Të Fundit
Vlera e Diturisë

Vlera e Diturisë

Ajetet e para që ua shpallën Pejgamberit tonë Muhamedit a.s. ishin pesë ajetet e para së sures “Alak” ku Allahu xh.sh. thotë: “ Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). (Alak, 1). Urdhri hyjnor “Lexo” nuk i drejtohet vetëm Pejgamberit a.s personalisht, por i drejtohet të gjithë ymetit mysliman.

Të gjithë profetët para profetit Muhamed a.s, ngadhënjenin mbi kundërshtarët e tyre me anë të mrekullive. Musai a.s kishte shkopin e tij, Nuhu a.s tufanin që shkatërroi armiqtë e tij, Hudi a.s. erën e fuqishme (stuhinë) etj… Kurse ymeti i Muhamedit a.s. triumfoi dhe do të triumfojë vetëm me dije dhe arsim. Edhe në jetën e Pejgamberit a.s u përjetuan mrekulli, por ato nuk ishin boshti i ndryshimit, nuk ishin përcaktuesit e triumfit dhe fitores. Ato ishin vetëm për ta mbështetur moralisht Pejgamberin a.s dhe myslimanët.

Ndryshimi dhe triumfi për myslimanët do të vijë ditën kur ata të kapen fort pas fesë së tyre, t’i përkushtohen asaj, të arsimohen dhe t’i vënë në jetë dijet që kanë marrë.

Surja e dytë që iu shpall Pejgamberit a.s është surja Kalem, që do të thotë pendë shkrimi në veçanti, apo mjet shkrimi në përgjithësi. Vetë emri i sures “Kalem” flet mbi këtë. Thotë Zoti në ajetin e parë të kësaj sureje: “Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë ” (Kalem, 1)

Vetë fjala “i ditur” përmendet 224 herë në Kuranin famëlartë. Emri i Zotit “i Gjithëdituri” përmendet 185 herë, “dija” përmendet 375 herë, në sahihun e Buhariut, gjendet një kapitull në vete i titulluar “dija” që përmban njëqind e dy hadithe ku përmendet fjala dije, dituri.

Pejgamberi a.s. në një hadith të transmetuar nga Muslimi ka thënë: “Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet njeriut që ndjek rrugën për të kërkuar dituri në këtë botë.”

Këto fjalë të çmuara nxjerrin në pah vlerën e diturisë dhe nxisin studimin e saj. Ajetet kuranore dhe hadithet që tregojnë qartë rëndësinë dhe vlerën e diturisë dhe ato që nxisin për kërkimin dhe përvetësimin e saj, janë të shumta. Prej ajeteve kuranore përmendim: Allahu xh.sh. thotë: “Allahu dëshmon, ashtu si edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.“ (Ali Imran, 18)

Kurtubiu në tefsirin e tij lidhur me komentimin e këtij ajeti thotë: “Ky ajet kuranor është argument për vlerën e dijes dhe të dijetarëve.

Në qoftë se ndonjë kategori tjetër do të ishte vlerësuar më shumë se dijetarët, atëherë Allahu xh.sh. do ta përmendte atë së bashku me emrin e Tij ashtu siç përmendi melekët dhe dijetarët në këtë ajet.

Sikur të kishte diçka më të vlefshme sesa dituria, atëherë Allahu i Lartësuar do ta urdhëronte të Dërguarin e Tij, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, që ti lutej që Allahu t’ia shtonte atë ashtu siç e mësoi të lutej për shtimin e diturisë.

“…O Zoti im, shtoma diturinë!” (Ta-ha, 114). Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush merr rrugën për të mësuar dituri, atij Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhenet dhe melekët si respekt për punën që kryen kërkuesi i diturisë shtrinë krahët e tyre mbi të. Për dijetarin kërkojnë falje (istigfar) çfarë ka në gjej dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit krahasuar me adhuruesin (atë që bën ibadet) është si hëna në krahasim me planetët e tjerë. Vërtet dijetarët janë trashëguesit e Pejgamberëve dhe Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as dinarë dhe as dërhemë, por kanë lanë trashëgimi diturinë. Kush merr nga ajo (trashëgimi), ka pasur një fat të mirë.”                 (Ebu Davud, Tirmidhiu).

Pa dyshim se dituria është një nga kushtet dhe nevojat kryesore për ngritjen dhe përparimin e individit dhe të shoqërisë. Nevoja për dituri dhe njohuri asnjëherë nuk shuhet; ashtu si ndihet nevoja për ushqim, ashtu është edhe dituria ushqim i mendjes dhe i shpirtit. Pejgamberit a.s, që kur i zbritën fjalët e para “Lexo” dhe deri në fund të jetës, i qëndroi besnik mësimit dhe i mësoi ymetit tij besimin e pastër në Allahun xh.sh.

Mësimi dhe arsimimi në Islam janë përcaktuar me fjalën e Allahut në Kuranin famëlartë, me hadithet e Pejgamberit a.s. Të gjithë myslimanët janë urdhëruar për të mësuar dhe studiuar prej djepit deri në varr.” Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mësimi i diturisë është obligim për çdo mysliman dhe myslimane”. (Ibn Maxhe, Mukadime). Ne e dimë se imani (besimi) është shpirt i fesë, megjithatë Shpallja filloi me “lexo, mëso” dhe  jo “beso”.

Dija është rruga që të çon në xhenet, bashkëbiseduesi në vetmi, udhëzuese drejt mirësisë, ndihma në vështirësi dhe arma  më e fortë ndaj armiqve. Ebu Derda ka thënë: “Dituria është jetë për zemrat nga verbërimi, dritë për sytë nga errësira”. Një ymet që nuk është i interesuar për të fituar dije dhe një rini që nuk bën kërkime dhe hulumtime shkencore, është e vështirë të rimëkëmbet dhe të zhvillohet. Të jesh i suksesshëm në fushën shkencore, të përvetësosh dije dhe njohuri të reja, të merresh me zbulime dhe hulumtime shkencore, është kusht themelor për zhvillimin e çdo populli dhe çdo kombi. Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk vjen gjë e mirë prej atij që nuk e do diturinë. Prandaj, mos u miqëso me një njeri të tillë, sepse dituria është jeta e zemrave dhe pishtari i arsyes”.

E lusim Allahun xh.sh. të na japë dije dhe të na bëjë të dobishëm në shoqërinë ku jetojmë!

Naim Drijaj