Të Fundit
Urimi i jomuslimanëve për festat e tyre

Urimi i jomuslimanëve për festat e tyre

Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime
Vendimi nr.21 (3/6)
URIMI I JOMUSLIMANËVE PËR FESTAT E TYRE


Kjo është një çështje e rëndësishme dhe e ndjeshme, në veçanti për muslimanët që jetojnë në Perën­dim. Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime i kanë arritur shumë pyetje nga vëllezër dhe motra të cilët jetojnë në vendet perëndimore, bashkëjetojnë me banorët e atjeshëm jomuslimanë dhe kanë lidhje mes vete të cilat i imponon jeta, si për shembull fqinjësia, vendi i për­bashkët i punës, shoqëria në shkollë, e ndoshta muslimani mund të mendojë se jomuslimani është më bamirës se ai në rrethana të caktuara, siç është rast me arsimtarin i cili i ndih­mon sinqerisht nxënësit muslimanë, mjekun i cili e mjekon sinqerisht të sëmurin musliman etj. Është thënë: “Njeriu është rob i mirësisë”.
Një poet thotë:
Bëju mirësi njerëzve, do t’i robërosh zemrat e tyre
Sepse çdo herë njeriun e ka robëruar mirësia!
Cili duhet të jetë qëndrimi i muslimanit ndaj jomuslima­nëve që jetojnë në paqe dhe nuk i armiqësojnë muslimanët, nuk i luftojnë në fé, nuk i kanë nxjerrë dhe nuk kanë ndihmuar të nxirren prej shtëpive të tyre?
Kur’ani Fisnik e ka miratuar statutin e raportit mes musli­manëve dhe të tjerëve në dy ajete në kaptinën El-Mumtehine, të cilat ajete kanë zbritur përkitazi me politeis­tët idhujtarë. All-llahu i Madhërishëm thotë:<>[el-Mumtehine: 8-9].
Këto dy ajete kanë bërë dallim në mes atyre që janë në paqe dhe atyre që i luftojnë muslimanët:
a. Të parët (ata që janë në paqe), sipas ajetit, e gëzojnë mirësinë dhe drejtësinë e muslimanëve. Termi i përmendur “el-birr” (mirësi) është mbi drejtësinë, gjegjësisht drejtësi është që ta marrësh hakun tënd që të takon, ndërkaq “el-birr” (mirësia) është që të heqësh dorë nga disa të drejta tua. Drejtësi është që t’ia japësh njeriut të drejtën e plotë, pa mos lënë mangët diçka, ndërkaq “el-birr” (mirësi) është që t’i japësh atij më tepër se haku i tij në formë mirësie.
b. Pala tjetër, për të cilët ajeti ndaloi të miqësohen, janë ata të cilët i armiqësuan dhe i luftuan muslimanët, i dëbuan prej shtëpive të tyre pa të drejtë, por vetëm pse thonë: “Zoti ynë është All-llahu”, sikur që vepruan kurejshët dhe idhujtarët e Mekës me të Dërguarin e All-llahut dhe shokët e tij.
Kur’ani Fisnik, për raportin ndaj jo muslimanëve që janë në paqe me ne, e zgjodhi termin “el-birr” (mirësia) kur tha: “… të bëni mirë…”, ndërkaq ky term përdoret për obligimin më të madh që ka njeriu pas obligimit ndaj All-llahut, gjegjë­sisht “birru-l-validejn” (mirësinë ndaj prindërve).
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë prej Esmasë, vajzës së Ebu Bekrit [radijall-llahu anhu], e cila erdhi tek i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], dhe i tha: “Nëna ime erdhi tek unë, e ajo është idhujtare, por dëshiron (të tregojë mirësi dhe t’i japë dhurata). Andaj, a të tregoj mirësi ndaj saj?” I Dërguari i All-llahut i tha: “Trego mirësi ndaj nënës tënde”[1].
Kjo pra ishte përgjigja e të Dërguarit të All-llahut për atë grua që ishte idhujtare, kurse dihet se qëndrimi i Islamit ndaj ithtarëve të librit është më tolerant se sa qëndrimi i tij ndaj politeistëve idhujtarë.
Kur’ani Fisnik ka lejuar që të hahet mishi që e therin ithtarët e librit, e po ashtu edhe të martohemi me femrat e tyre. All-llahu i Madhërishëm në kaptinën El-Maide thotë: <<… edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar). Gratë e ndershme besimtare dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush…>>[2]
Prej fryteve dhe elementeve të domosdoshme të kësaj martese është ekzistimi dashurisë mes bashkëshortëve, siç qëndron në ajetin kur’anor: <>[3]
E si mundet njeriu të mos e dashurojë bashkëshorten e tij, zonjën e shtëpisë, shokun e jetës dhe nënën e fëmijëve të tij? All-llahu i Madhërishëm, raportin e bashkëshortëve mes vete, e ka sqaruar me ajetin vijues: <<… ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato…>>[4]
Prej fryteve të kësaj martese është edhe vjehërria-miqësia ndërmjet dy familjeve, që në fakt paraqet njërën nga lidhjet esenciale natyrore mes njerëzve. Në këtë sinjalizon Kur’ani në ajetin: <>[5]
Po ashtu, kjo martesë dikton ekzistimin e nënës dhe të drejtave të saj të konfirmuara ndaj fëmijës të vet në Islam. Andaj, a është mirësi dhe sjellje solide ndaj saj që ajo të ketë ndonjë festë të madhe, e ai mos t’ia urojë? Po ashtu, cili do të jetë qëndrimi i tij ndaj të afërmve të vet që i ka nga ana e nënës, si: gjyshi, gjyshja, daja, tezja, fëmijët e dajallarëve dhe tezeve, të cilët i gëzojnë të drejtat e farefisit dhe të afërmve. All-llahu i Madhërishëm thotë: <<… E (sipas dispozitave të Zotit), farefisi ka më përparësi ndaj njëri-tjetrit…>>[6], <>[7]
Nëse obligimet ndaj nënës dhe të afërmve ia imponojnë muslimanit dhe muslimanes respektin ndaj nënës dhe të afërmve, gjë që e demonstron moralin e lartë të muslimanit, zemërgjerësinë e tij dhe mirësinë ndaj të afërmve, obligimet tjera ia imponojnë muslimanit që të tregohet se është njeri me moral të lartë. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], e porositi Ebu Dherrin duke i thënë: “Frikoju All-llahut ku të jesh, veprat e liga pasoi me vepra të mira, që t’i shlyejnë të parat, dhe me njerëzit sillu mirë”[8]. Pra, ai tha: “Me njerëzit sillu”, e nuk tha: “Me muslimanët sillu mirë”.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka nxitur për butësi në sjelljen ndaj jo muslimanëve dhe ka ndaluar nga vrazhdësia dhe ashpërsia në këtë drejtim.
Një herë hynë disa hebrej tek i Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]. Ata e shtrem­bëruan përshëndetjen dhe i thanë të Dërguarit të All-llahut: “Es-Sam alejke ja Muhammed”, ndërkaq fjala “Es-Sam” do të thotë “shkatërrim dhe vdekje”. Pra, në vend “Es-Selam” (paqa), i thanë “Es-Sam” (vdekja) qoftë mbi ty. Aisheja [radijall-llahu anha] i dëgjoi dhe tha: “Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi o armiq të All-llahut”. I Dërguari i All-llahut e qortoi për këto fjalë, kurse ajo i tha: “A nuk e dëgjo­ve çka të thanë, o i Dërguar i All-llahut?” I Dërguari i All-llahut tha: “Dëgjova dhe ua ktheva me fjalët: edhe mbi ju”, (gjegjësisht: vdekja vlen për ju, sikur që vlen edhe për mua). “Oj Aishe, All-llahu e do butësinë në çdo gjë”[9].
Legjitimiteti i urimit të popullatës përkatëse për festat e këtilla konfirmohet nëse ata ua urojnë muslimanëve festat e tyre fetare, sikur që përmend pyetësi. Ne jemi urdhëruar që ta kthejmë të mirën me të mirë, përshëndetjen ta kthejmë me përshëndetje më të mirë se ajo që na është thënë neve, apo më së paku të ngjashme me të, konform ajetit: <>[10]
Nuk është mirë që muslimani të jetë më pak respektues dhe me më pak hise të moralit të mirë se sa të tjerët, por muslimani duhet të jetë më i ngritur në aspektin e moralit se tjerët. I Dërguari i All-llahut në një hadith thotë: “Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moral më të mirë”[11]. Poashtu i Dërguari i All-llahut thotë: “Me të vërtetë jam dërguar t’i plotësoj vlerat e larta të moralit”[12].
Kjo edhe më tepër forcohet nëse duam t’i thërrasim ata në Islam, t’i afrojmë kah kjo fe, t’ua dashurojmë muslimanët, gjë që është obligim për neve, e kjo nuk mund të realizohet me distancimin tonë nga ata, por me raporte të mira.
I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], ka pasur moral të mirë dhe sjellje fisnike me idhuj­ta­rët kurejsh gjatë gjithë periudhës mekase, edhe pse ata e kanë torturuar edhe të Dërguarin edhe shokët e tij. Madje, idhujtarët aq shumë kishin besim në të Dërguarin e All-llahut, saqë ia lenin atij në besim gjërat për të cilat frikohe­shin se mund t’u vidhen nga dikush. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], kur u shpër­ngul për në Medine, e la Aliun [radijall-llahu anhu] që t’ua kthejë gjërat që ia kishin lënë në besim pronarëve të tyre.
Andaj, nuk është e ndaluar që individi musliman apo Qendra Islame t’u dërgojë urim jo muslimanëve për festë, qoftë gojarisht apo me letër, e cila nuk përmban simbole apo shprehje fetare të cilat bien ndesh me parimet islame, si për shembull kryqi, sepse Islami e mohon vetë konceptin e kryqit: <<… Po ata as nuk e mbytën, as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau…>>[13]
Fjalët e zakonshme për urime në rastet e këtilla nuk për­mbaj­në asnjë miratim të përkatësisë së tyre fetare apo pëlqim me një gjë të tillë, por ato janë fjalë të bukura që i kanë bërë zakon njerëzit.
Poashtu, nuk ka pengesë që të pranohen edhe dhuratat e tyre, sepse edhe i Dërguari i All-llahut i pranoi dhuratat e jo muslimanëve, siç ishte rast me Mukavkisin, të parin e koptëve[14] në Egjipt dhe të tjerë. Mirëpo kusht është që këto dhurata të mos jenë të ndaluara për muslimanin, si për shembull alkooli, mishi i derrit etj.
Këtu duhet përmendur se disa juristë islamë, si Ibn Tejmijje dhe nxënësi i tij Ibn El-Kajjim, ishin shumë të ashpër për­kitazi me çështjen e festave të idhujtarëve dhe ithtarëve të librit dhe pjesëmarrjes në to. Ne pajtohemi me ata në ndali­min e festimit të muslimanëve festat fetare të idhujtarë­ve dhe ithtarëve të librit, sikur që shohim disa muslimanë neglizhent të cilët i festojnë kërshëndellat sikur që e festojnë Fitër dhe Kurban Bajramin, e madje edhe më tepër. Kjo është e ndaluar, sepse ne i kemi festat tona, kurse ata i kanë festat e veta. Mirëpo nuk shohim pengesë që t’u dërgohen urime për festa personave me të cilët kanë marrëdhënie afërsie, fqinjësie, kolegjiale apo marrëdhënie tjera shoqërore, të cilat konsistojnë në raporte solide dhe sjellje të butë që e pranon tradita e shëndoshë.
Për sa u përket festave kombëtare dhe shoqërore, siç është dita e pavarësisë, unitetit, dita e fëmijëve apo e nënës etj, nuk ka asnjë ndalesë për muslimanin që t’u dërgojë tele­gram urimi, madje edhe të merr pjesë në festat e tilla, nisur nga ajo se ai është qytetar apo banon në atë vend, mirëpo gjithsesi duhet t’u ikë harameve-gjërave të ndaluara të cilat ndodhin në solemnitetet e këtilla[15].

 


prej arabishtes: Bashkim Aliu


[1] Hadithin e transmetojnë Buhariu (nr. 2477, 3012, 5633, 5634) dhe Muslimi (nr. 1003).
[2] Kaptina El-Maide, 5.
[3] Kaptina Er-Rrum, 21.
[4] Kaptina El-Bekare, 187.
[5] Kaptina El-Furkan, 54.
[6] Kaptina El-Enfalë, 75.
[7] Kaptina En-Nahl, 70.
[8] Hadithin e transmetojnë Ahmedi, vëll. V, fq. 153, 177, Tirmidhiu (nr. 1987), Darimiu (nr. 2688) dhe Hakimi (nr. 178) prej hadithit të Ebu Dherit. Tirmidhiu thotë: Hadithi është i mirë, i saktë (hasenun sahih). Po ashtu edhe Hakimi e konsideron të saktë.
[9] Hadithin e transmeton Buhariu (nr. 2777 dhe në vende tjera) dhe Muslimi (nr. 2165) prej hadithit të Aishes.
[10] Kaptina En-Nisaë, 86.
[11] Hadithi është i vërtetë (sahih), e transmeton Ahmedi (nr. 7402, 10106, 10817), Ebu Davudi (nr. 4682), Tirmidhiu (nr. 1162) dhe Darimiu (nr. 2689) prej hadithit të Ebu Hurejres. Tirmidhiu thotë: Hadithi është i mirë, i vërtetë (hasenun sahih).
[12] Hadithi është i saktë, e transmeton Ahmedi (nr. 8952), Buhariu në veprën El-Edeb el-mufred (nr. 273) dhe Bezzari (nr. 2470 Keshfu-l-estar) me këtë tekst. Senedi i hadithit është i saktë. Po ashtu e klasifikon të saktë edhe Ibn Abdu-l-Berri në veprën Et-Temhid, vëll. XXIV, 333.
[13] Kaptina En-Nisaë, 157.
[14] Transmetimet për këtë janë të shumta, kurse argumentueshmëria e tyre është e saktë. I përmend Tahaviu në veprën Sherhu mushkili-l-athar me rrugë të gradës “xhejjid” (e mirë) në dy kapituj, vëll. VI, 399, dhe vëll. XI, fq. 128.
[15] Me këtë nuk u pajtua anëtari i Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, Dr. Muhamed Fuad, dhe përkitazi me këtë vendim tha: “Nuk pajtohem që t’u dërgohen telegrame urimi apo t’u dërgohen dhurata në festat e tyre fetare”.

/mesazhi/