Të Fundit
Vlera e dhjetë netëve dhe ditëve të fundit të Ramazanit

Vlera e dhjetë netëve dhe ditëve të fundit të Ramazanit

Falënderimi dhe lavdërimi i takon Allahut të Plotfuqishëm për të gjitha begatitë që na ka dhënë. Falënderim të veçantë i shprehim për begatinë e Ramazanit.

I dërgojmë salavat dhe selam të Dërguarit të fundit dhe të dashurit të Allahut, Muhamedit (a.s.), familjes së tij, sahabëve të tij, dhe të gjithë robërve të mirë të Allahut.

Vëllezër besimtarë!

Tema e hutbes së sotme është:
Vlera e dhjetë netëve dhe ditëve të fundit të Ramazanit

O besimtar! Vërtet, Allahu ju dhuron robërve të Tij mundësi dhe periudha për mirësi dhe begati të pakufishme. Ramazani është, me të vërtetë, një rast i tillë. Ramazani është një stinë e mëshirës së shtuar të Allahut të Plotfuqishëm, e mëshirës, faljes dhe shpëtimit nga zjarri i xhehenemit. Për fat të keq, kjo stinë së shpejti do të largohet prej nesh. Disave nga ne ndoshta do të na kthehet pas një viti, kurse për disa nuk do të kthehet. Allahu më të mirën e ka ruajtur për në fund, dhe na ka lënë në fund të këtij muaji të bekuar edhe një sërë netësh të bekuara. Prandaj, robër të Allahut, ju këshilloj juve dhe veten time, që të jemi të zellshëm në ibadet ndaj Zotit tonë, veçanërisht në të tretën e fundit të këtij muaji unik.

Udhëheqësi dhe mësuesi i të gjithë besimtarëve, Muhamedi (savs), e kishte bërë zakon që të bënte përpjekje dhe t’i përkushtohej ibadetit në pjesën e fundit të Ramazanit, dukshëm më shumë se sa në pjesën e mëparshme të këtij muaji dhe në muajt e tjerë të vitit. Sepse në ato 10 netë, ka shumë të ngjarë që të jetë nata më madhështore e vitit – Nata e Kadrit.

Në lidhje me këtë, Allahu i Plotfuqishëm thotë:

–  لَيْلَةُ ٱلْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ –
“Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj.”
(el-Kadr, 3)

Kurse Pejgamberi (savs), në një hadith të shkurtër ka treguar dhuratën më të madhe të asaj nate të lavdishme, duke thënë:

“Kush e kalon Natën e Kadrit në ibadet, duke besuar në Allahun dhe duke pritur shpërblim prej Tij, do t’i falen gjynahet që ka bërë.”
(Buhariu dhe Muslimi)

Kërkojeni këtë natë jashtëzakonisht të bekuar në dhjetë netët e fundit të këtij muaji të bekuar, veçanërisht në netët tek, do të thotë, në natën e 21, 23, 25, 27 dhe 29. Le të na gjejë ajo natë në një gjendje të preokupuar me vepra të dashura për Allahut, dhe kurrsesi, Allahu na ruajt, në përtaci dhe gjëra të parëndësishme. Kaloni sa më shumë kohë në ibadet, në meditim dhe në kërkim falje nga Allahu në ato net, veçanërisht në të tretën e fundit të tyre, sepse atëherë është më e mirë dhe më e vlefshme. Lutuni Allahut të Plotfuqishëm për nevojat e tua, sepse lutja në ato net është si një shigjetë që kurrë nuk e humb objektivin e saj. Bëni lutje për vetveten, për prindërit, për familjen, për të afërmit dhe për vëllezërit e motrat në përgjithësi. Kini besim se Zoti juaj do t’jua pranojë lutjet, sepse Ai është më i Mëshirshmi. Hapjani shpirtin tuaj Atij, besojani Atij hallin dhe vuajtjen tuaj, sepse vetëm Ai mund t’ua largojë gjithçka që ju mundon. Derdhni lot në ashkun e dashurisë suaj për Të, dhe shprehni keqardhjen dhe pendimin tuaj të thellë për mëkatet dhe lëshimet tuaja të së kaluarës. Dhe besoni se Ai është pafundësisht i mëshirshëm dhe i dhembshur, madje shumë më tepër sesa një nënë për fëmijën e saj. Sepse, me të vërtetë, ne të gjithë kemi nevojë urgjente për pastrimin e shpirtrave tanë nga ndyrësia e mëkateve tona, dhe për këtë, pikërisht në këtë kohë e kemi mundësinë më të mirë.

Besimtarë të nderuar!

Le ta tregojmë përulësinë tonë para Allahut, le ta pranojmë pafuqinë dhe varësinë tonë nga ndihma dhe mëshira e Tij, dhe le t’i lutemi Atij që ta bëjë këtë Ramazan një fillim të ri dhe më të mirë për ne.

Pejgamberi (savs), na ka mësuar që në Natën e Kadrit ta bëjmë veçanërisht lutjen e mëposhtme, të cilën ia rekomandoi gruas së tij h. Aishes:

اَللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ اَلْعَفْوَ فَاعْفُ عَنِّي
“O Allah! Me të vërtetë, Ti je falës, e do faljen, andaj më fal mua!”
(Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Ahmedi, etj.)

Përsëriteni këtë lutje gjatë këtyre netëve dhe ditëve të bekuara.

Nga Pejgamberi (savs), ka mbetur edhe një sunet dhe rekomandim: që të paktën dikush nga xhemati të kalojë 10 ditët e fundit të Ramazanit në I’tikaf në xhaminë e tij lokale, me qëllim të përkushtimit maksimal ndaj ibadetit dhe lutjes ndaj Allahut të Plotfuqishëm. Kurse neve individualisht, gjithësesi, na është e këshillueshme që të paktën një pjesë të netëve (të fundit) të Ramazanit t’ia kushtojmë ardhjes në xhami, të paktën për jaci dhe teravi, por të përpiqemi që edhe në shtëpi të falim ndonjë rekat nafile. Kjo për neve do të jetë si zëvendësim i i’tikafit – në dashtë Allahu.

Dhjetë ditët e fundit janë ditët e shpëtimit nga zjarri i xhehenemit. Besoni, se me mëshiirën e Allahut, çdo rob i Allahut që i drejtohet Zotit të tij sinqerisht mund të shpëtojë. Kërkoni falje dhe shpëtim edhe me sadaka, sepse Pejgamberi (savs), ka thënë:

اتَّقُوا النَّارَ وَلَوْ بِشِقِّ تَمْرَةٍ
“Mbrohuni nga zjarri i xhehenemit, të paktën (qoftë edhe vetëm)
me një gjysmë hurme.”
(Buhariu, Muslimi dhe Nesaiu).

Besoni se Allahu që është jashtëzakonisht bujar, do t’ju japë kompensim shumë më të mirë për atë që shpenzoni në rrugën e Tij, sepse Ai e ka premtuar këtë dhe premtimi i Tij nuk dështon kurrë:

“Nëse i jepni Allahut një hua të bukur, Ai jua kthen shumëfish atë dhe ju falë. Allahu është Mirënjohës dhe nuk nxiton në dënime.” (et-Tegabun, 17)

Duhet ta kujtojmë se Pejgamberi (savs), ishte njeriu më bujar, kurse bujaria e tij ishte veçanërisht e shprehur në Ramazan. Prandaj ne, përveç agjërimit, faljes së namazeve të përcaktuara ditore, teravisë dhe ibadeteve të tjera, le të jemi tani edhe më bujarë se zakonisht, le t’i kujtojmë me sadaka vëllezërit dhe motrat tona që janë në nevojë, sepse shumë prej tyre, jetojnë në kushte shumë të vështira jetese.

Në përfundim, dua ta ritheksoj nevojën për shfrytëzim maksimum të kësaj pjese të fundit të Ramazanit, sepse mundësi të reja nuk do të na vijnë aq shpejt – dhe vetëm Allahu e di -se kush do ta përjetojë një mundësi të tillë. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi që kemi tani, në ibadet, në lutje dhe kërkim falje nga Allahu i Plotfuqishëm. Le t’i kushtojmë vëmendje të veçantë kësaj, në netët tek, prej të cilave, sipas ulemave, Nata e Kadrit është nata e 27-të, e cila, siç thamë, është më e mirë se 1000 muaj. Kushdo që privohet nga e mira e kësaj nate, do të humbasë vërtet diçka shumë të shtrenjtë, diçka që mund të jetë e rëndësishme për të, ndoshta mundësia e fundit e tillë për një pikë kthese në jetë.

Prandaj, vëllezër të dashur! Le të mos bëhemi dembelë, por të përpiqemi të bëjmë ibadet sa më shumë në netët dhe ditët e mbetura të muajit të bekuar të Ramazanit.

O Allah, Ti je Mëshiruesi i Mëshiruesve.

O Allah, Ti je Krijuesi i të gjitha krijesave.

O Allah, Ti je që e sundon botën.

O Allah, Ti je të Cilit i takon çdo lavdërim dhe falënderim.

O Allah, na e prano neve agjërimin e Ramazanit.

O Allah, na e prano neve iftarin dhe syfyrin.

O Allah, na i prano namazet dhe lutjet në Ramazan.

O Allah, na i prano nafilet tona.

O Allah, bëje që puna jonë në Ramazan të llogaritet ibadet.

O Allah, bëje që gjumi ynë në Ramazan të llogaritet ibadet.

O Allah, na e prano sadakën tonë që e japim në Ramazan.

O Allah, bëje trupin tonë të pastër dhe të shëndetshëm.

O Allah, na i fal mëkatet që i kemi bërë gjatë Ramazanit.

O Allah, pranoje pendimin tonë të sinqertë.

O Allah, bëje që në çdo Ramazan të ardhshëm, ne të jemi më të mirë dhe më të përulur ndaj Teje se sa ai i mëparshmi.

Amin, Amin, ja Rabbel-alemin!

Përshtati: Miftar Ajdini