Të Fundit
Agjërimet e ndaluara

Agjërimet e ndaluara

Islami është një fe që mund ta jetojë lehtë gjithsecili. Tek ai nuk ka asgjë që njerëzit të mos mund ta plotësojnë dhe ta jetësojnë. Çdo gjë në Islam ka balansin dhe ekuilibrin e vet, pra nuk ka teprim dhe ekstremizëm në të. Edhe kur është në pyetje agjërimi, një ibadet shumë i dashur për Zotin, përsëri edhe për të ka kufizime dhe ditë të ndaluara agjërimi. Zoti i Lartë me anë të ibadetit dëshiron që të na mësojë dhe edukojë e jo të na mundojë dhe rëndojë. Le t’i shohim se cilët janë ditët dhe kohët në të cilat nuk lejohet të agjërohet:

  1. Agjërimi i njëpasnjëshëm. Ky agjërim quhet ndryshe edhe si agjërim „visal“, pra agjërim që bashkohet a agjërohet në dy a më shumë ditë radhazi pa e prishur. Hz. Aishja r.a. ka thënë: „Nga dhembshuria për muslimanët, Pejgamberi a.s. e ka ndaluar agjërimin e njëpasnjëshëm.“ (Imam Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi)
  2. Agjërimi i përditshëm. Ky është një agjërim që agjërohet ditë për ditë, për tërë vitin ose për një periudhë të gjatë kohore. Agjërimi i përditshëm mund ta dobësonte agjëruesin dhe të shkaktonte përfundime negative tek ai. E nëse ka vullnet dhe dëshirë, atëherë, siç na ka njoftuar Pejgamberi a.s., le të agjërohet me agjërim të Davudit a.s., një ditë po, e një ditë jo. (Imam Buhariu, Muslimi, Nesaiu, Ibn Maxhe, etj.)
  3. Agjërimi i ditës së dyshimtë (shekk). Kjo është koha një ose dy ditë para fillimit të muajit të Ramazanit, pra dita e 30-të e muajit shaban. Të agjërohet një ditë para muajit Ramazan është ndaluar nga Pejgamberi a.s. Një një hadith thuhet: “Askush nga ju të mos agjërojë një ose dy ditë para Ramazanit, përveç nëse e ka ndonjë agjërim që e ka mbajtur qysh më parë, atëherë le ta mbajë.”(Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, etj.)
  4. Agjërimi i ditëve të bajrameve dhe të teshrikut. Ditët e bajramit janë ditë gostie dhe feste, andaj agjërimi në këto ditë është ndaluar nga Pejgamberi a.s. Këto janë dita e parë e Bajramit të Fitrit, dita e parë e Bajramit të Kurbanit dhe tre ditët e tjera pas këtij bajrami, që ndryshe quhen si ditët e teshrikut. (Shih, Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu).  Siç na ka njoftuar Pejgamberi a.s., këto ditë janë, pothuaj se, sofra gostie të shtruara nga All-llahu xh.sh. për njerëzit.  Ebu Seid El-Hudriu r.a. ka thënë: “Pejgamberi a.s. ka ndaluar agjërimin në këto dy ditë: në ditën e bajramit të ramazanit dhe të kurbanit.” (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, etj.)
  5. Agjërimi vetëm ditën e premte. Për shkak se edhe kjo ditë konsiderohet si ditë feste, Pejgamberi a.s. e pati ndaluar agjërimin vetëm në këtë ditë, duke thënë: “Mos e caktoni vetëm natën e xhuma për adhurim dhe mos e caktoni vetëm ditën e xhuma për adhurim.” (Muslim, Ebu Davud, Tirmidhi, etj.)  Nëse ditës së xhuma i bashkëngjitet një ditë përpara ose një ditë prapa, atëherë lejohet agjërimi i saj.
  6. Agjërimi i femrave me të përmuajshme dhe lehona. Muadhi r.a. thotë: “E kam pyetur hz. Aishen r.a. se pse femra me të përmuajshme e bënë kaza (e zëvendëson) vetëm agjërimin dhe jo namazin, e ajo m’u përgjigj: “Kur ishim bashkë me të Dërguarin a.s., kur unë isha me të përmuajshme, më thoshte të bëja kaza vetëm agjërimin, kurse për namazet nuk më pati thënë gjë.” Bërja kaza ka të bëjë vetëm me ditët e lëshuara pa agjëruar të Ramazanit, ndërsa për agjërime nafile, në këto dy gjendje të femrave, nuk lejohet.

Siç shihet, me këto ndalime, nëse jo vetëm për lehtësim, Islami na mëson që në jetë të jetojmë të ekuilibruar. Na dhembshuria dhe mëshira e Allahut, robërit e tij janë urdhëruar dhe janë ndaluar dhe e tërë kjo në dobi të vetëm njeriut. Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Zotit të botëve, All-llahut xh.sh.

Përgatiti: Mehas Alija

(Islampress)