Ndër përshkrimet më tronditëse me të cilat Kur’ani e ka paraqitur shëmtinë e përgojimit (gibetit), është krahasimi i tij me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur. Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿وَلَا يَغْتَب بَعْضُكُم بَعْضًا ۚ أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَنْ يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتًا فَكَرِهْتُمُوهُ ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ تَوَّابٌ رَحِيمٌ﴾
“Mos përgojoni njëri-tjetrin! A mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë sigurisht që e urreni! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (El-Huxhurat, 12).
Zgjedhja e kësaj figure kaq të fuqishme në Kur’an nuk është e rastësishme. Kurani nuk mjaftohet vetëm duke na ndaluar përgojimin, por na sjell para syve një pamje aq të rëndë, saqë të na bëjë ta ndiejmë shëmtinë e këtij veprimi përpara se të biem në të.
Përse Allahu xh.sh. e krahasoi përgojimin me ngrënien e mishit të vëllait të vdekur?
Sepse përgojimi është një sulm ndaj njeriut në mungesë të tij, kur ai nuk është i pranishëm për t’u mbrojtur dhe nuk ka mundësi t’u përgjigjet fjalëve që thuhen për të. Është sikur përgojuesi të shfrytëzojë mungesën dhe pamundësinë e vëllait të tij për t’u mbrojtur, për t’ia cenuar nderin dhe dinjitetin.
Mishi është ndër pjesët më intime të trupit të njeriut, prandaj copëtimi dhe ngrënia e tij janë pamje që natyra e shëndoshë njerëzore i refuzon. E si do të ishte atëherë kur bëhet fjalë për mishin e vëllait tënd? Dhe atë të vdekurit, i cili nuk ka mundësi të mbrohet nga kjo dhunë?
Kjo figurë bashkon në vete shëmtinë e sulmit, cenimin e shenjtërisë së vëllazërisë dhe shfrytëzimin e mungesës së atij që nuk mund të mbrohet.
Një nga hollësitë e bukura të shprehjes kuranore është se Allahu nuk tha: «A dëshiron ndonjëri prej jush të hajë mishin e një njeriu të vdekur?», por tha: «Mishin e vëllait të vet të vdekur».
Kjo na kujton se personi për të cilin flasim nuk është i huaj për ne, por është vëllai ynë. Mund të jetë vëlla në fe, por edhe vëlla në njerëzi. Lidhja e vëllazërisë nuk ndërpritet për shkak të mungesës së tij dhe nuk na jep të drejtë t’ia cenojmë dinjitetin kur ai nuk është i pranishëm.
Dy fytyra dhe dy gjuhë
Shëmtia e këtij veprimi bëhet edhe më e madhe kur shoqërohet me dyfytyrësi dhe dygjuhësi, siç thuhet në një transmetim:
“Sa i keq është njeriu që ka dy fytyra dhe dy gjuhë: e lavdëron vëllain e tij kur është i pranishëm, ndërsa e përpin me fjalë kur ai mungon.”
Ky është njeriu që në praninë e tjetrit shfaq dashamirësi dhe lavdërime, ndërsa në mungesë të tij e lëshon gjuhën në nënçmim dhe sulme. E lavdëron vëllain kur e sheh, pastaj e shfrytëzon mungesën e tij për ta goditur.
Sikur të kishte një gjuhë për lajkatim dhe një tjetër për përçmim, një fytyrë përballë tjetrit dhe një tjetër pas shpine.
Këtu problemi nuk qëndron vetëm te përgojimi, por edhe te mungesa e sinqeritetit, humbja e fisnikërisë morale dhe mungesa e besnikërisë në marrëdhëniet njerëzore.
Ta ruajmë gjuhën tonë
Le t’i kemi nën kontroll gjuhët tona! Një fjalë që e shqiptojmë në një mexhlis mund të jetë tek Allahu cenim i nderit të një njeriu. Një bisedë që neve na duket e zakonshme dhe kalimtare, mund të jetë prej atyre përgjegjësive për të cilat do të japim llogari në Ditën e Gjykimit.
Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿مَا يَلْفِظُ مِن قَوْلٍ إِلَّا لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ﴾
“Ai nuk e shqipton asnjë fjalë, e që të mos jetë pranë tij një mbikëqyrës i gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)
Mos e bëj gjuhën tënde mjet për ta rrënuar nderin e dikujt që nuk është i pranishëm. Ruaje dinjitetin e tjetrit sikur të ishte dinjiteti yt. Sepse besimtari nuk e ha mishin e vëllait të tij, as me gojë e as me gjuhë.
Allahu xh.sh. na i pastroftë zemrat, na i ruajtë gjuhët nga përgojimi dhe na bëftë prej atyre që flasin mirë ose heshtin! Amin.
Thuraja Sulhi/islampress/
Xhamia e Klleznës Uebfaqja zyrtare
