Të Fundit
Disa këshilla pejgamberike

Disa këshilla pejgamberike

Falënderimi i qoftë Allahut ashtu siç meriton vetëm Ai. Dëshmojmë dhe vërtetojmë për Njësinë e Tij të pashoqe. Ai nuk është i nevojshëm për ibadetin e njerëzve dhe Atë aspak nuk e dëmtojnë mëkatet e tyre.

Po ashtu dëshmojmë për pejgamberinë e Muhamedit (savs), i cili na ka mësuar sesi duhet ta bëjmë ibadetin vetëm për Zotin dhe na ka udhëzuar për takvallëk dhe devotshmëri. Andaj, i dërgojmë përshëndetje dhe salavate të panumërta atij, familjes së tij, shokëve të tij dhe çdonjërit që i përmbahet thirrjes së tij.

Vëllezër besimtarë!

Në hutben e sotme do t’i theksojmë dhe përkujtojmë disa këshilla pejgamberike.

1 – Mos të kemi frikë për shkak të nafakës – furnizimit!

Një shumicë e njerëzve kanë frikë për shkak të nafakës. Për këtë nuk kanë asnjë arsye, sepse çdo kush do ta hajë atë që ia ka caktuar Allahu qysh më parë. Të varfrit, sipas sasisë hanë më shumë sesa të pasurit. Të pasurit, zakonisht kanë sëmundje të ndryshme si, tensioni, yndyra, diabeti, etj. sepse mërziten shumë për shkak se janë të pangopur, mirëpo nuk mund të hanë, ata kanë frikë për shëndetin e tyre. Të varfrit nuk kanë se çka të fitojnë e as çka të humbin, dhe nuk kanë arsyeje për mërzi. Përndryshe, të varfrit do të hyjnë më shpejt në xhenet për shkak të llogarive të vogla.

2 – Mos të ndërtojmë aty ku nuk do të jetojmë!

Njerëzit ndërtojnë vila, ndërsa jetojnë në mutvak. Gjithë jetën ndërtojnë diçka, mirëpo vdesin në spitale, kështu që gjithçka ju ngel të tjerëve pas vdekjes së tyre. Një gjë është e sigurt; sa më shumë që ka dynjallëk, aq më pak ka rahatllëk. Dikur, shumë më të lumtur kanë qenë njerëzit, kur kanë jetuar në shtëpi më të vogla, pa shumë mobilje dhe orendi, sesa tani kur nuk kemi vend as për të falë namazin nga mobiljet dhe orenditë e shumta.

Sa më e thjeshtë dhe natyrale të jetë jeta, ajo do të jetë aq më kuptimplote. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (savs),ka jetuar shumë thjeshtë.

Thuhet: – Mund ta blesh shtëpinë por jo edhe rehatinë, mund ta blesh krevatin por jo edhe gjumin.

3 – Mos të grindemi mes veti për atë çka do ta lëmë dhe do ta braktisim!

Shumë vështirë është të dëgjojmë se dikush është zënë apo është grindur me dikë tjetër,për atë se kush do të jap më shumë për bamirësi, apo për qëllime humanitare. Në përgjithësi,njerëzit zihen me njëri-tjetrin për shkak të trashëgimisë dhe pasurisë, edhe pse të gjitha këto do t’i lënë pas vdekjes. Nëse do të fillonim të numëronim se çka është e jona, atëherë shtrohet pyetja, po çka është e Zotit! Pra, do të shohim se çdo gjë është e Zotit, se asgjë nuk është e jona, madje as edhe trupi ynë të cilin e adhurojmë, edhe ai do të bëhet pluhur.

4 – Le ta kemi frikë Allahun!

Njerëzit më të rehatshëm dhe më të lirë janë ata që kanë frikë vetëm nga Allahu. Kush nuk beson me bindje në Allahun, ai do të besojë në besëtytni. Asnjëherë njerëzit nuk kanë pasur frikë nga njëri-tjetri sikur sot. Asnjëherë nuk kanë pasur frikë nga dija e tyre sikur sot. A thua pse? Sepse nuk kanë frikë vetëm nga Allahu, por edhe… Në një rast të caktuar, një dijetari një njeri ia vendosi armën në kokë, dhe kur ai bërtiti: Allahu ekber, armiku u dridh nga frika dhe arma i ra nga dora. Allahu ekber!

5 – Le t’i drejtojmë qëllimet tona drejt xhenetit!

Përfundimisht,xheneti është stacioni ynë i fundit, ku do të jemi përgjithmonë. Andaj, le të hyjmë në trenin (xhaminë), i cili na çon në destinacionin e përjetshëm. Nëse hyjmë në trenin e gabuar, të gjitha stacionet do t’i kemi të gabuara.

  • Xhamitë janë orientimi ynë,
  • Kibla është drejtimi ynë,
  • Allahu është Zoti ynë,
  • Muhamedi a.s. është pejgamberi ynë,
  • Kurani është libri ynë,
  • Selami është përshëndetja jonë.

Atëherë, edhe krahas gjithë kësaj, si është e mundur të hyjmë në trenin e gabuar, i cili na çon drejt zjarrit.

O Zoti ynë, na ruaj nga të gjithë trenat që na çojnë në xhehenem.

E lus Allahun e Madhërishëm, që të na forcojë në rrugën e Islamit!
– që të na ndihmojë ta ruajmë dritën e Islamit!
– që të mos na sprovojë me dhunën e sundimtarëve zullumqarë!
– që të mos na sprovojë me atë që nuk mund ta përballojmë!
– që  të na mëshirojë në Ditën e gjykimit, dhe të na vendosë në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me dëshmorë dhe me njerëz të mirë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini