Të Fundit
Rregullat e Sadakasë së Fitrit

Rregullat e Sadakasë së Fitrit

Sadakaja e Fitrit ndryshe njihet edhe si Zeqat i Fitrit. Ndërsa sendit të dhuruar për këtë detyrë i thuhet Fitrah (arabisht: فطرة, “natyrë e pastër njerëzore”), që domethënë se ky zeqat është prej natyrshmërisë.

I. URTËSIA E LIGJËSIMIT TË SADAKASË SË FITRIT

Muaji Ramazan përfundon me festën e Bajramit të Fitrit, që është një festë në të cilën myslimanët gëzohen për adhurimet e shumta, që i kanë bërë për Allahun Fuqiplotë. Feja Islame kujdeset që ky gëzim të përhapet gjithandej, saqë në këtë ditë të mos ndjehet i dëshpëruar as edhe fukarai për fukarallëkun e tij, që të mos ndjejë urrejtje dhe pakënaqësi për shkak se ai është privuar nga ajo që kanë të tjerët. Feja Islame është kujdesur që ky njeri të ndjejë se shoqëria islame nuk e ka braktisur atë dhe nuk e ka harruar hallin e tij. Sa fjalë të vërtetë që ka thënë i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem në këtë hadith që e transmeton Bejhekiu dhe Darakutniu: “Jepuni atyre që mos lypin edhe në këtë ditë!” Ky hadith na mëson dhembshurinë dhe përgjegjësinë shoqërore, që duhet të ekzistojë në mesin e myslimanëve.

Mu për këtë arsye është ligjësuar Zeqati i Fitrit dhe është llogaritur si veprim plotësues i agjërimit, që rregullon dhe korrigjon të metat e agjëruesit që kanë qenë në kundërshtim me edukatën e agjërimit, si përdorimi i fjalëve të rrugës që janë fjalë të ulta e të ndyra, etj. Sahabiu Ibën Abas, radiallahu anhu në një hadith që e transmeton Ebu Davudi tregon se: “I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem e ka bërë obligim Sadakanë e Fitrit, për të qenë pastrim për agjëruesin nga fjalët e ulta dhe të ndyra, si dhe ushqim për të vobektit.”

II. VENDIMI FETAR MBI SADAKANË E FITRIT DHE KUSH E KA BORXH ATË

Sadakaja e Fitrit është obligim. Ngase Sahabiu Ibën Omer radiallahu anhu, në një hadith që e transmeton Buhariu dhe Muslimi, tregon se: “I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem, e obligoi Zeqatin e Fitrit gjatë Ramazanit edhe atë 1 sa’a hurma apo 1 sa’a elb. Ky obligim ishte si për skllavin ashtu edhe për personin e lirë, si për mashkullin ashtu edhe për femrën, si për të madhin ashtu edhe për të voglin e myslimanëve.”

Në koleksionet e njohura të hadithit, përveç Sunen Ibni Maxhes, transmetohet se Sahabiu Ibën Omer radiallahu anhu ka thënë: “I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem, urdhëroi që Zeqati i Fitrit të nxirret para daljes së njerëzve për namaz (të Bajramit).” Fjala “urdhër”, e cila përmendet në këtë hadith, jep të kuptojmë se ky veprim është obligativ.

Andaj, Sadakaja e Fitrit është obligim për çdo mysliman që e posedon nisabin, qoftë edhe nëse është pasuri që nuk shtohet ose që nuk i kaluar një vit në dorën e pronarit. Me kusht që ky nisab të mos jetë i lidhur me ndonjë borxh apo mos te jetë për nevojat elementare të jetës siç janë: banimi, veshja dhe orenditë esenciale. Kjo që thamë është sipas shkollës hanefite.

Ndërsa, sipas dijetarëve tjerë (xhumhurit), Sadakaja e Fitrit është obligim për çdo mysliman, i cili posedon ndonjë pasuri shtesë nga racioni i tij dhe i familjes së tij për Natën e Bajramit dhe Ditën e Bajramit. Me kusht që kjo pasuri të jetë tepricë nga nevojat e tija elementare. Padyshim se qëndrimi i dytë i dijetarëve është një mësim jete, që njeriu të jetë i gatshëm për të dhënë edhe kur është në gjendje të vështirë edhe kur është në gjendje të mirë. Me këtë veprim njeriu mësohet që dora e tij të jetë gjithnjë ajo që jep, po edhe nëse vetë ai është fukara dhe i mundëson të ndjejë shijen e dhurimit dhe zemërgjerësisë, qoftë edhe për një ditë të vetme gjatë vitit.

Myslimani obligohet që këtë sadaka ta nxjerr për vetveten e tij dhe për rrethin e tij të ngushtë, për gjendjen e të cilëve kujdeset vetë ai. Si fëmijët e tij të vegjël që janë të varfër. Ndërsa nëse janë të pasur, atëherë babai duhet që sadakanë e tyre ta nxjerr nga vet pasuria e tyre. Po ashtu gjyshi obligohet të nxjerr Sadakanë e Fitrit për jetimët e varfër të djalit të tij, ndyshe nga fëmijët e vajzës, ngase për ta nuk obligohet (ngase nxjerrjen e sadakasë së tyre e ka për borxh gjyshi nga babai. Shën. i përkth.).

Po ashtu myslimani nuk obligohet me nxjerrje të sadakasë për fëmijët e tij të rritur që kanë hyrë në moshën e pubertetit. Pastaj myslimani nuk detyrohet të paguaj sadakanë e babait dhe të nënës, po edhe nëse janë nën kujdesin e tij ekonomik. Po ashtu myslimani nuk detyrohet të paguaj edhe sadakanë të bashkëshortes së tij. Për këto raste (babai, nëna dhe bashkëshortja) nuk merret parasysh se a janë të varfër apo jo. Edhe pse është më mirë që nëse janë të varfër, të kryej edhe nxjerrjen e sadakasë së tyre. Kjo sipas shkollës hanefite.

Ndërsa sipas tre imamlerëve të mëdhenjë (Malikut, Shafiut dhe Ahmedit) burri obligohet edhe me nxjerrjen e sadakasë për bashkëshorten e tij dhe për prindërit të tij. Ngase mu ai është i detyruar të kujdeset edhe për gjendjen e tyre materiale.

III. KOHA KUR OBLIGOHET

Sadakaja e Fitrit është obligim me zbardhjen e agimit (fexhrit) të Ditës së Bajramit. Andaj ai njeri që ndërron jetë apo varfërohet para zbardhjes së këtij agimi, nuk detyrohet me nxjerrjen e kësaj sadakaje. Po ashtu njeriu që pranon islamin ose pasurohet apo lind pas zbardhjes së këtij agimi nuk detyrohet me nxjerrjen e kësaj sadakaje. Ndryshe për fëmijën që lind para zbardhjes së agimit, ngase për të obligohemi me nxjerrje të Sadakasë së Fitrit. E gjithë kjo që thamë është qëndrim i shkollës hanefite.

Ndërsa sipas Imam Malikut, Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit kjo sadaka është obligim me perëndimin e diellit të ditës së fundit të Ramazanit.

Nxjerrja e Sadakasë së Fitrit preferohet të bëhet para nisjes për në namaz të Bajramit. Pastaj urrehet (mekruh) vonimi i kësaj sadakaje deri pas namazit të Bajramit. Andaj nëse njeriu e jep këtë sadaka që në ditën e parë të Ramazanit ose para Bajramit ose në Natën e Bajramit, ky veprim lejohet. Ngase Sadakaja e Fitrit obligohet për dy shkaqe: Shkaku i parë është agjërimi i Ramazanit dhe shkaku i dytë është Bajrami i Fitrit që vjen pas Ramazanit. Andaj, nëse ekziston njëri shkak i obligueshmërisë, lejohet të jepet edhe para ekzistimit të shkakut të dytë. Kjo si shembulli i zeqatit të pasurisë.

IV. SASIA E SADAKASË SË FITRIT

Sasia e Sadakasë së Fitrit që duhet nxjerrur për çdo person është ½ sa’a grurë apo miellit të tij, rrush të thatë apo edhe vlera e kësaj sasie. Kjo sasi është e barabartë me rreth 2 kg. Po ashtu mund të jetë edhe 1 sa’a hurma, elb apo vlera e kësaj sasie. Kjo sasi është e barabartë me rreth 4 kg.

Në shkollën hanefite dhënia e vlerës së këtyre sasive është më mirë për rastet e bollëkut. Po ashtu kjo sadaka më mirë është që t’u jepet njerëzve të farefisit dhe miqësisë, me përjashtim të paraardhësve, pasardhësve dhe bashkëshortes.

Sadakaja e Fitrit nuk lejohet t’u jepet këtyre personave:

– Babait,
– Nënës,
– Gjyshërve,
– Gjysheve,
– Djalit,
– Fëmijëve të djalit,
– Vajzës,
– Fëmijëve të vajzës,
– Bashkëshortes dhe
– Bashkëshortit.

Ndërsa, lejohet dhënia e kësaj sadakaje jashtë këtyre që u përmendën më sipër, kuptohet nëse janë njerëz të varfër. Pra, lejohet që kjo sadaka t’i jepet:

– Vëllaut,
– Fëmijëve të vëllaut,
– Motrës,
– Fëmijëve të motrës,
– Xhaxhait,
– Fëmijëve të xhaxhait,
– Hallës,
– Fëmijëve të hallës,
– Dajës,
– Fëmijëve të dajës,
– Tezes,
– Fëmijëve të tezes, etj.

Nëse kjo sadaka u jepet këtyre të afërmve, atëherë është edhe më mirë.

Por, asesi nuk lejohet paraardhësve, pasardhësve dhe bashkëshortes, po edhe nëse janë të varfër. Allahu Fuqiplotë nuk e pranon këtë sadaka tek trungu nevojtar i myslimanit (ngase ai obligohet të kujdeset për gjendjen e tyre materiale edhe atë gjatë tërë vitit. Shënim i përkth.).

Pastaj një shkallë më ulët (se të afërmit) preferohet që kjo sadaka t’u jepet:

– Fqinjëve të varfër,
– Pastaj fukarenjëve të mëhallës,
– Pastaj fukarenjëve të vendbanimit të tij.

Vlen të theksohet se mekruh është që kjo sadaka të nxjerret jashtë vendit. Përveç nëse bëhet fjalë për dërgimin e saj për farefis të varfër apo për ndonjë varfanjak më në nevojë. Nëse vjen deri te dërgimi i kësaj sadakaje jashtë vendit, atëherë duhet dhënë mund që kjo të arrijë në dorën e nevojtarit para Ditës së Bajramit, kjo që të mos humb urtësia e ligjësimit të këtij adhurimi.

V. RREGULLA TË PËRGJITHSHME MBI SADAKANË E FITRIT

1. Borxhi i Sadakasë së Fitrit nuk rrëzohet me humbjen e pasurisë, kjo pasi të jetë obliguar. Ndryshe nga meseleja e Zeqatit. Andaj, nëse nisabi i njeriut bie pas zbardhjes së agimit (fexhër) të Ditë së Bajramit, kjo detyrë ngelet akoma në qafën e tij.

2. Borxhi i Sadakasë së Fitrit nuk rrëzohet edhe për atë njeri që e prish agjërimin me ndonjë arsye të justifikuar fetarisht. Andaj, edhe për këtë njeri është obligim nxjerrja e kësaj sadakaje.

3. Borxhi i Sadakasë së Fitrit nuk rrëzohet as edhe për atë njeri që e prish agjërimin pa ndonjë arsye të justifikuar fetarisht. Njashtu vlen edhe për atë njeri që nuk e falë namazin.

4. Sa i përket kohës se kur duhet krijuar nijetin (synimin), themi që ai bëhet gjatë dorëzimit të kësaj sadakaje në dorën e nevojtarit apo edhe pas shkëputjes së saj nga pasuria.

5. Sadakaja e fëmijës së vogël apo fëmijës me probleme mendore jepet nga pasuria e tyre personale. E nëse përgjegjësi i tyre nuk e nxjerrë këtë sadaka, atëherë këta fëmijë obligohen me nxjerrjen e saj pas pubertetit apo shërimit.

6. Gruaja e pasur nuk obligohet me nxjerrje të Sadakasë së Fitrit për fëmijët e saj. Qoftë edhe nëse bashkëshorti i saj është njeri fukara.

7. Bashkëshorti nuk obligohet me nxjerrje të Sadakasë së Fitrit për fëmijët e gruas së tij, të sjellur nga bashkëshorti tjetër.

8. Vejusha nuk obligohet me nxjerrje të Sadakasë së Fitrit për fëmijët e saj të ngelur jetimë. (Ngase këtë gjë e ka për borxh gjyshi i tyre. Shënim i përkth.) E nëse këto jetimë kanë pasurinë e tyre, atëherë kjo sadaka jepet nga ajo pasuri.

9. Për çështjen e Sadakasë së Fitrit merret në konsideratë vendi në të cilin ndodhet myslimani që e jep atë. Ndryshe nga çështja e Zeqatit, ngase për zeqatin në konsideratë merret vendi ku ndodhet pasuria.

10. Lejohet shpërndarja e disa sadakave edhe për një fukara të vetëm.

11. Lejohet shpërndjarja e një sadakaje të vetme për disa fukarenjë.

Nga e gjithë kjo që thamë na bëhet e qartë se, në ligjësimin e Sadakasë së Fitrit ka një përforcim të shtyllave të ngushëllimit, bashkëpunimit dhe dashurisë vëllazërore. Kjo gjë vërteton se Feja Islame është fe e drejtësisë shoqërore, bashkëpunimit, vëllazërisë dhe dashurisë. Këtë që themi e vërteteojnë sa e sa aspekte të solidaritetit social të ligjësuara në sistemin e kompletuar të kësaj feje dhe në mësimet e saja të pakufizuara në kohë dhe në vend.

Autor: Prof. Dr. Mufti Ibrahim Selkini El-Hanefi (Allahu e Mëshiroftë!)

Burimi: “El-Fikhu’l-islami ehkamu’s-saumi ve’z-zekati ve’l-haxhi”,

Damask: Universiteti i Damaskut, 2007. Bot. IX, vol. II, fq. 58-62.

Përktheu: Hazir Selmani. (Islampress)