Të Fundit
Dashuria ndaj dynjasë dhe frika nga vdekja

Dashuria ndaj dynjasë dhe frika nga vdekja

Pejgamberi (savs), para kaq shekujsh, ka paralajmëruar:

„Do të vijë një kohë kur popujt do të bashkohen kundër jush sikur që bashkohen dhe mblidhen njerëzit e uritur rreth sofrës!”

Dikush e pyeti: „O Dërguari i Allahut, atëherë, a do të jemi ne pak?“

Ai u përgjigj: „Jo, përkundrazi! Ju atëherë do të jeni shumë, por do të jeni si shkuma të cilën e bartë rrebeshi i ujit. Allahu nga zemrat e armiqve tuaj do ta largojë frikën dhe respektin ndaj jush, kurse në zemrat tuaja do ta futë „el-vehnin!“

Ashabët e pyetën: “E çka është el-vehni, o i Dërguari i Allahut?“

Ai u përgjigj: “Dashuria ndaj dynjasë dhe frika nga vdekja!” (Hadithi është i besueshëm, e regjistrojnë Ebu Davudi, Ahmedi, Et-Taberaniu, Ibn ‘Asakiri dhe Ebu Nu’ami)

Për disa shekuj, vërejmë se si po përmbushen fjalët e këtij hadithi. Me pushtimet kolonizuese perëndimore fillon okupimi i planifikuar dhe i unifikuar rreth qenies muslimane me qëllim të zhvlerësimit të tij, shtypjes dhe shkatërrimit total.

Për fat të keq, pushtimet kolonizuese nuk kanë përfunduar me çlirimin formal të botës muslimane nga dominimi i tyre ushtarak. Vizionet e tyre dhe imazhet perëndimore kanë mbetur të shpërndara nëpër të gjithë botën muslimane, prandaj sot mund të flasim për dominimin e tyre superior në atë pjesë të botës.

Disa autorë islamikë besojnë se armiqtë e Islamit, janë bashkuar në interesat e tyre të kësaj bote, dhe po ia dalin për t’i rrëmbyer dhe shpërndarë burimet tona, të cilat muslimanët i kanë me bollëk, në sajë të përçarjes sonë, të dashurisë sonë ndaj dynjasë dhe frikës nga vdekja. Ata pohojnë se bota islame, që nga koha e kolonializmit deri më sot, nuk ka mundur të çlirohet nga ndikimi i tyre. Sot, për fat të keq, bota muslimane është sofra, në të cilën armiqtë e muslimanëve e ndajnë ushqimin dhe pasuritë e tyre më të mira!

Të gjitha forcat në dispozicion të botës jo-muslimane janë përqendruar në vendet muslimane, të cilat kurrsesi nuk po mund të gjejnë mënyrë për të shpëtuar nga kthetrat e kolonizatorëve dhe zgjedha e tyre. Dhe e gjithë kjo është rezultat i ‘el-vehnit’, siç e ka përshkruar Pejgamberi (savs) këtë dobësi e cila do t’i godas muslimanët.

Ai në këtë hadith i ka përmendur këto dy dobësi, të cilat do t’i pengojnë muslimanët për ta rikthyer dinjitetin e tyre, të cilin e kanë trashëguar në shekujt e parë të Islamit, të cilat janë: dashuria ndaj dynjasë dhe frika nga vdekja.

Dhe, me të vërtetë, nëse analizojmë se si sot muslimanët janë të mahnitur nga kjo botë dhe shkëlqimi i kësaj bote, do të vijmë në rezultate demoralizuese. Ata shpesh garojnë, në gjëra të palogjikshme, të cilat gjeneratat e para të muslimanëve as nuk i kanë shikuar.

Ndërtimi i pemës më të madhe të Krishtlindjeve prej 11 metrave në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga muslimanët, gjethet e së cilës janë prej ari, e cila e ka vlerën 11 milionë dollarë, a nuk është treguesi më i mirë i dashurisë së muslimanëve ndaj dynjasë dhe prestigjit të kësaj bote!?

Frika nga gjithçka dhe nga çdokush dhe vënia e vazhdueshme e kokës së sundimtarëve muslimanë dhe popujve muslimanë në zgjedhën, skllavërimin dhe sundimin e përhershëm mbi ta, a nuk është shembulli më flagrant i frikës nga vdekja!?

Gjeneratat e dikurshme janë frikësuar vetëm prej Allahut të Plotfuqishëm, kurse gjeneratat e sotme të muslimanëve frikësohen nga robërit e Allahut!

Dikur armiqtë e Islamit dridheshin para Pejgamberit (savs) dhe përkrahësve të tij një muaj ecje larg, kurse sot muslimanët dridhen për çdo ditë para zullumqarëve dhe armiqve të Islamit dhe muslimanëve. Dhe, pikërisht, ky është rezultat i asaj dobësie për të cilën kishte paralajmëruar Pejgamberi (savs) në këtë hadith! /FB- Shefik Kurdiq/

Përkthim: Miftar Ajdini