Të Fundit
Zoti ekziston, mirëpo sa i bindemi Atij?

Zoti ekziston, mirëpo sa i bindemi Atij?

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

***

“Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.” (Jusuf, 108)

Xhemat i shtrenjtë,

Kohëve të fundit, në botën tonë shqiptare, kanë filluar sërish të dalin për mejdani teoritë e ateizmit, sikur duan të na kthejnë edhe njëherë në vitet pa Zot, në vitet e vdekjes dhe të mohimit të gajbit. Prandaj dhe dëshirova që këtë hutbe t’ia kushtoj këtij debati, duke iu përmbajtur kryesisht titullit: Zot ka, mirëpo sa i bindemi Atij?

Ne, gati çdo ditë, ballafaqohemi me njerëz që promovojnë ide të mosbesimit, gjegjësisht të ateizmit, apo të mohimit të ekzistencës së Zotit, kurse këtë e bëjnë duke folur për shkencën dhe arritshmërinë e saj, që për ta është sikur ta kenë zbuluar zotin e vërtetë. Mirëpo, a thua vërtetë shkenca është ajo e para dhe e fundit? Pse duhet ta besojmë shkencën në vend të Zotit? A harrojnë këta njerëz se shkenca është produkt njerëzor? A nuk është vetë shkencëtari ai i cili, për disa vite, ndryshon disa herë për një mendim dhe teori, duke i rezultuar kështu, disa herë, edhe si të gabuara.

Vëllezër e motra të nderuara, Zoti i gjithësisë, Allahu, ekziston. Për ekzistencën e tij ka shembuj e shembuj, dhe atë duke filluar që nga vetvetja e deri në kozmosin më të gjërë. Sa për kërshërinë tuaj dhe tonën, sot për këtë hutbe do të sjellim vetëm dy shembuj, me të cilët dëshirojmë t’u ofrojmë një pikëpamje që flet për pafuqinë e njeriut dhe për superfuqinë e Zotit të gjithësisë.

Si shembull të parë do ta marrim ujin. Uji përbëhet nga hidrogjeni dhe oksigjeni (H2O), për të cilin Zoti ynë, Allahu, në Librin e Tij fisnik thotë: “Më thoni ju Mua: Ujin të cilin po e pini, ju apo Ne nga qielli e zbresim?” (El-Vakia, 68-69).

Vallë kush e krijoi ujin? Kush e zbret atë nga qielli? A mundet shkenca të prodhojë ujë, shi, borë apo diç tjetër? Sa miliona para investohen, që në kohë thatësire, të krijojnë ujë, por dështojnë pa hesap. Përse retë kalojnë mbi shkretëtirë dhe nuk japin shi, kurse mbi tokën e blertë japin shi me bollëk? Shkenca vepron brenda një laboratori dhe është e fuqishme aq sa edhe i ka dhënë mundësi Allahu i gjithëfuqishëm.

Nga ana tjetër e kemi qumështin, i cili po ashtu ofrohet si një argument i fuqishëm për ekzistencën e Zotit. Allahu ynë në Kur’anin famëlartë thotë: “Ju keni shembull edhe te kafshët: “Ne bëjmë që nga barku i tyre të pini qumësht të pastër, që bëhet nga përtypja në stomak dhe nga gjaku – të shijshëm për ata që e pinë.” (En-Nahl, 66). (Dy shembujt janë marrë prej një shkrimi më të gjatë të intelektualit dhe profesorit të nderuar Nexhat ef. Ibrahimi, me titull:  Allahu është i paperceptueshëm, përse?)

Njeriu deri më sot nuk ka mundur të arrijë të prodhojë qumësht natyral. Aq më pak, në kohën kur është shpallur ky ajet, njerëzit nuk kanë ditur fare se si formohet qumështi në barkun e kafshës. Madje, duke e parë këtë si mrekulli, shumë njerëz sot në botë i besojnë lopës si Zot, pasi ajo u jep gjënë më të mirë për shëndetin, e që është qumështi.

Xhemat i respektuar,

Në bazë të dëshmive dhe argumenteve, nuk ka se pse të dyshohet në ekzistencën e Zotit. Tani, shtrojmë pyetjen: Po këtij Zoti, a i shërbejmë siç duhet? A i bindemi Zotit, sa edhe i besojmë Atij? Kryesisht, në lidhje me shërbimin ndaj Zotit, njerëzit mund të ndahen me sa vijon:

- njerëz që mohojnë ekzistencën e Tij dhe botën e ardhshme,

- njerëz të cilët duke e shfrytëzuar Zotin, i shërbejnë vetvetes, pozitës apo një grupi të caktuar, dhe

- njerëz të cilët i besojnë fuqishëm Zotit dhe veprojnë mbi bazën e udhëzimit të Tij hyjnor.

Grupi i parë dhe i dytë fitojnë vetëm në këtë botë, kurse grupi i tretë e fiton edhe botën tjetër.

Për në fund, e sjellim ndërmend ajetin e lexuar në fillim të hutbes, ku Allahu i Lartësuar, në suren Jusuf, thotë:  “Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët.” (Jusuf, 108)

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur  më 08.05.2015, në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, nga imami  Hfz. Mehas Alija)