Të Fundit
Besimtari asnjëherë nuk guxon të jetë i mërzitur

Besimtari asnjëherë nuk guxon të jetë i mërzitur

(Ligjëratë vetëdijesimi)

Në komunikimin e përditshëm me njerëz të moshave dhe gjinive të ndryshme shpesh dëgjojmë frazën e famshme: “Jam mërzitur” ose “u mbyta nga mërzia …” Çuditemi kur këtë e dëgjojmë nga njerëzit e moshuar të cilët është dashur ta mësojnë mësimin e jetës mbi kalueshmërinë e kësaj bote dhe çdo gjëje që është në të. Edhe më tepër çuditemi dhe jashtëzakonisht zemërohemi, kur këtë e dëgjojmë nga besimtarët të cilët këtë e përshkruajnë me fjalët: “Çka mund të them … si zakonisht, standard… shtëpi… xhami …”

Subhanallah, si është e mundur që një besimtar mund të jetë i mërzitur, dhe si mundet çdo ditë t’i duket e njëjtë!  Allahu i Madhërishëm thotë:

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.” (El-Asr, 1-3).

Në këtë ajet, Krijuesi ynë na paralajmëron – duke ditur se ne harrojmë – që njeriu vërtetë është në humbje në çdo gjë përveç kur bën vepra të mira, kur bën këshillime dhe kur bën thirrje për të vërtetën.

Ka shumë mënyra që njeriu ta përmbush këtë detyrim duke bërë vepra të mira, veçanërisht në ditët e sotme të sprovave të rënda me të cilat absolutisht jemi të gjithë të sprovuar – edhe pse ndonjëherë na duket se janë sprova të individëve apo grupeve të vogla.

Allahu i Madhërishëm na ka sprovuar me shfaqjen e sëmundjeve të ndryshme, kështu që spitalet janë përplot me njerëz që kanë nevojë për kujdes dhe që na e kujtojnë Allahun dhe begatitë e Tij – na i kujtojnë urdhrat dhe ndalesat e Tij.

Sa shumë të sëmurë ka që janë larg nga të dashurit e tyre, ose nuk i kanë fare?

Sa janë të atillë që nuk kanë askënd për tu ardhur në vizitë dhe për tu sjellë gëzim me fjalë të mira, me ushqime të shijshme, me veshje të pastra.

Sa janë nga ata që nuk kanë çka të veshin, me çka të ushqehen, me çka të pastrohen…

Kurse ne themi se po mërzitemi!

Allahu i Madhërishëm na ka sprovuar me përmbytje, tërmete, rrëshqitje të dheut … Po, Allahu i Madhërishëm e ka sprovuar edhe secilin që e ka dëgjuar këtë informacion dhe jo vetëm atë që e ka prekur drejtpërdrejt nga çfarëdo sprovë.

Ti je i mërzitur, kurse sa njerëz janë që nuk kanë fuqi të vazhdojnë me pastrimin e pasojave të këtyre fatkeqësive.

Ti je i mërzitur, ndërsa gratë e moshuara ose pleqtë e sëmurë me dridhje të duarve i fshijnë djersët dhe lotët nga fytyra e lodhur.

Natyrisht, ti je i mërzitur, sepse për çdo ditë e luan të njëjtën lojë në kompjuter ose shkëmben mesazhe në të gjitha rrjetet sociale të shejtanit – të bëra për humbje kohe, për fitne, për shkatërrimin e familjeve.

Ti je i mërzitur, sepse e krahason jetën tënde me jetën e atyre të ‘gjorëve’ nga operat e sapunit dhe shtëpia jote nuk të duket shtëpi dhe assesi nuk je i kënaqur me jetën tënde, me martesën, me familjen …

Asnjëherë sikurse tash nuk ka pasur më tepër tokë të papunuar, dhe asnjëherë varfëria nuk ka qenë më fort e shprehur. Sa shumë toka pjellore janë lënë të shkreta ose të mbuluara me gëmushë, kurse pronarët të cilët janë shkatërruar nga pleqëria dhe lodhja, luten që dikush ta punojë tokën. Kot të vjetrit i lusin brezat e sotëm të cilët nuk kanë kohë për ta punuar tokën, për të dhënë në rrugën e Allahut, për të ndihmuar të shtypurit, apo për të realizuar projekte të dobishme, sepse, në ara nuk ka facebook, as MSN, as mjete tjera të shejtanit. Kjo nuk është për ta, sepse “ata këtë nuk e kanë bërë kurrë” dhe “nga kjo nuk ka llogari.”

Sa shumë fëmijë të paedukuar sot ka nëpër parqe dhe nëpër rrugë, sa shumë dhunë dhe të këqija, kurse ne jemi të mërzitur. Është e kot të humbët kohë në projekte predikimi dhe në biseda me njerëz të tillë sepse “Allahu i Madhërishëm është ai që udhëzon – nuk i udhëzojmë ne.” Po, gjithmonë ekziston përgjigje dhe arsyetim për kohën e humbur, por do të vijë dita, kur nuk do të ketë justifikim e as kthim prapa- kompensim të kohës që kemi humbur.

Pejgamberi savs thotë: “Shfrytëzo 5 gjëra para 5 të tjerave:

(1) rininë para pleqërisë,

(2) shëndetin para sëmundjes,

(3) pasurinë para varfërisë,

(4) kohën e lirë para se të bëhesh shumë i zënë, dhe

(5) jetën para vdekjes.” (Tirmidhiu)

Në një hadith tjetër thotë: “Ekzistojnë dy begati që shumica e njerëzve i lënë pas dore: shëndeti dhe koha.” (Buhariu)

Në të vërtetë, kur njeriu sëmuret, atëherë e kupton se sa i çmuar është shëndeti, dhe gjithmonë përsëri vetvetes i premton, se pasi të shërohet, do të ndryshojë dhe do të kujdeset më shumë për shëndetin e tij. Kurse koha që ka kaluar, të cilën e kemi humbur, për shembull për edukimin e fëmijëve tanë, shpesh na kujton se sa gabim i madh është çdo minutë e humbur, sepse fëmijëria e humbur, rinia, mirësjellja ndaj prindërve, ndaj fqinjëve, ndaj familjes, ndaj miqve… nuk mund të kompensohet dhe për këto bëhemi të vetëdijshëm vetëm atëherë kur i humbim.

Sigurisht që secili prej nesh në lagjen e tij, ka të paktën një person që ka nevojë për ndihmë materiale, fizike apo për ndonjë ndihmë tjetër, dhe sa e përdorim ne këtë begati. Unë nuk kam gabuar kur kam thënë begati – se me të vërtetë ajo edhe është begati. Mos të harrojmë se janë të zgjedhur ata të cilët janë shembull: për çdo ditë kanë dalë nga shtëpia dhe e kanë lutur Allahun që tu dërgojë dikë, të cilit do t’i jepnin dhe do t’i bënin bamirësi, kurse neve na mjafton që të dalim para ndërtesës, të qëndrojmë disa minuta para kontejnerit të plehrave dhe ja mundësia për xhenet. Një herë kjo mund të bëhet me të holla, herën tjetër me një kifle, herën e tretë me pak fryte … Gjithmonë do të gjendet diçka, me të cilën vetes do t’ia sigurojmë xhenetin.

Por si, kur ne jemi të mërzitur, ne nuk kemi kohë të presim para kontejnerit të plehrave, dhe lodhja na ka mundur e nuk mund të shkojmë te fqinji për t’i ndihmuar –  për t’ia lehtësuar jetën.

Jo, ne jemi shumë të mërzitur, dhe megjithatë, presim që të gjithë të na vlerësojnë dhe të na respektojnë. Ne presim që neve ata të na shohin shembuj të ndritshëm ashtu çfarë do të duhej të ishte, por shembujt e ndritshëm bëhen me vepra e jo me fjalë, kështu që prapë është më mirë që ne të vazhdojmë të mbytemi nga mërzia!

I Dërguari savs thotë: “Vërtet, Allahu, melekët e Tij, banorët e qiejve dhe të tokës, madje edhe milingona në habitatin e saj sjellin bekime (bëjnë lutje dhe kërkojnë falje) për ata që njerëzve ua mësojnë të mirën.” (Tirmidhiu)

Libri, shyqyr Allahut (elhamdulil-lah), nuk po na mungon, Allahu i Madhërishëm me të na ka furnizuar dhe na ka sprovuar, por pak ka që e lexojnë atë, dhe nga ai diturinë ua përcjellin të tjerëve, librat sot janë bërë stoli e rafteve të pluhurosur.

Tubimet tona janë të mallkuara, sepse në to flitet vetëm për këtë botë, ose edhe më keq.

Megjithatë, edhe përkundër kësaj, ka shumë nga ata që janë në depresion të thellë për shkak të kohës së tepërt të lirë dhe nga mërzitja, e cila u krijon boshllëk dhe ankth në zemrat e tyre.

Ka shumë mënyra për të plotësuar çdo minutë të kësaj bote kalimtare dhe asnjëherë nuk jemi të kënaqur, sepse ne gjithmonë do të konkludojmë se mund të bëhet më shumë dhe më mirë.

Sigurisht, kështu do të konkludojmë nëse i analizojmë veprimet tona e jo veprimet e të tjerëve. Vetëm humbësit e mëdhenj, vetëm fatkëqijtë e mëdhenj mund t’i lejojnë vetes luksin e humbjes së kohës – të jenë të mërzitur.

Mençur ka deklaruar Hasan el-Basriu (r.h.): “Biri i Ademit! Vërtetë ti je vetëm një numër i caktuar ditësh. Kur të kalojë një ditë, ka kaluar një pjesë e jotja.”

Dhe, derisa ne jemi të mërzitur, nuk e dimë se cilën e kemi më afër: sëmundjen pas shëndetit, varfërinë pas pasurisë, angazhimin (zënien) pas kohës së lirë, melekun e vdekjes apo Ditën e gjykimit … Ndërkaq, Allahu i Madhërishëm në suren el-En’am na porosit:

“Atë ditë, kur të vijnë disa nga parashenjat e Zotit tënd, asnjë njeriu nuk do t’i bëj dobi besimi i tij atëherë, nëse më parë nuk ka besuar, ose nëse nuk ka bërë ndonjë vepër të mirë si besimtar. Thuaj: ‘Vetëm ju prisni, dhe ne vërtet do të presim!’”

A ke guxim për të thënë me zë të lartë se po mërzitëm dhe ende thua se je besimtar?

Përshtati: Miftar Ajdini  (Islampress)