Të Fundit
A ka arsyetim për mos faljen e namazit?

A ka arsyetim për mos faljen e namazit?

“Falni namazin e jepni zekatin dhe lutuni bashkë me ata që luten.” (El-Bekare, 43)

Shumë njerëz nuk e dinë se sa e rëndësishme është të falen pesë namazet ditore, dhe sa është shpërblimi për faljen e namazit në xhemat, sidomos në xhami. Disa vdesin e kurrë nuk shkojnë në xhami, dhe atyre ju falet namazi i xhenazes kur të vdesin. Disa rregullisht e falin namazin e bajramit, disa e falin xhumanë, e disa edhe ndonjë namaz tjetër. Por, pak janë ata që i falin çdo ditë pesë namazet, edhe më pak janë ata që namazet i falin në xhami.
Në disa vende, për fat të keq, imamët vetëm e thirrin ezanin dhe falën vetëm.

Ka shumë arsye për mos falje, prej të cilave janë edhe këto: injoranca, dembelizmi, humbja e kohës në gjëra të parëndësishme, si seritë, filmat, lojërat, shpenzimi i kohës nëpër kafene me shoqëri, të cilëve harami ju duket normal sikurse hallalli, etj. Ndërsa krenohen se dinë diçka rreth Islamit, thonë se po punojnë dhe puna është farz. Është e vërtetë se puna është farz dhe një nga ibadetet më të rëndësishme, por dita ka 24 orë, ndërsa çdo namaz zgjat vetëm nga 10 minuta. Pra, a nuk mund të ndajmë vetëm kaq kohë për namaz, për Krijuesin tonë?! Subhanallah, sa jemi mosmirënjohës, kurse Allahu i Madhërishëm na ka nderuar me begati të panumërta. Shpesh mburremi se si paraardhësit tanë janë falur rregullisht, madje e kanë thyer akullin për të marrë abdes dhe gusël, e haxhin e kanë kryer edhe atëherë kur udhëtimi deri në Mekë dhe kthimi kanë zgjatur gjysmë viti e më shumë.

Mirëpo, sikur këto kanë qenë ibadete vetëm për ta dhe jo edhe për ne. Ne dimë edhe tërë botën ta vizitojmë por haxhin nuk e kryejmë. Thuhet hajt se ka kohë, edhe për namaz edhe për haxh. Kurse vdekja mund të na vjen sonte ose nesër! Allahu Ekber!

Çka po presim dhe çka po shpresojmë?! Njerëzit e mençur nuk e lënë asnjë farz për nesër.

Shpesh mund t’i dëgjojmë edhe fjalët: “Jeto dhe kënaqu sa je i ri, sepse kur të vdesësh, mbaron çdo gjë!” Atëherë, vërtet mbaron çdo gjë! Atëherë duhet të shkohet para Krijuesit për të dhënë llogari për çdo gjë që kemi lëshuar, ndërsa është dashur ta kryejmë! Atëherë do të duam që të kthehemi dhe t’i falim të gjitha namazet, por do të jetë tepër vonë. Prandaj, tani këtu, të punojmë në mënyrë që atje t’i vjelim frutat. Xheneti fitohet këtu, aktivisht dhe me djersë, por gjithashtu edhe xhehenemi.

Megjithatë, sjellja e një numri të madh të cilët falen dhe vijnë në xhami është e çuditshme. Gjatë hutbes ata flasin, madje edhe në telefon përgjigjen. Disa kapërcejnë mbi rreshta që të përgjigjen në thirrje, ndërsa disa të tjerë, ia ulin volumin për të thënë se janë në xhuma. Kush mund të thërras gjatë kohës së xhumasë? Do të thotë që namazin e xhumasë ai nuk e fal! Disa lidhën në namaz dhe shikojnë, madje edhe kthehen për të parë se kush po hyn, shikojnë orën, ju hapet goja dhe mezi presin që të përfundohet namazi dhe sa më shpejt të dalin nga xhamia. Ulën pranë derës, ashtu që prej tyre nuk mund të hyhet brenda. Ata dëgjojnë kur ju thuhet se ka shpërblim nëse lëvizin përpara, por sikur janë të shurdhër. E derën aq shumë e përplasin, saqë do të donim që fare të mos ekzistonte.

Ndërsa nga ata që nuk falen, shpesh i dëgjojmë duke thënë: “Unë nuk falem, por jam më i mirë, më besoni, se gjysma e atyre njerëzve që falen dhe shkojnë në xhami!” Ose: “Unë jam i mirë në shpirt, kam zemër të pastër dhe askujt nuk ja mendoj të keqen!” “Kur i shoh të gjithë ata që shkojnë në xhami, nuk ka mundësi që unë të shkoj!” “Vetëm kur filani dhe fisteku të ndalen së shkuari në xhami, atëherë unë do të filloj të shkoj!” “Zoti ju jep atyre që punojnë, e ti bacë, falu gjithë ditën, s’ka nafakë!” “Më e rëndësishme është të punosh se sa të falësh!” “Shikoje atë, deri dje ishte komunist, kurse tani falet dhe futet në saffin e parë!” “Oh, lehtë e ka ai të falet, edhe ashtu nuk bën asgjë!” “Nëse ai punon si unë, do ta pyesja bacë, a do të falej!”

Është shumë me siklet kur dikën prej tyre e pyesësh kah është kibla në shtëpi, kurse ata thonë: “Nuk e di, gjyshi kthehej këndej!” Me gjyshin, do të thotë është zhduk edhe kibla, natyrisht, edhe namazi!

Dhe kështu, njerëzit e mashtrojnë veten e tyre dhe kërkojnë arsyetim të mos falen, të mos shkojnë në xhami dhe mos t’i kryejnë ibadetet tjera, e koha shkon pa kthim, kurse vdekja na përgjon si një dragua, ndërsa varri është duke pritur të na gëlltisë si krokodili. Atëherë pendimi do të jetë vonë. Mos të mashtrohemi, nuk ka asnjë arsyetim. Nuk na shfajëson as mosha, as sëmundja, as varfëria, as angazhimi dhe as ndonjë gjë tjetër. Ekziston vetëm një arsyetim i vlefshëm, e ai është vetëm nëse njeriu është i çmendur.

O Zot, na jep mendje të shëndoshë dhe zemër të pastër që me vetëdije Ty të adhurojmë dhe të bëjmë ibadet, që Ti të je i kënaqur me neve, dhe ne me Ty.

Megjithatë, pavarësisht nga sjelljet e njerëzve, me ta duhet të jemi të kujdesshëm, të sjellshëm dhe tu dëshirojmë atyre atë që dëshirojmë edhe për vete.

Kam lexuar se në një xhemat një xhematliu rastësisht i kishte cingëruar telefoni. Imami dhe xhemati e kishin qortuar pas namazit. Pas kësaj, ai kurrë më nuk kishte shkuar në xhami. Kishte shkuar në kafene. Atje pa dashje e kishte derdhur pijen. Kamerieri ja kishte ofruar edhe një pije tjetër falas. Që atëherë ai gjithmonë shkonte atje!

Me fjalët dhe veprimet tona mund të bëjmë shumë, ose pozitivisht ose negativisht. Pejgamberi savs ka thënë: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos refuzoni.”

Është lehtë dikën ta largosh nga xhamia, por është e vështirë që ta sjellësh në xhami. Por edhe kur ta sjellim, është vështirë ta mbajmë në xhami. Prandaj, ta kërkojmë atë që është e mirë te njerëzit, jo të keqen. Sepse, nëse dikush bie në sexhde, ai në fakt ka të mira. Pyetjet margjinale dhe mospajtimet duhet t’i zgjidhim në atë mënyrë që Allahu të jetë i kënaqur. Provokimit në çdo mënyrë duhet t’i shmangemi.

Një nënë tregon se si djali i saj 8 vjeçar nuk mund të shkonte në xhami nëse nuk vendoste kapelë në kokë. Sepse imami rigoroz i kishte thënë se nëse nuk vendos kapelë në kokë ai është i çmendur. Djali im ka shkuar te imami, ja ka hequr kapelën e tij dhe i ka thënë: “Tash ti je i çmendur!” Imami ishte zënë shumë ngushtë! Unë e pyeta djalin tim, pse e bëre atë, kurse ai mu përgjigj: “Për shkak se ai e përdori fjalën “i çmendur.” Ai ka mundur të më thotë në një mënyrë më të mirë. A i ka qortuar Pejgamberi savs njerëzit në këtë mënyrë? Arsyetimi i djalit tim ka kuptim, por si t’ua argumentoj këtë njerëzve kokëfortë?

Ndonjëherë njerëzit e kanë pranuar Islamin vetëm në bazë të asaj që i kanë pa muslimanët se si po sillen mirë dhe me devotshmëri dhe si janë të drejtë. Ndërsa sot, si janë duke u sjellë muslimanët, na dëshmojnë fjalët e një njeriu që e ka përqafuar Islamin, thotë: “E falënderoj Allahun që e kam pranuar Islamin para se të takohem me muslimanët!”

Sot, ka shumë prej atyre që me veprimet dhe fjalët e tyre njerëzit i largojnë nga Islami. Kërkojnë gabime e mangësi te njerëzit dhe i shpallin mosbesimtarë. Të tillët, por edhe të gjithë ne, gjithmonë duhet t’i kemi parasysh fjalët e Pejgamberit savs: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos refuzoni.” Vetëm kështu njerëzit mund t’i tërheqim në xhemat dhe në xhami. Dhe atë, nëse ata e meritojnë mëshirën e Allahut të Madhërishëm.

Nëse njerëzit nuk i tërheq fjala e mirë e me buzëqeshje, ngrysja dhe fjala e vrazhdë, me siguri, edhe më shumë do t’i largojë. Andaj, le të jemi të kujdesshëm!

O Allahu i Plotfuqishëm, na e prano neve këtë hutbe, shpërblej ata që e dëgjuan, edhe ata të cilëve jua shpërndajnë, veçanërisht shpërbleji ata që do të veprojnë sipas saj!

Pershtati: Miftar Ajdini