Të Fundit
Rëndësia e konsultimit në Islam

Rëndësia e konsultimit në Islam

Dr. Almir Fatiç

…e konsultohu me ta… [Ali Imran, 159]

Është e qartë se as Kurani dhe as Hadithi i të Dërguarit të Allahut (SalAllahu alejhi ue sel-lem) nuk e kanë përcaktuar në mënyrë të qartë dhe as në mënyrë eksplicite një model të caktuar të qeverisjes, ose mënyrës së formimit të komunitetit shtetëror (p.sh. republikë, monarki, mbretëri, mbretëri…), në të cilin muslimanët do të jetojnë dhe do ta manifestojnë besimin e tyre. Por, nëse flasim për sistemin politik islam, duhet kalimthi të theksohet që i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue sel-lem, themeloi një model të shoqërisë dhe shtetit që ofron kornizë të mjaftueshme për formimin e kornizës politike dhe shtetërore muslimane në të gjithë kohërat. Kjo çështje kërkon një elaborim të gjerë që nuk është tema e diskutimit tonë. Po kështu, është e qartë se udhëzimet e botuara në Kur’an dhe Sunet përmbajnë parime dhe vlera të përjetshme, absolute dhe universale, të cilat i mundësojnë personit jetë siç duhet në çdo kohë dhe të përballet me të gjitha sfidat që i shfaqen. Kurani dhe Suneti lënë hapësirë të mjaftueshme për t’u marrë me detaje në situata të ndryshme kohore dhe hapësinore. Disa nga këto parime dhe vlera që kanë të bëjnë me shoqërinë si një bashkësi konkrete janë për shembull, teuhidi, drejtësia, barazia para ligjit, mbrojtja e virtyteve morale, kujdesi për personat e pambrojtur, konsultimi (shūrā), urdhërimin për të mirë dhe largimin e të keqes, etj.  Është e rëndësishme të theksohen se këto parime, zbatohen si për një shoqëri të organizuar në nivelin shtetëror ashtu dhe për secilin musliman individualisht, në nivelin shpirtëror të tij. Për shembull, a nuk duhet që çdo musliman t’i mbrojë virtytet morale, të kujdeset për personat me aftësi të kufizuara, të negociojë me të tjerët, të urdhërojë për të  mirë dhe ta ndalojë të keqen…

Detyrimi i konsultimeve

Kurani i kushton rëndësi të madhe konsultimit dhe e vendos atë si një nga faktorët themelorë mbi të cilat mbështetet shoqëria muslimane. Kjo më së miri shihet në faktin se një kaptinë e tërë në Kur’an quhet esh-Shūrā (Konsultimi). Është emëruar kështu sepse konsultimin e përshkruan si një parim të domosdoshëm të shoqërisë muslimane në tërësi, dhe të çdo shpirti musliman në veçanti. Prandaj, konsultimi mund të vlerësohet si një detyrim që lidhet ngushtë me jetën e përditshme të një besimtari, siç janë namazi, ndershmëria, vetëdija për Allahun, etj.

Nëse ashtu e kuptojmë konsultimin, atëherë do të thoshim, fillon brenda vetes, dhe vazhdon në familjen tonë (marrëveshja midis burrit dhe gruas; marrëdhëniet prindër-fëmijë), në punën që bëjmë (marrëdhënia punëdhënës – punonjës; koleg- kolegë), në shoqatë ku jemi anëtarë dhe në të gjitha aspektet dhe fushat e tjera ku ne takojmë dhe i ndajmë të njëjtat synime dhe vlera, veçanërisht në institucione me interes të përgjithshëm për muslimanët. Prandaj, në bazë të Kur’anit, si dhe Sunetit verbal dhe praktik, lind detyrimi i besimtarëve për të rënë dakord në punët e tyre të përbashkëta. Le të shqyrtojmë më në detaje se si Kur’ani flet për këtë detyrim.

Mëshirë për Ummetin

Allahu i Madhërishëm e obligoi këtë Ummet me parimin e konsultimit përmes dy ajeteve kur’anore, në të cilat në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje e thekson se ky detyrim është parim jetësor. Ajeti i parë thotë: Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhammed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.” [Ali ‘Imran, 159]

Ky ajet u shpall pas luftës së Uhudit. Kujtojmë që i Dërguari i i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem, pak para kësaj lufte, u këshillua me as’habët e vet si të veprojnë në situatën e dhënë. Të rinjtë që nuk kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit, propozuan që ushtria muslimane të del jashtë mureve të qytetit të Medinës dhe atje ta takojë ushtrinë kundërshtare. Disa as’habë, e këshilluan të Dërguarin e Allahut që të mbeteshin brenda mureve të qytetit. Edhe i Dërguari i Allahut anonte ndaj kësaj zgjidhje, por shumica e të pranishmëve ishin për propozimin e parë, e në veçanti ata që nuk morën pjesë në luftën e Bedrit, duke shpresuar ta arrijnë shpërblimin e luftëtarëve të Bedrit. I Dërguari i Allahut salAllahu alejhi ue sel-lem e pranoi propozimin e shumicës  dhe dolën në Uhud. Përfundimin e kësaj beteje e kemi të njohur. Mirëpo, edhe krahas humbjes që e përjetuan muslimanët, Allahu i Madhërishëm shpall: Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata…, që në përkthim të lirë domethënë: Mos lejo që rezultati përfundimtar i marrëveshjes t’ju bëjë që të hiqni dorë nga ky parim! Në asnjë mënyrë, vazhdo të konsultohesh me ata! Ky ajet dhe shkaqet e zbritjes së tij tregojnë se Allahu i Madhërishëm dëshiron që jeta dhe politika e muslimanëve bazohet në konsultim dhe assesi të mos e braktisin atë.

Burimi: Preporod
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Islampress]