në Medine, me qëllim që të mos e shohë trupin e gjymtyar të vëllait të saj. Zubejri i tha: ”O nënë! Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka urdhëruar të kthehesh në Medine.” Kur pa se nuk po e lejonin ta shohë, ajo u tha: “O biri im! A e bëni këtë me qëllim që të mos e shoh trupin e Hamzait, pasi e kanë gjymtuar?!” – “Po, o nënë!” – ia ktheu Zubejri. Ajo i tha: “O biri im, ajo që i ka ndodhur Hamzait, në krahasim me të mirat që na ka nderuar Zoti ëshë shumë e pakët. O biri im! All-llahu i Madhërishëm na ka sprovuar me këtë, që të shohë nëse e pranojmë apo jo vullnetin e Tij. Dhe unë jam e kënaqur me atë që ka caktuar All-llahu.” Atëherë, Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] u tha që ta lejojnë ta shohë vëllanë e saj. Kur e pa, tha: “Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.” Më pas, filloi të falë namazin e xhenazes duke qarë.

Një i ri tregon: “Unë doja një vajzë dhe sa herë i kërkoja familjes së saj për t’u fejuar ata refuzonin. Vazhdova për dy vite rresht të lus Zotin që diçka e tillë të realizohej, megjithatë nuk pranonin dhe ajo u martua me dikë tjetër. Nga kjo ngjarje, – tregon i riu, – unë mësova diçka me vlerë: “Ne duhet ta lusim Zotin të na e plotësojë dëshirën, por nëse ndodh e kundërta, duhet t’i lemë dëshirat dhe qejfet tona dhe të pranojmë vullnetin e Tij.”

Thotë Ibnu Mesudi [radijall-llahu anhu]: “Ka dyzet vite që ndihem i kënaqur me Zotin në çdo lloj gjendjeje që jam dhe kurrë nuk qaj për diçka që humbas, veçse nëse është diçka që lidhet me fenë.”

Një grua e ditur thotë në disa vargje:

 

“Ji i ëmbël, kur jeta hidhërohet,

ji i kënaqur, kur bota zemërohet.

Nëse miqësia mes teje dhe Zotit është e lulëzuar,

s’prish punë pse ajo e botës duket e rënuar.

Me dashurinë e Zotit ç’do gjë lehtësohet,

pasi çdo gjë mbi tokë, pluhur do të bëhet.”

 

Padyshim se Zoti i Madhërishëm është i Drejtë në shpërndarjen e rizkut. Nëse do të vëzhgonim mirësitë dhe dhuntitë që Zoti u ka dhënë njerëzve, do të gjenim se Ai u ka dhënë të gjithëve njëlloj. Nëse do të supozonim se rizku dhe të mirat janë njëqind njësi. Çdo mirësi përbëhet nga dhjetë pikë; fëmijët, pasuria, shëndeti, morali i mirë…. secila kanë nga dhjetë pikë. Nëse dikush ka pasuri, ai mund të mos ketë fëmijë. Nëse dikush ka shëndet të mirë, ai mund të mos ketë pasuri apo grua të mirë. Dikush mund të ketë pasuri përrallore, por nuk gëzon respektin e fëmijëve. Kurse dikush mund të jetë në pikën e hallit, por që fëmijët i puthin duart dhe këmbët nga respekti që kanë për babanë. Mund të jesh shumë i  varfër, por je i dashur tek All-llahu i Madhërishëm. Kurse dikush mund të jetë shumë i pasur, por është larg Zotit dhe Mëshirës së Tij. Ndonjëherë, i pasuri angazhohet me mbledhjen e pasurive dhe nuk ia mbush sytë veçse rizku i shumtë. Kurse i varfëri angazhohet me Furnizuesin e të gjithë krijesave dhe nuk ia mbush sytë veçse adhurimi dhe dashuria që ndien për All-llahun e Madhërishëm.

Po të shohim në botën arabe, do të gjejmë se Sudani është tokë pjellore, vendet e Gadishullit janë të pasura me naftë, ndërsa Iraku dhe Egjipti kanë krahë pune. Nëse këto elementë bashkohen dhe shfrytëzohen së bashku, do të ndodhnin mrekullira.

 

Çelësat e rizkut

1- Devotshmëria dhe braktisja e haramit. Thotë All-llahu i Madhërishëm në Kur’an: ”Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.” (El-A’raf: 96)

2- Istigfari. Edhe pse tema jonë ëshë mbi kënaqësinë me caktimin e All-llahut të Madhërishëm, ne po i kushtojmë shumë rëndësi rizkut, pasi ato kanë lidhje me njëra-tjetrën. Thotë Profeti [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith: “Kush thotë ‘Es-stagfirull-llah!’ në mënyrë të vazhdueshme, Zoti do t’i japë zgjidhje problemeve të tij, do t’ia heqë hallet dhe do ta furnizojë nga se kupton.”

Duke dashur ta mbyllim këtë temë, u këshillojmë dy gjëra: Medito dhe reflekto me veten tënde nëse je apo jo i kënaqur me caktimin e All-llahut të Madhërishëm. Përsëriti sa më shpesh fjalët: ”Jam i kënaqur me All-llahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhammedin si profet.”

Këshilla e dytë është që t’i njohësh njerëzit dhe t’ua prezantosh Zotin si Furnizuesin e vetëm. Tregoju  kolegëve në punë këto që përmendëm në këtë temë.

E lusim All-llahun e Madhërishëm të na bëjë nga ata që e pranojnë me kënaqësi vullnetin dhe caktimin e Tij!

Amer Halid